Dritëhijet konfigurative të kryesemës Zot mbi romanin Kush na mallkoi të Age Ivezaj.
Kjo përqasje synon të ndriçojë shtresëzimet ndërtekstore të një romani të shkruar në shekullin e postmodernizmit (fundin e shek. XX dhe fillimin e XXI), ndaj kjo vepër ka padiskutim rëndësinë e saj në historinë e re të letërsisë shqipe. Në këtë zbërthim të përimtuar, e gjithë materia strukturore shtrihet thellësisht në rrafshin vertikal të kodit të shenjave e simboleve letrare me të cilat do të merremi imtësisht.
Narracioni i zhdërvjellët në këtë vepër letrare që nis me jetën e përfundon me vdekjen dëshmon një segment ekzistencial të kufizuar nga të dy anët me fillimin dhe fundin e një sage kombëtare të limituar në kohë, shtrihet pafundësisht në vazhdimësi. Simbolika e vdekjes që dominon në roman mbetet ende e paqartë dhe hermetike në lojën e shenjtë e të shkurtër të jetës. Kjo tendencë si qasjeje për të hedhur dritë mbi këtë lënde letrare zgjon vemëndjen e studiuesve, në ritualin enigmatik që sjell thelbi i rrëfimitt bërthama e të cilit ngjizet nga rrahjet e zemrës së një dashurie tragjike me nëntekst semantik tendencialisht të palidhur, (se në Hot janë të gjithë motra dhe vëllezër, edhe pse jo të një gjaku, ndaj dashuria është e ndaluar, pengesa të ligjit të pashkruar të Hotit…(fq.204)), po aq edhe në një vibrim shpirtëror tepër të guximshëm, si psika më intime e purifikimit të dashurisë drejt amshimit në sfidën kundër vdekjes së sigurtë: vdekja e shpirtit përpara se trupi të largohet, me etjen e zjarrtë për të rilindur. Polifonia e stuhisë shpirtërore potencialisht gërryese përmbyset në raportin asimetrik kohë- hapësirë, si nevojë ngufatëse e autores e cila nuk mund ta braktisë misionin e heronjve të saj pa venë në vend amanetin e të parëve, vazhdimësinë e jetës në truallin amë, shenjuar nga pasuria semiotike ndërtekstorte. Ankthi i dëshpërimit, dashuria e pamundur, vetmia në dhe të huaj, frika apo vdekja, diktojnë si një enklavë sovrane rrjedhën e rrëfimit dhe kontrollojnë territorin shpirtëror të malësorëve të Hotit.
Sipas logjikës narrative ndërtekstuale, këtu vlen të kujtojmë filozofinë e Lukrecit: Ex nihilo nihil fit, (lat.asgjë nuk vjen nga asgjëja), pra ekziston një mallkim fillestar, si një lloj mallkimi biblik, si arsyeja fillestare, shkaku për pasojën në sintagmën e shkrimit. Ngaqë mëkatuan, Adami dhe Eva u plakën dhe vdiqën. Ata e prishën miqësinë me Perëndinë dhe humbën mundësinë për të jetuar përgjithmonë me shëndet të përsosur. (Zanafilla 3:19) Kjo shkëndijë kthehet në kërcënimin më të rëndë biblik për jetën e malësorëve të Hotit në veçanti e miljona njerëzve në botë në përgjithësi. Mëkati i Adamit në ngrënien e frutit të ndaluar solli vdekjen në botë. (Romakëve 5:12).
Nëpërmjet simbolikës së vdekjes, pasqyrohen përthyerjet konotative të sistemit shenjor, shtresësohen mesazhet mbi vazhdimësinë e kombit, e konfigurohet kredoja krijuese e jetës së nënkuptuar të portreteve të personazheve periferikë të lënë enkas në hije. Përmbysja e autosugjestionit kombëtar se shpirti i malësorit është i tillë nga vetë natyra e thepisur e maleve e shkrepave, sjell njëherësh çlirimin shpirtëror nga dinamika imponuese ndaj misionit biologjik të njeriut modern në ngërçin ekzistencial për të lënë apo jo pasardhës, i kushtëzuar nga kërcënimi i vazhdueshëm i vdekjes në topografinë kontrastuese: New York – Hot, ku përplasen fort dy botë në jetën e mërgimtarit. Ndonëse po vuajmë për shkak të mëkatit të trashëguar, (Adam-Eva analogjikisht Hana-Nika), kemi mundësinë dhe privilegjin të jemi miq të ngushtë me Perëndinë. (Proverbat, 3:32)
Në roman ky konfigurim vjen me largimin nga jeta të të gjithë protagonistëve: si pasojë e një mallkimi fillestar, ndërkohë këmbëngulja nëntekstuale formëson sintezën sinkretike me shenjëzuesit neoarketiporë e njëherësh po aq të lashtë, si Guri, Toka, Dielli dhe Hëna për të qenë dëshmia e gjallë se atdheu është aty dhe do të jetojë ndër breza, nën optikën më të qartë letrare.
Konstrukturimi i trekëndëshit asgjësues si qasje integraliste Dashuri- Vetmi- Vdekje, konvergon në të njëjtën koordinatë (Zoti), si pika e rëndesës së sistemit narrativ, në dramën shpirtërore të malësorëve të Hotit. Forca e rrëfimit në roman zbërthehet nëpërmjet lojës së brendshme të portreteve të protagonistëve. Zbërthimi vjen bashkë me interpretimet se ngjarjet në jetën reale kanë qenë bërthama embrionale që bart artistikisht jetën e “mallkuar” të malësorëve, e shtrihet përgjatë një interpretimi të thellë shpirtëror të mbarë kombit si rezonanca dramatike që shkëndijon remineshencat e postmodernizmit. Paralelizmi me jetën në New York, nxjerr në pah kontrastet më të thella dhe plagën që rrjedh si turbulencën më të frikshme shpirtërore të kombit. Figura e personazheve femra zbulohet gradualisht nëpërmjet gamës së rëndë të pragjykimeve dhe kontrastit më të thellë historik që gruaja shqiptare ka bartur në shekuj. Detaje të përimtuara shtrihen në trajektoren gjithkohore ku pasuria kulturore e etniciteti i identitetit kombëtar janë parabola për dy jetët paralele të shkrira në një: përditshmërinë e vrullshme amerikane dhe prapambetjen e thellë në Malësitë tona. Si një dëshirë e ethme a një vragë në shpirt, psikoloanaliza që zbërthen realitetin ndërmjet gjeneratave, bëhet dora që shkruan një rizgjim të rezistencës heroike të harruar, një tronditje, pamflet mbi ndërtimin e ardhmërisë dhe përmbysjes së mureve të kohës nga shtjella e forcës lëvizëse të shpirtrave të lënduar nga dashuria e pamundur. Malli gërryes në egzil dhe dy palë lot që i shumëzon dëshpërimi. Autorja Age Ivezaj është zëri që zgjon qasjen drejt mesazheve të tërthorta, e konfiguron nëntekstin brenda trupit të personazheve, në një sistem shenjor i cili ngërthen në vetevete një strukturë komunikimi si kapitulli më i rëndë i dramës moderne ekzistencialë të shoqërisë shqiptare, nga ku depërtimi në sistemin koordinativ të besimit shpirtëror të malësorit bashkëkohor shqiptar, pikat e lidhjes së tij me shtjellën kaotike të botës në qytetin më të populluar të botës New York City, në Shtetet e Bashkuara, i jep narracionit rrjedhën e pandërprerë, nëpërmjet një stili figurativ të pjekur artistik e ndërfutje ekuivalente stili-sintaksore për një zbërthim të kulturës arkaike dhe kujtesës sonë historike, një tranzicion kaotik galopant në emër të një jete më të mirë, një e vërtetë e ashpër e njëherazi dekoduese, dhënë përmes ekonomizimit të gjuhës, pa dantella e ornamente figurative.
