- Tregimi si reflektim i erotizmit modern dhe i krizës së identitetit mashkullor
Tregimi “My Milf” i shkrimtarit të njohur bashkëkohor Konstandin Dhamo, përfaqëson një nga përpjekjet më të guximshme në prozën e fundit shqiptare për të hulumtuar estetikisht marrëdhënien ndërmjet erosit, vetmisë dhe përvojës së vonë erotike në moshë të pjekur. Autori ndërthur një gjuhë narrative të përshkuar nga realizmi sensual dhe introspeksioni psikologjik, duke vënë në qendër një figurë gruaje të tejngopur nga përvoja, e cila endet në kufijtë midis dëshirës, nostalgjisë dhe lodhjes shpirtërore.
Titulli, provokues në vetvete, “My Milf”( Përdoret për të përshkruar më së shumti një grua të pjekur (zakonisht me fëmijë), e cila është seksualisht joshëse për meshkuj më të rinj), përqafon me vetëdije terminologjinë e kulturës digjitale perëndimore, duke e transplantuar atë në kontekstin shqiptar. Kësisoj, Dhamo i referohet një arketipi bashkëkohor të femrës së pjekur erotikisht, e cila mbart një përzierje paradoksale të nënës, dashnores dhe mentores. Kjo zgjedhje semantike i jep tregimit një ton postmodern ironik, ku citati kulturor (termi “milf”) funksionon si shenjë e ndërthurjes së banalitetit dhe shenjtërisë së trupit.
- Struktura narrative dhe dinamika e rrëfimit
Tregimi zhvillohet në një strukturë dyfazore dhe simetrike:
- Faza e parë përqendrohet te vështrimi voyeuristik i piktorit nga ballkoni, ku gruaja shfaqet si objekt dëshire dhe projektim fantazmatik.
- Faza e dytë e rrëfimit, që nis me përfshirjen e rastësishme të të dyve në një ambient shoqëror (në vilën e biznesmenit), përmbys gradualisht raportin e pushtetit: gruaja kalon nga objekt në subjekt, nga figurë e përfytyruar në qenie konkrete që rrëfen, pranon, dominon.
Narratori i tretë i gjithdijshëm ruan një distancë ironike, por edhe një ton bashkëfajësimi me personazhin mashkullor. Ai nuk gjykon, por shpalos me qetësi klinike një botë ku ndjenjat, dëshirat dhe intimitetet janë reduktuar në skenografi të estetikës erotike. Tregimi përshkohet nga një ritëm i qëllimshëm i ngadalshëm, që imiton shtrirjen e mendimit dhe të kujtesës, duke ndërtuar një kohë psikologjike ku çdo detaj, një kafe, një cigare, një shikim, fiton peshë simbolike.
- Personazhet: Erosi si mënyrë ekzistence
Piktori, arketipi i mashkullit të vonuar
Piktori, protagonist i tregimit, përfaqëson një identitet artistik të përçarë midis krijimit estetik dhe dëshirës fizike. Ai e vështron botën përmes një optike estetizuese: gruaja shndërrohet për të në tablo, në objekt kontemplimi dhe përftimi artistik. Por ky proces e zhbën personalitetin e tij: ai mbetet një subjekt që “sheh” por nuk “jeton”, që krijon për të zëvendësuar përjetimin.
Në një kuptim më të thellë, ai mishëron krizën e maskulinitetit modern, ku viriliteti është zëvendësuar nga estetizmi i dëshirës, dhe akti i dashurisë është thjesht një akt artistik i konsumit.
Diana, arketipi i femrës së emancipuara erotikisht
Diana, e quajtur qëllimisht me një emër mitologjik, perëndesha e gjuetisë dhe e dritës hënore, është figura më e ndërlikuar e tregimit. Ajo mishëron në të njëjtën kohë nënën, dashnoren dhe kibernetikën erotike: një femër që e zotëron trupin e vet, që flet për orgazmën, mastrubimin, dhe teknologjinë pa drojë, duke e bërë trupin mjet komunikimi dhe emancipimi.
Në raport me piktorin, ajo është subjekti aktiv i dëshirës. Në çastin që i hedh dildot në plehra, ajo shënon rimarrjen e plotë të trupit të vet nga objekti tek vetëdija, duke përmbysur paradigmën patriarkale të dashurisë si pronësi mashkullore.
