Dr Pier Carlo Lava: ANGELA KOSTA ZËRI GODITËS DHE I FUQISHËM NË PANORAMËN BASHKËKOHORE LETRARE

ANGELA KOSTA ZËRI GODITËS DHE I FUQISHËM NË PANORAMËN BASHKËKOHORE LETRARE

Nga: Dr Pier Carlo Lava (Editor dhe menaxher në Alessandria Today – Itali)

“Angela Kosta konfirmon zërin e saj poetik si më i godituri dhe më vibruesi shpirtërisht në panoramën bashkëkohore, me vargje të cilat “hetojnë” shpirtin, tejkalojnë terrin dhe sjellin një fragment të së vërtetës”.

VËSHTRIM:

1. Në poezinë “TRANSHENDENCË”, Angela Kosta, autore me vlerë e medias Alessandria Today, na çon në një udhëtim të spikatur dhe shqetësues drejt kufijve të ndërgjegjes, ku materia shpërbëhet dhe qenia përballet me zbrazëtinë, mungesën dhe të vërtetën përfundimtare të ekzistencës. Poezia hapet me një vëzhgim të dhimbshëm, por të kthjellët: “Njerëzit kurrë nuk ndalojnë së kërkuari të pamundurën…” dhe pikërisht nga këtu poezia merr vrull, duke u përballur me furinë e jetës bashkëkohore si një impuls i verbër dhe i pandalshëm drejt asaj çka nuk mund të arrihet. Ka një tension të vazhdueshëm, një luftë midis kujtesës dhe të tashmes, midis dëshirës dhe zhgënjimit, të cilat Angela Kosta i paraqet me imazhe të fuqishme dhe pothuajse kozmike.

Vargjet kthehen në një meditim, i fokusuar mbi brishtësinë, mbi rrezikun e përhumbjes së plotë në kohën dhe mjegullën e harresës. Shpirti i protagonistes, pothuajse një dyshe poetike e vetë autores, përshkruhet si i pezulluar, i zhdukur, patrup, i paaftë për të vepruar, për të ndjerë apo për të reaguar. Metaforat janë potente dhe të dhimbshme: “nuk ke më duar për të prekur as një rreze dielli”, “nuk ke më frymë, as fjalë”.
Atëherë, poezia bëhet një rrëfim ekzistencial i shpërbërjes, një histori simbolike e humbjes së kontaktit me botën, me trupin, me mundësinë e shpagimit. Megjithatë, kjo humnerë nuk është dëshpërim në hir të vetvetes, pasi është pranim, është vetëdije: protagonistja e kupton dhe e pranon që nuk ka më rrahje zemre, sepse “shpirti i saj nuk i përket më kësaj bote”. Pikërisht ky është kulmi i momentit të trashedencës së vërtetë: kalimi nga një gjendje në tjetrën, nga mishi në shpirt, nga zhurma në heshtje, nga vullneti në shkëputje.

Angela Kosta arrin ta transformojë me mjeshtëri dhimbjen e fundit të ekzistencës me një vrull të pandalur drejt lartësisë, drejt asaj strehe që nuk ka konture, por që ndoshta ka shumë kuptim.
Poezia e saj, intensive, e rafinuar, pothuajse mistike, lëviz midis filozofisë dhe vizionit, dhe i lë lexuesit një ndjenjë pezullimi dhe respekti për atë që nuk mund të shpjegohet: misterin e të qenit dhe të mos qenit më.

TRASHEDENCË

Njerëzit nuk reshtin kurrë së kërkuari të pamundurën…
nuk ndalen…
me frenezi sfidojnë vetë ekzistencën…
në kundërshtim me rrymat e epokës,
janë në kërkim të atyre copëzave lumturie, vezulluese në galaksinë e kujtimeve të përjetshme. Dhe mjafton vetëm një moment,
një sekond që gjithçka të ndalet
e çdo gjë kthehet në pluhur…
Hemisferat e kohës
zhduken në humbëtirë
pa lënë qoftë edhe një gjurmë të vetme,
ndërsa ti mbetesh pezull në ajër
pa mundur të vësh këmbët në tokë…
përhumbesh në hapësirën e panjohur,
zhytesh në mjegullën e harresës.
Nuk ke më sy
për të identifikuar horizontin
ku ka gjetur strehë karma jote,
nuk ke më veshë të dëgjosh tingujt
dikur të ëmbël të zërit tënd, tashmë pa nota,
nuk ke më duar që me majat e gishtave të prekësh qoftë edhe një rreze dielli,
e vetëdijshme se çka do të të shpjerë në sipërfaqe.
E nuk ke më krahë të fluturosh drejt shpëtimit,
nuk ke më këmbë
të hedhësh e sigurt hapat drejt atij caku
që fundos në greminë të dlirën jetë.
Nuk ke më as frymë,
të mbushësh me oksigjen mushkëritë e botës,
nuk ke më as fjalë
të ndryshosh sadopak atë që nuk ka kthim
dhe në fund e kupton dhe e pranon
që nuk ke më forca,
nuk ke më rrahje zemre të jetosh
sepse shpirti yt nuk i përket më kësaj bote…