Ky nëntekst perceptohet përmes një filtri epiko-lirik, duke sjellë tërheqje e angazhim, si dhimbja më e qartë e shpirtit të kombit shqiptar që kalon nëpërmjet vdekjeve simbolike të njëpasnjshme të tre brezave, të përmbysur kronologjikisht, (vdekja e birit ndodh përpara se të ndodhë vdekja e nënës), prej nga ku brezi i katërt nuk ekziston… Por nëpërmjet kësaj loje mungesore, autorja i lë shteg studiuesit për të nxjerrë në sipërfaqje përmbysjen e një botë dhe ardhjen e një botë të re, drejt rikuptimësimit të kornizave narrative kompozicionale shkëndijat e të cilës jepen nëpërmjet shkollimit simbolik të femrës si furtuna për të rënë në një gjendje qetësie, për të çrrënjosur mekanizmat e pavetëdijshëm të ndrydhjes paradoksale të gruas në psikikën e një kombi të lashtë.
Simbolika e dashurisë, shfrenimi i shqisave shpirtërore nën kërcënimin e tingujve të vdekjes, alkimia e fjalëve të zgjedhura me kujdes, dëshpërimi i malësorëve kur nga çdo derë, mashkulli i shtëpisë duhej të linte atdheun, e ndan jetën në mes të dy botëve. Nën vezullimin folkorik të vargjeve popullore e legjendave Zanat, Orët e Shtojzovallet evokohen nëpërmjet portreteve të bukurisë magjepsëse të vajzave malësore shqiptare. Drama shpërthyese e përhumbjes së një kombi, besimet fetare, vlerave estetike të kohës, kontekstet social-historike, bëhen forma simbolike e artit nëpërmjet zbërthimit të kodeve e shenjave letrare.
Konfigurimi i simbolikës së vdekjes dhe atmosferës së zisë tek bie në kontrast me magjinë e së bukurës, vërtetojnë parimin e Umberto Eco-s se në artin modern e bukura nuk është gjë tjetër veçse një koncept kritik dhe shpesh dekonstruktohet dhe vjen si mohim a provokim i vetes. Kush na mallkoi? Pyetja me përgjigjen trinomike/anonimike të dyzuar ku akuzohet po aq sa Zoti, edhe Njeriu, Komuniteti/; Atdheu, Toka, Guri/, e ende mbetet enigma që nuk e shpjeguan dot as kohërat e errëta të historisë, as shpejtësia e epokës moderne. Mos ndoshta Zoti? Zoti na mallkoi? Kush? Sa thellë fle Zoti në ADN-në e shqiptarit? Jeton Zoti apo ka vdeku? Le t’i referohemi një përqasjeje kontekstuale:
“Zoti vdiq”, si një nga deklaratat më tronditëse dhe të guximshme të Friedrich Nietzsche-s. me kritikën e tij ndaj teizmit, shpreh çdo përpjekje për të kuptuar thelbin e kësaj filozofie dhe kërkon një analizë të kujdesshme të një deklarate të tillë me zë të lartë në implikimet filozofike të proklamimit rrënqethës brenda kontekstit të përgjithshëm të veprës së tij. Ai e shpalosi për herë të parë shprehjen “Zoti vdiq” nëpërmjet një nënteksti shkundës, ku evidenton midis të tjerash se njeriu vrau shpëtimtarin e tij, fuqinë, shpresën, ndaj nuk ka më Zot: A nuk keni dëgjuar për atë të marrë që ndezi një fener në orët e ndritshme të mëngjesit, vrapoi drejt tregut dhe filloi të bërtiste pa pushim: ‘Po kërkoj Zotin! Po kërkoj Zotin!’ – ‘Mos vallë ka humbur?’ – thumboi dikush. ‘Mos ka ngatërruar rrugën si një fëmijë?’ – tha një tjetër. ‘Mos është fshehur? A ka frikë prej nesh? Apo ka ikur në një udhëtim? Ka emigruar?’ – kështu bërtisnin dhe qeshnin. I marri u hodh në mes të tyre dhe i plagosi me shikimin e tij: ‘Ku është Zoti?’ – bërtiti. ‘Ua them unë! E kemi vrarë – unë dhe ju! Të gjithë ne jemi vrasësit e tij! (…) Zoti vdiq! Zoti mbetet i vdekur! Dhe ne e kemi vrarë.’(…) Më tej thuhet se, atë ditë, i marri u fut me forcë në disa kisha dhe atje këndoi Requiem Aeternam Deo (lat. ), Prehje e e Përjetshme për Zotin, ( Parábola e të marrit)..2
Në diskursin letrar historik tendenca spontane vetëorientuese e lëndës, lind pyetjen ”Çfarë lojërash të shenjta e implikime filozofiko-teologjike do t’i duhen autores Age Ivezaj të improvizojë brenda kontekstit të përgjithshëm të veprës për të kontrastuar shprehjen “Zoti vdiq”? Ky konstatim tronditës është përdorur në shkrimet gjermane rreth më pak se një shekull përpara se Dija e hareshme e Nietzsche-s të shihte dritën e botimit (1882).
Gjithashtu filozofi gjerman G. W. F. Hegel tek Besimi dhe Njohuria, (1802)3, e më tej në veprën Fenomenologjia e Mendjes, evidenton fenë e mosbesimit në Zot, se “Zoti vdiq, apo Zoti ka vdekur”, si stuhi tronditëse e një ndërgjegjeje të palumtur e të zhgënjyer. Hegeli i mëshoi vdekjes si një trajtë e vetëmohimit hyjnor në funksion të nevojës së evolucionit të ndërgjegjes fetare, por gjithsesi tek të dy përsëritet ideja se Zoti vdiq.
