DRAMATURGU ODISE PLAKU, RRËFEN SUKSESIN E DRAMËS SË TIJ NË SKENAT GREKE

DRAMATURGU ODISE PLAKU, RRËFEN SUKSESIN E DRAMËS SË TIJ NË SKENAT GREKE

Intervista: Për herë të parë një autor shqiptar luhet në skenën helene

Odise Plaku, dramaturgu i temave të nxehta, që trokasin në jetën e përditshme.

Odise Plaku tashmë e ka krijuar profilin e tij si shkrimtar dhe dramaturg, veprat e të cilit i kanë kaluar prej vitesh kufijve e Shqipërisë. Ajo jo vetëm është përballur me realitetin krijues, por edhe vlerësuar me çmime të shumta në konkurset kombëtare dhe ndërkombëtare. Në gjininë e dramaturgjisë ai është i pranishëm dhe në skenë ndërkombëtare, ku vepra e tij “Amber Alert” ka shënuar një sukses të merituar në skenën greke si bashkëpunimi i parë mes një autori shqiptar dhe artistëve grekë.
Ai është i pranishëm në gazetën “Nacional” përmes një interviste rrugëtuese në krijimtarinë e tij artistike ndër vite.

Për muaj me radhë keni qenë në një vrapim artistik sa jashtë kufijve, por edhe brenda vendit. Do të ketë një stacion ndalese për një pushim artistik?

Ju falënderoj së pari për mundësinë për të qenë mysafiri i “Nacional” një botim kulturor dhe artistik tashmë me taban dhe i mirëpritur nga rrjeti i artistëve, por jo vetëm, si brenda vendit dhe jashtë tij. Si duket arti nuk paska kufij dhe shkon atje ku e dëshirojnë. Është mëse e vërtetë që ky vit filloi dhe vazhdoi për disa muaj me radhë me një ngarkesë emocionale artistike të bukur, dhe pavarësisht lodhjeve, emocioneve, më pasuroi jetën dhe më bën të ndihem i lumtur.

Do ta nisim udhëtimin tonë nga Athina, aty ku më 9 shkurt filloi rrugëtimin vepra juaj “Amber Alert”, e para vepër e një autori shqiptar që pranohet të luhet në skenën helene. Si shkoi ky rrugëtim?

Të them të vërtetën ia njihja emicionet kësja veprës pasi për herë të parë është luajtur në vitin 2006 nga e madhja Hajrie Rondo në titullin “Klithma e një nëne të marrë”. Tematika e saj sjellë ndjeshmëri pasi në qendër ka një nënë e cila prej vitesh kërkon vajzën e saj të trafikuar për qëllime prostitucioni. Temë delikate dhe e nxehtë ende dhe kësaj dite në të gjithë botën. Pra, një plagë globale ndaj dhe patëm në riemërim të veprës me titullin “Amber Alert” duke i dhënë kështu më shumë dimension artistik.
Shkoja në Athinë me një emocion pasi për hir të së vërtetës është toka ku ka lindur dhe lulëzuar arti dramatik dhe në mënyrë të veçantë tragjedia. E veçoj tragjedinë pasi vetë “Amber Alert” është trajtuar si një tragjedi në kohët moderne. Pritshmëria kaloi çdo parashikim. Spektatori, kritika profesionale greke e kanë vlerësuar me nota maksimale këtë vepër në çdo drejtim, të lojës së aktores Georgia Zoi dhe regjisores Giota Koundouraki. Por pas Athinës “Amber Alert” shënoi një tjetër sukses në skenë e teatrit të kryeqytetit tonë, në Tiranë.
Loja e aktores shumëdimensionale Georgia Zoi dhe regjisores Giota Koundouraki, por dhe loja “live” në kitarë e Areti Kokkinou sollën emocione të fuqishme te publiku i pranishëm në sallën e koncerteve të Universitetit të Arteve. Duartrokitje të gjata të merituara, por edhe një reflektim përballë dukurisë që vepra trajton, atë të trafikimit të qenieve njerëzore për qëllime prostitucioni dhe në mënyrë të veçantë të moshave të reja.
Si është të punosh me një ekip të huaj artistësh?
Për mua ka qenë mjaft e lehtë. Që ku kemi nisur idenë e vënies në skenë të “Amber Alert” së basku me aktoren në vitin 2018, dhe më pas në komunikimin me regjisoren Giota Koundouraki, kemi pasur një bashkëpunim si të ishim banorë të një qytetit, të njohur prej vitesh. Asnjë kompleks, asnjë hezitim, por një komunikim profesional dhe miqësor. Kjo frymë mbeti e tillë dhe gjatë qëndrimit të tyre në kryeqytet. Do të doja me shumë kënaqësi të përsëritej një bashkëpunim i tillë dhe në të ardhmen.
Si u ndjetë kur një nga veprat tuaja u vu për herë të parë në skenën greke?

