Në një peizazh pragdimri, kur erërat dhe shiu mbështjellin qiellin e trazuar shqiptar, sulme, intriga, përbetime për ruajtje të statutit dhe lotë hipokrizie për anëtarësinë që “po mbyllet në kasafortë”, apo në rrethin e nëntë të ferrit, në zyrën e Edi Palokës, po vjen nga ndonjë demagog i selisë së Partisë Demokratike. Në teorinë e demokracisë njihen disa tipe politikanësh që kanë shumë dëshirë të flasin për popullin, të flasin për anëtarësinë dhe në emër të saj, por që nuk kanë aspak dëshirë t’ua shohë kush, që nuk kanë guxim as ta publikojnë, ta takojnë, aq më pak që t’i japin llogari për humbjet, pra flasin për një popull dhe një anëtarësi që i shkon për shtat fantazisë së Jules Verne ( Zhyl Vern, 8 shkurt 1828 – 24 mars 1905), se sa jetës reale politike.
Lulzim Basha që ka humbur katër palë zgjedhje vendore dhe kombëtare dhe që ka mbyllur në kastafortë çdo mundësi për fitore të demokratëve dhe popullit shqiptar, është bërë paprimtas shantazhues dhe kërcënues ndaj delegatëve të Kuvendit të PD-së, të njoftuar për datën 11 dhjetor 2021, duke lexuar në mënyrën e tij statutin e PD-së, sido që i kundërshtuar në masë nga anëtarësia e partisë Demokratike dhe ekspertët e nivelit Europian se Oerd Bylykbashi.
Shkak për këtë revolucion statutor të inskenuar nga Luli dhe Bardhi, është bërë dorëzimi i 4200 formularëve të delegatëve të Kuvendit në zyrën e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD-së Edi Paloka. Në fakt ata kanë njohuri të mjaftueshme juridike për të kuptuar se mbledhja dhe depozitimi i listës së delegatëve është konform nenit 43, pikës 2 të statutit të PDSH-së, miratuar më 17 korrik 2021, i cili thotë se: “… Kuvendi mund të mblidhet edhe kur e kërkojnë ¼ e anëtarësisë së PDSH-së, ose ¼ e anëtarësisë së Kuvendit Kombëtar”, në fakt duke mos e detajuar se ku do të duhet dorëzuar kjo kërkesë e ¼ të anëtarësisë, kur Kuvendin nuk e thërret kryetari por anëtarësia. Në të vërtetë ata të dy e dinë po kaq mirë se ajo është dosja e gjykimit të tyre, provat politike që anëtarët e Partisë Demokratike kanë për Lulin, e që janë bërë publike në çdo foltore “për shitjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017”, të dorëzimit mandateve të deputetëve të opozitës më 18 shkurt 2019, pa vendim strukturash, por vetëm me votim nga protestuesit në Bulevardin kryesor të Tiranës dhe bojkotimit apo dezertimit të pashembullt të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit të vitit 2019, e prova të tjera që pritet të bëhen publike më 11 dhjetor 2021.
Së pari Basha është duke paralajmëruar se nuk do të njohë një Kuvend që pritet ta lirojë nga detyra e kryetarit, për t’i dhënë në fund PD-së një kryetar me legjitimitet, me pretendimet e pabazuara se “Berisha ka dështuar t’i mbledhë 1800 formularë të nevojshëm për të provokuar thirrjen e Kuvendit nga anëtarësia, apo delegatët e Kuvendit se “ Berisha ka luajtuar një bllof apo është duke u tallur me demokratët, dhe e fundit se nuk ka mbërritur asnjë kërkesë në PD për mbledhjen e Kuvendit.
Së dyti ata po paralajmërojnë se nuk do ta njohin Kuvendin dhe rezultatet që do të dalin prej tij, pra shkarkimin e Lulit, pasi depozitimi i 4200 formularëve të po kaq delegatëve të Kuvendit nuk është dorëzuar në zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, apo të shefit apo shefes së protokollit të partisë.(Paloka dhe Noka thonë se nuk ka zyrë protokolli apo shef protokolli). Dhe pastaj e dinin Luli dhe Gazi se çfarë do të bënin me to.
