Në historinë e letërsisë shqipe, anatemimi i veprave të autorëve të ndryshëm, në vende të ndryshme ka ndodhur në kohën e regjimeve të caktuara, por shumica e rasteve janë të diktaturës komuniste. Dhe kjo ndodhë në një periudhë rreth gjysmë shekulli, qoftë Shqipëri, Kosovë e vende të tjera ku jetojnë shqiptarët. Numri i autorëve, apo veprave të tyre të anatemuara, të zhdukura apo edhe të ndaluara krejtësisht, për fat të keq është i madh. Në mesin e këtyre anatemimeve dhe ndalimeve, pothuajse më i ndjeshmi, më i vrazhdi dhe më gjithëpërfshirësi, është ushtruar ndaj figurës së Gjergj Fishtës dhe veprës së tij. Dhe kjo ndodhë në mënyrë paradoksale pas disa vitesh së vdekjes së këtij shkrimtari e intelektuali të pashoq. Ky anatemim paradoksal që nis pas Luftës së Dytë Botërore dhe zgjatë për rreth pesë dekada, shtrihet pothuajse në të njëjtën masë në të gjitha trojet shqiptare. Anatemohen, ndalohen, zhduken, por edhe u ndalohet botimi, apo veprimi i shkrimtarëve, historianëve, studiuesve, e artistëve të tjerë. Shkrimtarëve si: Gjergj Fishta, Faik Konica, Ernest Koli, Lasgush Poradeci, Dhimitër Pasko, Martin Camaj, Arshi Pipaj, Sejfulla Malëshova, Musine Kokalari, Kasem Trebeshina, Adem Demaqi, Zeqir Gërvalla, Frederik Reshpja, Bilall Xhaferri, Astrit Delvinja, Pjetër Arbnori etj. Në këtë kontekst, një mënyrë e veçantë e trajtimit dhe anatemimit, ka ndodhur edhe me shkrimtarin më të madh të letërsisë bashkëkohore shqipe, Ismail Kadare dhe veprën e tij.
Në përgjithësi, qasjes dhe trajtimit të veprës së përgjithshme të këtij shkrimtari, i është kushtuar një vëmendje e madhe duke nxjerrë përfundime që mund të klasifikohen në dy linja. Njëra palë e trajton si vepër që përgjithësisht nuk përputhet me doktrinat e realizmit socialist dhe pala tjetër që filloi të paraqitet sidomos pas rrëzimit të diktaturës dhe ardhjes së demokracisë, nxjerrë përfundime se vepra e tij kryesisht ishte në kornizat dhe shërbesat e realizmit socialist. Gjithashtu edhe për autorin, që është i pandashëm me veprën e tij, pothuajse ngjashëm jepen opinione në të dy linjat.
Duke pasur parasysh të gjitha këto, atëherë është lehtë të përfundohet gjykimi se ky shkrimtar i madh i cili e shtrinë veprimtarinë e tij letrare nën diktaturën komuniste për rreth katër dekada, ka shkruar pothuajse gati gjithmonë jashtë kornizave dhe shablloneve të paracaktuara të realizmit socialist. Kjo edhe vlerësohet nga studiues dhe kritikë të mirëfilltë, qoftë shqiptarë, apo edhe të huaj e me famë botërore, sikurse thekson në një rast edhe Alain Plantey, Kryetar i Akademisë Franceze se: “Në të gjithë botën, veprat e Kadaresë kanë një domethënie të fuqishme, therëse”. Të tjerët që japin opinione ndryshe, që nga botimet e para të Kadaresë e edhe sot e kësaj dite, që për fat të keq vijnë kryesisht nga shqiptarët, në të vërtetë këtë e bëjnë me nxitje dhe qëllime të caktuara denigruese.
