1. FASLLI HALITI, NJË POET I CILI I NDOQI IMPULSET E VETA KRIJUESE
Faslli Haliti është një poet i cili i ndoqi impulset e veta krijuese. Me një sponatitet letrar por edhe i vënë në kërkim të një forme të re shprehjeje poetike, në fillim të viteve 1970 ai u sulmua ashpër nga kritika e nisur nga zyrat e pushtetit, si përgjegjës për një braktisje të qëllimtë të rregullave të letërsisë afirmuese socialiste.
Faslli Haliti, bashkohet me brezin e poetëve të vitit 1970 për frymën eksperimenale që ai zgjodhi, kohën e botimit dhe përfshirjen në gjykimin jashtëletrar të kritikës zyrtare ndaj kësaj gjenerate e sulmuar në bllok, në vitet 1970-1973.
Ky brez poetik i përbërë nga F. Haliti, M. Zeqo, F. Rreshpja, Xh. Spahiu, N. Papleka, S. Bejko, S. Buçpapaj, S. Mato, R. Marku, A. Iskau, K.Petriti, B. Londo, N. Lako etj, e afirmoi modernitetin e tij në mënyrë individuale, pa qëllime desidence dhe pa një platformë estetike, ndërsa i bashkoi përpjekja për esksperimentim dhe risi.
Këta poetë u denoncuan dhe u përndoqën nga regjimi pasi tentuan të hidhnin në erë rregullat e vjetra tradicionale të poezisë, duke e çuar deri në fund fantazinë e tyre krijuese, pavarësisht pasojave me të cilën u përballën.
Falli Haliti u gjykua rreptë për shkak se në ciklin e poezive të botuar në revistën “Nëntori”, të prillit 1972 dhe sidomos në poemën “Dielli dhe rrëkerat” të botuar në gazetën “Zëri i rinisë”, në dhjetor 1972, një numër poezish evidentonin degjenerimin e pushtetit komunist dhe përdormit të posteve për përfitime personale, çka u interpretua si nxirje të realitetit dhe mohim i arritjeve socialiste.
Në fakt F. Haliti, në kontrast me të ashtuquajturin progres socialist të zhvillimit të jetës, shihte në poemat e tij tjetërsimin e individit, deri në poshtërim, përpara drejtuesëve burokratë të partisë, si në poezitë “Djali i sekretarit”, “Çifligu”, apo poemën “Dielli dhe rrëkerat”, si dhe nga ana tjetër shkatërrimin e parimeve të drejtësisë sociale dhe barazisë utopike, për të cilat thuhej se luftonte teorikisht socializmi.
Përveç kësaj poezia e Faslliut shquhej si një strukturë krejt të çrregullt, me shfaqje të dukshme formalizimi ligjerimor, që e bënte edhe më të lehtë për t’u sulmuar nga rojet vigjilente të artit dhe letërsisë, por edhe nga militantë të stilit të letrës së dhjetë gjimnanzistëve të cilët, më 25 janar të vitit 1973 në gazetën lokale të Lushnjës “Shkëndia” e paralajmërojnë partinë për shkitjen e këtij poeti në modernizëm, formalizëmin dekadent dhe në prehrin e borgjezisë, që investone për shkatërrimin e artit revoucionar në vend dhe të vetë fitoreve të socializimit, e në radhë të parë të “njeriut të ri”, të huazuar si model nga revolucioni kulturor kinez, që për hir të çështjes së socializmit ngrihej mbi interesat personale të rehatisë dhe komoditetit dhe luftonte për triumfin në botë të mrekullisë komuniste.
Faslliu sipas tyre, në vend të afirmimit të të rejave socialiste edhe heronjve të tipit socialist, kishte zgjedhur interesin e sëmurë vetjak, frymën disfatiste, pesimiste dhe qaramane, me një stil larg frymës revolucionare të realizmit socialist.
Në vijim, bazuar në të dhënat e marra direkt nga poeti apo në intervista të ndryshme të dhëna prej tij në shtypin shqiptar, jam ndalur në disa aspekte jetësore të poetit, duke filluar me disa momente të veçanta të peripecive të shkollimit, deri sa ai plotëson përmbushjen e tij të plotë kulturore dhe arsimore, çfarë mendoj se kanë ndikuar edhe në jetën e tij letrare dhe vetë krjimtarinë e tij.
Duket se poeti të gjitha i ka me vonesë, klasën e parë, mbarimin e shkollës së mesme, të shkollës së lartë dhe të vetë botimit të librit të parë, heqjen për disa vjet të të drejtës së botimit dhe rikthimit dëshpërimisht të vonuar në garën letrare të ndërprerë përdhunshëm prej 11 vjetësh, të dhëna këto që hyjnë në veçoritë jetësore dhe letrare të tij.
Poeti Faslli Haliti ka lindur më 5 dhjetor 1935 në Plug i Madh, një lagje periferike e qytetit të Lushnjës, siç thotë vetë poeti “me karakteristika të plota fshati.”
Faslliu në një intervsitë të dhënë për shtypin e Tiranës në vitin 2008, duke folur për fshatin e tij të lindjes kujton se aty “Të gjithë, pothuaj merreshin me bujqësi e blegtori, me përjashtim të babait tim që ishte tregëtar mishi në qytet, së bashku me dy ortakë çamë: Duro dhe Tefik Qerimi.”