Këto pretendime nuk kanë bazë statutore dhe aq më pak juridike pasi statuti i PD-së nuk e thotë askund se depozitimi i firmave duhet bërë ta zëmë tek zyra e Sekretarit të Përgjithshëm apo tek ajo e kryetarit të Këshillit Kombëtar. Lista e delegatëve është depozituar në parti pa ndonjë detyrim statuor, siç thonë organizatorët “thjeshtë për të lënë pa gjumë ata që kanë mbyllur në kasafortë shpresat e popullit dhe kombit shqiptar për ndërrim të sistemit, që kanë mbyllur në kasafortë fitoret e humbura të PD-së nga marrëveshje tradhëtare e 17 majit të vitit 2017, ata që kanë mbyllur në kasafortë dorëheqjet e tyre pas katër humbjeve dhe të të gjitha betejave politike të drejtuara nga Basha. Ata që nuk u dhanë kurrë kandidatëve rivalë të Lulit, për kryetar partie si Olldashi, Selami, Harxhi, Shehaj dhe Kadilli, asnjë listë të anëtarësisë, nën pretekstin se “janë për përdorim të bredshëm”, “anë sekret”, “nuk mund të publikohen të dhënat personale”, apo se “mund t’i keqpërdorë kundërshtari politik” etj.
Kandidati për kryetar partie apo rivali i Bashës në zgjedhje Sokol Olldashi pas përfudimit të zgjedhjeve më 22 korrik 2013 tha : “Procesi i votimit në PD u mbyll. Votova me fletën nr 040213. U shpreh mirënjohjen time të gjithë demokratëve që morën pjesë në votim. U kërkoj ndjesë atyre mijëra demokratëve, që nuk votuan dot, sepse nuk gjetën emrin në listë. Ky është një problem, përmasën e të cilit e kam patur të panjohur, pasi, për asnjë moment nuk pata në dispozicion listën e votuesve. Duke ditur që në Tiranë kishte një shtesë prej rreth 2500 personash, mendova se ishte pikërisht ky kontigjent. Mesa duket paska qenë një kontigjent tjetër, që mbetet për t’u parë ç’është. Këto janë probleme që nuk kanë lidhje me rezultatin, por mbeten probleme edhe nëse nga kutitë raporti i votave del 90 me 10 për Sokol Olldashin. U uroj suksese të gjithë kandidatëve rivalë.” Olldashi pak muaj më vonë u nda nga jeta pas një aksidenti automobilistik në periferi të Tiranës.
Në garën e 22 korrikut 2017, zyrtarisht konkuruan Lulzim Basha dhe ish-kryetari i PD-së, Eduard Selami, ndërsa ish-nënkryetari i Partisë Demokratike Astrit Patozi pasi shpalli kandidaturën për kreun e PD-së, deklaroi pak ditë para fushatës zyrtare dorëheqjen për shkak të moskrijimit të kushteve për një garë të ndershme dhe të vërtetë.
Siç dihet Patozi e kishte kushtëzuar marrjen pjesë në garë me plotësimin e një sërë kushtesh, ndër të cilat e para është “dorëheqja e menjëhershme dhe jo “ngrirja” e kryetarit Lulzim Basha si përgjegjësi kryesor i rezultatit zhgënjyes në këto zgjedhje. Vendosjen e tij në pozitën e çdo kandidati tjetër që do të futet në garë si kushti më minimal për paritet. Largimin e tij nga zyra, së bashku me stafin e vet dhe çlirimin e selisë nga prania e të gjithë kandidatëve, derisa të përfundojë procesi për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD”. Zoti Patozi kërkoi gjithashtu “listën e anëtarëve të partisë, normalizimin statutor të procesit të garës duke bërë nul veprimet e deritanishme jo legjitime përmes vendimit të dy nënkryetarëve”, të cilët u autorizuan nga zoti Basha për organizimin e procesit zgjedhor brenda PD-së. Luli injoroi kërkesat e tij për dorëheqje, duke refuzuar dorëzimin e listës së anëtarësisë si Patozit që u dorëhoq, ashtu edhe Selamit që e vijoi formalisht garën.
