Reduktimi i zhanreve nga QKLL-ja, politikë regresive, braktisje institucionale e të ardhmes letrare kombëtare
QENDRA KOMBËTARE E LIBRIT DHE LEXIMIT, NJË INSTITUCION QË PO MINON EKOSISTEMIN E LETËRSISË SHQIPE
-“Konfigurimi klientelist i jurive letrare, një fenomeni i përsëritur, ku të njëjtët individë shfaqen një vit si anëtarë jurie dhe vitin pasardhës si fitues çmimesh, përbën një konflikt të hapur interesi”.
Nga dr. Mujë Buçpapaj
-“Ndërsa në vitin 2024, janë eliminuar kategoritë themelore: “Vëllimi më i mirë poetik”, “Vëllimi më i mirë me tregime”, “Libri më i mirë për fëmijë”! Ky eliminim nuk është një akt teknik apo neutral; ai përbën një akt politikash kulturore me pasoja strukturore. Poezia dhe tregimi janë laboratorët kryesorë të eksperimentimit estetik dhe të formimit të zërave të rinj. Letërsia për fëmijë është investim kulturor afatgjatë. Heqja e këtyre zhanreve nga sistemi i shpërblimit shtetëror nënkupton braktisjen institucionale të së ardhmes letrare”.
- Kuadri institucional dhe funksioni normativ i çmimeve shtetërore
Në çdo sistem kulturor funksional, politikat shtetërore për librin dhe letërsinë nuk janë thjesht mekanizma administrativë, por instrumente normative, të cilat orientojnë zhvillimin estetik, etik dhe profesional të krijimtarisë kombëtare. Çmimet kombëtare të letërsisë, si çmime shtetërore, kanë një funksion të dyfishtë: së pari, të identifikojnë dhe shpërblejnë arritjet më të larta letrare, dhe së dyti, të stimulojnë zhanret strategjike për zhvillimin afatgjatë të kulturës letrare, si poezia, tregimi, drama, letërsia për fëmijë dhe përkthimi cilësor.
Në këtë kuptim, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL), si institucioni që formulon politikat e librit, cakton juritë dhe strukturon arkitekturën e çmimeve vjetore, mban një përgjegjësi themelore publike për shëndetin estetik dhe konkurrues të letërsisë shqipe.
- Reduktimi i zhanreve, shenjë e një politike regresive
Krahasimi ndërmjet Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2023 dhe atyre për vitin 2024 nxjerr në pah një fenomen shqetësues: reduktimin arbitrar të zhanreve letrare që tradicionalisht kanë qenë objekt stimulimi nga Ministria e Kulturës.Në vitin 2023, spektri i çmimeve përfshinte: romanin, poezinë, tregimin, letërsinë për fëmijë, studimin shkencor dhe përkthimin letrar. Ndërsa në vitin 2024, janë eliminuar kategoritë themelore: “Vëllimi më i mirë poetik”, “Vëllimi më i mirë me tregime”, “Libri më i mirë për fëmijë”!
Ky eliminim nuk është një akt teknik apo neutral; ai përbën një akt politikash kulturore me pasoja strukturore. Poezia dhe tregimi janë laboratorët kryesorë të eksperimentimit estetik dhe të formimit të zërave të rinj. Letërsia për fëmijë është investim kulturor afatgjatë. Heqja e këtyre zhanreve nga sistemi i shpërblimit shtetëror nënkupton braktisjen institucionale të së ardhmes letrare.
- Juritë letrare dhe qarku i mbyllur i klientelizmit
Një nga problemet më serioze të QKLL-së është konfigurimi klientelist i jurive letrare. Fenomeni i përsëritur, ku të njëjtët individë shfaqen një vit si anëtarë jurie dhe vitin pasardhës si fitues çmimesh, përbën një konflikt të hapur interesi, që bie ndesh me çdo standard etik të institucioneve kulturore në hapësirën evropiane.
Ky qark i mbyllur: shuan konkurrencën reale, përjashton autorët e pavarur dhe zërat e rinj, krijon një kanon artificial, të bazuar jo në vlerë estetike, por në afiliacion institucional dhe botues.