2. “TRIUMFI I BEELZEBUBIT” NJË EPIKË E FUQISHME E ERRËT DHE INTRINSIKE

Poezia “TRIUMFI E BEELZEBUBIT” e autores Kosta, është një vepër që trajton thellësitë e errëta dhe misterioze të shpirtit njerëzor nëpërmjet evokimit të imazheve të forta të zhytura në simbolikë. Me mjeshtëri poetike, autorja pikturon një peizazh të turbullt në të cilin djalli dominon në heshtje botën, duke shtrirë tentakulat e tij nga ferri. Prania e tij përshkruhet me një fuqi visherale, të ngjashme me atë të një vampiri gjakatar, duke thithur energjinë dhe forcën jetësore të njerëzve, duke u bërë i pamëshirshëm dhe i tërbuar me ata që janë të pambrojtur. Nëpërmjet vargjeve intensive dhe evokuese, poezia ngjall furinë dhe shkatërrimin e shkaktuar nga zemërimi i djallit, i paraqitur si një qenie e zjarrtë që ndryshon fatin njerëzor dhe qëndron në fronin e fuqisë së lavdishme, duke u bërë i vetmi Zot.

Angela Kosta pikturon mjeshtërisht një tablo dëshpërimi dhe kaosi, ku toka kthehet përmbys, lulet thahen dhe çdo element natyror shkrumbohet nga ndërhyrja çnjerëzore e Beelzebubit. Epshi dhe etja e tij për shkatërrim duket e pafund, me tentakulat që i shpërndan kudo, duke sjellë fatkeqësinë e fatit.

Poezia ushqehet me një epos simbolik të errët, duke trajtuar temën e pafajësisë së humbur dhe pasojat e veprimeve njerëzore, duke eksploruar thellësitë e errësirës së brendshme dhe marrëdhënien e saj me të keqen që vazhdon në botë. Si përfundim, “TRIUMFI I BEELZEBUBIT” i autores Kosta, është një kompozim poetik i fuqishëm dhe i ndërlikuar që e sfidon lexuesin të përballet me forcat e errëta të ekzistencës njerëzore, duke eksploruar anën e errët të shpirtit dhe duke na ftuar të reflektojmë mbi pasojat e përzgjedhjes njerëzore. Kjo poezi është intensive dhe evokuese, e cila lë një gjurmë të pashlyeshme në mendjen e lexuesit.

TRIUMFI I BEELZEBUBIT

Në heshtje e zapton Botën djalli
Nga skëterra tentakulat përzgjat
Si vampir me etje veç gjak thith
Mllefoset me viktimat e pajetë.
Në rrebeshet e jetës dufin shfryn
Me zjarr përcëllues vrullshëm godet
Qeniet ende të palindura shkrumbon
E në fronin e pushtetit lavdishëm ulet.
Thur plane dhe helmin shijon
Në kupën e mbushur nga lotët e njerëzimit
Bastonin drejt qiejve me ngadhnjim lart ngre
Tashmë është i vetmi Zot.
Lëndinave lulet ua përthau
Pjalmin dhe mjaltin në vrer i kthen
Malet lëviz, çdo gur, paqe më nuk gjejnë.
Lumenjve të përgjakur veç balta u mbetet
Gjithë Toka përmbyset, edhe planetet
Por djalli akoma etje ndjen
Me epsh sfidues furtunash nën shtrëngata Asnjëherë nuk vdes.
Tentakula kudo në hapësirë shpërndan
Fatkeqësinë e fatit në to vjell
Mbi kafkat e gjymtuara shkel
Dhe ringjallet aty ky Pafajësia vdes.