Në plan simbolik, ky veprim është akt i dytë lindjeje, zhveshja nga artificat mekanike për t’u kthyer te kontakti njerëzor, “tek njeriu i vërtetë”.
- Erotizmi si gjuhë dhe semiotikë narrative
Erotizmi në “My Milf” nuk është thjesht motiv tematik, por kategori estetike që strukturon gjuhën dhe ritmin e rrëfimit. Dhamo e përdor erotikën jo si qëllim pornografik, por si metaforë e komunikimit dhe e krijimit artistik.
Për piktorin, trupi i gruas është kanavacë e jetës; për Dianën, akti seksual është mjet i çlirimit shpirtëror.
Ky dualitet krijon një metonimi të artit vetë: çdo puthje, çdo përshkrim sensual, është një “pikturë verbale”. Autori mbështetet mbi një stil hiperrealist, me përshkrime të hollësishme, të zmadhuara, të cilat e ngarkojnë tekstin me një materialitet të përndezur, trupa që ndizen, kafshime, aromë, kafe, cigare, dritë e mëngjesit, një lloj estetike e shqisave, që e ngjiz prozën me poetikë erotike.
Në plan gjuhësor, gjejmë një sinkretizëm stilistik: fjalori i përditshëm bashkëjeton me leksik të përzgjedhur, frazeologji erotike e përzier me terminologji të artit pamor. Kjo përzierje shpreh modernitetin ironik të tregimit, që ndërthur banalen dhe sublimen, intimen dhe publikën.
- Intertekstualiteti dhe referenca kulturore
Dhamo ndërton tekstin mbi një ndërtekstualitet të shumëfishtë.
Referenca ndaj çiftit Macron–Brigitte, për shembull, nuk është dekorative: ajo krijon një paralele ironike dhe reflektuese mbi raportin midis dashurisë dhe diferencës së moshës, midis moralit publik dhe intimitetit privat.
Po kështu, përmendja e Paris-it dhe e Bllokut si hapësira urbane të jetës mondane, vendosin tregimin në një univers hibrid kulturor, ku globalja dhe lokaleja bashkohen në një “metropol erotik” tipik për prozën postmoderne shqiptare të dekadës së fundit.
Në planin semiotik, Diana përfaqëson “Brixhitën shqiptare”, ndërsa piktori është Makroni provincial – një figurë që përpiqet të kapë ritmin e një femre jashtë kohe, jashtë moralit tradicional, jashtë kufijve të brezit të vet.
- Dimensioni filozofik dhe psikologjik
Në thelb, “My Milf” është një meditim mbi kalimin e kohës dhe trupin si dëshmi e ekzistencës.
Nëpërmjet erotizmit, personazhet kërkojnë të sfidojnë plakjen, vetminë, harresën, të rizbulojnë në trup energjinë që mungon në shpirt.
Erotizmi shfaqet si antitezë e vdekjes, si dëshirë për t’u përjetësuar në ndjesi, në art, në kujtim.
Por autori ruan një vetëdije të hidhur: çdo ngjitje drejt ekstazës është e përkohshme, dhe çdo pasion përfundon në një heshtje të bukur, por të kotë.
Në këtë aspekt, tregimi përshkohet nga një melankoli e lartë estetike, një vetëdije se edhe dashuria, si piktura, është një akt i përkohshëm i përjetësimit.
- Stili dhe teknikat shprehëse
Proza e Dhamo-s karakterizohet nga:
- Sintaksë e dendur dhe ritmikisht e ndërprerë, që imiton të folurën e brendshme dhe refleksionin spontan.
- Dialogë të ngarkuar me nëntekste erotike dhe psikologjike, ku fjala e thënë është vetëm sipërfaqe e një tensioni të brendshëm.
- Përdorim i figurave të dritës dhe të ngjyrës si elemente përshkruese, të huazuara nga vokabulari i pikturës (sfumatura, tonet e nxehta, hijedritat, akuareli).
- Ndërthurje e narracionit realist me tonet poetike, që e vendos tekstin në kufirin midis tregimit psikologjik dhe prozës meditative.