Eduard Selami i cili konkuroi deri në fund, në mbyllje të zgjedhjeve të 22 korrikut 2017, për kryetar të PD-së pati deklaruar: “Për asnjë moment nuk m’u vu në dispozicion lista e zgjedhësve”. Ai foli “për garë të pabarabartë, për përdorim të resurseve të partisë në mënyrë të njëanshme”, duke pohuar në fund se “PD aktualisht është shumë më pak demokratike se sa kur e mori Basha katër vjet më parë, më 2013.”
Më 13 qershor 2021, përsëri sipas parimit një anëtar një votë, u mbajtën zgjedhjet e radhës për kryetarin e ri të PD-së.
Në këtë garë kryetari aktual Basha u sfidua nga anëtari i kryesisë Fatbardh Kadilli, anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së dhe ish-zëvendësministrja e Jashtme Edit Harxhi, si dhe nga deputeti dhe biznesmeni Agron Shehaj.
Ata kritikuan stilin drejtues të Bashës dhe duke e bërë atë përgjegjës për humbjen, i kërkuan atij që të jepte dorëheqje dhe të lejonte një garë të vërtetë dhe të ndershme, zëra të cilat Basha i injoroi.
Ata drejtuan të njëjtat kritika të forta ndaj Bashës, për mbajtjen sekret të listave të anëtarësisë,
për presione e shantazhe ndaj përkrahësve të tyre, por edhe se kishte përdorur në mënyrë të njëanshme të gjitha strukturat dhe resurset e partisë për t’u rikonfirmuar pa të drejtë edhe pas katër humbjeve të tij personale.
Listat, apo formularët nuk mund t’i dorëzohen Bashës dhe Bardhit kryesisht:
Sepse nuk është një detyrim statutor.
Luli dhe Gazi e kanë bojkotuar procesin e mbledhjes së firmave dhe vetë foltoren që ka inkurajuar debatin e brendshëm, analizën, gjykimin e katër humbjeve radhazi si dhe nxjerrjen e përgjegjësive sipas hierarkisë partiake. Këto gjëra janë të shenjta për një parti demokratike, por Luli dhe Gazi i bojkotuan duke e humbur të drejtën për të qenë të paktën palë në Kuvend.Tani nuk janë asgjë.
Ata edhe pse ishin në PD dhe mbanin poste të larta, nuk e vëzhguan procesin, sido që ishte procesi më i rëndësishëm në historinë e pluralizmit shqiptar jo vetëm për PD-në, por për çdo parti tjetër. Demokracia sipas parimit Linkolian është pushtet i popullit, për popullin, që buron nga populli dhe që i përgjigjet popullit. Demokracia në parti është pushtet i anëtarëve që buron nga anëtarët dhe u përgjigjet atyre. Basha dhe Gazi nuk e njohin këtë aksiomë, pasi sipas Foltores, janë ilegjitim në të gjitha zgjedhjet e bëra deri tani brenda partisë, përfshirë edhe këtyre të verës së fundit, jo vetëm nga katër humbje radhazi por edhe nga pikëpamja reale. Ata thjeshtë janë vetemëruar.
Në këtë mënyrë, duke e mos e shfrytëzuar të drejtën e vëzhgimit të ndihmës dhe mbështetjes parimore të procesit, përkundrazi duke e quajtur foltoren “armiqësore”, “llum të PD-së” etj, në fakt e humbën të drejtën dhe sidomos besueshmërinë dhe paanshmërinë për të patur në dorë dosjen e provave kundër tyre, sipas Foltores me prova për “tradhti, shitje rezultatesh në tavolinë, kompromise dhe marrëveshje që kanë rezultuar katastrofike për PD-në dhe demokratët shqiptarë”.