Ndërkohë nënteksti narrativ “Zoti vdiq!”, përmbyset e konvertohet figurativisht në: T’lumt na për t’madhin Zot!,pra, Zoti i plotfuqishëm ndjehet si ndërgjegja që ekziston pavarësisht vetvetes, Zoti si ekzistencë shpirtërore absolute, huazuar nga historia tradicionale e letërsisë, këngët folklorike, gojëdhënat e legjendat,- kujtojmë vargjet hyrëse në Ciklin e Kreshnikëve: Lum për ty, o i lumi Zot!/ Fort po shndritë njaj diell e pak po xe’! 4
Diskursi narrativ ofron tentativën drejt një qasjeje postmoderne: Zot/-i, është tërësia e sistemit shenjor të përdorur nga autorja afërsisht 70- herë në rrjedhën e rrëfimit të këtij romani. Nëpërmjet kryesemës: ZOT, njesohet besimi se në kodin gjenetik të shqiptarit, lexohet çlirimi i njeriut ndaj vetvetes (Immmanuel Kant, 1980), ku psikologjia e turmës synon të kthehet në psikologji të individit, e më gjerë në psikologji të kombit. Si strukturë kuptimi e paradigme filozofike nënvetëdija kthehet në ndërgjegjegje dhe shpirti në mendje, për të ngritur themelin e mbretërisë së pavdekshme të atdheut në udhëtimin simbolik/egzilicistik të malësorit shqiptar, në vdekje/jetë. Të lavdëroj se mrekullisht më krijove, të mahnitshme janë veprat e tua, mirë e di shpirti im. (Psalmet, 139:14)
Paralelisht tentojmë një përqasje me binomin Atdhe e Fe, i trajtëzuar në Atme e Fe tek Fishta ku zoti Zoti mishërohet si krijuesi i të bukurës absolute, në kuptimin estetik, etik, moral, filozofik e letrar, huazuar nga letërsia e vjetër shqiptare.5 Gjithashtu studiuesi Eqerem Çabej ve në dukje se, Atdheu , Gjuha dhe Besimi janë një trinom i shenjtë, visar etik i tërë Letërsisë së Vjetër Shqiptare. Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani e përtej detit edhe Matrënga janë inspiruar nga ky trinom dhe këtë e dëshmon fort vepra e tyre.6
Besimi katolik është “feja e parë e shqiptarëve.” Dihet se për popujt tanë të atjembetur, e kaluara/ lashtësia është institucioni më me peshë, ndërsa e tashmja dhe e ardhmja janë katandisur në tentativa për të konceptuar a ngjitur pasqyrën e thyer, atje ku s’u pamë kurrë. Feja e parë e shqiptarëve, katolicizmi, e vjetër pothuaj sa ajo e Romës, ishte e vetmja në këtë vend për gati 1000 vjet. Ndarja e kishës romane nga ajo bizantine, ndarje kufiri i së cilës kalonte përafërsisht në Shqipëri, do të sillte konvertimin e parë të një pjese të katolikëve shqiptarë ortodoksë. 7
Në romanin Kush na mallkoi evidentohet: Unë në qytet shkoj vetëm për të bërë pazarin vetëm për festat e Shën Gjonit, për Krishtlindje dhe për Pashkë.(fq.119)
Kryesema Zot renditet e klasifikuar në këto nënkategori :a) Zoti i gjith’pushtetshëm/Krijuesi i jetës dhe i gjithë bukurive: Jezusi tha: Unë jam ngjallja dhe jeta. Kush beson në mua do të jetojë, edhe nëse vdes. Kushdo që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë. (Gjoni, 11:25-26) Sepse njeriu beson me zemër dhe Perëndia e bën të drejtë, rrëfen me gojë dhe Perëndia e shpëton. (Romakëve, 10:10)
Zoti ta ka falë jetën, prandaj jetoje sa më mirë të mundesh! (fq.116) Leka falenderoi Zotin që ja kishte falë, ashtu siç e kishte Hanën në kraharor mendoi për të: sa shpejt po rritej, (fq.24) Më vonë do Zoti edhe kjo do të na bëjë edhe gjysh e gjyshe, të këtë edhe ajo fëmijët e vet.(fq.25) I dukej se Zoti i kishte dhuruar aftësi të jashtëzakonshme… (fq.122)
… sa me fat do të jetë ai djalë që do ta marri për nuse, – pëshpëriste me vete Prena. Zoti ja kishte dhënë të gjitha: bukurinë, mençurinë dhe të mirat që do dëshironte një vajzë në moshën e saj, flokët si pendi i korbit, dhëmbët e bardhë që kur buzëqeshte i shkëlqenin si margaritarë, e bukur si Zanat e Maleve tona. I kishte rënë një nur Shtojzovalleje.(fq.127)
… tha me vete: “O Zot sa e bukur është! Fytyra e saj shndriste… Ajo kishte një trup të gjatë e të hollë, vërtet ngjante si ato Zanat e Legjendave të Këngëve Epike të Mujit dhe të Halilit. Prena nuk u durua pa i thënë: Bija ime, ti je më e bukura vajzë në Malësi! Paç fat e nafakë! (fq.126) Zoti i kishte dhënë një bukuri mahnitëse., të gjitha shoqet ja kishin zilinë (fq.190) Kujtojmë: Martesa e Halilit, (Vargjet 336-344) Amanet, mori e bukra e dheut, po kjo vashë n’dorë qysh t’ka ra, /qi ne pahin krejt na paska marrë?! /Syni i saj si syni i zanës,/ balli i saj si balli i hanës,/ shtati i saj porsi hala n’bjeshkë, /kurrkund shoqen nën ket diell s’e paska!/ – Zoti u vraftë, mori treqind çika,/ gja e pashoqe s’asht n’ket jetë. 8
Leka kishte bukuri të rrallë, trup të gjatë, me flokë të zinj e sy të kaltër, plot shëndet e hijëshi, që vetëm Zoti ja kishte falur, të gjithë moshatarët ja kishin zilinë…(fq.46) Hanës, Zoti i kishte dhuruar një zë të bukur e melodik, që me ëndje e dëgjonin në gjithë…(fq.225) …është pasuria më e madhe, dhunti nga Zoti, nëse e humb familjen, edhe ti je i humbur. (fq.178) … Zoti e ka lënë në duart e mia, nuk ka njeri tjetër. (fq.190) Të lusim Zotin, të na ndihmojë, e t’i kalojmë këto pengesa të ligjit të pashkruar të Hotit…(fq.204) … Gjoni im është me fat të marrë këtë vajzë për nuse. Zoti, ja paska falur bukurinë, tamam për derën tonë.(fq.212)
b) 1. Risemantizimi i vdekjes, çlirimi, lumturia e nënkuptuar: Nika ishte i demoralizuar, asnjë shpresë në jetën e tij nuk i kishte mbetur, ( …) Toka e fortë e Qielli i lartë,…- mendoi. Krejt çka e pata në jetën time e varrosa, aty ku kisha dashur të jem në këto momente. Unë do të jetoj vetëm këtu për sa kohë që më ka mbetur, pastaj do të shkoj tek Hana dhe askush nuk do të mund të na ndajë. (fq.236)
2. Çrregullimi metaforiko-simbolik: Simbolika e ëndrrës së parë, paralajmërim i vdekjes, nëpërmjet themelit të shembur, gërmadhës: përmbysje metaforike, ankth, dëshpërim:
Përsëri një ëndërr e llahtarshme nuk e la të flinte. Ju duk sikur Leka hyri brenda në shtëpi së bashku me babin e tij, që i kishte vdekur prej shumë vitesh,,, kur Leka akoma nuk i kishte mbushur dy vjet. Të dy u ulkën te oxhaku.Lekës, babi ja këputi kokën dhe ja dha Prenës në dorë.. Nga tmerri ajo doli jashtë dhe pa që shtëpia po lëkundej nga themeli dhe u shemb, u bë gërmadhë. Prena u zgjua nga llahtaria që kishte parë, fshiu lotët… .Ç’janë këto ëndrra të tmerrshme që nuk po më lenë të fle…Ç’është kjo hata? Filloi t’i lutej Zotit ta ruante Lekën atje në kurbet…(fq.197)
3. Vërtetësia e daljes së ëndrrës, zarfi me vdekjen e Lekës brenda.
Hana ja rrëmbeu zarfin nga dora… mbeti e shtangur…lotët i rridhnin lumë…. Dhimbje, pikëllim…Koha ishte ndalur. Ato qanë e vajtuan një javë rresht…Lotët ju shteruan (fq,199) Vdekja e babait të Lekës, (babai yt vdiq e un ë t’u bëra nënë e baba duke e flijuar veten time, fq.29), vdekja e Lekës, mungesa e një trashëgimtari djalë, vdekja, e Hanës, mungesa e trashëgimtarit, mbyllja e derës, mosplotësimi i amanetit.