Në nivel stilistik, autori arrin një balancë midis sensualitetit dhe reflektimit, midis ironisë dhe butësisë estetike, duke e bërë gjuhën një mjet të erotizuar vetë – një “lëkurë letrare” që frymon dhe pulson.
- Një manifest i erotizmit inteligjent
Tregimi “My Milf” është një tekst estetikisht i sofistikuar dhe etikisht provokues, që sfidon tabu-të e shoqërisë shqiptare mbi trupin, moshën, dhe femrën e pjekur.
Ai shpalos një diskurs të ri erotik, ku femra nuk është më objekt i vështrimit mashkullor, por subjekt i vetëpërmbushjes dhe i dëshirës së vet.
Në të njëjtën kohë, autori e zhvesh burrin nga pushteti tradicional, duke e ekspozuar si artist i brishtë, që kërkon përmes trupit të tjetrit kuptimin e vet ekzistencial.
Në këtë sens, tregimi mund të lexohet si një alegori e artit vetë: si akt që kërkon përjetësi nëpërmjet ndjesisë, si dialog i pafund midis trupit dhe shpirtit, midis realitetit dhe iluzionit.
Kosta Dhamo, me “My Milf”, ndërton një prozë të pasionit të përmbajtur, të ndërtuar mbi një realizëm psikoseksual që rrallë haset në letërsinë shqipe të pastranzicionit.
Në këtë tekst, trupi bëhet metaforë e ndërgjegjes moderne, dhe erosi, gjuhë e njohjes, që Dhamo e kërkon atë në teknologjinë e ndjenjës, në përplasjen midis trupit virtual dhe atij real, midis artit dhe seksit, midis vetmisë dhe afërsisë.
9.TREGIMI “MY MILF” I KOSTANDIN DHAMOS, PARALELE TEMATIKE, STILISTIKE DHE FILOZOFIKE ME AUTORË TË NJOHUR BOTËRORË
Tregimi “My Milf” i Kostandin Dhamos mund të lexohet jo vetëm si një tekst i rëndësishëm i prozës shqipe të dekadave të fundit, por edhe si pjesë e një dialogu më të gjerë ndërkombëtar mbi erotizmin, identitetin mashkullor dhe emancipimin seksual të gruas. Në këtë kapitull, vendosim veprën e Dhamos në raport krahasimtar me disa autorë europianë dhe botërorë, të cilët kanë trajtuar në mënyrë të ngjashme temat që ndërthuren në këtë tregim.
1. Erotizmi si protestë ndaj kohës dhe vdekjes – Philip Roth dhe “My Milf”
Në novelën “The Dying Animal”( Kafsha që po vdes) (2001), shkrimtari amerikan Philip Roth eksploron marrëdhënien midis një burri të moshuar dhe një gruaje shumë më të re, në një kontekst ku erotizmi bëhet formë rebelimi ndaj plakjes dhe vdekjes. Edhe Dhamo ndërton një atmosferë të ngjashme: piktori, si protagonisti i Roth-it, e sheh aktin erotik jo si përmbushje, por si ritual të përkohshëm për të mohuar zbrazëtinë e brendshme dhe për të shmangur ndjesinë e përfundimit. Kjo ndjenjw shafqet mw e fuqishme tek Diana, njw zonjw rreth tw gjashtwdhjetave.
Në të dy rastet, gruaja e re (apo e re për nga fuqia erotike, si në rastin e Dianës) përfaqëson një energji jetësore, të cilën burri kërkon ta përvetësojë për të mbijetuar shpirtërisht. Në këtë kuptim, “My Milf” e Dhamo-s dialogon drejtpërdrejt me Roth-in, por me një kthesë thelbësore: te Dhamo, gruaja është subjekti që zotëron dëshirën dhe e udhëheq lojën, ndërsa Roth e vendos atë fillimisht si objekt pasiv të vështrimit mashkullor.
2. Erosi si përvojë e përkohshme e ndriçimit, Marguerite Duras dhe “The Lover”( “I dashuri”)
Marguerite Duras, në romanin e saj të njohur “The Lover” (“I dashuri”,1984), përshkruan një lidhje erotike midis një vajze adoleshente franceze dhe një burri më të madh në moshë në Indokinë. Qasja e saj është e përmbajtur, minimaliste dhe e mbushur me melankoli dhe ndjeshmëri të hollë, njësoj si toni poetik dhe shpesh intim i tregimit të Dhamos.
