Dr. Yllka FILIPI New Jersey, U.S.A: Vëllimi poetik “Lotus” i poetes Ermira Mitre plazmon të gjitha tragjeditë e un-it modern

Dr. Yllka FILIPI
New Jersey, U.S.A

Vëllimi poetik “Lotus” i poetes Ermira Mitre plazmon të gjitha tragjeditë e un-it modern, i shkund e i shpërbën ato thellësive të ujërave të detit të vendlindjes, Durrësit, me dallgët dhe shkumën e bardhë.

Ky shpërthim i fortë lirik i gjithë filozofisë jetësore kapërthen krejt strukturën e veprës, e guxon të gjenerojë trajtën dhe poliformën e qenies humane brenda të vetmit rreth ciklik ekzistencial. Vargjet e poetes janë kura metaforike shpirtërore drejt qasjes kah dhimbja e individit modern që synon qendërzimin e fuqisë shkatërruese të dramave të nxehta globale, e më pas thërrmijëzimin e tjetërsimin e fuqisë vepruese ciklike të të gjitha hallkave zinxhir të kësaj strukture komplekse deskriptive e tejet të thellë të qenies. Trëndafili i Shenjtë i Kopshteve Ujore të Nilit, kjo Lule e Vetmuar farat e së cilës ja dalin të mbijnë edhe pas një mijë vjetësh, ridimensionohet e derdh asht e diell në baltën e pellgjeve të zemrës.
Struktura unazore zinxhir e vargjeve të thyera vegjeton rizomën e butë, tejet fleksibile nëntokësore të shpirtit të nënës, gruas, femrës e shenjtërisë së saj nën një kurbë të mbyllur molekulare në dimesionet e të menduarit dhe të të ndjerit si proces e produkt i vetmisë së un-it modern në trajtën e Lot-usit tashmë të risemantizuar. Mijëra unaza sulfonike të atomeve të dhimbjes vdesin e shkatërrohen brenda kësaj vene të imët në formë çadre lulesh(lotus-esh) e lotësh (lot-us-esh) të cilat rrjedhin brenda një kërcelli cilindrik meditativ duke gjeneruar aciklizim në gjeosferën shpirtërore, pra një lloj dalje dinjitoze nga kozmosi i dhimbjes (nëntoka, pellgu, vetmia mijëravjeçare) drejt lirisë e mbijetesës (lulja, sipërfaqja, horizonti) dhe kjo falë energjisë diellore dhe gravitetit që buron nga forca e madhështia e qenies e cila pasi akumulon, përmbys e hirëzon rëndesën e plagëve, ja del të ridimensionojë universin e mbushur me enigma. Simbolikisht hiri i dhimbjes ushqen rrënjët, teksa rrjedh në trajtë shkrirjeje e avullimi për të vepruar si astrigjent e vazodilatator kurativ që finalisht ethet e Tokës së mbarsur me enigma, e Balta biblike që përpëlitet të mund të bien në qetësi, si një qytet në gjumë të paqtë. Ndërsa hulumton nëpër faqet e librit shërohet shpirti, dhimbja vdes e bëhet aciklike teksa e vërteta derdhet ndër sy.
Risemantizimi i lumturisë njerëzore e cila nuk është gjë tjetër veçse gjurma e dalë organikisht nga molekulat e dhimbjes, limfatizon sythat e kuptimit më të vjetër ekzistencial, vetëpërmbushjes shpirtërore, e cila arrihet pa buisjet e absurdit, thjesht e vetëm kur shpirti është në gjendje të lirë, duke u bërë kështu pjesë integrale e bërthamës së universit letrar të vëllimit poetik “Lotus”. Brengat e autores Ermira Mitre, zbërthyer nën dritën e intertekstualizmit poetik janë drama universale e qenies moderne të rrezikuar orë e çast nga ritmi i çrregullt i kohës që vrapon, apo boshësitë e të vetmit segment fryme prej rrugëtari që i dhurohet elementit- kyç të dilemës së përbotshme të un-it me vdekjen, fatin, dhe vetminë. E strukur ndër uturimën e erërave autorja shndërrohet në thelbin e fortë nuciterian që mban farat në prag fundosjeje, (nuciter-in/ frutin nw formw arre tw lot-us-it), apo më tej në stomakun që bluan tragjeditë, teksa pi me Çarl Bukovskin… dhe e përpirë mendimesh, bëhet e padukshme… e lind në zemër të zambakut… Nelumbo Nucifera (lat./lotus)
E gjithë kjo amalgamë dridhjesh shpirtërore nelumbonaceaene vet’shndrit përkundër të gjitha inflamacioneve dramatike të kohërave të trazuara ku jetojmë, duke u bërë kështu perqasja lirike më dinjitoze dhe infiltrimi limfocitar më shprësëdhënës drejt rrjedhës vërshuese të spiralit të pafund të rrethit ciklik ekzistencial, të padiktuar tashmë nga koha dhe hapësira, por thjesht nga kjo energji qarkulluse jetëdhenëse e cila i jep kurajo dhe forcë un-it poetik të guxojë të ngrihet sërish pas rënies, ashtu si Dielli në lindje duke ia besuar këtë gravitancë denjësisht të gjitha pritshmërive të lexuesit universal.

Dr. Yllka FILIPI
New Jersey, U.s.a

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here