Dr. Mujë Buçpapaj: MBI STUDIMIN E PROF. DR. ALBERT VLASH NIKOLLËS: “FOLJA HABITORE E SHQIPES GEGE */Â/ ( ËSHTË) – FILLESA SISTEMIT GRAMATIKOR TË GJUHËVE TË BOTËS”, BOTUAR NË NUMRIN E SOTSHËM TË REVISTËS “NACIONAL

MBI STUDIMIN E PROF. DR. ALBERT VLASH NIKOLLËS: “FOLJA HABITORE E SHQIPES GEGE */Â/ ( ËSHTË) – FILLESA SISTEMIT GRAMATIKOR TË GJUHËVE TË BOTËS”, BOTUAR NË NUMRIN E SOTSHËM TË REVISTËS “NACIONAL”

Gjatë viteve të fundit, studiuesi Albert Vlash Nikolla, përmes një serie artikujsh të botuar në “Nacional”, ka ngjallur një diskutim të ri mbi rrënjët proto-historike të gjuhës shqipe, duke përdorur jo vetëm analiza etimologjike, por edhe qasje që përfshijnë arkeologjinë, gjenetikën, idiomatikën dhe kulturën popullore.
Nëse gjuha është fryma e një kombi, atëherë është detyra jonë historike ta kuptojmë atë jo vetëm si mjet komunikimi, por si kod i trashëguar i njerëzimit. Shqipja, kjo gjuhë e madhe me thellësi strukturore, është sot më shumë se kurrë objekt reflektimi dhe rishikimi.
Në një nga shkrimet e tij më provokues të botuar sot në Nacional– “Artefaktet Gjuhësore – Pse Shqipja është e vjetër sa njerëzimi” – ai trajton një temë që pak studiues shqiptarë kanë guxuar ta prekin: Shqipja si bartëse e një gramatike primitive, të pastër, idiomatike, e cila ka rezistuar nëpër kohë në formën e saj më të hershme në dialektin gegë.
Në qendër të analizës është folja gegë “Â” / “ash/âsht”, të cilën Nikolla e sheh si strukturë fillestare të sistemit gjuhësor njerëzor. Sipas tij, nga kjo strukturë evoluojnë forma si “osh”, “është”, “isht”, “esht”, etj. Kjo nuk është vetëm një lojë zanore – është një tezë që e vendos gegnishten në një pozitë të veçantë në hartën e gjuhëve të lashta.
Në mënyrë të guximshme, ai lidh fjalë si “jap” me strukturën ja + p dhe të kundërtën “sjap” si shprehje idiomatike e mendimit mohus, që sipas tij dëshmon për një logjikë të thjeshtë e të fuqishme gramatikore, të ruajtur vetëm në shqip.
3.
Për të mbështetur këto ide, Nikolla sjell në vëmendje mendimet e dy gjigandëve të shkencës: Luigi Luca Cavalli-Sforza dhe Giovanni Battista Pellegrini.
Cavalli-Sforza, në veprën e tij monumentale “Gjenet, Popujt dhe Gjuhët”, e sheh shqipen dhe armenishten si gjuhët më të vjetra të folura ende, që shfaqen me valën e parë të fermerëve neolitikë, 9,000–10,000 vjet më parë. Ky është një pozicion që rrëzon shumë nga përkufizimet e deritanishme të “gjuhtarisë standarde”.
Nga ana tjetër, Pellegrini – që refuzoi të marrë pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972 – e ka cilësuar shqipen si gjuhë kyçe për kuptimin e gjithë gjuhëve të Ballkanit dhe Evropës Juglindore.
4.
Nëse vetë Eqrem Çabej do të ishte gjallë, ka gjasë që do të kishte kërkuar një Kongres të Dytë të Gjuhës Shqipe, për të hequr vellon politike nga gjuha dhe për t’i rikthyer dinjitetin dialektit gegë, i cili u shtyp për arsye ideologjike.
Sot nuk bëhet fjalë për të hedhur poshtë standardin, por për ta pasuruar atë me pluralizëm dialektor dhe shkencor. Shqipja nuk është vetëm një gjuhë që duhet “ruajtur”, por një gjuhë që kërkon të zbulohet rishtazi – në thellësinë e saj, në historinë e saj dhe në lidhjet që mund të ketë me strukturat më të vjetra të komunikimit njerëzor.
Në dekadat e fundit, gjuhësia shqiptare është mbështetur kryesisht në themele të vendosura gjatë shekullit XX, shumë prej të cilave janë ndikuar nga konteksti politik i kohës. Në këtë artikull ngrihet nevoja për një rishikim të thelluar të këtyre themeleve dhe paraqiten argumente për vjetërsinë dhe rëndësinë strukturore të gjuhës shqipe në kontekstin e gjuhëve indoevropiane dhe më gjerë. Duke u bazuar në punimet e studiuesit Albert Vlash Nikolla, si dhe në kontributet e gjuhëtarëve dhe shkencëtarëve ndërkombëtarë si në rastin tonë të Cavalli-Sforza dhe Pellegrini, theksohet rëndësia e dialektit gegë dhe e strukturave primitive gjuhësore që gjenden në të.

