dr. Nail Draga: KULTURA E MOSLEXIMIT SI VIRUS SHOQËROR

Diskursi kulturor

“Të lexuarit në shkollë është detyrim, ndërsa më pas duhet të jetë pasion, sepse kemi të bëjmë me pasurimin e fondit të njohurive, kulturës së të shprehurit e të shkruarit dhe të komunikimit në përgjithësi. Ndërsa të gjithë ata të cilët mendojnë se me përfundimin e shkollimit përfundon shprehia e të lexuarit iu takojnë mediokrëve dhe janë të dëmshëm për shoqërinë në çdo mjedis pavarësisht përgatitjeve të tyre profesionale.“

Nail Draga

Nëse trajtohet kjo çështje në aspektin kohor pothuaj të gjithë janë të mendimit se më herët është lexuar më shumë se sa sot, duke marrë parasysh rolin parësor që ka pasur shkolla, e sidomos personelin arsimor të angazhuar në procesin mësimor. Kemi të bëjmë me kuadrat arsimore të cilët ishin idealist dhe të përkushtuar në arsim, e jo si sot, me përjashtim të ndonjë rasti, këtë profesion e trajtojnë si formal, duke harruar se arsimi nuk është profesion por mision.

MOSLEXIMI SI TREND BASHKËKOHOR

Por, me ndryshimet shoqërore nga vitët 90-ta të shekullit të kaluar, shkolla filloi të humbi peshën arsimore dhe edukative. Kemi të bëjmë me kohën e tranzicionit, ku çdo gjë pësoi ndryshime shoqërore, e më këtë edhe kultura e mosleximit si virus i përgjithshëm shoqëror, që ka marrë përmasa të një trendi bashkëkohor. Në lidhje me këtë dukuri e cila ka marrë përmasa shqetësuese nuk është duke u treguar ndonjë shqetësim shoqëror, nga del se ky trend do të vazhdojë gjithnjë, me pasoja shumëdimensionale.

LEKTYRA SHKOLLORE SI DETYRIM

Në programin vjetor mësimor lektyrat shkollore janë të obliguara, por me të drejt bëhët pyetja sa lexohen ata dhe si trajtohen nga nxënësit?

Varësisht nga mosha lektyrat shkollore duhet të jenë joshëse për nxënësit. Nëse është e tillë nxënësin e motivon dhe e nxitë për të lexuar, por nëse është e kundërta krijon paknaqësi dhe e largon nga libri.
Nëse me herët lektyrat shkollore ishin voluminoze, madje disa me qindra faqe, të cilat kanë demotivu nxënësin, tani në rrethana të reja, duhet një përzgjedhje tjetër, me e pranueshme për nxënësin. Këtu mendoj se lektyrat e tilla deri rreth 200 faqe janë me të pranueshme dhe më lehtë lexohen e përgatitën.
Kjo çështje nuk duhet të mbesë vetëm në suazat e komisionit përkatës, por duhet të angazhohen edhe mësimdhënësit e lëndës, duke dhënë sugjerime dhe propozime konkrete. Vetëm me një qasje të tillë, do të kemi një avancim të kësaj çështjeje, e cila nuk duhet të mbesë monopol i një individi apo grupit të ndonjë komisioni përzgjedhës..

MISIONI I TË LEXUARIT

Dukuria e të lexuarit, me kalimin e kohës bëhët pasion, por jo për të gjithë përdoruesit e librave.Fjala është për një kategori të veçantë të cilët në sajë të shprehisë së punës, pasionit dhe intersimit të tyre merren me krijimtari në fusha të ndryshme shoqërore e shkencore.Të tillët dallohen në mjedisn e tyre, ku me kalimin e kohës prezantohen me krijime përkatës si në letërsi, arte, shkencë e publicistikë. Madje një numër i tyre më pas kanë arritur të bëhën emër në mjedisn e tyre dhe më gjerë. Ndërsa të gjithë ata të cilët mendojnë se me përfundimin e shkollimit përfundon shprehia e të lexuarit iu takojnë mediokrëve dhe të dëmshëm për shoqërinë në çdo mjedis pavarësisht përgatitjeve të tyre profesionale

SA LEXOJNË MËSIMDHËNËSIT?

Përveç lektyrës shkollore, mësimdhënësi i kujdesshëm i udhëzon nxënësit edhe për ndonjë botim tjetër që e vlerëson me interes. Një veprim i tillë nuk mund të vlerësohet si krim por e kundërta është në favor të pasurimit të fondit të tyre librar e kulturor. Por, me të drejtë bëhët pyetja se a kemi ne mësimdhënës të tillë në shkollat tona, që varët nga pasioni i tyre për librin në përgjithësi e ate shkollor në veçanti.
Librin nuk duhet trajtuar si mjet obligues që i përket vetëm shkollës, që në rrethana shoqërore aktuale është zbehur shumë, sepse libri duhet të jetë joshes për nxënësit, sepse nga ai merret kultura e shprehia e leximit.
Me kujtohet kur ishim në shkollë të mesme profesori i gjuhës shqipe na ndante në klasë revistat Bota e Re, Zëri i Rinisë etj., që botoheshin në Prishtinë ku për ne nxënësit ishte një ditë e veçantë. Madje disa nga ato ende i kam edhe sot në bibliotekën time. Por, me të drejtë unë pyes se a ka raste të tilla sot?
Mosleximi me përmasa shqetësuese

Çështja e mosleximit ka kohë që është bërë dukuri shoqërore, e cila në kohën e tranzicionit ka marrë përmasa shqetësuese me pasoja të mëdha për të gjitha shtresat e popullsisë, por në veçanti për të rinjtë të cilët janë e ardhmja në çdo mjedis përkatës
Jetojmë në kohën e paradokseve, sepse ma të zëshëm janë ata të cilët nuk lexojnë asnjë liber dhe qendrojnë me orë të tëra në kafe, duke shikuar FB apo ndonjë bisedë të rastit. Dhe të tillët në këtë kohë të krizës morale janë si zëdhënës të rrethanave shoqërore me peshë jo vetëm lokale por edhe ate shtetërore.
Nuk është befasi nëse them se ka individë të cilët i japin vetës të drejtë të flasin për një liber të cilin nuk e kanë lexuar, por kanë ndëgjuar ndonjë konstatim nga individë të ndryshëm, të cilët edhe ata nuk e kanë lexuar, por kanë dëgjuar nga ndonjë individë i tretë. Për, individ të tillë është e tepërt të humbët kohë, sepse nuk meritojnë të flitet e jo të debatohet, sepse janë jashtë rëndit elementar të debatit.Në raste të tilla del qartë se kemi të bëjmë me indvidë të cilët vuajnë nga komplekset e inferioritetit, por edhe nga gjelozia e egoizmi i tyre personal.

PËRFUNDIM

Kultura e mosleximit ndikon drejtpërdrejt në kulturën e të folurit dhe të shprehjes, që hetohet në komunikim nga qytetarët në mjedisin përkatës, por edhe më gjerë, sepse mediat elektronike janë të pranishme në çdo mjedis.
Në këtë aspekt edhe përfaqësuesit politikë me ndonjë përjashtim të rrallë, janë për të dëshiruar, sepse iu mungon retorika përkatësisht kultura e të lexuarit. Madje edhe kur përpiqen të lexojnë ndonjë tekst të huazuar, apo të përgatitur nga të tjerët kanë problem në të lexuar, që dëshmojnë injorancën e tyre.
(Maj 2022)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here