Prandaj në mesin e gjithë kësaj thashethemnaje na paraqiten studiues, kritikë, lexues nga gjithfarë profesionesh, edhe pa profesione fare që me, ose pa kompetencë japin vlerësimet e tyre që krijojnë edhe sugjestionin që tërheq ose largon në rreshtimin e së cilës anë e gjen vendin vetë lexuesi. Me gjithë këto, nisur nga anatemimi e një pjese të veprës së tij, ndalimit, zhdukjes, por edhe trajtimit të vetë shkrimtarit në një periudhë të caktuar kohore që zgjat rreth dy dekada, mund të konstatohet që në fillim se shkrimtari më i madh i letërsisë bashkëkohore shqipe, Ismail Kadare, me veprën e tij paraqet disidencën kundër regjimit totalitar, jo vetëm të sistemit komunist, por edhe të sistemeve tjera shoqërore. Lidhur me këtë, vlen të trajtohen disa aspekte të anatemimeve të veprimtarisë letrare të shkrimtarit të madh e të njohur botërisht.
Nisur nga historia e botimit të veprave të këtij autori, në njërën anë kanë sjellë suksese jo vetëm personale, por edhe për letërsinë e kulturën shqiptare në përgjithësi, për vlerat e mirëfillta artistike, në anën tjetër kanë shkaktuar shpeshherë edhe tronditje, shqetësime, përplasje e probleme me pasoja të dhimbshme. Dhe kjo ka të bëjë jo vetëm me autorin, por mbase në disa raste edhe për të tjerët e sidomos për adhuruesit e mirëfilltë. Derisa autori, është shqetësuar në vazhdimësi me vërejtje, qortime partiake, kërcënime, shantazhe e sajesa të rrezikshme, detyrime të dhunshme e deri edhe te internimi paradoksal për riedukim. Ndalimi i veprave të tij, është përdorur nga regjimi totalitar edhe për efekte të tjera, për të frikësuar, shkaktuar panik e terror. Bëhet gjithë kjo plojë duke nisur nga autori, shkrimtarë e intelektualë të tjerë, punëtorë, nga masa e gjerë e deri te të burgosurit, sidomos ata me sajesa politike. Arsyeja parësore e kësaj egërsie, që vjen kryesisht nga udhëheqja partiake, është nën përkufizimet e një trajtimi të shkrimtarit dhe studiuesit të letërsisë bashkëkohore Bashkim Kuçuku, që pos tjerash lidhur me këtë thotë: “Politika shqiptare nuk mund të pranonte popullarizimin e famës së madhe të një shkrimtari në botën e huaj, armike, që atëherë quhej borgjezo-revizioniste”.
Trajtimi dhe qasja, leximi dhe interpretimi i këtyre veprave nga aparatura e sistemit totalitar, është nga më të çuditshmet dhe ndonjëherë më paradoksalet për mendjet e shëndosha njerëzore. Sidoqoftë, mundësia e kaheve të interpretimit të shtrembëruar ishte e madhe. Gjithashtu, ndonjëherë edhe tema me trajtimin e sheshtë të çështjes që epej në planin e parë të veprës, të çonte te një interpretim i rrezikshëm e që paraqiste rrezik të përhershëm për autorin dhe përkrahësit e tij. Në këto rrethana, mundësia e kundërshtimit ishte e vogël.
Sipas Profesor Shaban Sinanit, i cili është marrë më së shumti dhe në mënyrën më profesionale deri më tash me qasjen e këtij problemi të veprës së Kadaresë, del se ekzistonin dy linja të rrezikshme të kritikës, njëra si “kritikë zyrtare” e tjetra “kritikë e zyrave”. “Kritika e zyrave” është shprehje e vigjilencës së përgjithshme të strukturave shtetërore e partiake për të ushtruar, veç kontrollit “të ligjshëm”, edhe një formë tjetër të kontrolli, atë të fshehtë, të padeklaruar, të pabotuar, posaçërisht për udhëheqjen, posaçërisht për t’i ardhur asaj në ndihmë si të përcaktojë qëndrimin e saj ndaj subjektit.”
