Sovraniteti nuk është strehë për krimin:
Roli i Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Donald Trump në rivendosjen e përgjegjshmërisë ndërkombëtare: lufta kundër narkoshteteve dhe mbrojtja e rendit demokratik liberal.
Ky studim analizon evolucionin e rolit të Shteteve të Bashkuara në përballjen me fenomenin e narkoshteteve dhe regjimeve të thellësisht të korruptuara, duke u fokusuar në qasjen e ndjekur gjatë 12 muajve të fundit nga administrata e Presidentit Donald Trump. Argumentohet se ky orientim politik dhe juridik përfaqëson një rikthim të SHBA-së si aktor normativ në mbrojtje të parimeve themelore të demokracisë liberale dhe të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, përballë shteteve që funksionojnë më shumë si struktura kriminale apo narkoshtete, sesa si demokraci funksionale.
- Sovraniteti, përgjegjësia dhe rendi ndërkombëtar liberal
Në teorinë bashkëkohore të marrëdhënieve ndërkombëtare, sovraniteti nuk trajtohet më si një koncept absolut dhe i pakushtëzuar, por si një kategori funksionale, e lidhur drejtpërdrejt me aftësinë dhe vullnetin e shtetit për të ushtruar pushtetin në përputhje me normat themelore të rendit juridik ndërkombëtar. Në këtë kuadër, respektimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, pavarësia e gjyqësorit, liria e medias dhe lufta efektive kundër korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme, nuk përbëjnë më vetëm çështje të brendshme, por kritere të legjitimitetit ndërkombëtar.
Shndërrimi i shtetit në instrument të korrupsionit sistemik dhe të krimit të organizuar transnacional përbën një devijim strukturor nga modeli i shtetit të së drejtës. Në raste të tilla, sovraniteti humbet funksionin e tij mbrojtës dhe shndërrohet në një mekanizëm mbulues të pandëshkueshmërisë, duke minuar rendin ndërkombëtar në tërësi.
Në traditën klasike të mendimit politik, Thomas Hobbes e koncepton sovranitetin si autoritet absolut, të nevojshëm për të shmangur gjendjen e anarkisë (bellum omnium contra omnes). Megjithatë, edhe në leximin hobbesian, legjitimiteti i sovranit buron nga aftësia e tij për të garantuar siguri dhe rend. Kur sovrani prodhon pasiguri, varfëri dhe dhunë strukturore, ai e humbet funksionin e tij themelor.
Në rendin ndërkombëtar pas vitit 1945, ky koncept është transformuar ndjeshëm. Sovraniteti nuk përfaqëson më vetëm kontroll territorial, por një status juridik dhe normativ të kushtëzuar nga sjellja e brendshme e shtetit. Stephen Krasner e përshkruan këtë realitet si “sovranitet i organizuar në mënyrë hipokrite”, ku parimi formal i mosndërhyrjes bashkëjeton me praktika të ndërhyrjes selektive, të justifikuara nga shkelje të rënda të normave themelore.
Në këtë kuadër teorik, narkoshtetet dhe regjimet thellësisht të korruptuara përfaqësojnë forma të dështimit funksional të sovranitetit, ku shteti pushon së vepruari si garant i rendit dhe shndërrohet në aktor destabilizues.
- Qasja e administratës Trump: rikthimi i përgjegjshmërisë penale ndërkombëtare
Politikat e ndjekura vitin e fundit nga administrata e Presidentit Donald Trump shënojnë një fazë të re në angazhimin amerikan kundër narkoshteteve dhe regjimeve të kapura nga korrupsioni. Ndryshe nga qasjet më tolerante ose teknokratike të së kaluarës, kjo administratë adoptoi një interpretim substancial të rendit ndërkombëtar, ku prioritet merr mbrojtja e parimeve themelore dhe jo ruajtja formale e regjimeve ekzistuese.
Ndjekja penale e udhëheqësve shtetërorë, si në rastin Maduro, të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe krimin e organizuar sinjalizoi se përgjegjësia penale individuale nuk shuhet nga pozita shtetërore. Kjo qasje forcon një parim kyç të së drejtës ndërkombëtare moderne: krimet që prodhojnë pasoja transnacionale nuk mund të mbrohen nga juridiksioni ekskluziv kombëtar.
Në këtë kontekst, SHBA-ja veproi jo vetëm si një aktor i fuqisë së fortë (hard power), por edhe si garantuese normative e rendit demokratik liberal, duke riafirmuar lidhjen mes sigurisë ndërkombëtare dhe cilësisë së qeverisjes së brendshme.