Faslliu thotë në vijim e “Në poezitë e mia nuk e kam përmendur, pothuaj, asnjëherë emrin e lagjes Plug, por ajo është e pranishme në poezinë dhe në tregimet e mia. Udha e Vidhishtës dhe Përroi i Zi janë dy emra të lagjes sime, Plug i Madh, që hasen shpesh në poezitë dhe tregimet e mia.”
Ai sqaron se “Në rrethin e Lushnjës kanë ekzistuar dy vendbanime me emrat Plug i Madh dhe Plug i Vogël. Plugu i Madh ishte lagje e qytetit të Lushnjës, kurse Plugu i Vogël, ishte fshat i rrethit Lushnjë. Plugu i Vogël ishte një fshat buzë kënetës së Tërbufit, i banuar kryesisht nga bujqit e fisit Loshaj dhe Pirra. Për ditë vere ne shkonim për toli tomoli në Plug të Vogël dhe u binim këmborëve para dyerve të fshatarëve si mesagjerë të pranverës dhe fshatarët na i mbushnin shportat me vezë pulash e rosash që rriteshin me shumicë buzë kënetës së Tërbufit. Gjatë periudhës së socializmit, Plugu i Vogël u bë sektor i Fermës Bujqësore «29 Nëntori» dhe kamp përqëndrimi për të internuarit politikë. Udha e Vidhishtës ishte e gjerë dhe e gjatë sa një fushë futbolli. Për ne djemtë e lagjes Plug i Madh ajo ishte fusha ku ne luanim futboll me topa lecke në vitet pesëdhjetë.”
7.1 SHKOLLIMI
Faslli Haliti ka një histori të çuditshme, të kompletimit të arsimimit të tij, që nga fillorja deri në universitet, me vonesa dhe pengesa nga më të ndryshmet.
Ai hyri në klasë të parë në qytetin e Lushnjës në moshën nëntë vjeçe, e konsideruar një moshë e rritur dhe vetëm pasi fillorja ishte bërë arsim i detyrueshëm, për ta përfunduar atë në vitin 1950. Në fakt ai kishte mësuar shkrim dhe këndim para se të hynte në shkollë më ndihmën e së motrës e cila ishte në klasë të tretë dhe kjo e ndihmon atë të arrijë rezultate të mira, ku shquhet në vizatim dhe letërsi, shpesh hartimet e tij lexohen para klase.
Faslliu thotë se “Nga shkolla fillore veçoj si të jashtëzakonshëm ditën dhe çastin, kur para gjithë shkollës, m’u dha Flamuri i Diturisë, në përfundim të një konkursi të organizuar nga Drejtoria e shkollës, në bashkëpunim me Seksionin e Arsimit të rrethit, drejtuar nga mësuesi pasionant Andon Billo.”
Pas mbarimit të shkollës fillore, gjatë viteve 1950-1953, nuk e vazhdon rregullisht shkollën shtatëvjeçare siç thotë poeti “për arsye ekonomike punova tre vjet si bujk.” Në këto rrethana shkollën 7-vjeçare e kryen natën duke qenë një nxënës sistematik dhe shumë i mirë.
Faslliu më tej tregon për një njëri që i jep drejtim jetës së tij artistike. Siç kujton ai “Në qershor të vitit 1953, aktori dhe piktori i Shtëpisë së Kulturës, Lushnjë, Ilia Shyti, më përzgjodhi midis disa anëtarëve të kursit të pikturës dhe më dërgoi në Tiranë që t’i nënshtrohesha konkursit të pranimit për në Liceun Artistik, në degën e pikturës me bazë fillore. Konkurrova dhe e fitova konkursin. Kur më erdhi përgjigjja që kisha fituar konkursin për pikturë dhe do të shkoja në Liceun Artistik, isha duke vaditur dhe në shtator, kur u nisa për në Lice, isha duke korrur misrin.”
Pas një viti në Liceun e Tiranës, në dhjetor të vitit 1954, e marrin ushtar. Fillmi me vonesë i klasës së parë, ndërprerja për tre vjet e shkollës pas fillores dhe puna si bujk në fshat i kishin humbur shumë vite.
Siç kujton Faslliu “Në ushtri u njoha me Pjetër Arbnorin dhe Leka Totën. Këta kishin mbaruar gjimnazin. Pjetri kish qenë edhe mësues. Shoqëria me ta më ndihmoi shumë. Ata më jepnin libra të autorëve të mëdhenj dhe unë i përpija me etjen më të madhe. Me Pjetrin fillova të mësoj algjebër, me qëllim që kur të mbaroja shërbimin ushtarak, të vazhdoja klasën e gjashtë e të shtatë të shkollës shtatëvjeçare. Gjatë viteve 1956 dhe gjer në korrik të vitit 1957, vazhdova shkollën e natës, pa shkëputje nga puna dhe mbarova njëherësh klasën e gjashtë dhe të shtatë gjë që atëherë ishte e lejueshme. Në shtator të vitit 1957 u ktheva përsëri në Lice për pikturë.
