Dr. Mujë Buçpapaj: KADARE SHKOI NË AMSHIM, LETËRSIA SHQIPTARE MBETI NË KRIZË

Me shuarjen Kadaresë, e vetmja letërsi ballkanike që nuk ka marrë ënde një Çmim Nobël, mbetët letërsia shqiptare.

Shkrimtari shqiptar me njohjen më të gjërë nderkombëtare Ismail Kadare, më 1 korrik 2024 u nda nga jeta, duke lënë letërsinë shqiptare në krizë të thellë. Me ikjen në amshim të Kadaresë, e vetmja letërsi ballkanike që nuk ka marrë ënde një Çmim Nobël, mbetët letërsia shqiptare dhe akoma më keq nuk kemi një kandidat të këtij niveli për të konkuruar më tej në rrugën e çelur me dinjitet dhe mertita nga Kadare.
Kur them se letërsia shqiptare ka hyrë në një krizë pas vdekjes së Kadaresë, ky nuk është ndonjë fatalitet apo mallkim që nuk mund të shmanget, të paktën të zbutet duke pritur kohë më të mira për të, në të ardhmen. Në fakt këtë lloji krize, apo shterimi e kanë kaluar shumë letërsi kombëtare në Europë dhe në botë, kur shkrimtarë të mëdhenj kanë ndërruar jetë apo edhe shkrimtarë të një brezi, janë larguar duke lënë pas huti dhe dëshpërim, por edhe pyetjen çfarë duhet të bëjmë?
Letërsia shqiptare ka plot poetë të mirë dhe shumë të mirë, ka një dyzinë prozatorësh të mirë dhe shumë të mirë dhe këtë e them më koptencë, jo vetëm si autor, studiues i letërsisë dhe profesor universiteti, por edhe si botues i gazetës letrare Nacional, ku prej gati 20 vjetësh publikon çdo prurje letrare nga çdo hapsirë shqiptare dhe emigrcioni, por për fat të keq ata janë të braktisur, pa të ardhura minimale jetese, pa fuqi botimi, përkthimi dhe promovimi në Europë dhe botë. Biles shihen gati si të mallkuar apo akoma më keq si të marrë, si të dalë jashtë mode, që në këtë kohë tenderash, në këtë kohë vjedhjesh dhe grabitjesh të milirada dollarëve të pasurisë kombëtare nëpërmjet konçensioneve të çuditshme, nga qeveritarë të pashpirtë, të gjithëçfarë llojesh dhe katagorishë, të merren me poezinë, me artin, me kombin dhe kulturën kombëtare…

Vetëm në Tiranë industria e ndërtimit të kullave hedh disa miliardë euro në vit, por asnjëri prej tyre nuk ka sponsorizuar një libër shkrimtari të talentuar, jo më t’i këtë shkuar në mendje të ndërtojë një bibliotekë apo të heqë shpenzimet e një talenti letrar diku në perëndim. Jemi i vetmi shtet në botë pa ndertësë të Bibliotekës Kombëtare.

Ndërsa Kadare ka ndërprerë krijimtarinë e tij letrare, për shkakun e thjeshë se ka ndërruar jetë dhe është i mbuluar me dhe diku në perifieri të Tiranës, mendoj se shqetësimi i shoqërisë, institucioneve publike, shkollave, universiteteve dhe i vetë shtetit shqiptar, duhet të jetë jo thjesht vendi fizik ku do të prehet Kadare(që sigurisht e meriton një vend të denjë), por mbushja e boshllëkut që ka lënë pas Ismail Kadare, ripërtritja e letërsisë shqipe dhe investimi për të ardhmen e saj në konkurencën rajonale, europiane dhe botërore.
Nuk është ndonjë gjë e paditur që regjimi komunist investoi për Kadarenë dhe qindra shkrimtarë të tjerë për të zhvilluar talentin e tyre më vend dhe jashtë, pasi e kishte shpallur letërsinë pjesë të politikave të partisë për edukimin komunist të masave. Tashmë Kadareja, që ishte më i talentuari nga epoka e realizmit socialist, është thuajse i fundit nga brezi i tij që ndërroi jetë. Brezi i viteve 1970 me poetë dhe prozatorë të shkelqyer është rralluar, ndërsa brezi i viteve 1980 me shumë talente, por pa një busull estetike të qendrueshme, ka preferuar të kalarojë mes letërsisë dhe politikës, duke e dëmtuar shumë letërsinë shqiptare, ndërsa epoka pas 1990-tës ka dhënë ato rezultate që tashmë i dime të gjithë.
Pra është koha që shteti shqiptar të investojë për letërsinë, siç ka bërë ta zëmë për sportin, për futbollin dhe kemi arritur disa rezultate nderkombëtare.

