Dr. Mujë Buçpapaj: Poetesha hebreo-shqiptare Rashel Solomon publikon librin e ri me poezi “Tri ura kosher”, botim i “Nacional”
E shkruar pa ndërprerje nga kohët biblike e deri më sot, poezia hebraike mishëron ndikime të jashtme dhe tradita të brendshme.
Këto dy tipare bashkëshoqëruerse të kësaj letërsie i mbartë edhe poezia e Rashel Solomon, një poete hebreje e lindur në Vlorë, e edukuar në Izrael dhe me karrierë letrare në SHBA.
Pra një përzierje ndikimesh, shkollash dhe kulturash që i japin asaj një shprit universal që komunikon me botën përmes tri urave krosher, pra të pastra, të drejta dhe të ndritshme. Vetë titulli i librit është përzgjedhur nga autorja për të përcjellë pikërisht këtë komunikim të sinqertë me botën e shumanshme dhe kulturat që e ajo mishëron në mënyrë të qartë, të pastër dhe të ndershme. Ky është lajtmotivi kryesor i autores si njeri dhe si poeteshë.
Në librin që keni në duar, Rashel Solomon përfshinë tema të përbotshme dhe kombëtare, motive të përvojës personale të cilat janë mbizotëruese në poezinë e sotme botërore, por edhe ato të shqetësimeve të njerëzimit, si lufta, ekzistenca, shpopullimi, paqja dhe frika për të ardhmen e pasigurtë.Kjo frymë ndjehet tek poezitë: Në Jeruzalem, Heroi, Tri ura kosher etj.
Poezitë e Rashel Solomon, pasqyrojnë përkushtimin e saj ndaj Shqipërisë vendit të lindjes dhe Izraelit vendit të saj të origjinës. Ajo ka poezi që përcjellin dramën hebreje në Luftën e Dytë Botërore, mbijetesën biblike të një kombi të lashtë, paraardhëve të saj të shquar prej nga e merr dhe mbiemrin, por edhe poezi të pastra lirike që trajtojnë dashurinë dhe natyrën. Të tilla janë poezitë: Holokausti, Heroi i lirisë, Babë e bijë, Kënga e kanarinës, Urime Kosovë etj.
Rashel shkruan një poezi të thjeshtë, me strukturë klasike, por që arrin vlera të mëdha për shkak të qartësisë së shprehjes, shpirtit poetik, tematikave të gjithëkoshme dhe frymëzimit të lartë.
Poezitë e saj kanë një frymë krenarie dhe dinjiteti personal, që është “vlojate me gjysëm opinge”, por edhe një hebreje, jo vetëm si përkatësi dhe identitet, por edhe si një ndërgjegjësim për të rinjtë e sotshëm shqiptarë që e kanë braktisur vendin dhe përgjysmuar atë në kërkim të sigurisë dhe mirëqënjes, diku jashtë Atdheut.
Poezitë që shprehin këtë revoltë poetike janë: Jetoj, E pabesa, Ëndërr, Shkëlqen ajo gri, Imazhi i zemrës, Kush ish vallë, Tradhtia, Ndoshta një ditë, Më lart jam ngritur etj.
Në shumë poezi ajo trajton ndjenjën e gjuhës dhe kultin e saj si një përkushtim ndaj hebraishtes, ndikimin biblik të saj në çdo poezi, por edhe shqipes siç thotë autorja si “gjuhë e nënës” dhe natyrisht anglishtes. Ajo shkruan poezi në të trija gjuhët me një lehtësi dhe bukuri të mahnitshme, duke qënë një përfaqësuese e denjë e komunitetit hebrejo-shqiptar dhe veprimtare e fortë e këtij komuniteti.Gjithë jetën ajo ja ka përkushtuar forcimit të lidhjeve mes kombeve tona mike.
Duke qënë një poliglote dhe grua me kulturë të gjërë, poezitë e saj karakterizohen nga pasuria gjuhësore, stilistike si dhe një larmi formash poetike dhe elementësh të rëndësishëm si toni dhe rima, muzikaliteti, përfytyrimi dhe metafora që e bëjnë poezinë e saj të veçantë dhe vetë atë një individualitet poetik.
