NJË POEZI E NATYRËS MEDITATIVE, FILOZOFIKE
“Malli nuk njeh moshë” është vëllimi i dytë poetik i Fekra Maria Shabanit. E futur në rrugën e letërsisë në një moshë kur njeriu është me shumë filozof se sa poet, Fekra ia ka dalë të sjellë përvojën e saj jetësore në një poezi të natyrës kryesisht meditative, filozofike.
Poetesha vjen më një stil të konsoliduar poetik. Ajo ka pasuruar leksikun, figuracionin, tematikën dhe përgjithësisht identitetin e saj letrar, krahasuar me vëllimin e parë “Shpirt i lënduar”(Botimet Nacional, Tiranë, 2020).
Nëse do të përshkruanim poezinë e saj, do të thosha se ajo është një shprehje e qartë e gjendjes së saj psikologjike, emocionale shpesh të trazuar nga emigracioni i gjatë, vuajtjet e njëpasnjëshme, mbijetesa siç thotë ajo në dhera të huaja dhe nga malli për Atdheun dhe vendlindjen. Ajo shpreh gjendjen e polarizuar të njeriut të botës tonë dhe shpirtin e trazuar të njerëzimit, i gjendur përpara sfidave të forta të epidemive, varfërisë, egos për pasuri dhe lavdisë së pamerituar, bjerrjes morale dhe mosmirënjohjes ekstreme. Ajo mendon se bota mund dhe duhet të bëhet më e mirë, me kusht që njerëzit të heqin dorë nga xhelozia, smira, urrejtja dhe lufta e egër për pushtet dhe dominim, duke shpërfilluar interesat jetike të të tjerëve.
Grupi i poezive filozofike përbën ciklin më të zgjeruar në vëllim. Poezitë: Mesazh jete për njerëzimin, Botë në ikje, Mendimet, Hipokrizi, Sa fatkeq ky brezi ynë, Përqafuar me jetën, Lutje pafund, Në vendin tim dhimbja ka bërë folenë, Dielli, Ti det i pafund, Zhgënjimet, Faljen time kurrë mos e kërko etj, janë poezi të ndërtuara bukur mbushur plot metafora dhe frymë paqeje dhe shqetësimi për jetën.
Fekra është e shqetësuar për familjen, për njerëzit e saj dhe për botën, ndërsa lufta për ekzistencë është duke përcaktuar jo vetëm mënyrën tonë të të sjellurit dhe të jetesës, por edhe moralin e ri shoqëror. Kjo gjendje përjetohet me dhimbje nga poetesha, teksa bën thirrje që njerëzimit t’u rikthehen vlerave tradicionale të familjes, të përkushtimit ndaj saj dhe njerëzve në tërësi.
Prej këtu rrjedh një tjetër grupim i zgjeruar poetik, që unë e kam shënuar si poezi që flasin për fatin e njeriut si dhe zhgënjimet e saj nga jeta, ku poetesha shfaq pikëpyetjet e saj për jetën e zhveshur nga idealet dhe humanizmi, sido që ajo mendon se është e aftë për të ndryshuar botën përmes vargjeve, në mos për ta bërë më të mirë, me siguri. Në këtë grup bëjnë pjesë poezitë: Zhgënjimet, Një zemër një pendim, Shpirt i dlirë, Zhgënjimi më ka kapluar, Botë e egër në dhe të huaj, Sa plagë lamë pas, e shumë poezi të tjera, të kësaj natyre.
Në shumë poezi të kësaj natyre vihet në pikëpyetje vetë jeta dhe rregullat e saj, të cilat shpesh e vënë njeriun e ndershëm përfundi, duke e sprovuar atë që nga fëmijëria deri në moshën e rritur. Ja poezia “Zhgënjimet”:
Shpirt
I ndarë në copëza të vogla kujtimesh
si një gotë e thyer në grimca,
ku dhimbjet
në pëlhurë t’harresës qëndisur ngelen,
si një panoramë bardh e zi
zbehur nga vitet.
Lumenj sharjesh nga gojë të sëmura
trazuar në vorbullën e harresës
ngelur lotëderdhur
duke u lutur e kërkuar pafajësinë!