4. Vdekje-jeta ekzilicistike: Rruga për në kurbet nuk ka afat, nuk të del ashtu siç e mendon, jeta i ka të papriturat dhe të panjohurat e veta, e ardhmja është sekret që nuk dihet, sepse askush nuk e di se çka mban në vete koha.( fq.30)
Dikur gjyshet tona na kanë mallkuar:”Shkofsh në Amerikë! As atëherë e as tani, nuk di se ku gjendet Amerika!”…Po largohesh nga ky vend, udha e mbarë! Për këtë vend ke vdekur…(fq.178) Mërgimi është mjerim-tha Hana…(fq.217) Jo, unë nuk mund ta mbyll derën e shtëpisë, Nuk mund të largohemi të gjithë, ju do të rrini këtu, nuk e lëshojmë vendin tonë pa vdekë! (fq.27) Nuk dua ta mbyll derën, unë e mbaj amanetin e babait tim që ti nënë ma ke thënë sa e sa herë, që e ka lënë në momentin e fundit të jetës. “M’i thoni gruas të ma rrisë djalin dhe mos të ma mbyllë derën, mos ma fikë oxhakun…”(fq.28) Rrugët e botës i lëvdojnë, por me këmbë kurrë mos i shkel. (fq.29) E falenderoj Zotin që e patën Hanën, nuk mbetën pa fëmijë, por “vajza është për derë të huaj,” Tani Lizës ju shua shpresa përgjithmonë… (fq.31)
5. Prishja e ekuilibrave natyrorë, ikja, largimi nga kjo botë e fëmijës përpara ikjes së nënës: E gjora, priti vdekjen e djalit të vetëm, do të ishte më mirë të kishte vdekur përpara tij, nuk ka dhimbje më të madhe sesa vdekja e fëmijës.(fq.207) 5-) Amaneti: Unë i kam ditët e numëruara, jam me një këmbë në tokë, e tjetrën në varr. E ndiej se vdekjen e kam afër, dëshiroj që shpirti të më dalë në duart e tua….(fq.31)
6. Betimi në besën e nderin e shqiptarit: Mos më thoni se nuk do të kthehem pas një viti, unë të betohem në besë të shqiptarit dhe në Zotin që më ka falë nuk del ndryshe për sa jam i gjallë. (…) po sikur të më ndodhë ndonjë gjë e keqe…, mendoi për një moment e një dhimbje e thellë ja theri kraharorin dhe ndjeu një boshllëk në shpirt (fq.32) Ai fliste me krenari për mikpritjen dhe besën, virtyte që na kanë dalluar nga popujt e tjerë. Besa është e shenjtë, nëse dikush të vjen në shtëpi e ha bukën tënde duhet të kujdesesh që të mos i ndodhë gjë e keqe derisa të shkojë në shtëpinë e vet. Shumë janë sakrifikuar për të ruajtur besën e vet. Ai kishte thënë se në Malësi ka ndodhur që krejt familja është sakrifikuar për hir të besës së dhënë. (fq.143) Po ne e kemi nderin më të shtrenjtë se jetën, nderi duhet të mbrohet me çdo kusht, bile edhe me pushkë!(fq.144)
c-) Zoti si bekim, begati, mbrojtës i fateve të individit dhe atdheut: Ata iu thanë: beso në Zotin Jesu dhe e do të shpëtohesh ti dhe ata të shtëpisë tënde. ( Veprat 16:31)
Megjithë vuajtjet e vështirësitë e jetës i kanë qëndruar besnik kësaj toke. Kanë hequr njëmijë të zeza, por përsëri këtu kanë jetuar…Me çdo kusht e ruajtën këtë vend, si sytë, që ajo të trashëgohet djal pas djali. Zoti na ka bekuar në këtë vend… (fq.36) Lekës i dukej se Zoti e kishte bëkuar me vizitën e Prenës dhe të Hanës, sikur të ishte e mundur që edhe ato të shkonin me të në Amerikë. (fq.86) Kështu e kemi kaluar jetën, pa ndihmën e askujt përveç të madhit Zot dhe krahëve tanë. (fq.103)
Njësoj si përqasja biblike: Edhe ju si gurë të gjallë ndërtoni shtëpinë shpirtërore, ku do të shërbeni si priftëri e shenjtë duke kushtuar flijime shpirtërore që i pëlqejnë Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit. (I Pjetrit, 2:5)
d-) 1. Zoti si retorikë, pyetja më e pamundur që nuk gjen kurrë përgjigje: O Zot, pse gjithë ky trishtim?… Asgjë e keqe nuk do të ndodhë për kaq pak kohë…(fq. 39-40) O Zot, a thua se edhe djali i tij Gjoni, do të jetë kështu i mirë si është Marku, …? – pëshpëriste Leka me vete. Hana ime do ta ketë jetën e lumtur. (fq.183) 2. Dialogu me Zotin: O Zot, e ndiej si ogurzezë këtë fejesë…(fq..177)
e-) 1.Risemantizimi i figurës së Zotit si Zot’ i nënkuptuar, Zoti i shtëpisë, mbajtja e derës hapur nga i Zoti i shtëpisë. Njeriu si Zot i plotfuqishëm i jetës së tij, i truallit, i pragut të derës: Zot/Zonjë … të jetoj ashtu siç kanë jetuar të parët e mi, me Orët e Zanat, me Dragonjtë e përrallave e të legjendave, … unë jam Zot shtëpie, i denjë…(fq.32) Lekës i erdhi keq pse nuk kishte qenë bashkëshort i denjë, e Zot shtëpie i mire! (fq.35) Vjen një kohë, si kjo që jam unë, që edhe po të jesh pasaniku më i madh nuk të duhen gjë paratë, kur nuk je e Zonja ose i Zoti që t’i përdorësh . (fq.40) Si do të mund ta përballonte jetën e vetme? … Tash duhet të jetë edhe Zot edhe Zonjë shtëpie.(fq.55) Ti je e zonja, mos lejo që të mbetesh këtu pa asnjë perspektivë (fq.120)
Kujtesa biblike: Nëse rrëfen me gojë se Jezui është Zot dhe nëse beson me zemër se Perëndia e ngjalli atë prej të vdekurve, ti do të shpëtohesh.(Romakëve, 10:9 )
2. Njeriu-Zot/ Zonjë, si shpirti i shkuar në amshim: Kjo nuk është trajektorja e ekzistencializmit absurd, por tëhuajëzimi i shpirtit hyjnor e njerëzor. në trajektoren gjithkohore të ambiguitetit të këtej/andej-anësisë ose përmatanë/kësaj-ane të shkrira në një. Atje kam unë Zotin At! /Atje kam unë Zonjën Mëmë./ Atje kam dhe Tim vëlla./ Të gjithë mbuluar/ Mbuluar nën dhe /Ah, e bukura More!/(fq.83)
3. Njeriu/ Zot i vetes, konfigurim ideologjik modern… foli si nëpër dhëmbë: Lum kjo që i del Zot vetvetes- dhe doli jashtë. Në kasolle ra qetësia…(fq.114)
4. Çmitizimi i figurës së femrës: Zot/burri, skllav /gruaja, bukuria e të cilës hyjnizohet: papritur është skllave, as Zanë, as Orë, e as Shtojzovalle. Burri është Zot i gruas …Gruaja është kosh për të bartur…(fq..176) Eh, moj bijë, sa ka vuajtur e shkreta femër në këtë vend, nuk ka fjalë të përshkruhet!Ka hequr të zitë e ullirit.Ka qenë e shtypur dhe e nënshtruar, burri e ka trajtuar si pronë të vetën. Shumë gra kanë vdekur në lindje me gjithë fëmijët e tyre. Femra është keqtrajtuat ndonjëherë edhe më keq se kafshët!…Ujin e kanë bartur në shpinë me bucelë…burimet ishin larg…Ujin… për pastrimin e fëmijëve, nevojave shtëpiake dhe kafshët që mbanin…(fq.134) Kështu më thoshte xhaxhai… Ishte shumë i egër me familje…Ai e trajtonte keq të shoqen edhe pse e ndihmonte në punët e shtëpisë dhe arës. Gruan duhet ta nënshtrosh, asaj nuk i besohet, ai që është burrë gruaja duhet ta ketë frikë. Ajo duhet të dridhet kur të hyjë burri në shtëpi. (fq.143)
f-) 1.Përcaktuesi i fateve njerëzore si një superfuqi e pandryshueshme: Ne jemi vepër e Perëndisë, të krijuar përmes Krishtit Jezu për të bërë vepra të mira, të cilat Perëndia i parapërgatiti, që ne t’i vëmë në jetë. (Efesianëve, 2:10)