I lumtur! I gëzuar! I vlerësuar! Ishte një ëndërr që u bë realitet falë një bashkëpunimi të përkryer me Georgia Zoi, edhe regjisoren e mrekullueshme dhe tepër profesionale Giota Koundouraki. Ne kemi komunikuar sikur të njiheshim prej vitesh, sikur të ndanim orët dhe ditët së bashku. Çfarë mrekullie ka ndodhur mes nesh! Kemi qenë të bekuar nga Zoti që çdo kohë kemi pasur një mirëkuptim dhe bashkëpunim artistik në shkallën më të lartë. Ideja e trajtimit të veprës në frymën globale, duke qenë se ky fenomen është një plagë e llahtarshme e përbotshme, më krijoi një lehtësim në shpirt, pasi u largova nga barra e rëndë në shpirt që kjo ngjarje kishte ndodhur në Shqipëri. I jam mirënjohës dy mikeve të mia, të dashura dhe të respektuara Zoi dhe Koundouraki, që i dhanë frymë dhe vështrim botëror kësaj vepre. Por jam i bindur që shumë shpejt do të kemi vepra të tjera që do të prekin skenë e huaja, besoj me po të njëjtin sukses.
Zoti Plaku e konsideroni veten si një tjetër “Odise që përpiqet përmes Itakës së tij të krijojë ura bashkëpunimi kulturor midis Shqipërisë dhe Greqisë?
Një pyetje e bukur, me shumë kuptim dhe mesazh të qartë. Kur e shqiptoja emrin tim, isha një fëmijë, që nuk dija cili ishte Odiseja.
Kur vitet shkuan, u rrita, u arsimova e mësova kuptimin e emrit tim, lidhjen e tij me Itakën. Itaka për mua është krijimtaria ime artistike e cila në kuptimin e plotë po arrin të krijojë ura të forta dhe të bukura bashkëpunimi mes dy vendeve tona Shqipërisë dhe Greqisë.
A mund të bëhet kultura dhe shkrimi ura e një bashkëpunimi të ri mes Shqipërisë dhe Greqisë? Dhe nëse po, si mendoni se do të jeni në gjendje ta bëni atë?
Tashmë është e vërtetuar botërisht që kultura është ura më e mirë e komunikimit mes shteteve. Atë që ndonjë herë nuk mund ta bëjnë politikat shtetërore, përpjekjet e diplomacisë, në mënyrë natyrale dhe shumë të bukur mund ta bëjnë veprat e gjinive të ndryshme. Mund ta bëjnë mesazhet që përcillen përmes tyre. Është bukur kur shikon që kultura lejon njerëzit të kuptohen më mirë përmes veprave artistike, të cilat krijojnë një ansambël vlerash të ngjashme me një simfoni të rrallë, që jehon përmbi zhurmat e jetës së zakonshme. Unë tashmë jam bërë pjesë e këtij misioni duke prezantuar një copëz të krijimtarisë sime letrare dhe dramatike në jetën artistike të vendit tuaj. Unë isha i pranishëm në Greqi për “Amber Alert” dhe stafi i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë jo vetëm e ndoqi premierën e veprës, por ambasadorja Luela Hajdaraga organizoi një takim shumë miqësor me të gjithë trupën realizuese të kësaj vepre. Brenda një kohe të shkurtër në emisionin “Ura” në Radiotelevizion Shqiptar, gazetarja Nilda Baxha, që jeton dhe punon në Athinë, solli në ekran në një emision special dy protagonistet Zoi dhe Koundouraki.

“Shtëpia e re” është vepra më e re nga ju që vjen në teatër. Cfarë simbolizon ky titull?

Këtë vepër do ta shikoja në këndvështrime. Së pari ajo është një homazh ndaj të gjithë intelektualëve shqiptarë të cilët janë goditur në mënyrën më barbare nga sistemi i diktaturës komuniste edhe përmes gjyqeve të motuara. Në planin më të ngushtë iu dedikohet gjithë specialistëve të industrisë së naftës që janë përndjekur, persekutuar, kaluar kalvarin e dhimbjes dhe vuajtjeve në burgjet famëkeqe shqiptare, dënuar me vdekje në akuzën e armikut të klasës dhe sabotatorëve të ekonomisë socialiste. Drama “Shtëpia e re” në pikëpamjen filozofike dhe simbolike është shtëpia që të gjithë ne dëshirojmë të ndërtojmë dhe të jetojmë. Çdo njeri në jetën e tij ëndërron dhe pikturon një shtëpi me themele të forta që të përballojë çdo dukuri dhe fenomen si atmosferik, por edhe jetësor. Dihet që jeta e përballë njeriun me të mirat dhe të këqijat, me gëzimet dhe hidhërimet, me të papriturat që dalin shpesh herë jashtë çdo parashikimi të mundshëm. Pra, pikërisht kjo është shtëpia që ne do të sjellim në dramën tonë. Një ndërtesë jo thjesht e bukur nga jashtë, me fasadë të ngjyrosur, dhe që në një kohë të shkurtër mund të jetë e dalë boje. Kjo shtëpi duhet të jetë e mbushur me tingujt e gëzimeve dhe të marrëdhënieve harmonike mes njeri-tjetrit. Të dimë të falim, të hedhim tej mllefet e grumbulluara si ndër vite, por edhe të jetës së përditshme.