Në vend të një fushe letrare të hapur dhe meritokratike, kemi të bëjmë me një mikrosistem oligarkik, ku një grusht autorësh, kritikësh dhe shtëpish botuese gjysmë-shtetërore riciklojnë njëri-tjetrin në mënyrë të vazhdueshme. Rezultati: fitojnë një grup krijuesish me vlera të dyshimta letrare dhe shpesh medikore dhe e pëson e ardhmja e letërsisë shqipe, konkurenca në nivel kombëtar dhe nderkombëtar.
- Mediokriteti si normë institucionale
Politikat aktuale të QKLL-së nuk stimulojnë ekselencën, por normalizojnë mediokritetin. Vepra pa vlera të larta estetike, pa ambicie formale dhe pa ndikim afatgjatë promovohen si “arritje kombëtare”, duke prodhuar një letërsi: pa densitet estetik, pa universalitet tematik, pa potencial për përkthim dhe konkurrencë ndërkombëtare.
Në këtë mënyrë, institucioni që, sipas misionit të vet zyrtar, duhet të “mbështesë promovimin e letrave shqipe në tregun evropian dhe botëror”, realisht prodhon izolim kulturor dhe vetëkënaqësi provincial të të vetëshpallurve “elita”.
- Diskrepanca midis misionit dhe praktikës
Politika zyrtare e misionit të QKLL-së artikulon synime të larta: nxitjen e krijimtarisë, forcimin e rolit edukativ të bibliotekave, përhapjen e kulturës së leximit dhe promovimin ndërkombëtar të letërsisë shqipe. Por praktika konkrete dëshmon të kundërtën diametrale: nxitje të klaneve, mbyllje të konkurrencës, shterim të diversitetit estetik, instrumentalizim të çmimeve shtetërore në favor të interesave të ngushta botuese.
Ky hendek midis diskursit dhe realitetit e bën QKLL-në një institucion formal pa legjitimitet kulturor real. Pra, diskrepanca në këtë rast thekson kontrastin e fortë dhe kontradiktën midis fjalëve dhe veprave, midis deklarimeve publike dhe rezultateve reale. Misioni zyrtar i QKLL-së është shpall ideale dhe qëllime pozitive (krijimtari, edukim, kulturë leximi, promovim ndërkombëtar), ndërsa veprimet konkrete të institucionit në realitet shkojnë në drejtim të kundërt (favorizime, mbyllje gare, mungesë diversiteti, përdorim i çmimeve për interesa të ngushta).
- Një institucion i dështuar që kërkon rishikim rrënjësor
Në gjendjen aktuale, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit nuk funksionon si katalizator i zhvillimit letrar, por si frenues i tij. Ajo po minon themelet e ekosistemit letrar shqiptar, duke zëvendësuar konkurrencën me klientelizmin, vlerën me konformizmin dhe vizionin afatgjatë me interesa të momentit.
Ky është një fenomen që duhet denoncuar publikisht dhe akademikisht, sepse nuk kemi të bëjmë me gabime sporadike, por me një model të konsoliduar dështimi institucional, i cili, nëse nuk rishikohet rrënjësisht, rrezikon të lërë letërsinë shqipe pa oksigjen estetik dhe pa të ardhme reale.
SI MUND TË PËRMIRËSOHET SITUATA E DEGRADUAR E POLITIKAVE TË LIBRIT NË SHQIPËRI?
Nga kapja institucionale drejt rindërtimit të autonomisë së fushës letrare
- Diagnoza: pse reforma kozmetike nuk mjafton!?
Në gjendjen aktuale, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL) nuk vuan nga defekte të pjesshme, por nga një krizë strukturore legjitimiteti. Në termat e sociologjisë institucionale, kemi të bëjmë me një organizatë që:
- ka humbur besimin e aktorëve kryesorë të fushës letrare,
- operon nëpërmjet rrjeteve klienteliste të stabilizuara,
- Prodhon politika që rrisin heteronominë e fushës. (Pra vendimmarrja në fushën letrare nuk bazohet më në vlerën artistike, meritën, autonominë profesionale; por ndikohet nga politika, klientelizmi, interesa personale, ideologji apo pushtet administrative).
Në këtë fazë, reforma inkrementale (ndryshime personeli, rregullore të pjesshme) ka shumë gjasa të riciklojë të njëjtin habitus institucional. Prandaj, pyetja nuk është thjesht a të reformohet QKLL-ja, por çfarë lloj ndërhyrjeje është teorikisht dhe praktikisht e mjaftueshme.