E ardhmja është enigmë që askush nuk ka mundur ta zbërthejë, nuk e di se çka të sjell koha, kot e vrisni mendjen, për atë çka nuk mund të dini, Zoti e ka në dorë jetën tonë. (fq.50) Do Zoti e i del për mirë këtë herë, s’kam çka të bëj, kështu është e shkruar, askush nuk mund ta ndryshojë! (fq.59) I kam dëgjuar të vjetrit të thoshin se “jetimi nuk sheh dritë të bardhë,”, mbase është e vërtetë. Zoti më ka dënuar, sepse kam qenë shujmë i mbrapshtë në jetë.(fq.75) Pse nuk kemi patur fëmijë të tjerë nuk e ka fajin ajo, por i tillë ishte fati im dhe i Lekës. Zoti kështu e paska shkruar, nuk duhet të ankohemi…(fq.127) Të lusim Zotin, të na ndihmojë, e t’i kalojmë këto pengesa të ligjit të pashkruar të Hotit…(fq.204) Martesa dhe vdekja- janë të shkruara nga lart. (fq.224)
2. Duá, drejtuar Zotit, afirmim për shpresat, ëndrrat, dëshirat: Gjeje kënaqësinë te Zoti e ai do t’i plotësojë dëshirat e zemrës sate. (Psalmet, 37:4)
Lizën akoma e mbante shpresa se një ditë do të shihte trashëgimtarin e shtëpisë, që Leka të kishte djalë mos të mbetetj vetëm me Hanën…(fq.31) Thuaj çfarë të duash, mua po, më duket fort mirë, dhe po them zgjate o Zot këtë jetë, …(…) (fq.75) Po ku i dihet, mbase Zoti do t’i falë edhe djalë, Prena është akoma e re, njeriu kurrë nuk duhet ta humbasë shpresën.(fq.86) Jam i lumtur që Zoti ma dhuroi Hanën atëherë kur i kisha humbur të gjitha shpresatt… Kështu e deshi Zoti që të mos kemi më fëmijë të tjerë…(fq.143)
g-) 1.Zoti, shpresa e fundit: Le ta mbajmë të patundur pohimin e shpresës, sepse ai që na premtoi është besnik. (Hebrenjve, 10:23)
Ju e dini, e kam vajzën. Zoti ma fali atëherë kur i kisha humbur të gjitha shpresat se do të kisha ndonjë pasardhës.(fq.92) Biri im mos u shqetëso, Zoti do të të ndihmojë. Ti je i ri…do të gjejmë nusen më të bukur për ty të pastë nëna! Nika…. Lëshoi një ofshamë…(fq.132) Gjeka, i ulur pranë tij, ja fërkoi dorën, ju lut Zotit ta shpëtojë e ta kalojë këtë krizë shëndetësore. (fq.157) Do Zoti dhe bëhem më mirë, që të kthehem sa më parë në gjirin familjar, aty ku e kam vendin, te ju në Hot. (fq.165) Zoti do ta bëjë mirë edhe për ne. Mirë të mendojmë, që të bëhet mirë. (fq.167)
2.Mirënjohja: E falenderoj Zotin që e patën Hanën, nuk mbetën pa fëmijë, por “vajza është për derë të huaj,” Tani Lizës ju shua shpresa përgjithmonë… (fq.31) U mundua t’i largonte ato mendime (…), që të përqendrohej në anët pozitive të jetës, të jetë mirënjohës ndaj Zotit që e kishte shpëtuar…(fq.182) Përqasja biblike::Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur mbi një mal. Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë nën magje, por e vë në mbajtësen e vet, që të ndriçojë të gjithë ata që janë në shtëpi. Kështu duhet të shndrisë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe të përlëvdojnë Atin tuaj që është në qiej» (Mateu, 14-16)
h-) Zoti si ndëshkim, vendosës i të drejtës njerëzore në vend: Asnjë armë e farkëtuar kundër teje nuk do t’ia dalë mbanë. Çdo gjuhë, që ngrihet në gjyq kundër teje, do të ndëshkohet. Kjo është trashëgimia e shërbëtorëve të Zotit, e drejta e tyre vjen prej meje, kumton Zoti. (Isaia, 54:17)
…dukej se një brengë e madhe po e shqetësonte: Mos o Zot, se mos është ngatërruar me ndonjë-mendoi ajo…(fq.25) Tani Lizës ju shua shpresa përgjithmonë… (fq.31) Nuk thotë kot populli:” bënë zi se gjen zi”, edhe nëse nuk më është hakmarrë Prena, Zoti ka marrë hak për të.(fq.79) Ndoshta edhe i kam hyrë në hak asaj dhe Zoti s’më lë rehat. Ajo gjithë jetën e ka shkrirë për mua…(fq.92) Në Malësi s’ka ka bërë vaki që burri e gruaja të ndahen. Ata ndahen vetëm kur njëri nga bashkëshortët vdes…. Mos o Zot… (fq.100) Po, kur të martohem, si do të rrini, vetëm? – Ashtu e e ka lënë Zoti! (fq.113) Unë gabova që ika dhe u largova nga familja ime. Zoti më dënoi. Si u katandisa kështu? Më mire të kisha vdekur! (fq.159) Nuk ja fal vetes, por as Zoti nuk do të më falë pse e shkela fjalën e dhënë.(fq. 164)
i-) 1. Brenda kësaj semiotike ambige ngërthehen fakte dhe fate historike: Atij ju kujtua ligjërata e profesorit se në Tivar ishin vrarë e masakruar më tepër se katër mijë kosovarë më një prill të vitit 1945 , nga dora gjakatare e ushtrisë serbo-malazeze, (…) për shkak të përkatësisë etnike, se ishin shqiptarë.(fq.71) Unë jam arbëresh,- u prezantua plaku. Ata të dy shikuan njëri-tjetrin të habitur. Për herë të parë dëgjuan fjalën arbëresh. Plaku dukej i përmallshëm. Jam nga katundi Firmozë nga Kalabria. Jam skipëtar, edhe u.-…(…) Kur keni ardhur në Kalabri?Ne kemi ardhur para pesëqind viteve. Të parët tanë kanë ikur pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, Tamadhi thoshte se ne kemi ardhur nga Moreja. Nuk e keni dëgjuar Këngën “Moj e bukura More?”- plaku ja mori këngës përmallshëm: Moj e bukura More/ si të lash e nëng të pe!/ Atje kam unë Zotin At!/Atje kam unë Zonjën Mëmë./Atje kam dhe tim vëlla./ të gjithë mbuluar/Mbuluar nën dhe /Ah, e bukura More!/(fq.83) Punëdhënësi ishte një italian i ardhur nga Kalabria, me origjinë arbëreshe. Ai fliste arbërisht dhe tregonte me krenari për gjakun e tij arbëror.”Na jemi arbëreshë, skipëtarë, me origjinë nga Albania. Vajtëm ndë Itali,, prapa pesëqind vitra, tata, tatmadhi. Ata ikën pas vdekjes së Skanderbegut. Rroftë Skanderbegu-tha arbëreshi ”(fq.145)
2. Misioni patriotik në Amerikë për të shpëtuar kombin nga rreziku që i kanosej: Gjeka u betua se do të punonte për të mirën e vendit… që të edukonte në frymën patriotike edhe mërgimtarët që jetonin në New York, Boston, në Detroit dhe kudo që kishte shqiptarë. Për një kohë të shkurtër ata ju bashkuan shoqatës patriotike që vepronte në New York. ( …) Kombit i kanosej rreziku. Ndaj shqiptarëve në Kosovë, në Maqedoni, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi, ushtrohej dhunë dhe terror nga regjimi jugosllav. Shqipëria vuante nga një izolim i paparë…. Ndoshta pozita gjeostrategjike e vendit tonë ishte lakmi e pushtuesve. Jo, kurrë nuk do t’i lejojmë që t’i pushtojnë këto vise. janë amaneti i të parëve tanë, kjo tokë është vadittur me gjak, do ta ruajmë djalë pas djali…(fq.150)
j-) 1. Dashuria si mallkim, risjellja në kujtesë e incestit të nënkuptuar biblik.