Poezia e Fekrës është një shprehje e fortë e identitetit të saj kulturor dhe kombëtar dhe kjo frymë i jep asaj përparësi në përballjet me një realitet që poetesha e quan fat, ose një përballje me fatin. E lindur në Lushnjë nga një baba nga Gostivari i ardhur në Shqipëri si emigrant politik i cili do të përfundonte në burgjet komuniste, ajo do të mësonte qysh fëmijë diferencimin politik, persekutimin dhe privacionet e moshës. Endja e saj këmbëzbathur nëpër arat e Myzeqesë dhe lojërat e pakta të fëmijërisë, janë një imazh i përhershëm i poezisë së saj.
Qënja e Fekrës në një familje me shumë motra ku vetëm nëna arrinte t’i mbante me bukë nga një punë e rëndë dhe mizore nga mbikëqyerja e regjimit diktatorial, duket se kanë lënë shumë gjurmë jo vetëm në fatin e saj, por edhe në krijimtarinë e saj të mëvonshme. Kjo është një thirrje e madhe e natyrës së gjërave njerëzore, fusha, kasollet, puna e rëndë dhe vigjilenca revolucionare ndjehet edhe në leksikun dhe vargjet e saj poetike por edhe në botën psikologjike të poeteshës që i kanë përforcuar ndjenjën e vetëmbrojtjes dhe izolimit. Kjo panoramë ështe temë e shumë poezive të saj në të gjithë librat poetikë të botuar deri tani.
Shembja e diktaturës komuniste në dhjetor 1990, krijon një tjetër jetë për mijëra familje shqiptare. Fekra dhe familja e saj ngrenë kokë në liri, sido që babai i saj i dashur, kishte ndërruar jetë pa parë demokracinë.
Fekra bashkë me mijëra të rinj shqiptarë pas daljes nga trauma komuniste dhe tmerret e të ashtuquajturës “demokraci popullore” kërkuan të gjenin vendin e tyre në një shoqëri të ndryshuar rrënjësisht.
Ajo në fillim të viteve 1990 martohet, krijon familjen dhe ikën në Greqi si emigrante ekonomike për të ndërtuar jetën atje. Pas Greqisë ajo me djalin e saj ndërton jetën në SHBA duke qenë në pritje të bashkimit me bashkëshortin e saj në vendin e shenjtë të lirisë. Poetesha i kushton disa nga poezitë më të bukura burrit të saj besnik ku ndjehet dashuria dhe dhimbja që krijon distanca fizike, si një pjesë e madhe të familjeve shqiptare të goditura nga emigracioni.
Në këtë grup të poezive Fekra sjell jetën e saj tashmë të transformuar shpesh të thyer nga hallet, dëshpërimi dhe ligësitë që e rrethojnë për shkak të njerëzve të transformuar, të tjetërsuar dhe të denigruar nga xhelozitë, ambicjet e pandershme të përfitimit të tyre dhe shkeljes mbi çdo parim që mban botën të këmbë. Fekra është një poete e angazhuar dhe shqetësimet e botës janë edhe proekupimet e saj.
Fati si koncept filozofik për Fekrën aq sa është i përcaktuar, përsëri është në dorën e njeriut për ta ndryshuar dhe bërë atë në favor të tij. Fekra është një shembull i vertetë i këtij karakteri të fortë, të drejtë plot integritet dhe ndershmëri. Vetë jeta e saj është një shembull i mbijetesës, bazuar në parime dhe morale të forta.
Mendoj se Fekra Maria Shabani, ia ka dalë të krijoi profilin e saj poetik. Pak krijues kanë patur guximin për të eksperimentuar dhe përfituar nga një dhunti të ruajtur prej vitesh, e që gjeti rastin për të shfaqur në një trajtë të bukur poetike. Shumë poezi për prindërit, familjarët, vendlindjen, shoqet e saj të fëmijërisë, na sjellin një letërsi plot emocione njerëzore dhe besim se e ardhmja e njerëzimit që bazohet në mirëkutimin, solidaritetin, besën dhe mirësinë, ka të ardhme.
Fekra është duke bërë garën e vet letrare, e sfiduar nga shumë rrethana dhe pamundësi, sido që ajo shkruan si një detyrim moral dhe shpirtëror, pa u shqetësuar për konkurencën dhe kritikën.
Dëshiroj t’i uroj suksese në jetën krijuese dhe reale Fekra Maria Shabanit, i bindur se libra të tjerë po kaq të mirë do të kemi prej saj në të ardhmen.
Tiranë, korrik 2022