3. Poezia “Ti Grua”, fillon me një përshkrim intensiv të Gruas si një “Martire e brishtë”, e strukur dhe me shikimin e përhumbur në një vend ku duket se nuk ekziston asnjë zë. Ky imazh përfaqëson dobësinë që shumë gra të përjetojnë në rrethana të vështira, një ulërimë dëshpëruese nga “jeta jo e pastër me lotë të përzier me baltën e kuqe”. Përdorimi i imazheve shprehëse si “thonj… gërvishtje… të mishëruara brenda shpirtit të ankthshëm” theksojnë luftën psikologjike dhe dhimbjen. E megjithatë, autorja nuk ndalet me kaq sepse poezia kalon në një apel të fuqishëm: “Ti… Grua… Çohu!” Kjo është një thirrje për të rinjohur dhe përqafuar forcën e brendshme dhe hyjninë që qëndron brenda çdo gruaje. Poetja inkurajon gratë për t’u çliruar nga përkufizimet që i mbajnë ato skllave dhe për të shfaqur “Perëndeshën” që është brenda në secilën prej tyre. Imazhi i “vellos së zbehur” përfaqëson maskën që shoqëria mund t’i vendosë grave, duke fshehur thelbin e tyre të vërtetë. Angela Kosta fton gratë që të çlirohen nga kjo maskë dhe të mos u japin më rëndësi atyre që nuk e meritojnë aspak buzëqeshjen dhe gëzimin e tyre. Poezia përfundon me një mesazh rilindjeje dhe kremtimi të forcës së gruas. Gratë ftohen të “rijetojnë”, “të lulëzojnë sërish”, të “këndojnë”, “të buzëqeshin” dhe të “ulërijnë lirinë e tyre”. Kjo është një nxitje për t’u çliruar nga prangat e shoqërisë dhe për të përqafuar madhështinë dhe hyjninë e vet. Si përfundim, në poezinë “Ti Grua…” autorja kap kompleksitetin e përvojës femërore, nga vulnerabiliteti deri tek rilindja, përmes imazheve evokuese dhe fjalëve plot pasion. Kjo poezi, është mesazhi i fuqizimit dhe integrimit të grave në gjithë shkëlqimin e tyre hyjnor.

TI GRUA…

Ti… Grua…
Martire e brishtë
e tkurrur me vështrimin e përhumbur
aty ku nuk ekziston një fije zëri…
as shprese…
britma dëshpërimi nga jeta e ndotur
në lotë të përzier me baltën e kuqe,
thonj… gërvishtje
mishëruar brenda shpirtit të përvuajtur.

Ti… grua… Çohu sërish!
Zhvishu nga gjithçka që mohon
“Perëndeshën” brenda teje!

Çarmatosu nga kufiri
i durimit, i dhunimit!

Hiqe vellon e venitur
maskën e errësirës së përjetshme.

Çlirohu nga ai që nuk i meriton
grimcat e buzëqeshjes tënde të rrallë,
të lagësht në buzët e tua.

Ti… Grua…
Jeto sërish!

Hapi duart
ku merr frymë forca e jetës!

Lulëzo përsëri!
Këndo! Buzëqesh!

Ulëri për lirinë tënde
burgut të jetesës së neveritshme
që perëndon rrugëtimin tënd.
Ti… grua…
Madhështore… Unike… Hyjnore…
Jeto!