Pastaj ndodhi që Absaloni biri i Davidit, kishte një motër shumë të bukur që quhej Tamara, por Amnoni, biri i Davidit, u dashurua me të. Amnoni u dashurua me aq pasion me motrën e tij Tamara sa ra i sëmurë ..( I Samuelit 13:1)
Pse dashuria në Hot është e ndaluar? Këtu nuk guxon të dashurosh asnjë vajzë se të dënojnë me vdekje1 Pse e llogaritin dashurinë si krim?O Zot, pse është kështu vetëm në Hot?(fq.130) Çka bëhet nëse unë marr një vajzë nga Hoti?-Zoti mos e dhëntë, se nuk të lenë gjallë as ty, e as vajzën që do të marrësh!… Ik, mos fol ashtu se dhe në ëndërr ta shohësh është tmerr!(fq.131) Dashuria në këtë vend është e fshehtë. Ajo injorohet dhe nuk përfilllet. Këtu dashuria ndrydhet e mohohet. Fort u deshtëm bashk/ si mishi me asht./ Askush nuk na diti/ Veç Zoti dhe shpirti/ Hana që na ndriti/ kurrë nuk na paditi.( fq.137) Unë dhe Hana ishim viktimat e fundit që shoqëria pa të drejtë na ndaloi përgjithmonë lumturinë tonë. Na ishim të mallkuar… e tillë ishte edhe dashuria jonë! Zakoni, zakoni, zakoni…(fq.233)
2. Në konceptin biblik: Dashuria është e përsosur në ne kur nuk kemi frikë për ditën e gjykimit, sepse në këtë botë ne jetojmë sikurse ai. (I Gjonit, 4:17)
Flakën e shpirtit me puthje po ja shuante Nika. Hana e ndrojtur më në fund u largua dhe shikoi përreth mos i kishte parë njeri…(fq.191) Nënë… dua të tregoj diçka, po kam frikë.- Fol, pse të kesh frikë?- Unë e dua një djalë., … nga Hoti është…- Kush është moj derëzezë?…- Nika!- Ai është “vëllai yt”…Do t’u vrasin moj e mjerë! (fq.194) Çfarë do të thonë nëse dikush do t’ju shohë bashkë? Do t’ju dënojnë me vdekje. O Perëndi, Zoti mos e dhëntë…!(fq.195)… Të lusim Zotin, të na ndihmojë, e t’i kalojmë këto pengesa të ligjit të pashkruar të Hotit…unë jam në gjendje të shkoj në fund të botës me ty!- tha Nika i vendosur.(fq.204)… Dashuria është e ndaluar! Dashuria mund të paguhet shumë shtrenjtë, shpeshherë është dënuar edhe me vdekje. Ligjet e pashkruara në këto anë janë të egra, si vetë shkëmbinjtë e shkrepave që i rrethojnë! (fq.128-129)
Simbolikisht dashuria e vrarë dhe dy protagostët/ viktima, janë shkëndija që do të sjellë fundin e një epoke paragjykimesh (përpara vdekjes së Hanës) dhe lindjen e një epoke të re emancipimi (pas vdekjes sw Hanës). Paralelisht historia njerëzore e ndarë në dy gjysma (para vdekjes së Krishtit dhe pas vdekjes së Krishtit): Ndërsa ishin në Galile, Jezusi u tha atyre: Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve dhe do ta vrasin; por ditën e tretë ai do të ringjallet. Dhe ata u pikëlluan shumë. (Mateu, 17: 22-23)
3. Jeta zakonore, kodet e reja morale: Jam trashëgimtar i denjë! Duhet të ruaj traditën që e kemi pasur me shekuj. (fq.168) Më në fund Leka i vendosur tha” Zoti mos e dhashtë, me i thye zakonet tona.(fq.168) Ishte habitur kur kishte parë se në shtëpi të Gjin Nikës, darka në sofër shtrohej në tre turne. Njëherë hanin burrat, pastaj gratë dhe më në fund fëmijët hanin atë që kishte mbetur. Një pjesë të mishit e kishin tharë për dimër. Pastërmaja ruhej për mysafirët, sepse kur vjen mysafiri duhet të pritet shumë mirë. Me kureshtje e kishte dëgjuar Gjonin që fliste pas darke për traditën shqiptare që është ruajtur brez pas brezi. (fq.142-143) Malësorët kur vjen puna te nderi, janë në gjendje ta mbrojnë edhe me jetë. Një drithmë e ftohtë ja përshkoi trupin dhe rënkoi thellë. Pse më shkon mendja për keq…/ (fq.171) Ne malësorët i kemi disa mangësi, kemi qenë të egër si vetë natyra prej nga vijmë, Të pamëshirshëm për ndjenjat e të rinjve. Tepër besnikë ndaj zakoneve të vendit. Për një fjalë goje ja kemi marrë jetën tjetrit. Ne ishim njerëz të maleve. Kanunin i e kishim ligj që depërtonte në çdo cep të Malësisë. (fq.176) Kemi pasur karakter të fortë, kemi qenë të ashpër, ndryshe nuk do të kishim mundur të mbijetojmë në këtë vend.178) Jam trashëgimtar i denjë! Duhet të ruaj traditën që e kemi pasur me shekuj.(fq.168) Më në fund Leka i vendosur tha” Zoti mos e dhashtë, me i thye Zakonet tona.(fq.168)
4. Dashuria për dije, nderimi për misionin e mësuesit: Gjeka ishte fëmijë, kur mësuesi i tij Kola gjithmonë u fliste me dashuri për historinë kombëtare shqiptare, mundohej t’ua mësonte nxënësve të kaluarën e mundimshme të popullit tonë…(fq.148) Sa punë të madhe kanë bërë ata mësues. Me vite e dekada, në kushte të jashtëzakonshme, pa mjete mësimore, mungonin librat, lapsat dhe fletoret. Udhëtonim me orë të tëra në këmbë, nëpër dëborë e terren të vështirë…Puna e tyre ishte sa fisnike, aq edhe e shenjtë. Mësuesit ishin në shërbim të popullit…Mundoheshin që t’i bindnin prindërit që t’i lejonin vajzat të shkonin në shkollë…(fq.149)
5. Filozofia shkatërruese e vdekjes: Mallkimi/ dëshpërimi i largimit: Udhëtimi në drejtim të panjohur: Kudo në port shihje fytyra të ngrysura. Sirena lajmëronte nisjen. Anija çau dallgët.(…) Pas nëntëmbëdhjetë muajsh qëndrimi në Itali, … erdhi letra se azili ishte aprovuar… Koha kishte ardhur për t’u nisur në Amerikë.(fq.88-89) Kriza më e thellë ekzistenciale ku vazhdon të zhytet qënia njerëzore, sipas Sartrit, “Qenia dhe hiçi”, (Sartri:). Jemi në kërkim të Asgjësë dhe shkojmë drejt Askundit. Pra, sipas tij njeriu është thjesht fragment jete, kohe, moshe, ëndrre, këtej/jetë dhe andej/jetë, Qënie dhe Hiç.9 a.) Vdekja e dyfishtë, në dhe të huaj: Mirë më tha nëna “Po e merr kokën në dorë” (fq.78) Ajo thoshte me vete: .. i dukej se kjo do të ishte hera e fundit që e shihte Lekën. Ky do të humbë, do të vdesë në Amerikë!:( …)kishte mbetur si zogu pa krahë,(fq.159) Burrin dhe gruan e ndan vetëm vdekja. Sa herë kam menduar se kështu do të ishte edhe për ne të dy!(fq.62) Kishte kaluar tre muaj që Leka ishte në koma., i shtrirë në spital, i intubuar në repartin intensiv. Vdekja dhe jeta ishin në dyluftim (fq.153)… Për një çast mendoi: më mirë të vdes, sesa të jetoj në këtë gjëndje.(fq.157)