Kritika e zyrave përfaqësohet apo është shprehje e kontrollit tërësor mbi letërsinë. Pra kritika, bëhet nga shumë anë, njëra anë vjen, ajo e fshehta për autorin, që vjen nga shkrimtarë dhe studiues vullnetarë, kritika e recensuesve zyrtarë, strukturat e posaçme shtetërore e partiake etj. Pothuajse çdo shkrim dhe gjithsesi çdo vepër e Kadaresë ishte e mbikëqyrur hollësisht nga anë të ndryshme, vija të ndryshme. Gjithë kjo bëhej edhe me qëllime të ndryshme, varësisht nga vinte, me të vetmin emërues të përbashkët, nëse i ka përfillur kriteret e artit socialist dhe kërkesat e partishmërisë. Nga mundësia e interpretimeve të shmanshme, ishte e vështirë, mbase e pamundur për t’i ikur anatemimeve, ndëshkimeve, fyerjeve, ndalimeve, detyrimeve etj. Këtu hyjnë edhe interpretime e shpifje të ndryshme pa asnjë bazë morale e shkencore, nga më të ulëtat e më të ndyrat, që vijnë nga smirëzinj të brendshëm dhe të jashtëm. Këto veprime janë edhe në koordinim a në bashkëpunim për qëllime të caktuara për denigrimin dhe shkaktimin e dëmeve ndaj shkrimtarit më të madh shqiptar. U akuzua pa të drejtë për antisemitizëm, për përzierje në punët e brendshme jugosllave, vetëm se mbronte të drejtat e shqiptarëve në Kosovë e në të gjitha vendet tjera. U quajt shkrimtar dekadent, antikomunist etj. Këto denoncime shkojnë edhe deri te Akademia Suedeze që ndan çmimin Nobel, ku ky shkrimtar shqiptar ishte i nominuar tash e disa vjet me radhë.
Në bazë të këtyre zhvillimeve dhe veprimeve të dukshme të kohës, të dëshmitarëve të drejtpërdrejtë, gjithashtu të dokumenteve të ndryshme që dalin nga arkiva dhe institucione të ndryshme, rrëfime me jetëshkrime e memoare, tash del fare qartë se, shkrimtari Ismail Kadare me veprën e tij, ishte një shqetësim i vazhdueshëm për diktaturën komuniste. Ai vetë me veprimtarinë e tij konsiderohej si diçka jashtë vijës së partisë dhe vepra e tij me përmbajtjen e saj del në kundërshtim me këtë vijë të diktaturës së proletariatit, është një nxitje për devijime të rrezikshme.
Veprat e botuara lidhur me këtë çështje, e cila paraqitet në opinion si temë e ditës tash e gati tridhjetë vjet, si duket është krejtësisht e qartë. Janë dokumentet e qëndrueshme, rrëfimet e shumta të kolegëve, bile edhe të vetë persekutuesve, të dëshmitarëve të tjerë dhe gjithë veprat e botuara deri tash që duhet veçuar ato si: “Një dosje për Kadarenë” e Shaban Sinanit, botuar në vitin 2005, “Zhdukja e “pashallarëve të kuq” të Kadaresë, nga Maks Velo, botuar në vitin 2002, “Kadare i denoncuar”, nga Dashnor Kaloçi, botuar ne vitin 2015 etj., e përligjin qartazi dhe e dokumentojnë raportin e tij me regjimin komunist, sidomos libri i argumentuar me të dhëna arkivore i Shaban Sinanit, “Një dosje për Kadarenë”. “Nga ky libër del se Kadareja kishte probleme serioze me pushtetet jo vetëm në kohërat kur sulmohej publikisht, por edhe në kohë në dukje të qeta, madje edhe kur vepra e tij formalisht quhej ”e vlerësuar”. Kadareja ishte në kontroll jo vetëm kur gabonte, kur në veprat e tij gjenin “lajthitje ideologjike”, por edhe kur rastiste të shkruante “në rregull”, domethënë sipas kërkesave të realizmit socialist”