Ky mendoj unë duhet të jetë një investim kombëtar, afatgjatë, i programuar mirë, i studiuar dhe me ndenjë të fortë kombëtare shoqëruar me investime financiare të mirëmonitoruara, jo me fjalë boshe fushtash elektorale, në mënyrë që letërsia shqiptare të ecë e sigurtë në vijimsinë e saj të pandërprerë në shekujt dhe mijëvjeçarët e ardhshëm.
Për ndryshe jo vetëm që nuk do të kemi shkrimtarë, por siç duket tani gjendja në universitete, nuk do të gjejmë as mësues gjuhe dhe letërsie.

Jetojnë në një shoqëri pluraliste ku secili ka mendimin e tij dhe siç thuhet në Kanun, fjala nuk përbën mort dhe duhet respektuar si e tillë, por kur është fjala për të analizuar një shkrimtar të formatit të Kadaresë, të lidhur aq shumë me gjuhën dhe kombin shqiptar, duhet më shumë respekt dhe nderim. Aq më tepër qëë ai ka ndërruar jetë dhe nuk ka mundësi të reagojë.

Kam shpresë që brezat e ardhshëm, njerëzit e shekujve që do të vijnë, qoftë lexues të thjeshtë, studentë, akademikë apo edhe shkrimtarë, do të jenë më njërëzor dhe më të dhimbshëm ndaj Kadaresë dhe veprës së tij letrare, të paktën më gjakftohtë në gjykimin e saj dhe të kohës së krijimit të saj, nga sa ç’janë tani një pjesë e jona.
Ata vetëm sa do ta përfytyrojnë Ismailin, siç mund të përfytyrojmë ne sot Gjon Buzukun apo Marin Barletin, sipas një gjykimi pa frymë ideologjike, por vetëm bazuar në vlerat estetike, letrare dhe shkencore të veprës së tij, si një shkrimtar që i kaloi të paktën 70 vjetë të jetës së tij në mëngjeset e hershme apo në muzgje të pambarimta, në tavolinën e shkrimit duke i ngritur një kult të pavdeshëm letrar kombit të tij.
Trashëgimia e kritikës ideologjike, që unë mendoja që e kemi harruar prej 34 vjetësh, u ringjall këto ditë si një kufomë që duhet rivarrosur sa më shpejt, pasi nuk ka lidhje me kohën që do të vijë dhe as të ardhmen e letërsisë shqiptare.

Ata do të kenë veprën e tij letrare me një gjykim të ftohët, të pastruar nga çdo sulm i pabesë, kult i diskutueshëm apo dhe përkëdhelje servile e panevojshme.
Nuk do të diskutohet nëse Kadare ishte komunist, shkrimtar oborri, apo një talent i madh që i thuri himne Partisë Komuniste, nëse Koliqi ishte ministër i fazhizmit, nëse Konica punoi dhe shkroi për Mbertin, nëse Mitat Frashëri ishte 6 muaj anëtar i Ballit Kombëtar, apo gjigandi Gjergj Fishta ishte anëtar i Akademisë Italiane në kohën e fashizmit, nëse Jahja Dukagjini ishte poeti numër një i perandorisë Osmane dhe i përkëdheluri i Sulltan Sulejmanit, që Naim Frashëri ishte shef i censurës në perandorinë osmane, që Vaso Pasha, autori vargjeve të gjithëkoshme “Feja e shqiptarit është shqiptaria” që frymëzon edhe sot kombin tonë, ishte një tiran në Liban, kur e drejtonte këtë vend si guvernator, që Ali Asllani, sekretari Ismail Qemalit ishte në grupin që i dërgoi Kurorën e Skënderbeut Mbretit të Italisë pas pushtimit fashist të Shqipërisë dhe bashkë me të edhe të sovranitetit të vendit, etj, etj, është vështirë të gjykohen dhe as që dua ta hamendësoj nëse këtë gjë ta kenë bërë të cytur nga fama, karriera, idealizmi apo detyrimi për të mbijetuar, por duhet të ndajmë veprën letrare nga qendrimet poltike dhe frymëzimet ideologjike.
Vlerat e këtyre shkrimtarëve të mëdhenj, mendoj unë duhet të vlerësohen dhe do të çmohen si të tillë bazuar në vlerat e tyre estetike, letrare, por edhe kombëtare.
Vetëm Jeronim De Rada pasi rikrijoi Atdheun arbnor me poemat e tij, vdiq me një cironkë të ndryshkur në xhep, Frederik Rreshpjes i pushoi zemra i vetmuar në rrugë, Havzi Nela e shkroi poemën e fundit kundër komunizmit ndërsa litari po i shtërngone frymën, vetëm V. Blloshmi dhe G. Leka dhe Trifon Xhagjika pranuan të shkonin para togës së pushkatimit për të mos ndërruar bindjet e tyre me të regjimit, vetëm Kasëm Trebeshina pasi mohoi realizmin socialist i shkroi letër denoncuese diktatorit, vetëm poeti Vehbi Skënderi i shkroi letër diktatorit duke i kujtuar se e kishte shitur Kosovën, por këta nuk janë thjeshtë shkrimtarë, janë heronj.