Krahasuar me dy vëllimet e para poetike “Një puthje për ty nga Jeruzalemi(Nacional, Tiranë 2018) dhe “Dy gurë dy flamuj (Nacional, Tiranë 2020), tek libri i ri “Tre ura kosher” (Nacional, Tiranë 2023), Rashel e ka zgjeruar dhe sofistikuar spektrin e lirizmit të saj në një numër të madh poezishë të cilat kanë një shtririje tematike që flasin për qytetin e saj të lindjes Vlorën, për Jeruzalemin, për heronjtë e shenjtë hebraik, por edhe për heroin e Luftës së Vlorës Jozef Kantozin, një izraelito-shqiptar që mori pjesë me armë në dorë në Luftën e Vlorës më 1920, por edhe natyrën dhe qenien njerëzore në vetëkorrigjim, në kërkim të dashurisë, kontaktit dhe vëmendjes.
Në shumë poezi të saj ndjehet revolta dhe dëshpërimi për gjendjen aktuale në Shqipëri, dhe problemeve që po mbysin shoqërinë tonë si korrupsioni dhe krimi i organizuar, duke përdorur imazhe të forta denoncuese përmes një fuqie stilistike, duke i dhënë gjuhës së saj poetike një fleksibilitet dhe pasuri të re.
Poezia e saj priret drejt strukturës dhe meleodizmit klasik të rimës së rregullt. Ajo pasqyron imazhe dhe peizazhe të vendlindjes së saj Vlorës, të Jeruzalemit mistik, por edhe të bjeshkëve të Alpeve shqiptare, me vizione të freskëta dhe kujtime mallengjyese me dëshirën për t’u bërë pjesë integrale e poezisë së dy kombeve tona.
Poetesha e parë grua e madhe në hebraisht ishte Rachel Bluëstein (1890-1931), ndërsa Rashel Solomon është poetesha e dytë me njohje ndërkombëtare që e pasuron këtë poezi me stilin e saj lirik, emocional dhe universal, me fjalët e zgjedhura, me ironinë dhe metaforat metafizike.
Lirikat e dashurisë janë nga më të bukurat e vëllimit. Ajo mediton për dashurinë, u rikthehet kujtimve të dashurisë dhe jeton me ato imazhe që e kanë ushqyer shpirtin e saj në çdo çast të jetës. Poezi që sjellin këtë atmosferë janë: Ta dish, Sytë e pafaj, Fjalën që nuk e the, Yjet nuk mbajnë mëri, Kush ish ajo, Në garë me erën, Më shtërngo fort, Nata pa ty, Zgjodha ëndrren, Në sytë e tij larushe etj.
Poeteshës i pëlqen të derdhë ndjenjat dhe emocionet e saj poetike me një thjeshtësi dhe lirshmëri të dukshme. Lirika e saj përcjell emocione të forta, dashuri, urrejtje, gëzim, pikëllim, habi, admirim, etj., të realizuara këto përmes një gjuhe të pasur poetike, përmes emocionesh dhe përjetimesh intensive personale dhe kjo është arsyeja pse poezia e saj pëlqehet aq shumë nga lexuesit.
Poezia e Rashel është muzikore, është po kështu shprehje e gjendjeve shpirtërore dhe e emocioneve ndryshme të autores. Ajo karakterizohet nga intensiteti dhe theksi.
Lirika e Rashel përshkon gjërat më të thjeshta të jetës. Ajo është një poezi e shkurtër, e karakterizuar nga thjeshtësia në gjuhë dhe trajtim, por që merr peshë të madhe filozofike dhe estetike.
Poezia e saj është një lirikë reflektuese në të cilën del në pah elementi i mendimit ku poetesha filozofon për jetën e njeriut dhe botës nisur nga përvojat e saj përsonale, por me përgjithësime të gjëra universale, ku ndjehet fort shqetësimi i saj për të ardhmen e njerëzimit.
I urojmë autores krijimtari të mbarë !
Dr. Mujë Buçpapaj,
Tiranë, korrik 2023