- Tre skenarë reformimi: analiza kritike
Skenari I: Shkrirja e QKLL-së dhe rindërtimi nga e para
(Reset institucional)
Ky është skenari më radikal, por edhe më koherent nga pikëpamja teorike.
Argumente pro:
- Ndërpret vazhdimësinë e habitus-it klientelist.
- Lejon rikonceptimin e misionit, strukturës dhe mekanizmave të shpërndarjes së kapitalit simbolik.
- Rikthen besimin e komunitetit letrar, duke krijuar një moment rifondimi simbolik.
- Rindërtimi shoqërohet me garanci autonomie.
- Përjashton zëvendësimin e një elite me një tjetër, nëse kriteret mbeten të paqarta.
Pse është i justifikuar rindërtimi?
Sepse institucioni:
- ka humbur plotësisht legjitimitetin,
- nuk perceptohet më si arbitër neutral,
- dhe funksionon si aparat riprodhimi i pabarazive.
Nga analiza e viteve të fundit, QKLL i përmbush këto kushte.
SKENARI II: RISTRUKTURIM I THELLË ME AUDIT TË JASHTËM
(Reformë e detyruar nga jashtë)
Ky model është aplikuar në disa vende të Europës Qendrore dhe Lindore pas kapjes së institucioneve kulturore.
Elementet kyçe:
- Audit i pavarur ndërkombëtar (ekspertë të politikave kulturore).
- Rishkrim i plotë i rregullores së çmimeve.
- Shpërndarje e qartë e kompetencave ndërmjet ministrisë, institucionit dhe jurive.
Avantazh:
- Ruhet kontinuiteti institucional, por thyhen mekanizmat informalë të pushtetit.
Kufizim:
- Nëse stafi dhe drejtuesit mbeten të njëjtë, habitus-i ka tendencë të riprodhohet.
Skenari III: Decentralizim i politikave të librit
(Shpërndarje e kapitalit simbolik)
Në këtë model, QKLL-ja humbet monopolin mbi çmimet dhe politikat e librit.
Masat kryesore:
- Çmimet kombëtare ndahen nga juritë e pavarura tematike.
- Krijohen fonde të dedikuara për zhanre specifike (poezi, tregim, letërsi për fëmijë).
- Bibliotekat dhe universitetet përfshihen si aktorë vlerësues.
Ky model rrit pluralizmin estetik dhe redukton rrezikun e kapjes.
- Modele krahasuese nga Europa dhe rajoni
- a) Franca – autonomi e garantuar
Institucione si Centre National du Livre funksionojnë me:
- juritë që ndryshojnë çdo vit,
- rregulla strikte për konfliktin e interesit,
- ndarje të qartë mes financimit dhe vlerësimit estetik.
- b) Sllovenia – profesionalizim dhe transparencë
Agjencia Sllovene e Librit ka:
- kritere të publikuara në detaje,
- raportim vjetor publik për çdo vendim,
- përfshirje të akademisë dhe kritikës universitare.
- c) Kroacia – rotacion dhe diversitet
Juritë janë:
- të përkohshme,
- me përfaqësim rajonal dhe gjinor,
- pa të drejtë rikandidimi të menjëhershëm.
- Parime themelore për rindërtimin e një institucioni funksional
Çfarëdo modeli të zgjidhet, disa parime janë të panegociueshme:
- Autonomia e fushës letrare nga politika dhe klientelizmi.
- Transparenca radikale e procedurave dhe vendimeve.
- Rotacioni i detyrueshëm i jurive dhe drejtuesve.
- Ndarja e qartë e rolit të vlerësuesit nga përfituesi.
- Rivendosja e të gjitha zhanreve strategjike në çmimet shtetërore.
- Përfundim: shkrirje apo reformë?
Nga një këndvështrim strikt akademik dhe sociologjik, shkrirja e QKLL-së dhe rindërtimi i saj mbi parime të reja autonomie dhe profesionalizmi është zgjidhja më koherente për të ndërprerë ciklin e klientelizmit.
Megjithatë, kjo ka kuptim vetëm nëse shoqërohet me:
- një kornizë ligjore të fortë,
- përfshirje reale të komunitetit letrar,
- dhe modele të provuara europiane.
Përndryshe, rrezikojmë atë që Bourdieu e përshkruan si “iluzionin e reformës”: ndryshim forme, por jo strukture.


