4. Poezia “PËRTEJ GJITHËSISË” e autores Kosta është lirikë e Dashurisë së Përjetshme, një deklaratë besnikërie dhe vazhdimësie që kalon edhe barrierat e jetës dhe vdekjes. Në këtë poezi, Angela Kosta përshkruan një tablo sugjestive të dashurisë si një ndjenjë e thellë, që kapërcen kohën dhe hapësirën. Përzgjedhja e fjalëve dhe e imazheve të evokuara krijojnë një atmosferë intimiteti dhe lidhjeje të përjetshme midis dy të dashuruarve. Ndjenja e dashurisë, përshkruhet si një lidhje që shkon përtej kufijve fizike, përtej yjeve dhe hënës, përtej reve dhe diellit. Poezia shpreh idenë se dashuria nuk vdes kurrë, por vazhdon të mbjetojë në jetën e përtejme, ku shpirtrat ende mund të komunikojnë dhe të ndajnë përjetësimin e tyre. Autorja ofron një vizion romantik dhe prekës të jetës pas vdekjes, në të cilin dashuria ekziston ende dhe vazhdon të frymëzojë. Gjuha e përdorur në poezinë “PËRTEJ GJITHËSISË”… është e pasur me emocione dhe pasion. Fjalët rrjedhin ëmbëlsisht, si një këngë dashurie e cila përqafon lexuesin dhe e mbështjell në një atmosferë romantike dhe nostalgjie. Poezia është e mbushur me një ndjenjë humbjeje, por edhe shprese e rilindjeje, duke krijuar një ekuilibër emocionues. Mesazhi kryesor i poezisë është se dashuria është e përjetshme dhe e kapërcen dimensionin fizik. Autorja shpreh se e dashura, ka dëshirën të jetë gjithmonë e pranishme në jetën e të dashurit të saj edhe pas largimit të tij nga kjo botë. Kjo dëshirë për vazhdimësi dhe lidhje të thellë është universale dhe prek zemrën e kujtdo që ka dashuruar ndonjëherë dhe ka humbur dikë. Si përfundim, “Përtej Gjithësisë…” e poetes Kosta, është një poezi që manifeston ndjenjat në një mënyrë prekëse dhe magjepsëse. Me gjuhën e saj evokuese dhe imazhet poetike, autorja mbërthen thelbin e dashurisë së përjetshme dhe aftësinë e saj për të kapërcyer çdo pengesë.

5. Poezia “FANTAZMAT” e autores Angela Kosta është një poezi intensive dhe mjaft tërheqëse që trajton çështjen delikate të drogës dhe efektet e saj shkatërruese tek të rinjtë. Përmes alegorive dhe retorikave të fuqishme, autorja pikturon një pamje të zymtë të realitetit në të cilin shumë të rinj e gjejnë veten në kurth, të mbytur nga zgjedhjet shkatërruese dhe ndikimet negative, duke u plakur nën hijen e fantazmave
Teksa e lexojmë, vargjet transmetojnë ndjenjat e ankthit dhe dëshpërimit, përmes përdorimit të figurave onirike, duke përshkruar fantazmat, të cilat dalin nga “kështjellat e mjerueshme të rërës” që përfaqësojnë iluzionet dhe premtimet boshe të ofruara nga droga. Pasqyrimi i vullkaneve gjysmë të zhdukur, vë në qendër, shpërthimin e mundshëm të problemeve që lindin nga përdorimi i drogës.

Fjalët e autores, vënë në pah lakminë dhe indiferencën e përdoruesve të këtyre substancave jashtëligjore, të përshkruar si “çakej të uritur” që gllabërojnë pafajësinë dhe rininë e individëve. Përdorimi i tablosë “çarfalitëse” krijon një ndjenjë neverie dhe pështirllëku, duke theksuar realitetin brutal të abuzimit me drogën.

Elementi më prekës i poezisë është përmendja e nënave teksa shohin fëmijët e tyre viktima të drogës. Kjo pjesë e poezisë kujton dhimbjen dhe dëshpërimin e këtyre nënave, të cilat luftojnë të pafuqishme për të mbrojtur fëmijët e tyre nga efektet shkatërruese të drogës.

Poezia lëkundet midis territ dhe agimit, e përfaqësuar nga “drita transparente” që mbështjell realitetin e hidhur. Kjo dritë duket si një flakë këmbëngulëse shprese, e cila konsumohet në luftën kundër drogës dhe pasojave të saj. Kjo poezi, analizon dhe reflekton përzgjedhjet që bëjmë në jetën tonë si dhe rëndësinë e adresimit të problemit të drogës për të mbrojtur brezat e ardhshëm në vijim.
“Fantazmat” trajton me vendosmëri të plotë dhe poetike, realitetin e trishtuar të drogës që plak para kohe të rinjtë, duke na lënë dëshirën e madhe dhe nevojën për ndryshim dhe mbështetje në komunitetet e prekura nga kjo plagë e shekullit.

