PASURIM I THESAREVE ALBANOLOGJIKE
“Studiuesi Mehmet Ahmetaj i cili deri më tash ka botuar studime me vlerë nga fusha e gjuhësisë shqiptare siç janë: Fjalor i të folmëve shqiptare në Mal të Zi(1996), Studime gjuhësore II-dialektologji(1999), E folmja e Plavës dhe e Gucisë(2002), E folmja e Anës së Malit(2006), Gjurmime onomastike-përmbledhje punmesh(2009) si dhe Fjalor onomastik i territoreve shqiptare në Mal të Zi(2017)”.
Hapësira etnogjeografike shqiptare në Mal të Zi, vazhdimisht ka qenë inspirim për autor dhe studiues të ndryshëm. Në këtë gamë të çështjeve areali hapësinor shqiptar nga Ulqini në jug dhe Rozhaja në veri ofron lëndë më interes nga fusha e gjuhësisë. Në këtë aspekt veçohet studiuesi Mehmet Ahmetaj i cili deri më tash ka botuar studime me vlerë nga fusha e gjuhësisë shqiptare siç janë: Fjalor i të folmëve shqiptare në Mal të Zi(1996), Studime gjuhësore II-dialektologji(1999), E folmja e Plavës dhe e Gucisë(2002), E folmja e Anës së Malit(2006), Gjurmime onomastike-përmbledhje punmesh(2009) si dhe Fjalor onomastik i territoreve shqiptare në Mal të Zi(2017).
Në sajë të angazhimit disa vjeçar dhe përkushtimit profesional M.Ahmetaj, nuk ka qenë statik por ka vizituar viset dhe vendbanimet shqiptare në Mal të Zi, duke mbledhur, sistemuar e përpunuar lëndën gjuhësore të vjelur në terren, duke dëshmuar seriozitet në hulumtimin gjuhësor të këtij trualli autokton shqiptar. Një angazhim i tillë dëshmon se ky studiues është njohës i mirë i të folmëve të atyre viseve, sepse dialektin e këtij mjedisi e ka të folme amtare. Dhe nga një hulumtim i tillë e folmja e Plavës e Gucisë si dhe të Anës së Malit janë botuar monografi të veçanta, ndërsa kësaj here opinionit i paraqitet me “Fjalor onomastiki territoreve shqiptare në Mal të Zi” që përfshinë lëndë të pasur shumëdimensionale.
Në këtë botim trajtohën çështje nga toponimia, duke analizuar në detaje: makrotoponime, mikrotoponime, oikonime, oronime, hidronime, emërtime të vendbanimëve, rrënojash, murishtash, kështjellash, gërmadhash etj.
Autori na ofron të dhëna etimologjike për disa vendbanime shqiptare të cilat dëshmojnë përkatësinë shqiptare të tyre, pavarësisht se në rrethana të ndryshme shoqërore janë sllavizuar, duke humbur gjuhën amtare të stërgjyshërve të tyre. Madje në ca vendbanime si në Rozhajë apo Plavë e Guci, banorët vendas tash deklarohën në aspektin e përkatësisë kombëtare si “mysliman” e dekadave të fundit si “boshnjakë”, edhe pse në aspektin historik, gjeografik, etnik e gjuhësor i përkasin etnosit të trungut shqiptar.
Ne këtë botim emrat vetjakë të bashkëpërmbledhur i përkasin traditës sonë kombëtare shqiptare, të cilët i karakterizon rëndom një sistem i tërë specifikash, përkatësisht prejardhja e tyre iliro-arbërore-shqiptare. E gjithë lënda toponomastike e prezantuar në këtë botim dëshmon në mënyrë rë dokumentuar për stërlashtësinë, origjinalitetin, koloritin dialektor atrentik, identitetin, vazhdimësinë autoktone të shqiptarëve në këto troje.
Duke lexuar këtë botim del qartë se toponimia e trojeve shqiptare sot në Mal të Zi, trajtuar nga rrafshi historik, gjeografik, etnik e gjuhësor që nga koha antike e deri në ditët tona ka ruajtur vazhdimësinë të pa shkëputur nga onomastikoni iliro-arbër-shqiptar, duke qënë burim i të dhënave me interes me qasje shumëdimensionale.
Nuk ka dilemë së përdoruesit të këtij Falori onomastik, e në veçanti ata të cilët janë nga këto territore kanë mundësi të zgjerojnë gamën e gjerë të emërtimëve duke plotësuar dhe kompletuar këtë botim të veçantë nga fusha e gjuhësisë shqiptare.