Më ka zhgënjyer shumë përpjekja e egër e këtyre djemve të rinj për të mbajtur me çdo çmim, me çdo mjet postet edhe pas katër humbjeve radhazi dhe futjen kështu të PD-së dhe të djathës shqiptare në një krizë legjitimiteti, konfliktesh të brendshme dhe dobësimi. Duke qenë bashkëthelues i PD-së, i RD-së, i Forumit Rinor të PD-së, themelues dhe drejtues i Tribunës Demokratike, duke qenë një intelektual studiues, doktor i shkencave letrare, publicist dhe një demkrat që kam derdhur gjakun në rrugë nga bandat komuniste të ardhura në pushtet pas revoltës së vitit 1997, vetëm për shkak të qëndrimeve të mia politike, duke qenë një familje e përkushtuar ndaj vendit, kombit, demokracisë dhe PD-së dhe forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, bashkë me vëllezërit e mi inteletualët dhe shkrimtarët e shquar Skënder dhe Flamur Buçpapaj dhe një numër Buçpapajsh të tjerë, shkrimtarë, përthyes, akademikë, profesorë të famshëm universiteti si Ukë Buçpapaj, si regjizori i mirënjohur i RTSH-së, Ilir Buçpapaj etj, që PD nuk na dha kurrë shansin për të qenë deputetë, ministra apo në poste të larta në këtë parti, pavarësisht që plotësonim absolutisht çdo kusht moral, politik dhe juridik, kam pyetur vertetë vetën se çfarë u duhet këtyre dy njerëzve të rrinë akoma në postet e kryetarit dhe sekretarit të përgjithshëm apo të të tjerëve rreth tyre, duke mos patur asnjë shans për fitore, duke qenë përgjegjës për këto humbje, duke e zhytur PD në mosbesim, grindje dhe zi?
Pra Luli dhe Gazi e bojkotuan procesin e debatit të brendshëm, të analizës dhe llogaridhënies që e inkurajoi Foltorja, edhe pse kjo anëtarësi u kishte dhënë çdo gjë që as në ëndrra nuk i kishin parë. I kishte bërë ministra, kryetarë, drejtues të lartë partiakë, ndërsa ata nuk shkuan njëherë t’u thoshin na falni, kemi humbur për gabimet tona, për vendimet tona, për shkak të zgjedhjeve tona. U përpoqëm për mirë por na doli keq dhe pas kësaj të jepnin me përulje dorëheqje, siç bëjnë të gjithë personalitetet demokratike në botë.
Të iknin duke mbetur shërbëtorë të partisë siç ka bërë Berisha, siç ka bërë Nishani, siç ka bërë Tritan Shehu apo më parë siç ka bërë Eduard Selami, e mijëra të tjerë që kanë shërbyer në nivele të rëndësishme, apo më pak të rëndësishme në parti. Dhe jo të zgjidhnin me mendjemadhësi të luftonin me mbështetësit e tyre, duke i fyer, përbuzur dhe poshtëruar me fjalë dhe qëndrime të rënda.
Së treti duke qenë palë e akuzuar nga anëtarësia e Partisë Demokratike, për legjitimitet të munguar, për “tradhti politike”, për “shitje interesash të PD-së” dhe tani për fyrjen dhe poshtërim të demokratëve, duke mos dhënë dorëheqje, duke bërë çdo përpjekje për të fyer demokratët, është turp. Liria e shprehjes është e garantuar me kushtetutë, nuk mund t’ua mohojë, nuk mund t’ua mbyll në kasafortë Luli dhe Gazi. Si rrjedhim liria e shprehjes është e garantuar edhe në statutin e PDSH-së’ konkretisht në nenin 9 pika 2 e këtij statuti thotë: Funksionimi i PDSH bazohet në: “lirinë e shfaqjes së mendimit, e cila është e garantuar në çdo mbledhje të strukturave të partisë apo veprim të PDSH-së. Çdo anëtar është i lirë të shpreh mendimin dhe propozimin e tij për përmirësimin e punës apo veprimtarive politike të PDSH-së.”
Pra duke qenë palë e akuzuar rëndë, ndoshta më rëndë se çdo kush tjetër i politikës shqiptare në të gjitha kohërat, atyre nuk mund t’ua lërë kush në dorë dosjen e provave juridike kundër tyre. Kjo u duhet thënë qartë edhe opinionit. Ato prova duhet të bëhen publike në gjykatën e anëtarësisë që është Kuvendi i Partisë, pasi Luli dhe Gazi kanë dhënë dëshmi të bollshme se mund t’i prishin provat, se mund t’i bëjnë të pavlefshme formularët e delegatëve me një vizë të vendosur, apo me një numër të gabuar IT të shtuar, me një adresë të gabuar apo me një devijim adrese apo funksioni në parti, me një gërmë të ndryshuar etj, për të përmbushur pretendimin e tyre të jetës se Berisha nuk i ka siguruar 1800 votat e nevojshme të thirrjes së Kuvendit.