- Demokracia funksionale si interes strategjik global
Një nga kontributet konceptuale më të rëndësishme të kësaj qasjeje është riafirmimi i idesë se demokracia funksionale nuk është luks ideologjik, por interes strategjik global. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, drejtësia e pavarur, mediat e lira dhe llogaridhënia demokratike përbëjnë mekanizmat kryesorë për parandalimin e kapjes së shtetit nga rrjete kriminale.
Në mungesë të këtyre mekanizmave, shtetet rrëshqasin drejt formave hibride ose autokratike, ku pushteti politik, interesat ekonomike dhe krimi i organizuar bashkëveprojnë në mënyrë simbiotike. Këto struktura jo vetëm që prodhojnë varfëri dhe migrim masiv, por edhe destabilizojnë rendin ndërkombëtar përmes trafikut të narkotikëve, pastrimit të parave dhe eksportit të pasigurisë.
Parimi i Responsibility to Protect (R2P), i konsoliduar në fillim të shekullit XXI, shënon një pikë kthese normative në të drejtën ndërkombëtare. Ai afirmon se sovraniteti përfshin jo vetëm të drejta, por edhe detyrime ndaj popullsisë. Kur një shtet dështon në mënyrë të vazhdueshme të mbrojë qytetarët e tij ose shndërrohet në burim të vuajtjes dhe represionit, përgjegjësia transferohet, në mënyrë graduale, te komuniteti ndërkombëtar. Edhe pse R2P është artikuluar kryesisht në kontekstin e krimeve masive, logjika e tij normative është e aplikueshme edhe ndaj rasteve ku shteti:manipulon sistematikisht zgjedhjet, shkatërron pavarësinë e drejtësisë, kriminalizon opozitën, dhe bëhet pjesë e rrjeteve transnacionale të trafikut të drogës.
Në këto rrethana, siç ishte edhe rasti i presidentit të Venezulës Maduro, mosveprimi ndërkombëtar nuk përbënte neutralitet, por bashkëpërgjegjësi pasive. SHBA nuk u bë bashkëpërgjegjësi pasive, por u investua në brojtje të demokracisë.
- Implikime krahasuese: Ballkani dhe rreziku i normalizimit të autokratizmit
Ndërsa Amerika Latine paraqet forma më të dukshme të narkoshteteve, Ballkani ofron një shembull më subtil, por po aq shqetësues, të autokratizmit të institucionalizuar. Në disa vende të rajonit, manipulimi i proceseve zgjedhore, kontrolli i mediave, presioni mbi gjyqësorin dhe bashkëjetesa e pushtetit me ekonominë informale kanë krijuar sisteme ku rotacioni politik bëhet formal dhe jo real.
Në këto rrethana, qasja amerikane ndaj narkoshteteve merr një dimension paralajmërues: tolerimi ndërkombëtar i devijimeve demokratike kontribuon në konsolidimin e tyre. Përkundrazi, kushtëzimi politik dhe juridik, i mbështetur nga aktorë të fuqishëm si SHBA-ja, mbetet një nga instrumentet e pakta efektive për ruajtjen e standardeve demokratike.
Presidenti Donald Trump bëri që koncepti i rule of law të zërë perseri një vend qendror në rendin demokratik liberal dhe në teorinë bashkëkohore të shtetit të së drejtës. Ai presupozon:barazi para ligjit, pavarësi institucionale të gjyqësorit, kufizim të pushtetit ekzekutiv dhe mekanizma efektivë të llogaridhënies demokratike.
Kur këto elemente mungojnë, shteti kalon nga një rend juridik në një regjim personalist ose kleptokratik, ku ligji përdoret si instrument represioni dhe jo si mekanizëm drejtësie. Në këtë kuptim, qeveritë që funksionojnë si struktura kriminale e humbin jo vetëm legjitimitetin e brendshëm, por edhe pretendimin për mbrojtje të pakushtëzuar nga e drejta ndërkombëtare.
- Përfundim
Roli i Shteteve të Bashkuara gjatë presidencës Trump në luftën kundër narkoshteteve dhe regjimeve të korruptuara përfaqëson një përpjekje për të rikthyer koherencën normative të rendit ndërkombëtar liberal. Duke vendosur theksin te përgjegjësia, llogaridhënia dhe sundimi i ligjit, kjo qasje sfidon idenë se stabiliteti mund të ndërtohet mbi tolerimin e autokracive kriminale, lokale.
Në një sistem ndërkombëtar gjithnjë e më të fragmentuar, ku kufiri mes shtetit dhe organizatës kriminale rrezikon të bëhet i paqartë, mbrojtja aktive e parimeve themelore të demokracisë mbetet jo vetëm një zgjedhje morale, por një domosdoshmëri strategjike për ruajtjen e rendit botëror.
Në këtë kuptim mbeshtetja ndaj politikave të Presidentit të SHBA-ve Donald Trump është e drejtë dhe në sherbim të demokracisë.


