Të dy autorët e shohin seksualitetin si shprehje të një vetëdijeje të thellë personale dhe sociale, ku erotizmi nuk është thjesht kontakt fizik, por kujtesë, përfytyrim dhe vetëzbulim. Diana dhe vajza e Duras ndajnë të njëjtën fuqi të heshtur, një autoritet që rrjedh jo nga dominimi agresiv, por nga pranimi i trupit si mjet lirie dhe ndriçimi.
3. Erotizmi si filozofi e jetës, Milan Kundera dhe “My Milf”
Në romanin “The Unbearable Lightness of Being”( “Lehtësia e padurueshme e qenies”,1984), Milan Kundera trajton erotizmin si një formë filozofike e të jetuarit, si përpjekje për të kapur momentin dhe për të kuptuar përmes trupit të tjetrit vetveten. Ky trajtim ka një paralele të fortë me tregimin “My Milf”, ku marrëdhënia midis piktorit dhe Dianës nuk është thjesht një episod sensual, por një udhëtim psikologjik dhe filozofik në kërkim të identitetit.
Si te Kundera, edhe te Dhamo, narratori ruan një ton ironik, por të përvuajtur, i vetëdijshëm për absurditetin e ndjenjave dhe përkohshmërinë e kënaqësisë. Diana është një figurë e ngjashme me Terezen ose Sabinen e Kunderës: ajo përfaqëson gruan moderne që vendos mbi trupin e vet, që flet lirshëm për seksin dhe që zhvesh erotikën nga romantizmi konvencional.
4. Intimiteti si simptomë e boshllëkut modern, Hanif Kureishi dhe “My Milf”
Në novelën “Intimacy”( “Intimiteti”, 1998), Hanif Kureishi (Britani), përshkruan një burrë që largohet nga jeta familjare për të gjetur kuptimin e jetës përmes marrëdhënieve seksuale dhe emocionale. Si te Dhamo, intimiteti shfaqet si fushë konflikti midis dëshirës, fajit, vetmisë dhe kërkimit të kuptimit.
Stili i monologut të brendshëm, përshkrimet me sensualitet realist dhe ankthi ekzistencial që e shoqëron aktin seksual – janë elemente të përbashkëta midis të dy autorëve. Dhamo, si Kureishi, krijon personazhe të zbërthyer nga brenda, që kërkojnë përgjigje jo vetëm në trupin e tjetrit, por edhe në heshtjen pas aktit.
5. Trupi si metaforë e zbrazëtisë, Alberto Moravia dhe “My Milf”
Te romanet “La Noia” (Mërzia) dhe “Il disprezzo” (Përçmimi), Alberto Moravia eksploron marrëdhëniet erotike si simptomë të boshllëkut emocional dhe shpirtëror. Personazhet e tij shpesh përjetojnë seksin si një akt mekanik, i pamjaftueshëm për të mbushur një jetë të zbrazët.
Ky vizion është i pranishëm edhe te Dhamo, ku piktori, ndonëse përjeton një kontakt të fortë sensual, nuk arrin ta kapërcejë vetminë e vet. Akti seksual është më shumë një akt artistik, një mënyrë për të krijuar një moment kuptimor në një botë të fragmentuar.
Përfundim krahasimtar
Kostandin Dhamo, me tregimin “My Milf”, ndërton një tekst që përfaqëson një bashkëbisedim të heshtur me traditën letrare perëndimore të shekullit XX dhe XXI. Nëpërmjet një proze të pasur me sensualitet, introspeksion dhe reflektim filozofik, ai i bashkohet autorëve si Roth, Duras, Kundera, Kureishi dhe Moravia në një projekt letrar të përbashkët: eksplorimin e erotizmit si gjuhë e njohjes, si krizë e identitetit dhe si sfidë ndaj kalimit të kohës.
Dhamo nuk i imiton këta autorë, por i përkthen temat e tyre në gjuhën e post-tranzicionit shqiptar, duke krijuar një prozë hibride, moderne dhe autentike, ku banaliteti i përditshëm takon sublimen estetike, dhe ku trupi bëhet medium i shpirtit të epokës sonë.

