Si anëtarë i PD-së prej 31 vjetësh me ka çuditur fakti se si këta njërëz që u rrinë si pula kundërshtarëve politikë, duke bashkëpunuar me të ashtuquajturit masakrues të votimeve të 25 prillit me një paketë reformash socialiste, janë bërë si skifterë kundër deputetëve, anëtarëve të kryesisë, të Këshillit Kombëtar, të kryetarëv të degëve dhe delegatëve të PD-së që nuk mendojnë si ata, duke i kërcënuar, shantazhuar dhe intimiduar. Sipas mbështetësve të Foltores stafi i Bashës ka marrë në telefon qindra delegatë duke iu kërkuar që të mos firmosin formularin sepse “nuk do të kenë viza amerikane”, se “nuk do të kenë shanse në karrierë brenda PD-së” në stilin “Të uroj suksese në jetë…”, një term i huazuar nga një ish-ministër socialist, siç i ndodhi këto ditë një anëtari të kryesisë së Degës së PD-së në Sarandë që kishte njoftuar pjesëmarrjen në Foltore etj. Pra kjo nuk është fantazi, gjykojeni për një çast çfarë mund t’u bëjë Basha dhe stafi i tij i ngushtë delegatëve të thjeshtë kur shkarkon kryetarin e FRPD-së B. Këlliçi dhe shkrirë krejt Formin pse shkoi në foltoren e Berishës, ku të gjithë ishin anëtarë të PD-së, si e sharkoi deputetin Flamur Noka nga nënkryetari i Komisionit të Sigurisë në Kuvend, vetëm pse mori pjesë në tubimet e anëtarëve të Partisë Demokratike, që shkarkoi dhe shkrini Forumin e Gruas Demokratike (LDG) dhe kryetaren Albana Vokshi, e cila ka dhjetë brez që familja e saj kontribuon për këtë komb, për lirinë dhe demokracinë e tij dhe natyrisht nuk ka si të impersionohet prej këtyre grerëzave të selisë. Si e shkarkoi kryetarin e Degës së PD-së Fier, Luan Baci pse priti ish kryetarin demokrat Berisha etj.
Demokratët shqiptarë duhen inkurajuar për të mbajtur Kuvendin e Jashtëzakonshëm të Partisë Demokratike. Rikthimi i traditës së analizës dhe llogaridhëniës së lidershipit është jetik për daljen e kësaj partie nga spirali i katër humbjeve të rënda kombëtare (në të vërtetë të 3 humbjeve në zgjedhjet parlamentare 2013, 2017, 2021) dhe atyre vendore, për daljen e shoqërisë shqiptare nga nënshtrimi, poshtërimi dhe përulja ndaj atyre që i mbajnë peng. Foltore të tilla duhet mbajtur nga çdo parti, çdo organizatë shoqërore dhe politike në vendin tonë, ndërsa Shqipëria po shket në monizëm, në korrupsion masiv dhe shoqëri të kontrolluar.
Partia Demokratike është krijuar në Sheshin Demokracia të Qytetit Studenti Tiranë, nga Lëvizja Studentore Antikomuniste me 11 dhjetor 1990, pa protokollin e Gazit dhe as të Ramiz Alisë.
Ky brez që mbush foltoret e demokracisë 30 vjet më parë nxori pas 50 vjetësh nga kasaforta e Alisë dhe Hoxhës, lirinë dhe demokracinë shqiptare, çështjen tonë kombëtare të mbyllur me çelësat e Beogradit, për t’ua kthyer shqiptarëve. Rezultatet dihen. Rikthimi i Shqipërisë në familjen e popujve të zhvilluar dhe në liri, miqësia e përjetshme me Shtete e Bashkuara të Amerikës, Pavarësia e Kosovës dhe lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë.