Ky raport, aspak paqësor, nxjerr një tymnajë që nga vitet ‘60 dhe që vazhdon deri në përmbysjen e këtij regjimi në fillim të viteve ’90. Nga përmbajtja e këtyre veprave, të këtyre autorëve del qartazi drama e vërtetë e këtyre veprimeve paradoksale, që vijnë kryesisht nga diktatura komuniste, të anatemimeve, të ndalimeve, të zhdukjeve e deri te një paradoks tjetër që vjen si rrjedhojë e gjithë kësaj e që çon në vetëndalimet e veprave nga vetë autorët. Gjithashtu, nga këto që shfaqen këtu shpërfaqin anatemimin e veprave të Kadaresë dhe aktakuzat e ngritura kundër disa prej këtyre veprave. Kjo rrëmujë e tmerrshme fillon në vitet ’60, dhe kjo vërehet me rastin e kritikës për variantin e parë të romanit “Gjenerali i ushtrisë vdekur”. Ndërsa, si intensifikim që bëri jehonë në përmasa më të gjera, shfaqen sheshazi në vitin 1975, atëherë kur u hoq nga botimi poema e titulluar nga autori, “Në mesditë Byroja Politike u mblodh” dhe që u popullarizua si poemë me titull “Pashallarët e kuq”. Tash tymnaja është më se e dukshme gjithandej.
Siç e thekson edhe vetë Kadare, romanin e parë të shkruar kur ishte student në Moskë, u detyrua ta fshihte vetë, pa marrë ndonjë vërejtje, por me parandjenjën e rrezikut që do t’i kanosej. Goditjen e parë, që i vjen nga vija të ndryshme e sidomos nga strukturat e partisë komuniste, për mungesë e frymës marksiste-leniniste, të papartishmërisë dhe si devijim i artit socialist, i cilësuar me një përmbajtje e trajtim dekadent, e mori me romanin “Përbindëshi”. Zhurmë nga kritika e parakritika dhe denoncime të tjera, u bënë pothuajse në të gjitha rastet e botimeve të veprave të tij në vazhdim. Ndalohen dhe anatemohen në redaksitë e shtypit ende të pabotuara, ose ndalohen pasi të jenë botuar si: “Dimri i madh”, “Viti i mbrapshtë”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, “Gjakftohtësia” etj. Rasti më eklatant, më paradoksal e më idioteski, duket të jetë me poemën “Pashallarët e kuq”. Kjo kishte zgjuar kureshtjen e vazhdueshme të atyre që kishin njohuri lidhur me këtë ngjarje, që ishte diskutuar, kritikuar e urryer deri në mallkim nga Lidhja e Shkrimtarëve, udhëheqës të ndryshëm të strukturave të Partisë Komuniste e deri te kupola e udhëheqjes me Enver Hoxhën në krye. Vepra u zhduk diku në bodrumet e errëta për një kohë të gjatë dhe bile edhe u mohua për ekzistencën e saj. Kjo dëshmohet me një pafytyrësi edhe viti 1990 në fillimin e lëvizjeve studentore, nga zyrtarë të Komitetit Qendror:
“Më 1990, kur nisi lëvizja studentore kundër diktaturës, në një nga mbledhjet, kur studentët pyetën një zyrtar të Komitetit qendror të partisë, ai u përgjigj se kjo poemë nuk ka ekzistuar kurrë. Sipas zyrtarëve komunistë, ajo ishte një pjellë e fantazisë së Kadaresë.”
Kjo “pjellë fantazie” e deklaruar në mënyrë perfide nga zyrtarë të Komitetit Qendror, në vitin ’90, shfaqet si diçka e qenësishme nga pohimi i vetë Nexhmie Hoxhës në vitin 2001.
“Nexhmije Hoxha, në një shkrim kundër Kadaresë, e përmend për herë të parë poemën, me të njëjtat terma si një çerek shekulli më parë. E quan vepër armiqësore. Jo vetëm kaq. Duke u nisur nga autokritika e Kadaresë, ku ai pranon që vjersha është armiqësore dhe shfaq keqardhjen që e ka shkruar, ajo e quan autorin të pasinqertë, ngaqë 7 vjet më pas, më 1982, në “Pallatin e ëndrrave” ku përsëritur të njëjtat faje.”