FANTAZMAT

Fantazma të frikshme
të prejardhura nga kështjella të varfra prej rëre
ferr i fshehur,
mbytur nga krateri
i vullkaneve gjysëm të shuar
ku qëndron pafajësia
brishtësia e rinisë së mplakur.
Ushqim për çakejtë e uritur
pre me sy të shëmtuar plot gjak
teksa lëpijnë dhe dredhin mustaqet
e pushtetit të tyre.
Dolli ngrenë për fitoren
e nënshtrimit të shpirtrave
të përhumbur në përvuajtje…
Dhe qeshin…
nga gëzimi kërcejnë…
Shpërfillin lotët e mbledhura
në duart e Jetës,
e plasaritur si vetë zemra,
e shkatërruar pa mëshirë
teksa varrosen ëndrrat e fëmijëve,
duke kërkuar më kot shpëtim.
Përballen me ulërimën
e hijeve të zeza pa numërim,
i ftojnë të kërcejnë këmbëzbathur
me grushtat e mbledhur fort
nën qiellin e gabuar,
rreth i hapur i tokës së dergjur,
teksa dashurojnë dëshpërimisht
atë çka Perëndia krijoi.
Dhe vazhdon vallëzimi i falimentimit total
i së tashmes
nuk i druhen të nesërmes,
pijnë pa pushim nga kupa e përmbysur
pikat e fundit të helmit
të shpërndara gjithandej
ofruar me kënaqësi nga fantazmat e gjalla,
duke harruar,
duke mohuar,
duke mos respektuar
dashurinë e Nënave të tyre
membranë për të mbrojtur
gjënë më të shenjtë
që ekziston në këtë botë:
Jetën!
Të pangopura tërhiqen fantazmat
në terrin e natës së thellë,
zhduken, njësh bëhen me stuhinë
veshur me petkun e urrejtjes.
Tmerr!
Qenie të frikshme si mendimet e tyre
të padenja shfaqen
me vështrim verbues, të përndezur.
E ëmbël, e hidhur ti Jetë
strehë gjen në dritën vezulluese të shuar
në sytë e të gjitha Nënave të universit,
britma të luftës pakufi
mesazhe për shpresën e madhe.

6. Poezia “LULJA E RRALLË” e autores Kosta është një evokim delikat i bukurisë dhe i veçantinë së qenies njerëzore, i shprehur përmes metaforës së një luleje. Poetja na çon në një udhëtim kërkimi dhe zbulimi, ku UNI poetik kërkon me dëshpërim një lule me aromën e të dashurës. E megjithatë, ky hulumtim përfundon në një realizim befasues dhe prekës. Poesia mbërthen në mënyrë të përkryer ndjenjën e dashurisë dhe admirimit që UNI poetik ka për të dashurën. Zgjedhja për të krahasuar bukurinë e të dashurës me një “Lule të rrallë” është sugjestive dhe poetja përdor fjalët me shumë mjeshtëri për të përcjellë thellësinë e këtij emocioni. Përdorimi i mbiemrit “i rrallë” nënvizon veçantinë dhe natyrën e jashtëzakonshme të bukurisë të së dashurës, duke sugjeruar se është një bukuri që shkon përtej normës, e cila është e rrallë për t’u gjetur dhe e çmuar për t’u vlerësuar. Imazhi i kthimit “duart bosh” nga kërkimi i lules krijon një ndjenjë dëshire të pakënaqur, e cila përforcon kontrastin me bukurinë e të dashurës.
Poezia arrin kulmin e saj në zbulimin përfundimtar, kur UNI poetik kupton se asgjë, madje as lulja më e rrallë, nuk mund të krahasohet me bukurinë dhe freskinë e së dashurës. Ky përfundim është një nderim për fuqinë e dashurisë dhe veçantinë e çdo individi.

Në sintezë, “Lulja e rrallë” e autores Kosta është një poezi që rrëmben në mënyrë prekëse thelbin e dashurisë dhe të bukurës, duke përdorur një metaforë me lule për të festuar veçantinë dhe papërmbajtshmërinë e të dashurit. Është një poezi që lë mbresa të qëndrueshme në zemrën e lexuesit, një jehonë kundrejt bukurisë njerëzore që shkon përtej çdo krahasimi.

LULJA E RRALLË

I përhumbur

më kot një lule po kërkoja

aromën tënde të ëmbël të kishte…

Duarbosh u ktheva

dhe teksa të pashë të flije

i magjepsur

e kuptova se askush dhe asgjë

qoftë edhe një lule e rrallë

mund të krahasohej me bukurinë

dhe freskinë tënde të parezistueshme.

(Përktheu nga italishtja: Angela Kosta)