Marrëdhëniet e mia me mësuesit e Liceut nuk kanë qenë dhe aq harmonike. Unë isha një nxënës oponent me mësuesit dhe debatues me ta dhe njëherë gati nuk e pësova keq, kur deklaron se “në Shqipëri nuk ka liri shprehje.”
Faslliu kishte profesor piktorin e njohur Guri Madhi i cili edhe u kujdes për të gjatë viteve të shkollës. Faslliu ishte një talent jo vetëm në pikturë edhe në letërsi. Kishte shkruar poezi dhe bënte hartime të bukura. Ai kujton “Dita më e bukur e shkollës ka qenë dita, kur profesori Qemal Xhomo i cili na jepte letërsinë në maturë, lexoi para klasës hartimin tim.”
Por ishte shumë i dobët në fiskulturë aq sa për pak nuk e përjashtojnë nga shkolla për shkak të mungesave në këtë lëndë.
Pas maturës, në vitin 1961, Faslliu fillon punë si mësues vizatimi në shkollat e Lushnjes deri më 1973, kur edhe dërgohet për riedukim në prodhim.
Në përpjekje për të kryer studimet e larta pengesat nuk i ndahen. Ai edhe pse fiton konkursin për në Institutin e Lartë të Arteve Figurative, nuk lejohet “nga pushteti dhe partia në rreth që të vazhdonte studimet e larta për pikturë.”
Gjashtë vjetë pas mbarimit të Liceut Artistik, në vitin 1967 iu dha, më në fund, e drejta që të vazhdonte studimet për gjuhë dhe letërsi në UT, siç thotë poeti “me dëshirën time të plotë.”
Mbaron studimet universitare për gjuhë dhe letërsi shqipe, me korrespondencë, duke u diplomuar si “Mësues për shkollat e mesme”.
Në vitet 1973-1983, për gabime ideore në krijimtari dhe veçanërisht për poemën “Dielli dhe rrëkerat”, ka punuar si bujk i thjeshtë për katër vjet në një kooperativë bujqësore të rrethit Lushnjë dhe 6 vjet tjera në Komunale. Gjatë gjithë kësaj periudhe iu hoq dhe e drejta e botimit.
7.2 NGA POEZITË E PARA DERI TEK “DIELLI DHE RRËKERAT”
Koha nga fillimi i krijimtarisë në klasat e fillores deri tek botimi i poezisë së parë në moshën 28 vjeçare është një periudhë që për Faslli Halitin ka qënë plot dilema, mes pikturës dhe letërsisë, kthesave spontane që jeta e tij ka marrë mes përkushtimit të bujkut, arsimimit të ndërprerë, shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe rikthimit përsëri tek piktura dhe liceu, tek fillimi i punës si arsimtar e më në fund tek studimet e larta për letërsi si prioritet i parë krijues.
Faslli Haliti në intervistën e tij pohon që poezinë e parë ta ketë shkruar që në shkollën fillore.
Siç thotë ai “Por poezinë e parë e kam botuar në Almanakun e Lushnjës më 1961, kurse poezinë e parë në shtypin qendror letrar, e kam botuar në gazetën Drita më 22 prill 1963. Tregimin e parë e kam shkruar në vitin 1966 dhe fitova çmim inkurajues në konkursin kombëtar, organizuar me rastin e pesëmbëdhjetë vjetorit të themelimit të PPSH. Tregimin e dërgova në konkurs me emrin e një shokut tim, që në fakt ishte pseudonimi im. Këtë e bëra ngaqë isha kritikuar në gazetën «Drita» për poezinë «Shtergët» e cila u konsiderua e gabuar politikisht dhe druhesha se mos nuk do të ma pranonin në konkurs.”
Në vitin 1969 Faslliu boton librin e parë me poezi “Sot”, i cili pritet mirë nga kritika profesioniste në Tiranë, por që kritikohet nga amatorë dashakëqij në Lushnje.
Recenzenti i librit kishte qenë Kadare që sipas Faslliut “e ndihmoi shumë botimin e librit.”
“Për librin Kadare shkroi edhe një artikull dashamirës në gazetën ’’Drita’’, shkrim i cili pati shumë impakt te lexuesi shqiptar, por edhe ngjalli shumë xhelozi te disa krijues të qarqeve letrare. Libri titullohej ’’Sot’’ dhe fitoi çmimin e tretë kombëtar në konkursin e shpallur me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit.”
Në një shënimin kritik të Kadaresë rreth librit të Faslliut, të cilin e kishte ndjekur edhe gjatë fazës së redaktimit dhe përgatitjes ai thotë: “Sikur Faslli Haliti të ishte dashuruar ahere pas vargjeve të tij, sikur ai të ngulte këmbë dhe të mbronte dobësitë e tij, ishte e sigurtë se nuk do të kishim librin e tij “Sot” që është një nga librat më interesantë poetikë të botuar kohët e fundit nga Shtëpia botonjëse “Naim Frashëri.”
