Me ndarjen sot nga jeta të Dhimitër Anagnostit, në moshën 89-vjeçare, kinematografia shqiptare humbi jo vetëm një nga mjeshtrit e saj më të mëdhenj, por edhe një arkitekt të rrëfimit filmik shqiptar, i cili i dha ekranit një zë autentik, human dhe artistikisht të qëndrueshëm në kohë.
Figura poliedrike, regjisor, skenarist, intelektual publik dhe mbrojtës i lirisë krijuese, Anagnosti është emri që gjendet në themel të ndërtimit të një identiteti kombëtar në artin e filmit shqiptar. Nga dokumentari, deri te drama sociale dhe komedia satirike, ai ndërtoi një opus artistik që e tejkaloi funksionin ideologjik të kinemasë, duke krijuar një filmografi që mishëron ndjeshmëri estetike, integritet etik dhe guxim intelektual.
Anagnosti hyri në arenën filmike ndërkombëtare qysh në vitin 1961, kur ishte student në Moskë, me filmin e shkurtër “Njeriu kurrë nuk vdes”, një adaptim nga Ernest Hemingway, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike në Holandë. Ky sukses i hershëm shënoi fillimin e një karriere të gjatë dhe të dalluar në Kinostudion “Shqipëria e Re”, ku ai eksperimentoi me narrativën, strukturën dhe figurën filmike në një kohë kufizimesh të mëdha artistike.
Regjisori që sfidoi kornizat ideologjike përmes formës dhe përmbajtjes
Në një kohë kur realizmi socialist përkufizonte vijën e kuqe të lejuar të artit, Anagnosti guxoi të sillte personazhe dhe situata të ndërlikuara, të pasura në ndjesi dhe konflikt të brendshëm. Në vend të heroit të një dimensioni te optimizmit socialist të njeriut te ri, ai solli njerëz me dritëhije, ku drama njerëzore ishte më domethënëse se çdo parullë politike.
Kjo vjen në mënyrë të veçantë në pah në filmin “Përrallë nga e kaluara” (1987) – një komedi satirike me strukturë metaforike, ku kritika sociale ndaj zakoneve arkaike bëhet përmes ironisë dhe subtekstit. E vendosur në një Shqipëri rurale arketipale, vepra shpalos rrëfimin e një martese të paracaktuar, që kthehet në një simbol të lirisë individuale, një akt emancipimi i heshtur, por i fuqishëm.
“Lulëkuqet mbi mure”: Një metaforë poetike e fëmijërisë dhe rezistencës
Ndër kulmet estetike dhe emocionale të filmografisë së tij, “Lulëkuqet mbi mure” (1976) është një vepër që i tejkalon konvencionet kinematografike të kohës. Nëpërmjet syve të fëmijëve jetimë gjatë pushtimit fashist, Anagnosti krijon një dramë poetike, ku brutaliteti i realitetit kontrastohet me pafajësinë dhe shpresën. Lulëkuqja bëhet simbol i jetës që kërkon të mbijë edhe mbi mure të errët – një metaforë për rezistencën e brendshme dhe shpirtin e lirë kombetar.
Filmi nuk është vetëm një kronikë e një periudhe, por një akt reflektimi mbi mënyrën si ideologjitë dështojnë të shkatërrojnë humanizmin, aq sa dhe një kritikë ndaj pedagogjisë represive që fshihet pas retorikës politike. Vdekja e Sulos, një nga momentet më prekëse të kinemasë shqiptare, është jo vetëm kulm dramatik, por një pikë kthese ku narracioni personal bëhet universal.
Midis realitetit dhe poezisë vizuale
Anagnosti ishte një regjisor i gjuhës filmike të përpunuar, ku struktura dramatike ndërtohej mbi një qasje të qëndrueshme regjisoriale: kamera e tij rrallëherë ishte thjesht vëzhguese; ajo komunikonte, nënvizonte, qortonte dhe përqafonte dramën njerëzore në dimensione të shumta. Mjeshtëria e tij qëndronte jo vetëm në drejtimin e aktorëve dhe në ndërtimin e atmosferës, por edhe në zotërimin e ritmit narrativ dhe tensionit dramatik.