Pas këtij shkrimi, lidhur me këtë qëndrim kokëfortë e të pandryshuar të autorit edhe pas sa viteve, vjen edhe reagimi i Kadaresë që i kundërvihet këtij prononcimi tendencioz: “Ne nuk ishim aq budallenj sa të ishim të çiltërt me ju. Njeriu ka për detyrë të jetë i çiltër me homologun e vet, njeriun, por jo me bishën e egër. Kur përpara i del bisha, njeriu ka të drejtë të mbrohet. Ju ishit vrasës me thika në duar”. Për këtë poemë, nga ajo që dihet deri tash, namatisja që ka peshë më të madhe e shfaqur ndaj Kadaresë, vjen nga vet ish kryetari i ish Lidhjes së Shkrimtarëve , e cila edhe pse në dukje të parë del si tendencioze dhe ideologjike, në realitet është e orientuar si “çështje momenti”. Ndërsa, namatisja më e ashpër, më e rrezikshme, që shfaqet tash së voni shkruar në disa fletë të ditarit nga diktatori Hoxha, i cili kishte mbetur shumë kohë sekret, vjen po nga kreu i diktaturës. Sa për përligjje të kësaj poeme si diçka e rrezikshme dhe me një përmbajtje fund e krye të frymës armiqësore dhe që kishte bërë namin në qarqet e ndryshme, si një pamflet kundërrevolucionar e dëshmojnë shumë kritika të drejtuara kundër përmbajtjes së kësaj poeme: “Këto janë rezultatet i formimit ideologjik të autorit. Pikëpamjet e tij ideologjike nuk përputhen me marksizëm-leninizmin. Konceptet reaksionare të tij janë të huaja dhe pa asnjë bazë reale për revolucionin tonë. Ato i kemi dëgjuar në teoritë e Toliatit, që akuzon sistemin socialist se gjoja pjell deformimet, burokratizmin, kultin etj. I kemi dëgjuar nga Gjilasi, e tani nga Garodi. I dëgjojmë përditë nga propaganda antikomuniste e borgjeze-reaksionare dhe e revizionizmit. Kadare ka përqafuar këto ide.” Të këtij lloji janë edhe kritikat tjera të udhëheqjes partiake, secila më e ashpër dhe më anatemuese se tjetra. Të gjitha këto kritika që vijnë nga të gjitha anët, e detyrojnë, patjetër vetë autorin të bëjë autokritikë e cila e dëshmon pozitën e palakmueshme dhe të rrezikshme të Ismail Kadaresë.
Pothuajse, nga këtu e tutje, ky veprim i kundërshtimit dhe anatemimit të veprës së tij do të bëhej si diçka e zakonshme. E ashpër do të jetë kritika edhe me romanin “Dimri i madh”, me të njëjtat kritika, me të njëjtat anatemime për mosrespektimin e vijës dhe mësimeve të partisë komuniste. Ajo, që paraqet kulmin e revoltës partiake si vazhdimësi e këtij “skandali” vjen me romanin “Pallati i ëndrrave” i cili edhe pse në planin e parë paraqiste “Pallatin e ëndrrave” në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, në realitet nga leximet tjera ishte pallati i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, në qendër të Tiranës. Vepra u dënua ashpër në mbledhjen e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, si vepër krejtësisht e gabuar në konceptimin ideologjik. Lidhur me këtë, tashmë po kërkohej me ngulm gjithandej anatemimi i veprës, bile nga disa vija kërkohej edhe linçimi i autorit. Ngjashëm do të ndodhte edhe me romanin “Gjakftohtësia”. Ky avaz paradoksal, nuk do të përkufizohej me kaq, por do të vazhdonte kështu edhe me veprat tjera, e me vetë shkrimtarin, deri në rënien e diktaturës komuniste.