Për Kadarenë, në atë kohë redaktor në gazetën “Drita”: Gjëja e parë që të bie në sy në këtë përmbledhje poetike është aftësia e poetit të ri për të komunikuar drejtpërdrejt me lexonjësin. F. Haliti nuk mbështillet me “aureolën e krijonjësit”, duke i folur lexonjësit nga lart. Ai, në mënyrë të thjeshtë dhe të natyrshme, e konsideron lexonjësin si shokun e vet dhe pa asnjë pozë letrare i flet për problemet që e shqetësojnë: Nata, Bulevardi, Fshesari dhe unë. Eja fshesar, Jemi kolegë. Ndize një cigar. Kjo nuk është një thjeshtësi e shtirur e intelektualit që duket sikur do të thotë “Shikoni sa poet i thjeshtë jam unë, bisedoj edhe me një fshesar”. Po të lexosh librin e Faslli Halitit vë re që nga krej në fund e përshkron një thjeshtësi e vërtetë burrërore.”
Një vit pas daljes së vëllimit poetik “Sot”, më 1970 shkrimtari Kapllan Resuli, në atë kohë mësues në Lushnje, i nis një letër gazetës së partisë “Zërit i popullit” të shkruar në bashkëautorësi me Spiro Dinakun një nëpunës i qytetit dhe Hysen Kurtin një punëtor i komunales (i cili botonte herë pas here lajme të vogla kulturore nga Myzeqeja në shtypin e Tiranës), ku denocohet vëllimi me poezi “Sot” nëpërmjet një analizë të detajuar mirë dhe kuptohet me frymë dashakeqe, inatçore me poetin. Me sa merret vesh gazeta nuk ia boton shkrimin, dërgohet për analizë në Lidhjen e Shkimtarëve, përfundon në zyrën e Ramiz Alisë në Komitetin Qendror, për t’u zbuluar vetëm pas rreth 4 dekadash nga hulumtuesi i njohur Dashnor Kaloçi, në Arkivin Qendror të shtetit. Konkretisht e futur brenda një dosjeje pune të përgatitur për Ramiz Alinë nga sekretari i tij personal, Ilo Kodra, lidhur me reagimet në Lushnje pas botimit të poemës “Dielli dhe rrëketë” të Faslli Halitit.
Më 1972 Faslliu boton në revistën “Nëndori” Nr. 4, një cikël me poezi. Cikli bëhet shkak që të vihet në qendër të kritikave me ngjyrime politike në Lushnje, por edhe në Tiranë.
Kundërvënia e tij ndaj disa shfaqjeve të burokratizmit, dhe marrëdhënieve të sëmura që ushqenin njerëzit “me autoritet politik”, merret si nxirje e qëllimshme e realitetit socialist.
Poezitë “Djali i sekretarit” dhe “Çifliku”, trajtonin qartazi këtë temë.
Më 16 dhjetor 1972, në gazetën “Zëri i Rinisë” boton poemën “Dielli dhe rrëkerat”, e cila ngre një furtunë politike kundër tij.
Më 25 janar të vitit 1973 gazeta lokale e Lushnjës “Shkëndia” boton një shkrim kritik të dhjetë gjimnazistëve me titull; “Dielli, dhe një poemë që spekullon me të.”
Sulmi i filluar në gazetën “Shkëndia” të Lushnjes arrin deri në zyrën e Sekretarit të KQ të PPSH-së, RamizAlia, të cilën poeti e takon në shkurt të vitit 1973 në përpjekje për t’u mbrojtur nga sulmet e dirigjuara nga udhëheqja partiake në rreth. Sipas Faslliut, me udhëheqësin komunist flasin për kritikën që i ishte bërë ato ditë poemës së tij «Dielli dhe rrëkerat» dhe ai e njofton se në ditët në vijim do të ketë diskutim për poemën, në bazë.
Faslliu e kujton takimin me detaje edhe pas shumë vjetësh:” Më priti mirë. Biseda ishte e lirë disi liberale, disi demokratike. Ai nxori nga sirtari gazetën «Zëri i rinisë», ku ishte botuar poema ime dhe gazetën «Shkëndija», ku ishte botuar kritika aktakuzë kundër poemës «Dielli dhe rrëkerat» e dhjetë gjimnazistëve të mbështetur nga komiteti i Partisë dhe personalisht nga sekretari i parë Rrapi Gjermeni, i prekur më tepër nga një poezi imja me titull «Djali i sekretarit», në revistën «Nëntori.» A bëjmë një diskutim, tha Ramiz Alia, për poemën dhe kritikën që i bëhet poemës? Bëjmë, i thashë unë. Poema është e gabuar ideologjikisht, më tha Ramiz Alia, po ne nuk jemi dakord me kritikën që të bëhet ty në plan politik e personal. Do t’u heqim vërejtje atyre shokëve të gazetës Shkëndia, tha dhe instruktorit që mbulon gazetën në komitet të partisë. Kështu?
U gëzova, por pas dy-ti ditësh Ramiz Alia në një mbledhje me punonjësit e shtypit tha se Zëri i rinisë, ka botuar poemën «Dielli dhe rrëkerat» e poetit Faslli Haliti që është e përshtatshme për t’u botuar në gazetën «Le Monde». Kaq deshi Rrapi Gjermeni, bëri shpejt e shpejt një mbledhje autodafe si ato të inkuizicionit mesjetar, më ndërseu gjimnazistët e indoktrinuar e të manipuluar nga ai vetë dhe më dërgoi për riedukim ideologjik e politik në orizore.”