Në filma si “Malet me blerim mbuluar” (1971), “Plagë të vjetra” (1968) apo “Kur hiqen maskat” (1975), regjisori arrin të ndërtojë një diskurs të heshtur kundër hipokrizisë sociale, duke përdorur personazhe që reflektojnë mbi vetveten dhe realitetin që i rrethon.
Një intelektual në shërbim të kulturës kombëtare
Përtej ekranit, Dhimitër Anagnosti kontribuoi në jetën publike si ministër i Kulturës në fillim të viteve ’90, në një periudhë tranzicioni të vështirë për Shqipërinë. Më pas, me themelimin e Fondacionit “Fan Noli”, ai vijoi misionin e tij për mbështetjen e artistëve të rinj dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore kombëtare.
Gjatë viteve në vijim pata fatin të kultivoj një miqësi të afërt me Dhimitër Anagnostin, fillimisht si student në kualifikimin dyvjeçar pasuniversitar për skenarin e filmit artistik( kualifikim i nivelit master), ku isha pjesë e një grupi të rinjsh të talentuar në vitet 1991-1992 dhe pastaj si gazetar i “Rilindjes Demokratike”, kur Aangonsti u zgjodh deputet i PD-se dhe minister i Kultures i qeverise se pare demokratike.
Pas vitit 1992, me shpërbërjen e ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, vetë Anagnosti u detyrua të ndërmerrte një vendim drastik për fatin e kinemasë shqiptare, i diktuar nga rrethanat e vështira ekonomike dhe mungesa e mbështetjes financiare institucionale. Në atë periudhë, vendi nuk kishte më burimet e nevojshme për të mbajtur në funksion një strukturë aq të madhe dhe komplekse si industria shtetërore e filmit. Unë dhe shumë të tjerë që kishim ëndërruar të vazhdonim në rrugën e skenarit dhe filmit, u orientuam drejt gazetarisë apo fushave të tjera të artit dhe kulturës, duke mos pasur mundësi të vijonim më tej në kinematografi.
Në vitin 2005, ai realizoi edhe filmin e tij të fundit, “Gjoleka, djali i Abazit”, që u vlerësua me çmime ndërkombëtare në Itali – një dëshmi se pasioni i tij për kinemanë nuk u shua as në dekadën e fundit të jetës.
Trashëgimia e një mjeshtri
Me një krijimtari që përfshin mbi 14 filma artistikë, 10 dokumentarë, si dhe 15 skenarë, shumicën e të cilëve të shkruar nga vetë ai, Dhimitër Anagnosti zë një vend të pazëvendësueshëm në historinë e artit shqiptar. Filmat e tij mbeten dokumente të një kohe, por edhe vepra të pakohshme që flasin për njeriun, me gjithë kompleksitetin, pasionet dhe ëndrrat e tij.
Ai ishte një regjisor që nuk bërtiste, por fliste me forcën e një zëri të brendshëm. Nuk i dha kinemasë shqiptare vetëm filma, por një gjuhë, një ndjeshmëri dhe një standard artistik që ende sot sfidon kohën.
Filmografia përfaqësuese:
- Gjoleka, djali i Abazit (2006)
- Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)
- Përrallë nga e kaluara (1987)
- Gurët e shtëpisë sime (1985)
- Lulëkuqet mbi mure (1976)
- Kur hiqen maskat (1975)
- Malet me blerim mbuluar (1971)
- Komisari i dritës (1966)
- Njeriu kurrë nuk vdes (1961)
Në kujtim të Dhimitër Anagnostit – një artist që nuk u përkul përpara trysnisë së kohës, por i dha kohës vetë një art që fliste me sinqeritet, poezi dhe thellësi.
Trashëgimia e tij mbetet përtej ekranit – në memorien kulturore të një kombi që, përmes filmit, mësoi të reflektojë mbi veten.
I shpreh ngushellimet e mia familjes Anagnosti.


