Gjatë regjimit komunist janë varë dhe vdekur nëpër burgje dhjetra shkrimtarë të njohur, me një barabari që brezi i sotshëm nuk mund ta përfytyrojë. Kadareja e ka përjetuar këtë ferr. Çdo lëshim dhe çdo tolerim ideologjik të tij, mendoj se e ka bërë në emër të letërsisë.

Ndërsa ismail Kadare prehet diku në periferi të Tiranës, me peshën e tokës së atdhut të tij përsipër, pyetja është nga do t’ia mbajë letërsia bashkëkohore shqipe? Cilët janë talentët e reja që duhet pikasur, duket shkolluar dhe përkthyer? A mund t’i lihet e ardhmja e letërsisë tonë kombëtare spontanitetit të merzitshëm dhe të lodhshëm të letërsisë së facebook-ut apo të rrjeteve sociale, deri në kërcënim të letërsisë së vertetë, siç ka ndodhur dekadave të fundit?
A mund t’i lihet përzgjedhja, përkthimi dhe prezantimi i letërsisë bashkëkohore shqiptare një komisioni të Ministrisë së Kulturës, i konsideruar nga shkrimtarët si mediokër dhe klanor deri në qelizë të fundit, i cili ka përzgjedhur gjithmonë vetëm librat e miqve dhe shokëve pa ndonjë vlerë estetike, përfaqësuese, apo do të nxitim një garë mes krijuesve të vertetë shqiptarë kudo ku janë në hapsirat shqiptare dhe emigracion ?
Gjatë realizmit socialist thuhej se hierarkia ishte vendosur dhe pas Kadaresë, Agollit dhe ndonjëherë Arapit, askush tjetër nuk mund të afrohej pasi “portat ishin mbyllur”, por letërsia e 34 vjetëve të fundit nuk e justifikoi këtë ankesë të drejtë, nuk prodhoi atë që pritej, që pretendohej.
Tani është detyrim për shkrimtarët shqiptarë të rinj apo të vjetër qofshin që t’i hyjnë punës krijuese. Këtë motivim duhet ta nxisin mediat, institucionet qeveritare, shkollat, uinversitetet dhe shoqëria civile.
Është shqetësues, biles alarmues fakti kur një letërsi muk ka prodhur një vepër të nivelit nderkombëtar për gjithë këtë periudhë në liri dhe demokraci, kur poetët kanë rrëzuar qeveri, kanë ngritur Komitete Shpetimi, kanë hypur mbi tanke dhe rrethuar parlamenitn dhe qeverinë duke dërguar kërcënime edhe pushtetarëve më të lartë, apo luftuar me kallashnikov dhe marrë plumba, në kërkim të një republike ideale ku të respektohen poetët dhe shkrimtarët si çdo qytetarë tjetër, pro kjo nuk ka ndodhur.
Republika është ënde larg, biles i ngjan më shumë asaj të Platonit që i kishte përjashtuar poetët prej saj, apo të krijimit të një shoqërie që siç thotë një filozof amerikan ku “…askush nuk ka nevojë më për letërsinë”.

Gjatë tre dekadave të fundit shoqëria shqiptare ka bërë çdo gjë të panevojshme, biles edhe vetë letërsinë, duke nxjerrë në periferi të interesit publik atë me të cilën është identifikuar jo vetëm kultura, por edhe vetë kombi, letërsinë shqiptare.
Pyetja e këtij editoriali modest, por me shqetësim të vertetë kombëtar, është se çfarë të ardhme, çfarë rrjedhe do të ketë letërsia shqipe post Kadare?
Shkrimtarët shqiptarë, poetët, përkthyesit, botuesit duhet të marrin fatin e letërsisë tonë në duar. Nuk mund të ketë një përfytyrim për të ardhmen nga klubi i lagjes, nga fb apo nga paratheniet miqësore.
Të 88 vjetët e jetës dhe të letërsisë së Kadaresë na tregojnë se përveç talentit ai njeri pati displinën, punën e përditshme, dedikimin absolut, vetminë mbi libra dhe mbi fletën e bardhë. Ai u flijua për letërsinë shqipe.