Orëve të demaskimit të madh i paraprijnë përgatitja opinionit kundër tij, dhe sidomos përpunimi i gjimnazistëve. Kjo ishte një praktikë tipike e socializimit, më saktë e sigurimit të shtetit, kundër veprave të shkrimtarëve dhe vetë shkrimtarëve. Për shembull për ndalimin e novelës “Natë me hënë” të Kadaresë një gjimnaziste kishte nisur një letër tek udhëheqja e lartë komuniste me shqetësimin se novela cënonte moralin komunist të të rejave shqiptare.
Në këtë praktikë në fillim të marsit 1973 rrethi letrar i Lushnjës organizon një diskutim rreth poemës “Dielli dhe rrëkerat” të Faslli Haliti ku merr pjesë nga LSHA shkrimtari Teodor Laço, i cili e merr në mbrojtje Faslliun dhe dekurajon kritizerët. Në një relacion të sekretarit të parë të partisë të rrethit Lushnje nisur KQ të partisë disa ditë më vonë më 24 prill 1973 thuhet: ” Në këtë diskutim i dërguari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, shkrimtari Teodor Laço, i cili gjatë diskutimit të tij, megjithëse vuri në dukje gabimet ideologjike të poemës në fund u shpreh: “Sidoqoftë pemën me kokrra të gjithë e qëllojnë me gurë.”
Në fund të marsit të vitit 1973, në shtëpinë e kulturës të qytetit Lushnje organizohet për 14 orë demaskimi i poetit, në një sallë të tejmbushur ku poeti detyrohet të qëndrojë në këmbë dhe t’u përgjigjet pyetjeve ironike dhe shantazhuese të sekretarit të partisë dhe të militantëve të tij në sallë.
Në fund të kësaj mbledhje dilet me propozimin që poeti denohet me punë të detyruar në orizore në një prej kooperativave bujqësore të Lushnjës dhe pas katër vjetësh, dënimi do të vazhdonte në ndërmarrjen komunale edhe për gjashtë vjet të tjera.
KRITIKA E DHJETË GJIMNAZISTËVE PËR POEMËN “DIELLI DHE RRËKERAT”
Jam ndalur tek letra denoncuese e dhjetë gjimnazistëve të Lushnjës jo thjeshtë për ta vlerësuar si një dokument që pasuron studimin tim, por për të parë frymën e shantazhit dhe fantazinë e ligë që prodhonte ai sistem kundër njerëzve të pambrojtur, pra edhe të poetëve dhe shkrimtarëve që kishin cënuar drejtuesit e partisë, prekur sado pak në sedër apo lënduar.
Së dyti për të parë urrejtjen dhe hakmarrjen e njerëzve të pushtetit komunist që nuk ndalin para asgjëje, duke përdorur hafije, servilë dhe të rekrutuar të tjerë në provincë, deri edhe fëmijë shkolle duke fallsifikuar një një dokument në emër të tyre, pasi është krejt e qartë se ajo letër nuk ishte shkruar asnjëherë në dora e disa gjimnazistëve të cilët marrin vetëm disa njohuri bazë në letërsi, por nga një dorë e stërvitur në këto punë.
Letra e botuar në gazetën “Shkëndija”më 25 janar 1973, me titull “Shënime kritike nga dhjetë gjimnazistë”, fillon me fjalët se “Nuk na e priste mendja se Faslli Haliti do të shkruante një poemë të tillë si “Dielli dhe rrëkerat”. Ajo është frut i një çoroditje politike e ideologjike dhe na jep një pasqyrë në themel të shtrembër të realitetit tonë, të natyrës së pushtetit popullor dhe të marrëdhënieve të partisë me popullin.”
Pasi bën një analizë ideologjike hyrjes së poemës, letra vijon me shqëtëismin që gjoja poema i ka bërë moralit të pushtetit popullor. “Nga e gjithë poema del se pushteti ynë qenka burokratizuar deri sa nuk mban më, se askush nuk i qan hallet e popullit, se punëtorët duhet ta rregullojnë vetë strehën e tyre dhe në poemë u jepet “urdhër” atyre që t’u thyejnë “dhëmballët burokracisë” dhe po u munguan gurët të shkulin dhëmbët e nëpunësave. Si t’i marrim të gjitha këto, si vargje figurash të bujshme, apo si pikëpamje të gabuara për realitetin tonë revolucionar? Jo, ato nuk tingëllojnë aspak drejtë në luftën kundër burokratizmit, flamurin e secilës e mban kurdoherë partia, por gumëzhijnë për anarshi dhe rebelizëm.”
Letra vazhdon duke çuar në esktrem domethënien e vargjeve dhe figuracionit të poemës, deri deformim të natyrës artistike të poemës, duke bërë aludime të qëllimshme me sens politik, për të dëmtuar sa më shumë poetin, mundësisht burgosur në vend. ”Sipas poemës askush nuk bën gjë, kështu që i mbetet “unit të poetit” të japë “urdhërin”: “Thyejani dhëmbët burokracisë!” Ky është një shtrembërim flagrant i së vërtetës, që e ka burimin në mentalitetin e vjetër e tërë të çara të autorit, që ose shitet shumë “naiv” në politikë, ose është prej atyre që shfrytëzon situatat revolucionare për të nxjerrë në shesh kundërshtimet e tij prej mikroborgjezi. “
Letra në stilin e frymës së kohës, kujton faktin se devijimi nga fryma e qartë partiake është bërë një mënyrë rutinë e autorit, duke i përmendur edhe botimet tjera, po aq të gabuara sipas tyre, biles duke shënuar faktin se ata nuk kanë qënë dakort me to.