b.) Ironia e diellit, si lamtumira e fundit: Ishte një ditë me diell, bëntë ftohtë, rrezet e diellit depërtonin në dhomën ku ishte shtrirë Leka..(fq.153) Vdekja është tinëzare dhe e pabesë.Sa i pafuqishëm është njeriu i gjorë, përpara kësaj fuqie e enigmatike (fq.167) Mos o Zot, të jetë Leka?- tha me vete…Trupi ju rrënqeth, një zbrazëti ndjeu në zemër, dhimbja për të ja këputi shpirtin… Ishte përgjakur. Do të vdesë ky i shkretë-asnjë ditë të mire nuk e pa në Amerikë, – mendoi Marku. (…)… po thoshte mjeku: -duhet të përgatisni familjen dhe të afërmitr për vdekjen e tij.(fq.186)
k-) Zoti si nëntekst/ mungesë/vetmi: Dialog i heshtur me vetveten mbi fatin dhe dramën e kombit shqiptar/ mallkimi: Vallë a mos është tragjedi më vete fat i shqiptarëve? Shqipëria është e mbyllur nën perden e hekurt. Kosova e okupuar nga serbo-jugosllavët. Me qindra familje janë dëbuar me zor nga trojet e veta për në Turqi, nga Kosova, pas Luftës së Dytë Botërore. Padrejtësisht Fuqitë e mëdha na shkëputën nga trungu amë. E tërë kjo u bë për të përmbushur oreksin e serbo-malazezëve, që na u bënë re e zezë dhe nuk na lanë të qetë ne tokën e shtëpinë tonë. A ka shtet në botë që kufizohet me vetveten si Shqipëria? (fq.106)
m-) Përmbysja e trajektores së paragjykimeve: 1.Paradoksi: skllavërimi i femrës si grua dhe dhimbja në trajtë pendese për figurën së saj si Nënë: Vallë si jemi ne burrat, mendojmë se jemi të Zotët për gjithçka, mund të pushtojmë botën, por në fund të fundit nuk jemi askushi pa femrën që na ka lindur, pa nënën, pa gruan që lind fëmijën tonë, pa motrën që na gjendet aty pranë kur kemi nevojë.(fq.78) Nënë?- Nënë, nënë! E moj, fol! Nënë, do të vijë babi nga Amerika!… E dashur nënë, e dashur Hana dhe ti Prena ime: … Nënën Lizë, a thua e ka rënduar mosha?(fq.182)
2. Kryekëput përgjatë rrjedhës së rrëfimit gërryen plagën, mohimi i të drejtës së femrës për shkollim: E kishte kapluar dëshira e zjarrtë t’i këpuste prangat e zakoneve prapanike. Të cilat ishin të forta dhe të padukshme. Prangat e Kanunit do të linin pasoja të pashlyeshme në jetën e asaj dhe të shumë vajzave të tjera. Hanës vetja i dukej e vogël, që të mund t’i luftonte këto zakone të vjetra që ishin bërë pengesë për emancipimin e femrës në Malësi. (…) Hana vendosi t’i shkruajë babait të saj. Lekës… (… ) I dashur baba… Dua të bëhem mësuese!… Tani që ti jeton në Amerikë, në një botë të qytetëruar, besoj se e ke kuptuar rëndësinë e shkollimit të bijës tënde! Mbetem me shpresë… (fq.109) … Po pse është keq që femra të shkollohet? Kujt i pengon? Pse meshkujt nuk luftojnë për emancipimin e motrave dhe grave të tyre?(fq.110) Vajzat i kanë fejuar që në djep ose edhe pa lindur akoma… Do të vijë dita që femrat tona do të jenë të barabarta me burrat. Një nënë e emancipuar do të dijë t’i edukojë edhe fëmijët e saj më mirë. Nëna është themeli i familjes…. Gratë punojnë pa ndërprerë si në punët e shtëpisë, ashtu edhe nëpër ara… Deri kur do të vuajnë kështu femrat shqiptare?- Hana pëshpëriste me vete…(fq.111) Ai i kishte thënë shkurt se ti nuk do të shkosh në shkollë! Se shkolla është vetëm për djem!Çka ju duhet shkolla vajzave, ato duhet të qëndrojnë vetëm në shtëpie pastaj të martohen e të bëhen gra, se gruaja është “Kosh për të bartur”,( fq.124) Po për shkollimin e vajzave, nuk e ka lënë Zoti? Qyqja unë…(fq.113)… bija ime Hanë: … Mos shko në shkollë! Të puth me mall/ babai yt Leka, (fq.116) Do të thonë se Nikolla “ka dëgjuar gruan’, ose më keq ‘gruaja sundon’ “kjo është përulja më e madhe për çdo burrë në Malësi. Burri sundon dhe ka pushtet në familje, jo gruaja! (fq.134) Nusja e shtëpisë duhej të zgjohej herët…. Ajo ishte si një shërbëtore e familjes…Nusja duhej të afrohej e fundit për të ngrënë në sofër, ajo e kishte obligim t’u shërbentë të tjerëve. Në mbrëmje nusja duhej të shkonte të flinte e fundit…, në netët e gjata dimërore, kur mbaheshin tubimet argëtuese në fshatrat e Malësisë, nusja duhej të qëndronte në këmbë… Djali im këtu ka zakone të forta. Këto janë bërë normë shoqërore dhe kanë shkaktuar shumë vuajtje…(fq.135-135) Vajzat janë… brengë e madhe, ato duhet të ruhen si sytë e ballit…Të vjetrit kanë thënë “vajzat janë si gastare”,”Mos o Zot , mo më korit!”(fq.141 “Është marre, vajza të këndojë!” (fq.225)
3. Shpresa: Kjo kohë e errët për femrën shqiptare së shpejti do të vdesë! Bija ime mua më ke krahë të fortë dhe do të ndihmoj derisa të marr frymëm e fundit. Me paratë që ka dërguar babi yt e që i kemi kursyer ti do të shkollohesh. (fq.119) Zoti ta priftë të mbarën në shkollë, atje ku do të marrësh dituri, do të hapen shtigje dhe horizonte të reja! Ti e ke bekimin tim, shko!(fq.120) Gojët e liga filluan të flisnin :“Është marre, vajza të këndojë!” Por me kalimin e kohës këto zëra u shuan… (fq.225)