Me ikjen e Kadaresë shumë pikëpyetje mbesin në diskutim. Mes të tjerash a i tha Kadareja të gjitha, në çfarë mase e pëngoi sistemi komunist i censurës talentin e tij?Ai ishte vertetë Kadare një gjeni, apo një krijues shumë inteligjent, vetëm për faktin që arriti t’ia hedhë regjimit të spihunëve, hafijeve vullnetare apo censorëve në të gjitha zyrat e shtetit komunist, ndërsa shkroi dhe botoi në zemër të sistemit një letërsi që vetëm socialiste nuk ishte ! Në këtë pikë besoj pajtohemi të gjithë.

Dhe pyetja kryesore mendoj unë: Çfarë do të kishte fituar letërsia shqiptare nëse edhe Kadareja do të ishte burgosur, pushkatuar apo vdekur në burgjet komuniste si dhjetra shkrimtarë shqiptarë, shumica bashkohës të tij?
Nëse edhe Kadareja do t’u ishte bashkuar martirëve të fjalës të ekzekutuar, si dramaturgu Ndre Zadeja , poeti Lazër Shantoja, poeti Bernardin Palaj, romancieri Anton Arapi dhe publicisti Gjon Shllaku. Si poeti Vinçens Prenushi që vdiq në burg nga torturat, siç vdiqën në burg romancieri Ndoc Nikaj, shkrimtari bektashi Ali Tomorri, poeti Manush Peshkëpia, dramaturgi Ethem Haxhiademi po kështu siç vdiq në burg, dramaturgu Kristo Flloqi, deri tek Genc Leka, Vilson Blloshmi, Trifon Xhagjika të pushkatuar dhe Hazi Nelaj që u var në litar në gusht të vitit 1988, apo Pjetër Arbnoi që u ridenua edhe në burg për novelën në dorëshkim “Shtëpia e mbetur përgjysëm”, Apo Visar Zhitit që i kërkonin llogari gardianët edhe për poezitë që i shkruante me mend dhe i përseriste me vete në burg, që të mos i harronte pasi nuk i lejonin gardianet laps dhe letër. Siç u torturua, burgos dhe vdiq në internim shkrimtarja dhe filozofja Musyne Kokolari dhe bashkë me të plot 145 shkrimtarë, poetë, artistë dhe përkthyes të vrarë, burgosur dhe pushkatuar, pa asnjë reagim nderkombëtar, pa asnjë protestë perendimore europiane. Nuk ka asnjë deklarate në perëndim ku të denohej dhuna dhe pushkatimet ndaj disidentëve politikë dhe aq më pak ndaj shkrimtarëve në regjimin komunist. Kjo i pati dhënë zemër regjimit komunist të Tiranës t’i trajtonte njerëzit si miza, si numra të pavlerë.
Pyetja tjetër është se a do ta lejonte regjimi komunist një Kadarene disident? A ishte Shqipëria staliniste një Poloni apo Çeki pas viteve 1957, kur Havelit i lejohej të mbante makinë shkrimi, të pinte birrë në burg dhe të botonte shkrimet e tij. Unë mendoj se nuk kishte asnjë gjasë.
Pyetjeve nëse do të na duhej një disident klasik apo një disendent estetik, një martir i fjalës së lirë apo një shkrimtar i përbotshëm që e ndihmoi kombin e tij për një njohje nderkombëtare dhe posaçërisht në kohën e Luftës për Çlirimin e Kosovës, vetë koha mendoj unë do t’u japë përgjigje.
Ndoshta ata që do të vijnë pas nesh, të cilët do të jenë më të distancuar nga sherrnajat e Tiranës, emocionet dhe dasitë fërfëllitëse politike të kohës tonë, përfshirë edhe mua, do të japin një gjykim më të drejtë.
Debati për autorët e mëdhenj dhe veprat e tyre nga Homeri deri tek Kadareja është i vjetër dhe kështu do të vijojë, siç thoshte shpesh Ismail Kadare “në jetë të jetëve”.
Ne ja dimë vetëm fillimin e kësaj pune, por fundin nuk do ta shohim.