Pra Faslliu duhet të kishte marrë miratimin e gjimnazistëve të letrës, para se të dërgonte për botim poemën apo ciklin me poezi, të publikuara tek revista “Nëntori”.
“Poema “Dielli dhe rrëkerat” botuar në gazetën “Zëri i Rinisë” të datës 16 dhjetor 1972, na kujtoi se ky konfuzion ideologjik ka pasë nxjerrë kokë edhe në krijime të mëparshme të F. Halitit, me të cilat ne nuk kemi qenë dakord. Mjaft vjersha të tij ideologjikisht të gabuara apo gjysëm formaliste që lexonin nëpër faqet e organeve letrare (duke u çuditur si botoheshin) ne na revoltonin. Prandaj për këtë poemën e fundit, është kjo arsyeja që menduam se do të gabonim sikur të heshtnim më gjatë.”
Në fund letra paralajmëron edhe fundin e poetit dhe kalvarin e riedukimit e tij, siç thuhej atëherë, diku në kudhrën e klasës punëtore ose të aleatës së saj, fshatrësisë kooperativiste. “Pa u çliruar sa s’është vonë nga individualizmi mikroborgjez F. Haliti nuk mund të na japë poezi të shëndosha të realizmit socialist, por përkundrazi ashtu siç vihet re nga ecuria e krijimtarisë së tij, ai ka rrezik të thellohet në çoroditjen ideologjike dhe atëhere do të jetë tepër vonë” , përfundon letra që nisi në të vërtetë demaskimin publik të tij
7.3 DOSJA E FASLI HALITIT NË ZYRËN E RAMIZ ALISË, POETI I SHPËTON PËR PAK BURGUT
Është vështirë të kuptosh mekanizmat e sofistikuar të diktaturës ndaj artit, biles edhe ndaj vetë jetës së artistit apo poetit, ndërsa ata vepronin me një përsosmëri të frikshme dhe njëkohësisht banale. Siç thotë Ismail Kadare:” Komunistët i trembte arti. Udhëzimet e shefave të tyre më të lartë, duke përfshirë Lenin dhe Marksin, ishin aq të cekta saqë mijëra punonjës të kulturës torturonin trutë ditë e natë për të kuptuar se ç’donte të thoshte Lenini, në të vetmin librushkë të tij për letërsinë: Organizata e letërsisë dhe letërsia e partisë”.
Në të gjitha vendet komuniste të Europës vepronte thuajse i njëjti mekanzimën kontrolli dhe censure, në krye të të cilave qëndonte aparati qendror i partisë dhe vetë udhëheqja e lartë, por në Shqipërinë “stërstaliniste” “siç shprehet Kadare, këta mekanizma ishin më brutal dhe të frikshëm. Ky sistem presioni që merrte në vazhdim trajtat e një terrori të vertetë ndaj shkrimtarit, është përdorur edhe ndaj poetit Faslli Haliti, ashtu siç ishte përdorur më parë ndaj Frederik Rreshpjes, Vilson Blloshmit, Genc Leka, Xhevahir Spahiut, Visar Zhitit etj.
Më poshtë po jap të plotë servirjen që sekretari i Ramiz Alisë i bën çështjes së Faslli Halitit, duke ia përmbledhur në një dosje. Aty ka çdo detaj për një poemë, të denjë për një seancë gjyqësore, kur është shkruar, kur është botuar, çfarë komentesh ka patur për të, kush e ka sulmuar dhe kush e ka mbrojtur, dëshmitarët nga provinca, gjimnazistët e shqetësuar të Lushnjës dhe letra e tyre. Natyrisht edhe letra mbrojtëse e poetit. Fjala e fundit e tij.
“Përmbajtja: Letër e një grupi shokësh nga Lushnja, kërkesë e Faslli Halitit, artikull i gazetës “Shkëndia” drejtuar Komitetit Qendror të PPSH-së;
-Mbi vëllimin poetik “Sot” të Faslli Halitit si poezi që s’pasqyron tipiken.
-Mbi artikullin “Dielli dhe një poemë që spekullon me të”
Mbi kërkesën për takim të Faslli Halitit
Është shkrimtar. Para ca kohësh përgatiti një poemë me titull “Dielli dhe rrëkerat” dhe e paraqiti në redaksinë e Almanakut të Lushnjës. Njëri nga shokët e redaksisë, Hasan Çobani, ngriti çështjen se poema ishte e keqe politikisht dhe mbasi kërkoi që të largohej nga mbledhja Faslliu (edhe Faslliu është anëtar i redaksisë së Almanakut), u tha shokëve të tjerë se këtë poezi duhet ta dorëzonte në Degën e Punëve të Brendshme si material armiqësor.
Më vonë unë e dërgova poezinë për botim në gazetën “Zëri i Rinisë”, mbasi e ripunova sipas vërejtjeve që më bënë dhe ajo e botoi.