Këta demokratë, përfshirë edhe mua, që kemi vënë në gjunjë regjimin më të egër të planetit, vetëm 16 muaj pas krijimit të Partisë Demokratike, konkretisht me 22 mars 1992, nuk do të pyesim për kasafortën e Lulit dhe Gazit.
Vetë demokracia prej Aristotelit deri në ditët e sotshme ka lindur nga dialogu, debati dhe pjesmëmarrja. Nëse Bardhi dhe Luli duan të mbyllin këtë parim bazë të demokracisë, në kasafortë siç edhe e kanë mbyllur prej 8 vjetësh, bashkë me lirinë e shprehjes, me lirinë e grumbullimit, me lirinë e debatit dhe llogaridhënien e brendshme në Partinë Demokratike, e kanë të kotë.
Është një e drejtë e anëtarësisë për të thirrur një Kuvend ku të gjykohet pas tetë vjetësh puna e gjithsecilit në hierarkinë e kësaj partie, që të rikthejë legjitimitetin e të zgjedhurve në të gjitha strukturat e partisë dhe jo të emëruarit sipas listës së kryetarit. Kjo praktikë duhet varrosur që të mos shkatërrojë partinë dhe kthyer atë në një imazh burokratik dhe levë të një personi që e drejton partinë më të madhe në vend pa transparencë, kolegjialitet dhe rregulla statutore, si të ishte ndërmarrja e tij private.
Pra 11 dhjetori është një dialog, një debat, një gjykim politik, demokratik dhe brenda kornizave të statutit të PDSH-së, që u bëhet atyre që e kanë futur në kasafortën e 17 majit 2017, lirinë, demokracinë, sovranitetin, fitoren dhe shpresat e demokratëve shqiptarë, por edhe të popullit dhe kombit shqiptar në këto kohë sfidash të ashpra ballkanike.
Sygjerimi im është që Basha dhe Bardhi të bëhen pjesë e Kuvendit të 11 dhjetorit duke dhënë paraprakisht dorëheqjet nga postet që kanë mbajtur, duke u bërë kështu pjesë e PD në rrugëtimin e saj drejt demokracisë dhe pushtetit të shpejtë.
Është antidemokratike, antisatutore dhe mjerim të pretendosh të pengosh lirinë e shprehjes, lirinë e grumbullimit, sidomos analizën dhe llogaridhënien brenda partisë dhe të përfshihesh në një kurs agresiv kunër anëtarësisë sate. Demokratët shqiptarë i përkasin një familje politike, prandaj duhet të debatojnë me argumente, me prova, me maturi dhe largpamësi, por jo ta degjenerojnë debatin në sharje, ofendime dhe armiqësi, pasi kjo do t’i kushtojë partisë në të ardhmen.
Basha dhe Bardhi duhet të kenë mësuar së paku se në demokracinë partiake anëtarët janë burimi i çdo autoriteti në parti. Udhëheqësit duhet të japin llogari para anëtarësisë, me përunjësi dhe jo t’u shmangen.
Të gjitha demokracitë bazohen në konfikte, në tensione, por ka gjithmonë një rregull për zgjidhjen e tyre që është parimi i shumicës në parti. Këtë shumicë po e konfirmon edhe Kuvendi i 11 dhjetorit 2021.
Shoqëritë demokratike zënë fill nga demokracitë brenda partive, prandaj që të jemi të besueshëm nesër në fushatë, ne duhet të dëshmojmë se i zgjidhim konfiktet tona me durim, me demokraci me transparencë, bazuar në rregull dhe statut duke respektuar mendimin ndryshe.
Zgjedhjet u japin një shans partive për t’u ripërtrirë nëpërmjet energjive të reja dhe eksperiencës së nevojshme. Kjo u jep rast atyre të funksionojnë në mënyrë pluraliste dhe transparente, si partitë e tjera politike në Europë.
Ky është një proces demonstrues praktik, ku partitë politike mund të praktikojnë ato që predikojnë dhe këtë duhet ta mendojë me përgjegjësi çdo demokrat shqiptar, çdo konservator.