Dr. MARK PALNIKA: Kosova iliro -shqiptare në arkivat e vatikanit, dokumente të panjohura, 2 mijë vjet dokumente… .

2 mijë vjet dokumente nga Arkivi i shtetit dhe Arkivi dioqezan në San Xhorxhio në Venedik

Kosova iliro -shqiptare në arkivat e vatikanit, dokumente të panjohura

Dr. MARK PALNIKA

.

Ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë takim promovues të dokumenteve të arkivave të Vatikanit dhe të Italisë, ku bëhet fjalë për historinë e Kosovës dhe të gjithë kombit tonë shqiptar.
Zgjodha të ndaj me ju nevojën e ngutshme të publikimit të dokumenteve mbi historikun tonë që gjenden në këto arkiva, veçanërisht ato për Kosovën.
Gjatë dhjetë viteve të fundit kam bërë kërkime arkivore në Arkivin e Shtetit në Venecia (Archivio di Stato di Venezia), në Arkivin e librave dhe dokumenteve antike në Padova (Biblioteca Antica del Seminario Vescovile di Padova), në Arkivin ASSC (Arkivi Historik dhe Biblioteka Shtëpia e Shenjtë) në Loreto, në Bibliotekën komunale (Biblioteca Civica “Romolo Spezioli “) në qytetin e Fermos, në APF (Archivio Storico di Propaganda Fide) në Vatikan, në ARSI (Archivum Romanum Societatis Iesu) në Vatikan, ASV (Archivio Segreto Vaticano), në Bibliotekën Apostolike (Biblioteca Apostolica Vaticana), në Arkivin e Manastirit të Grotaferratës (Archivio monastico dell’Abbazia territoriale di Santa Maria di Grottaferrata), në Arkivin e Shtetit në qytetin e Napolit (Archivio di Stato di Napoli) dhe në arkivin e Bibliotekës kombëtare në Napoli (Biblioteca Nazionale di Napoli). Kam kryer kërkime edhe në AQSH (Arkivi Qendror të Shtetit Shqiptar), në arkivin e Ministrisë së punëve të brendshme të Shqipërisë dhe në disa arkiva kishtare dioqezane. Kam marrë edhe disa mijëra faqe dokumente arkivore në arkivin Top Kapi të Stambollit me rëndësi mjaft të madhe për historinë tonë.
Arkivi i shtetit dhe Arkivi dioqezan në San Xhorxhio në Venedik (ose Venecia) me rreth 300 kilometra dosje (Vetëm Arkivi i shtetit në Venedik deklarojnë se aty janë 270 kilometra dosje) kanë të ruajtura miliona dokumente me rëndësi për vendin tonë. Unë përdori fjalën dokumente të ruajtura dhe jo të fshehta sepse kurrë nuk më kanë refuzuar të më vënë në dispozicion dosjet e kërkuara në arkivat që përmenda më sipër.
Kjo eksperiencë më ka dhënë mundësinë të shoh nga afër gjendjen e dokumentacionit për historinë tonë në arkivat e huaja dhe krahasimin me ato që janë të publikuara në Shqipëri, në Kosovë dhe nga studiuesit e huaj.
Studiuesit kosovarë kanë bërë një numër publikimesh me vlerë të dokumenteve osmane të përkthyer nga gjuha osmanishte dhe disa dokumente nga arkivat angleze, kryesisht për periudhën e shpalljes së pavarësisë dhe pas saj. Ka një boshllëk të madh në përkthimin e dokumenteve mesjetare nga arkivat italiane, spanjolle, franceze dhe austriake, ku ruhen dokumente shumë të rëndësishme për historinë tonë.
Besoj se mendimi bashkëkohor për të shkruar histori është që historianët duhet t’i shkruajnë veprat historike jo vetëm të bazuara mbi biblioteka, por mbi arkiva dhe studime arkeologjike.
Historianët e bibliotekave tashmë janë bërë të mërzitshëm me citimet e tyre nga veprat e studiuesve të huaj dhe duke na i paraqitur këto vepra si studime me vlera të mëdha. Sot bibliotekat, sidomos interneti, janë të arritshme për cilindo dhe nuk mund të çmohen më burime parësore për punimet e veprave historike. Pra, duhen para së gjithash historianë arkivash dhe jo historianë bibliotekash, për arsye se ndryshojnë ata që shkruajnë libra duke cituar të tjerët dhe ata që sjellin të reja nga arkivat.
Për publikimet nga studiuesit e huaj më duhet të ndalem pak dhe të tregoj ato më të rëndësishmet, ndikimin e tyre në historiografinë e kombit tonë dhe mangësitë e punës së disa institucioneve dhe studiuesve shqiptarë në këtë fushë.
Duhet të jetë e qartë si drita e diellit që dokumentet e publikuara nga studiuesit e huaj krahas një ndihme të jashtëzakonshme që na japin, kanë nevojë të kontrollohen nga studiuesit shqiptarë, sepse kemi hasur edhe gabime të palejueshme në saktësinë e tyre. Nëse kjo ka ndodhur me qëllim apo nga pakujdesia, këtë nuk e diskutoj këtu.
Le t’u hedhim një sy punimeve më të rëndësishme në këtë lëmi.