Disa ditë më vonë doli edhe gazeta “Drita” me një artikull për poezinë tonë dhe aty thuhet se poezia e Faslli Halitit karakterizohet nga vargu i ngjeshur dhe shkrin në një, personalen me të përgjithshmen”.
Kjo gjë nuk i pëlqeu me sa duket shokut Hasan: prandaj ky përgatiti një shkrim kundër, jo vetëm ndaj poezisë në fjalë, por ndaj tërë krijimtarisë time dhe e botoi në gazetën lokale “Shkëndija” datë 25 Janar 1973. Artikulli ka firmën e 10 të rinjve të grupit letrar të shkollës ku është pedagog dhe drejtonjës i grupit vetë shoku Hasan.
Në këtë artikull ka për mua akuza tepër të rënda dhe krejt të padrejta dhe jepet mendimi se unë nuk mund të japë poezi pa u çliruar sa s’është vonë nga individualizmi mikroborgjez.
Dua të vë në dukje se rrethi letrar përbëhet nga 30 të rinj, por në mbledhjen ku u diskutua për poezinë time ishin vetëm 10. Një nga të rinjtë që ishin në atë mbledhje tha se ata ishin mbledhur me ngut dhe aty shoku Hasan u kishte thënë se do të diskutonin për poemën e Faslliut e cila është e keqe dhe ne duhet ta kundërshtojmë. Ai kishte nxjerrë pastaj nga xhepi artikullin në fjalë dhe si e lexoi e u bë ndonjë vërejtje kërkuan që ta firmosnin atë: kurse ai vetë nuk e ka shënuar emrin e tij.
Kur ndonjëri nga të rinjtë shfaqi ngurrim, ai iu tha këtë gjë e di edhe sekretari i Partisë.
Lutet të shihet çështja nga ana jonë.
27.10.1973 Ilo Kodra
7.4 DEMASKIMI PUBLIK I POETIT SI FORMË PRESIONI NDAJ LETËRSISË
Shkrimtarët dhe poetët e viteve 1970 refuzuan modelin e letërsisë që afirmonte vetëm arritjet e socializmit. Por nga ana tjetër, shkrimtarët dhe poetët që ju mënjanuan temave të mëdha dhe shkruan për një tjetërsim të shoqërisë, si dhe për dështimet e socializimit për të siguruar minimumin jetik të njerëzve si një shtëpi apo banesë, siç thotë edhe poema e F. Haliti, e gjetën vetëm përpara një gjyqi popullor, me njëmijë akuza të rënda, pas të cilave vinte heqja e të drejtës së botimit, puna në prodhim dhe akoma më keq burgu. Një situatë të tillë është gjendur edhe Faslliu, fund të marsit të vitit 1973, të cilën e përshkruan me detaje ish-gjimnazisti Tahsin Xh. Demiraj, anëtar i rrethit letrar të gjimnazit të Lushnjës, ndër të patët nxënës që mbrojti poetin hpatazi në sallën e demaskimit. Ai i tregon kështu orët dramatike të linçimit politik të Faslliut në një dorëshkim të botuar pjesërisht në gazetën letrare “Nacional.”
“Atë fund të marsit të vitit 1973, rreth orës tre pasdite në sallën e madhe të shtëpisë së kulturës së qytetit, filluan të vijnë shkrimtarët e besuar, beniaminët e Partisë, pas tyre erdhi dhe grupi i krijuesëve të rinj të rrethit letrar të gjimnazit, me mësuesin e tyre të letërsisë në krye të «gardistëve» të kuq.
Unë me Faslliun arritëm me një frymë në Shtëpinë e Kulturës ku, salla ishte mbushur plot e për plot.
Të gjithë e përpinë me sy Faslliun që zuri vend në radhën e tretë të sallës, afër shokut të tij më të besuar, Halil Jaçellarit. Unë u ula në radhën e parë. Ndërkohë hyri Sekretari i parë. Të gjithë u ngritën në këmbë. Sekretari bëri shenjë me dorë që të uleshim dhe ne u ulëm.
Fjalën e mori sekretari i parë i komitetit: Dua që secili të më flasë për krijimtarinë e tij, tha Sekretari i parë. Në sallë nuk dëgjohej asnjë pipëtimë.
Po ai Faslli Haliti është këtu…? pyeti sallën sekretari. Këtu jam, tha Faslliu dhe u ngrit në këmbë disi i qetë.
Pa na fol për atë krijimtarizezën tënde, i tha sekretari poetit. Faslliu dukej sikur po i ngarkonin dy kuintalë peshë mbi supe. Pa na thuaj një çikë, i tha prerë sekretari, ç’të shtyu ty, të shkruash poezi të tilla katran me bojë, si këto: Njeriu me kobure, Zhurmë, Djali i sekretarit, Njeriu i zi, Çifligu, Thyerje… Pa na thuaj këtu, ç’ke dashur të thuash me to; sidomos me poezinë Çifligu, çifligjet ua mori reforma agrare çifligarëve. Ç’na përrallis ti, apo do që t’u kthehen prapë atyre…? Po me ato vargjet yrnekë: Rroftë dielli President i plazhit e, ku di unë… Kush të shtyu të shkruash poemën katran me bojë Dielli dhe rrëkerat, Tirana? Tirana e gjithë jo, xhanëm, se në Tiranë jeton e punon edhe shoku Enver, po e kam fjalën se kush të shtyu nga ata rrufjanët politikë, për të cilët flet shoku Enver në fjalimin e tij historik, mbajtur në Presidiumin e Kuvendit Popullor…?