Një thirrje për guxim akademik
Çdo popull që kërkon ta kuptojë veten, duhet të ketë guximin të kthejë sytë pas. Por në rastin tonë, ne duhet të kemi edhe guximin të mos e pranojmë më heshtjen akademike si normë. Është koha që gjuhësia shqiptare të çlirohet nga prangat ideologjike dhe të lejojë që ide të reja, të guximshme dhe të mbështetura në kërkime, të marrin vendin që meritojnë.
Shqipja mund të mos jetë “gjuha më e vjetër e botës” në mënyrë absolute – por nëse një gjuhë ka ruajtur strukturat më të hershme të të folurit njerëzor, kjo është arsye e mjaftueshme që të ndalemi dhe të dëgjojmë me vëmendje.
Gjuha shqipe, dhe veçanërisht dialekti gegë, bart në vetvete një trashëgimi që shkon përtej komunikimit të përditshëm: ajo është një dritare në të shkuarën e thellë të njerëzimit. Ajo meriton një vëmendje të re, pa komplekse politike apo shkencore, dhe me një qasje të lirë dhe të thellë shkencore.
Studimi i gjuhës nuk mund të kufizohet më vetëm në disa emra të së shkuarës gjysëmshekullore . Gjuha duhet të analizojë në ndërveprim me: Gjenetikën, Arkeologjinë, Historinë krahasuese të migrimeve, Strukturën mendore të njeriut primitiv, me teknologjine si laboratorët e gjuhës etj.

6.
Prof. Albert Vlash Nikolla edhe ne kete studim paraqet një tezë fort të guximshme: që gjuha shqipe, në veçanti dialekti gegë, është baza dhe fillesa e sistemit gramatikor të gjuhëve të botës, dhe më tej – se gjuha shqipe përfaqëson një vazhdimësi të drejtpërdrejtë të një “proto-nostratike”, duke i atribuar asaj një status universalist e arketipal.
Këto pretendime e vendosin këtë shkrim si dhe studimet e tjera te ketij albanologu te shquar, në një valë kritikash akademike, por e bëjnë atë një tekst interesant në fushën e teorive alternative të origjinës së gjuhës. Teza të ngjashme janë ngritur në shekujt XIX-XX nga autorë që i lidhin gjuhët indo-evropiane me gjuhët më të hershme të supozuara (si nostratikja, eurazianet, etj.), por janë pranuar shumë rrallë pa prova të rrepta gjuhësore.
Ky shkrim i Prof. Albert Vlash Nikolla është një përzierje e elementeve me interes për debat historik e gjuhësor, me një retorikë të fortë polemike dhe shpesh agresive, e cila kërkon një vlerësim shkencor të kujdesshëm. Studimet e zotit Nikolla kërkojnë një analizë akademike, e ndarë në tre shtylla: vlerë teorike, qasje metodologjike, dhe pozicionim në raport me gjuhësinë historike dhe krahasuese ndërkombëtare.
Shkrimi i Prof. Albert Vlash Nikolla i botuar në numrin e sotshëm të revistës Nacional, përfaqëson një tezë alternativiste, radikale dhe polemizuese, që përpiqet të vendosë shqipen, veçanërisht dialektin gegë, në qendër të origjinës së të gjitha gjuhëve. Ai përdor përzierje të argumenteve fonologjike, etimologjike dhe kulturore për të mbështetur një tezë kaq shumë ambicioze, por mendoj se duhet të jap më shumë dëshmi që po përdorë një strukturë metodologjikisht të qëndrueshme, që zotëron fort format e reja të kërkimir shkencor, por nuk injoron edhe kriteret e pranuara të gjuhësisë historike dhe krahasuese.
Historia e studimeve mbi gjuhën shqipe ka qenë shpesh e ndërthurur me zhvillime politike dhe ideologjike. Standardi gjuhësor i vendosur në vitin 1972, ndonëse i dobishëm për unifikimin institucional të shqipes, ka lënë jashtë një pjesë të madhe të pasurisë dialektore dhe strukturave të thella gjuhësore – sidomos ato që ruhen në gegërisht.

Megjithatë, vepra të tilla janë të vlefshme për debat kulturor dhe për të stimuluar reflektim kritik mbi politikat gjuhësore, sidomos rreth çështjes së standardit të shqipes. Si tekst shkencor dhe si provokim intelektual, mund të ketë një rol të rëndësishëm në debatet mbi identitetin gjuhësor shqiptar, dhe një kontribut në shkencën gjuhësore ndërkombëtare.
Prof. Nikolla duhet të thirret nga katedrat e gjuhës shqipe dhe mbajë leksionet e tij, të njohë studentët dhe pedagogët e rinj me tezat e reja dhe referenca të reja rreth vjetërsisë së shqipes. Punët e prof. Nikollës kanë një vlerësim akademik nderkombëtar gjithnjë e më në rritje, ndërsa Akademia jonë e Shkencave ka heshtur ndaj veprës së tij shkencore, pavarëisht tezave të tij të guximshme rreth vjetërsisë së gjuhës shqipe.
Revista Nacional dhe Institutit i Studimeve Albanologjike Nacional, janë të hapur për çdo debat shkencor të bazuar në kritere shkencore dhe në respekt për gjuhën shqipe.