1. Zef Valentini përveç një numri shumë të madh të veprave studimore me rëndësi të madhe për historinë tonë ka botuar edhe serinë e veprave “Acta Albania Veneta” me 25 volume me 7668 dokumente dhe ka lënë në proces botimi edhe 6 volume me gjithsej 1356 dokumente, që të marra së bashku janë 9024 dokumente.
Këto janë nxjerrë nga 10 fonde të Arkivit të shtetit në Venedik, ku ndodhen 270 kilometra dosje dhe qindra fonde. Pa përmendur këtu për saktësinë dhe besnikërinë e rishkrimit të këtyre dokumenteve bëhet pyetja: A duhet që studiuesit me kombësi shqiptare nga Kosova, Shqipëria dhe trevat e tjera të kishin bërë edhe 50 volume të tjera? Përgjigja është e thjeshtë, nuk kanë bërë asnjë dhe duhet t’i kishin bërë.

2. Thallozi, Jeriçeku dhe Shuflai kanë botuar dy volume me 1643 dokumente me titull “Acta et Diploma Res Albanie Mediale Aetatis Illustranta”.
Studiuesit shqiptarë jo vetëm që nuk kanë bërë ndonjë vepër të këtij lloji, por nuk kanë botuar as volumin e tretë dorëshkrim të cilin vdekja e Shuflait e ndërpreu si botim.
Studiuesit shqiptarë duhet të kishin vazhduar kërkimin në fondet e shënuara në këto volume dhe duhet të vazhdojnë edhe sot që të nxjerrin prej aty dokumente me rëndësi shumë të madhe për historinë tonë.

3. Augustino Thainer ka botuar në disa volume veprën “Vetera monumenta historica Hungariam sacram illustrantia”.
Kjo vepër edhe pse e shkruar për Hungarinë, ka në brendësi të saj dokumente me mjaft rëndësi edhe për historinë tonë dhe studiuesit shqiptarë i referohen rëndom për të ilustruar punimet e tyre. Pajtohem se duhen përdorur edhe këto botime, por studiuesit shqiptarë duhet të shkojnë tek burimi ku janë marrë këto dokumente dhe të marrin t’i gjitha ato që lidhen me historinë tonë, gjë të cilën studiuesit e nderuar të përmendur, as nuk u duhej kjo, as nuk ua kishte ngarkuar kush një përgjegjësi të tillë.

4. Peter Bartl përveç disa studimeve të rëndësishme për vendin tone, të cilat janë publikuar pothuajse të gjitha, ka hartuar një seri me dokumente mbi Shqipërinë në 5 volume të titulluar “Albania Sacra” ku përshkruhen dokumentet nga dioqezat e Lezhës në vëllimin e parë, e Durrësit në të dytin, e Sapës në të tretin, e Pultit në të katërtin dhe e Shkodrës në të pestin. Kjo vepër nuk është përkthyer deri më sot.
Është një punim mjaft serioz me gjithsej 2874 faqe që ka përfshirë gjithsej 416 dokumente, të ndara respektivisht 56 Lezha, 80 Durrësi, 65 Sapa, 76 Pulti dhe 139 Shkodra.
Ai vdiq më 29 mars 2022 në moshën 83 vjeç, pa e përgatitur volumin e gjashtë për dioqezën e Shkupit që përfshin Kosovën tërësisht dhe disa vise të tjera.
Në përmbushje të vullnetit dhe dashamirësisë së tij ndaj vendit tone, unë deri tani kam marrë në arkivat e Vatikanit më shumë se 500 dokumente dhe kam vënë re se aty gjenden edhe shumë të tjerë.
Kosova është afërsisht gjysma e kombit shqiptar. Nëse për shqiptarët e Shqipërisë së vitit 1913 këto dokumente kanë rëndësi historike dhe shkencore, për Kosovën këto kanë njëlloj rëndësi, por më së pari kanë rëndësi politike për të iu kundërvënë politikës agresive të shtetit serb, kishës ortodokse serbe ekstremiste nacionaliste dhe Akademisë serbe të shkencave e njohur në të gjithë botën për qëndrimet antishqiptare dhe falsifikimet e pa skrupullta për Kosovën të publikuara me emrat e akademikëve të saj si Çubrilloviqi dhe disa të tjerë dhe të njohura jo vetëm për shqiptarët por edhe për studiuesit dhe historianët në shumë vende.
Në këto 40 vitet e fundit, një emisar serb, Marko Jaçev, ka publikuar disa volume me dokumente nga këto arkiva, duke përfshirë dokumente dhe për trojet shqiptare, të cilat ai dhe ata që e mbështetin, i konsiderojnë territore të Serbisë.
Këto dokumente ai i trajton thellësisht në interes të kombit të tij dhe kundra kombit shqiptar.
Edhe studiues të tjerë të kombit serbe kanë falsifikuar në mënyrë të qartë dokumente të shkruara nga arkivat e Vatikanit për qëllimet e tyre të mbrapshta. Mbas pak po ju ilustroj me anë të kompjuterit, me shkrim dhe me foto origjinale disa falsifikime.
A duhet që studiuesit shqiptarë, më së pari ata që kanë lindur dhe banojnë në Kosovë, të merren me publikimin e këtyre dokumenteve me rëndësi të jashtëzakonshme për historinë tonë? Besoj që të gjithë sa jemi këtu dhe shumë nga ata që janë kësaj salle, pajtohen se ato duhen të publikohen.
5. Studiuesi arbëresh, Ignazio Parrino, autor i disa librave për vendin tonë, përkthyes i librit “Lahuta e Malcís” në gjuhën italiane, është studiuesi i vetëm që ka botuar një libër me dokumente për Shqipërinë në Arkivin sekret të Vatikanit. Libri i tij është botuar në vitin 1971, ka gjithsej 164 faqe format B5 dhe ka të rishkruar 563 dokumente nga fonde të treguara qartas. Titullohet “Acta Albaniae Vaticana, Res Albaniae saeculorum XIV et XV atque cruciatam spestantia”.
Numri 563 dokumente është simbolik në raport me numrin prej mijëra dokumentesh që ruhen aty dhe që hedhin dritë mbi historinë e vendit tonë. Edhe në këtë rast pyetja që shtrohet është: “Shqiptarët duhet të presin që dokumentet t’ua gjejnë dhe t’ua përgatisin të tjerët apo duhet që organet shtetërore që ushqehen me bujari nga buxheti i shtetit dhe taksat e qytetarëve në Shqipëri dhe Kosovë të organizojnë në mënyrë të organizuar dhe të planifikuar gjetjen dhe publikimin e këtyre dokumenteve?
Nga ky podium unë ju pyes të gjithëve:

1. A është normale që në kombin tonë s’kemi asnjë studiues të nivelit të Thainerit, Shuflait, Valentinit, Bartlit, Rackit, Ljubiçit, Radoniqit etj? A duhet të jemi xhelozë dhe a duhet të ndjehemi keq që s’kemi edhe ne një studiues të përmasave të këtyre që përmenda? Pse ata mundën t’i kryejnë ato studime dhe asnjë studiues shqiptar akoma jo? Këto janë pyetje që vetvetiu duhet t’i bëjë çdo shqiptar që merret me studime.
2. Si duhet të veprohet? Kush duhet të reagojë dhe të vërë në lëvizje organet shtetërore që të kryejnë detyrën ndaj kombit të tyre?

Deri më sot e kam shtruar këtë çështje shumë herë, po ka rënë në vesh të shurdhër. Askush nuk më është përgjigjur. Kjo heshtje e palejueshme dhe e frikshme më trishton dhe jam këtu sot në këtë sallë për të demonstruar shqetësimin tim dhe për të ndërgjegjësuar opinionin publik, më së pari studiuesit dhe historianët, por edhe patriotët e vërtetë që të radhiten në rrugën e mbarë dhe ta kryejmë si duhet këtë detyrë.
Zëri im nuk duhet të mbetet një zë në shkretëtirë, sepse unë nuk po kërkoj asnjë të mirë dhe privilegj për veten time por vetëm për interesa kombëtare dhe shkencore.
Vitet e fundit, pata komunikim me albanologun e madh gjerman, Peter Bartl. Pak muaj para se të vdiste, ai më dërgoi një letër, ku në mënyrë të tërthortë shprehte shqetësimin për pamundësinë e vazhdimit të veprës së tij madhore “Albania Sacra”, posaçërisht vëllimin VI, që duhet të përfshinte dokumentet kryesore për Kosovën.
Letrën po ju bëj të njohur në ekran bashkë me pak komente të nevojshme.
Në disa raste, në tubime shkencore dhe në disa punime në gazeta, kam theksuar se studiuesit dhe institucionet nga Kosova duhet që ta vazhdojnë veprën e Bartlit dhe ta përmbushin këtë boshllëk. Jam zotuar dhe kam marrë rreth 300 dokumente për Kosovën vetëm nga arkivi i Propagandës Fide, i quajtur “Archivio Storico” dhe arkivi sekret i quajtur “Archivio Apostolico” në Vatikan. Jam i bindur që aty janë të ruajtura edhe mijëra dokumente të tjerë që hedhin dritë mbi historinë e kombit tonë dhe që presin të merren dhe të publikohen nga studiuesit shqiptarë.
Këto dokumente po ju prezantoj në ekran në mënyrë elektronike. Jam i gatshëm dhe i vendosur që të punoj me të gjitha fuqitë e mia fizike dhe mendore për të realizuar publikimin e këtyre dokumenteve aq domethënëse për historinë e kombit tonë shqiptar dhe veçanërisht për historinë e Kosovës.
Duke e përfunduar këtë fjalë time të shkurtër për të vazhduar me paraqitjen me kompjuter nëpërmjet ekranit për pak minuta të disa dokumente që i çmoj si të rëndësishëm për historinë e Kosovës, ju bëj thirrje që t’i bashkoheni thirrjes sime për mbështetje për publikimin e tyre.

Ju falemnderit
Prishtinë, më 29 qershor 2024

MARK PALNIKA