Nuk kam ç’të them shoku sekretar… Unë i bëj poezitë dhe i dërgoj për botim… tha poeti që qëndronte vazhdimisht në këmbë, si para një gjyqi apo autodafeje mesjetare. Ai deshi të ulej, por sekretari e urdhëroi të qëndronte në këmbë… Po, po, e dimë këtë. Për botimin e tyre do të përgjigjen ata që t’i kanë botuar. Ti do të përgjigjesh për veten tënde… Ç’të shtyu të shkruash poezi të tilla katran me bojë..? Realiteti, lufta që bën Partia kundër burokratizmit, u përgjigj poeti i gozhduar. Po pse more ti, ky është realiteti ynë socialist…? Do të flasësh si duhet ti, apooo…, shkreptiu sekretari.
Faslliu u ul, por sekretari e ngriti përsëri dhe ai ndenji në këmbë gjatë gjithë mbledhjes e cila zgjati gati 10, 12, 14 orë. Dashakeqët i hidhnin sytë me vetulla të ngrysura dhe ngriheshin nga pak e merrnin poza kinezçe që t’i shihte sekretari. Dashamirët menduan me pikëllim se kaq e pati i ziu poet… “
Ky material i bazuar me korrektesë në zhvillimin e mbledhjes së demaskimit politik të poetit, sjell edhe disa diskutime tipike për ngjarje të tilla tragji-komike, me fjalorin e asaj kohe.
Shkrimtari K. G: “Faslliu ka bërë vazhdimisht poezi të gabuara. Ia kemi thënë disa herë në mbledhjen e Degës tonë të Lidhjes… Faslliu duhej të na dëgjonte ne që jemi më me eksperiencë se ai, me formim të plotë të partishëm. Poemëzeza Dielli dhe rrëkerat dhe i thamë se ishte e gabuar, me përmbajtje armiqësor, se e godiste Pushtetin tonë Popullor. Faslliu duhej ta griste atë poemë katran me bojë…”
Sekretari i parë: Poema nuk është vetëm e gabuar, por është një poemë plotësisht me përmbajtje armiqësore. Ky farë poeti, apo p-e-o-t-i, bën thirrje që llumi, domethënë të deklasuarit, të rrokin armët kundër Pushtetit Popullor.
Shkrimtari D.Ç që mbahej si njohës i thellë i letërsisë: “Ne nuk do të lejojmë, që armiku të depërtojë në radhët tona. Unë i rekomandoj poetit që të lexojë “Organizata e Partisë dhe letërsia e Partisë të shokut Lenin”, të lexojë gjithashtu dhe romanin “Si u kalit çeliku” të shokut Gorki dhe romanin “Nëna” të shokut Majakovski… Salla u shkri së qeshuri. Pooo, të lexojë nga letërsia e popullit të madh kinez, sidomos romanin e shokut Lejfen që mua më kanë pëlqyer më shumë, jashtëzakonisht shumë domethënë.”
Thoma Lala (shef i kulturës në komitet): Unë e njoh që në fëmijëri Faslliun dhe të them të drejtën, poema për të cilën jemi mbledhur e po e diskutojmë këtu si poemë reaksionare, nuk e kuptoj se si më paska pëlqyer mua që jam edhe shef i seksionit të kulturës! Nuk e mohoj, më pëlqeu…”
-Letrari amator Naser G: “Unë mendoj se në rastin e Faslli Halitit, nuk kemi të bëjmë me një rrëshqitje, por me një predispozitë. Ai nuk gabon për herë të parë… Dhe mbi të gjitha nuk kemi bindje se ai përsëri do të gabojë, sepse ai nuk rregullohet kurrë, nuk shëndoshet kurrë sepse nuk i shijon ushqimi i partisë.”
Duke parë pjesëmarrësit në sallë që ishin trullosur me të tilla diskutime si gjellë qensh dhe se ora po shkonte 00,45 minuta, se kishim gati 13 orë të mbyllur, në sallën e provave të Shtëpisë së Kulturës, kurse poeti 14 orë në këmbë… ndërhyra duke propozuar që meqenëse do të jepej një masë riedukimi në prodhim, poeti të shkojë në metalurgjik.
Sekretari: “Nuk është nevoja të shkojë në Metalurgjik, mendoj unë. Kemi kooperativat tona bujqësore këtu, ku Faslliu mund të vejë të punojë dhe të mësojë sesi nxirret buka dhe për kë duhet të shkruajë e si të shkruajë.
Ngrihemi!, se u bë vonë, dha urdhër sekretari.
Të gjithë u ngritën si të mpirë… Dashakeqët dilnin nga salla të kënaqur, dikush fërkonte duart me gëzimin e njeriut të vogël, ne, shokët e poetit dilnim të vrarë dhe të mërzitur nga ajo mbledhje gjyq, autodafe, kurse vetë poeti, as i gjallë e as i vdekur, mori rrugën, i vetmuar tutje në jug të qytetit, për në shtëpinë e tij.”