I mbështetur ngushtë në letërsinë gojore, për studiuesit që kanë bërë hulumtime të rëndësishme folklorike, romani Kush na mallkoi, do të binte në vëmendje menjëherë zhvlerësimin dhe zbehjen e rëndësisë së rolit të gruas në familje e shoqëri, rol ky i cili në Ciklin e Kreshnikëve ishte parësor: Anton Nikë Berisha thekson se Këngët Kreshnike Shqiptare përligjin pasurinë shpirtërore të shqiptarit e botës së tij dhe paraqesin një thesar të madh artistik. Në qenësinë e tyre këto këngë përligjin një botë të lashtë legjendare, një botë të tërë mitologjike e kalorësiake, ku funksion të madh kanë qeniet mitike si Orët, Zanat dhe Shtojzovallet. Këto këngë i cilëson organizimi shoqëror matriarkat. Pra, nëna udhëheq në familje.10
4. Autorja bëhet Ambasadore e zërit të shqiptarëve kudo në botë, alter-ego, nëpërmjet, ligjëratës së babait të Markut: Shko ku të duash, po na ndero! Në ballë e mban vulën e vendit tënd! …Kudo që të ndërtosh folenë tënde…, e kur të përballesh më vështirësitë e jetës, kurrë mos harro se je malësor, bëhu shqiptar i mirë!… Kurrë mos harro se je bir i kësaj toke që më pushkë e gjak e kanë mbrojtur të parët tanë.(…) Kudo që të të hedhin dallgët e jetës, mos harro se jetën tënde ja ke borxh vetëm kombit e atdheut. Mësoje të kaluarën, historia është mësuese e jetës që shpeshherë përsëritet. Detyra jote është që t’i vish në ndihmë vendit tënd, pavarësisht se në cilin skaj të botës jeton. Mos ngurro, por nxito të vish këtu, sa herë që ai ka nevojë. Lakmija e armiqve tanë ndaj këtyre trojeve vazhdon edhe edhe në ditët e sotme dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen, shkijet janë të pabesë, kurrë nuk ngopen me gjakun tonë, sikur të mundeshin ata do të na fshinin nga faqja e dheut. (fq,177-178)
Konciziteti i ideve, finesa e dialogut në rrjedhën narrative, ankthi i vdekjes, dëshpërimi për mosgjetjen e lumturisë në dhe të huaj, misioni i fisnikërimit të figurës së shqiptarit nëpërmjet demaskimit të prapambetjes e patriarkalizmit të vjetëruar, çështja e kufijve, drama e largimit, evokimi i shkuarës e dhimbshme, përplasja me të tashmen absurde, Mallkimi dhe ndëshkimi si gjëmë kombëtare, dashuria e ndaluar, skllavërimi i gruas; e gjithë kjo mori plagësh kanë lindur si nevojë katharsuese për kombin. Pastrimi shpirtëror nëpërmjet inkorporimit të lutjeve drejtuar Zotit janë si pika e kthesës në trajektoren e tragjedisë kombëtare e cila ka marrë përmasa globale. Ky çekuilibrim balancash e përplasje konceptesh, rezulton në ndriçimin që përcjell vdekja, kur përligjet artistikisht si gjurma filozofike që sjell rilindje e shpëtim për kombin. Ndërsa ishin në Galile, Jezusi u tha atyre: Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve, dhe do ta vrasin; por ditën e tretë ai do të ringjallet. Dhe ata u pikëlluan shumë.(Mateu, 17: 22-23) Unë dhe Hana ishim viktimat e fundit që shoqëria pa të drejtë na ndaloi përgjithmonë lumturinë tonë. Na ishim të mallkuar… e tillë ishte edhe dashuria jonë! Krejt çka pata në jetën time e varrosa, aty ku kisha dashë të jem në këto momente. Unë do të jetoj vetëm këtu për sa kohë më ka mbetur, pastaj do tëshkoj te Hana dhe askush më nuk do të na ndajë…(fq.233)
Romani Kush na mallkoi, i shkrimtares Age Ivezaj, është një xhevahir demografik që dëshmon autoktonësinë e popullit shqiptar, jetën e vështirë të malësorëve tanë në trojet e veta dhe dhimbjen për gllabërimin e tokave të të parëve tanë nga fqinjët.. Akademiku Rexhep Qosja e ka theksuar disa herë në ligjëratat e tij dhe autorja gjithashtu evidenton se: Shqipëria është i vetmi vend që kufizohemi nga të gjitha anët me shqiptarë. “A ka shtet në botë që kufizohet me vetveten?”(fq.106) Kjo sprovë e ashpër ndihmon në zbërthimin e misionit të shkrimtarit, prej nga vdekja nënkupton çlirim, rilindje, jeta që grish nëpërmjet dramës shpirtërore të individit, për të sjellë dramën kolektive të një populli në shtratin epik narrativ ku rrjedh lumi i dritës. Fiat lux!- (lat. Le të ndriçohet!)
_______________________________________________________
1. Age Gjokaj Ivezaj, Kush na mallkoi, Lena, Prishtinë, 2023, (të gjitha citimet e tjera janë marrë po aty).
2. Friedrich Wilhelm Nietzsche, The G. Science: With a Prelude in Rhymes and an Appendix of Songs, 125. f. 181.Tranls.by Walter Kaufmann (NewYork: Vintage Books, 1974; Dija e hareshme, (1882-1887),
3. Georg Wilhelm Friedrich Hegel, Faith and Knowledge, trans.Walter Cerf and H. S.Harris (Albany: State University of New York Press, 1977), 190.
4. B. Palaj; D. Kurti, Visaret e Kombit II, Shtypshkronja Nikaj, 1937, Kënga Martesa e Halilit, vargjet hyrëse: (1-2)
5. Atë Marin Sirdani, Françeskanët në Shqypni dhe Shqyptarët Katolikë në Lamë t’Atdhetaris, Shpresa, 2002, fq.5
6. Eqerem Çabej, Studime gjuhësore VI, Pjetër Budi dhe Gjuha e tij, fq.315
7. At Foti Cici, Koha Jonë, 14 nëntor 2003, 1 dhjetor 2003
8. Q. Haxhihasani, Folklori Shqiptar II, Epika Legjendare, Cikli i Kreshnikëve,vëllimi I, Tiranë, 1966
9. Sartre, Jean-Paul (2003). Being and Nothingness. Hazel E. Barnes (trans.). London: Routledge. pp. 649–656.
10. Anton Nikë Berisha, Hyrje në Historinë e Letërsisë Gojore Shqipe. Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2017, f. 622.