Përfundim
Si dhe sa u anatemua vepra e Ismail Kadaresë nga regjimi totalitar komunist, është një parashtrim pyetjeje që krijon edhe dilema dhe hamendësime për gjykime të sakta. Megjithatë, mund të përfundohet me konstatimin, se shumica nga veprat e tij të botuara dhe të pabotuara iu nënshtruan një censure të rreptë, një vështrimi të shumanshëm e një survejimi që shpeshherë ishte paragjykues e tendencioz. Sidoqoftë, kjo ishte një përvojë e keqe, një plojë që shkaktoi shumë probleme me shumë efekte penguese, që rezultojnë si vetëm të zymta. Pra ishte një paradoks i çmendur që zgjati për shumë kohë, duke akumuluar dhe shpenzuar energji të shumta me kotësi, që vetëm penguan, harxhuan dhe shkëputën shumë rrjedha që do të mund të shfrytëzoheshin pozitivisht.
Vepra e tij letrare, nga të gjitha aspektet, u bë një fenomen jo vetëm shqiptar, por edhe më gjerë. Pothuajse prej veprës “Historia e Skënderbeut” të humanistit Marin Barletit, e cila ishte përkthyer dhe njohur në disa gjuhë të botës, e përmes kësaj edhe historia e kultura shqiptare, nuk ka ndonjë njohje tjetër për ndonjë vepër tjetër të kësaj përmase, pothuajse shekuj me radhë, gjatë gjithë periudhës së sundimit osman, e më vonë deri te vepra e Ismail Kadaresë. Ky autor me veprën e tij, e cila me përmbajtjen e saj që rrok harkun kohor të historisë e të kulturës kombëtare, që nga kohët më të hershme e deri në ditët e sotme, e bëri të njohur në përmasa ndërkombëtare letërsinë e sotme shqipe, e përmes kësaj edhe njohjen e historisë e të kulturës shqiptare. Prandaj anatemimi dhe të gjitha tendencat e përbaltjes, dalin të neveritshme, qesharake aq edhe paradoksale.
Dhe kjo periudhë e përndjekjes dhe anatemimit të shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë, zgjati më shumë se katër dekada. Diktatura komuniste nuk kurseu në këtë drejtim as femrat krijuese, siç është rasti më eklatant edhe me Musine Kokalarin. Gjithashtu, nuk kurseu as krijuesit që ishin në shërbim me petkun fetar, por përkundrazi ngriti dhe sajoi komplote kundër tyre. Për fat të keq vargu i të anatemuarve, të ndaluarve, të penguarve, të shantazhuarve, të burgosurve e të likuiduarve në forma të ndryshme, ishte i madh, deri në rastin e fundit që njihet tashmë, rasti i ekzekutimit të poetit kuksian Hvzi Nelaj, me varje.
Në vorbullën e kësaj ploje, kësaj çmendurie diktatoriale që zgjati më shumë se katër dekada, duke shkaktuar frikë, panik, me kurthe, montime, dëshmi të rrejshme, denoncime qesharake, tradhti e mbi të gjitha duke ushtruar edhe terror të paparë dhe të paimagjinueshëm ndodhej edhe shkrimtari Ismail Kadare. Ai, që nga fillimi i viteve ’60, me veprën e parë, përkatësisht variantin e parë të romanit “Gjenerali i ushtrisë vdekur” pothuajse u bë objekt survejimi të vazhdueshëm. Kjo zgjati me intervale të ndryshme përndjekjeje deri në vitin 1990 kur detyrohet të largohet jashtë atdheut.
Përbërja e këtyre pjesëmarrësve të censurës, anatemimit e kritikës së veprës së shkrimtarit dhe të akuzimit të vetë autorit, ishte e shumtë dhe e ndryshme. Mësymja dhe vardisja e tyre ishte si një korpus që përbëhej nga gjithfarë njerëzish me misione të caktuara që vinin nga çdo anë, por pothuajse që të gjitha këto nxitje dhe intrigime lidheshin me qëllimet dhe projektet e kreut të udhëheqjes partiake. Në mesin e këtyre kritikuesve, denoncuesve e intriguesve servilë e smirëzinj që ishin edhe të yshtur, por edhe vullnetarë aq të shumtë, në mesin e të cilëve kishte sekretarë partie, shkrimtarë, historianë, pseudoshkrimtarë, kooperativistë, brigadierë, njerëz mediokër, kritizerë e servilë, gjithfarë vullnetarë sharlatanë të profesioneve të ndryshme. Ndërkaq, përballë gjithë kësaj stuhie, ishte shumë e vështirë të qëndroje indiferent dhe i pakujdesshëm. Koha e presioneve dhe e terrorit të vazhdueshëm ishte e mërzitshme, kohë që nuk ishte e një periudhe të shkurtër. Dhe gjatë kësaj kohe të vështirë rreziku ishte i shumanshëm dhe i përhershëm, nuk rrezikohej vetëm autori, por edhe familja e tij e ngushtë dhe e gjerë. Gjithashtu edhe përkrahësit, adhuruesit e miqtë e tij mund ta pësonin. Kjo bëri që nga momentet e rritjes së presionit shtetëror dhe shfaqjes së rrezikut për pësime të paparashikueshme, ndonjëherë të bënte edhe autokritikë, ashtu siç e kërkonte partia me metodat dhe parullat e saj.
Të gjitha këto veprime të tij dhe rreth tij, mundësia e ndonjë ngjarjeje të pakëndshme, nuk i shqytej këtij shkrimtari të madh. Qarqe të ndryshme, të prirura për denigrimin, prishjen e imazhit, por edhe dëmtimin e shkrimtarit, vazhdimisht po prisnin rastin më të volitshëm të mësymjes. Këta namatisës që vinin nga brenda dhe jashtë, ishin jo të paktë, të llojit dhe të jashtë llojit, apo edhe në kombinim, i shkaktuan kokëçarje të vazhdueshme. Këto probleme dihen apo mund të merren me mend, por sigurisht opinioni nuk mund të dijë edhe për shumëçka që mund të ketë ndodhur dhe që mund t’i dijë vetëm I. Kadare. Prandaj, diçka që mund të mendohet e edhe të besohet për largimin e tij nga atdheu për në shtetin francez në vitin 1990, nuk ishte i rastësishëm dhe nga ndonjë vullnet apo dëshirë e tij. Ky akt, mbase ka ngjashmëri me aktin e dëbimit të Eskilit të madh, apo Dantes. Ose thënë më ndryshe, i përket sigurisë. Ai, në këtë kohë kur ishin grrahmat e fundit të shtetit totalitar, mund të rrezikohej edhe me jetë. Kjo mbetet një hipotezë e mundësisë reale, për të cilën mund të dijë dhe të ketë informacione vetëm ai.
Së fundi, pas gjithë këtyre zhvillimeve dhe thashethemnajave të grumbulluara për dhe rreth Kadaresë, mund të lindë edhe një pyetje tjetër, se kush kishte dhe kush ka të drejtë në vlerësimin e veprës së tij?! Kjo pyetje mund të shtrohet për të dy kohët, në kohën e shkuar dhe në të tashmen. Për të shkuarën, mund të thuhet se, këtë të drejtë e kishin të gjithë pa përjashtim. Të gjithë ata njerëz të devotshëm që ishin të besueshëm dhe në shërbim të partisë, të thirrur dhe të pa thirrur. Përgjithësisht, pothuajse të gjithë me veprimet dhe vlerësimet e tyre, dalin sa qesharakë aq edhe të pakuptimtë. Në kohën e tashme lidhur me veprën e këtij shkrimtari gjeni, mund të bëjnë vlerësime të drejta, parimore dhe me kompetencë, vetëm ata që janë të çliruar nga të gjitha dogmat dhe tendencat e mundshme. Të gjithë ata që e njohin dhe e shohin drejt këtë vepër të jashtëzakonshme dhe e pranojnë si të tillë.