Kur e keni shkruar këtë vepër dhe çfarë ju ngacmoi, te shkrimi i kësaj pjese, çfarë ju shtyu?
Vepra “Shtëpia e re” ka lindur pas një bashkëbisedimi televiziv në një nga puntatat e emisionit “Bashkëshortët” që unë e drejtoja në TV Kombi në Fier. Në një nga këto puntata kam pasur të ftuar znj.Ani Veizi, bashkëshorten e karikaturistit dhe inxhinierit të talentuar Enriko Veizi, i cili si shumë intelektualë të tjerë, specialistë të naftës, pati fatin e keq të dënimit me burg nën akuzën e veprimtarisë sabotatore. Rrëfimi i saj ka qenë emocionues, rrëqethës, tronditës. Asaj i është dashur të përballet me një sërë peripecish për të rritur dy fëmijët e saj, për të përballuar opinionin, braktisjet e njerëzve, indiferencën e tyre të detyruar për vetë kohën në të cilën jetohej. Një rrëfim që më trazoi shpirtin. Enriko Veizi veç të qenit si një specialist i zoti në fushën e gjeofizikës, ai njihet nga artistët si një nga yjet e karikaturës shqiptare. Pikërisht i gjithë ky rrëfim u bë shtysë që të nisja dialogët e parë të veprës dramatike “Shtëpia e re” fill pas asaj interviste të realizuar gjatë vitit 2002 dhe ka përfunduar versioni i parë në vitin 2004. Me kalimin e viteve e kam latuar dhe në vitin 2014 zgjidhet nga juria e leximit të veprave në skenën e Teatrit Kombëtar për në Netët e Leximit Skenik të Dramës Shqipe. Nuk di pse pati një këmbëngulje nga teatri, ndaj regjisores që po merrej me përgatitjen e leximit, për ta ndërruar veprën “Shtëpia e re” me një tjetër vepër timen. E zëvendësova me dramën “Kënga e Ngjyrave”. Sot e kuptoj që tematika e kësaj vepre ndoshta nuk ka dashur të ishte telash për teatrin. Madje dy vjet më herët, në 2012, së bashku me regjisorin Milto Kutali ne shkojmë në një tjetër teatër, pasi kishim marrë një premtimi për ta vënë në skenë ketë vepër, dhe çuditërisht atëherë morëm një përgjigje negative. Tashmë jam i bindur që tematika e kësaj vepre, hapja e dosjeve, ka trembur dhe ata që kanë qenë dhe janë pa dosje. Dal në këtë përfundim pasi kjo çështje vazhdon të mbetet një zjarr i ndezur në politikën shqiptare, herë me flakë të përqiellta, e herë me thëngjij të ndezur nën petkun e hirit të çështjes.

Kjo vepër vjen premierë me artistë të njohur të teatrit, por dhe emra të rinj. Ne krijimin e këtij ansambli aktoresh për shfaqjen tuaj, çfarë keni vlerësuar tek këta artistë?

Ashtu si përmbajta e tekstit dhe përzgjedhja e aktorëve për mua si autor i veprës ka pasur kohën e saj të të menduarit, por edhe bashkëbisedimet me regjisorin e veprës Aldi Hysotoçi dhe drejtuesin artistik Milto Kutali. Mund të them që në fillim se nuk jam nisur nga emrat e mëdhenj që mund të të ofrojë tregu i sotëm i skenës, por në kapacitete që aktorët ofrojnë. Kemi qenë të hapur dhe bashkëpunues mes meje dhe regjisorit dhe kemi ardhur në këtë ekip që jam i bindur do të sjellë për publikun një lojë profesionale dhe emocionuese. I kam kujtuar regjisorit që çfarë moshe kanë qenë aktorët e aktoret tona të mëdha në emër sot kur kanë luajtur shumë vepra që mbeten të pashlyera në kujtesën e shikuesit. Të rinj, madje në disa raste dhe tepër të rinj. Pikërisht këta kemi dashur të dy së bashku të ndërtojnë një ekip me vlera dhe të harmonizuara në moshë dhe në eksperienca. Nuk kemi pse të përsëritim të njëjtët emra në veprat tona dhe të mos iu krijojmë mundësinë talenteve të reja që presin të aktivizohen, por kanë dhe të drejtën të jenë zotë të skenës. Ne kemi katër emra të njohur të skenës Gëzim Rudi, Adelian Muça, Donald Shehun, të mirënjohurin Bajram Dosit që rikthehet në skenë edhe pse në moshë, por kemi dhe dy emra me talent dhe me aftësi profesionale skenike të rralla Ina Zoto dhe Erina Llazi. Ky është një ekip aktorësh që do të sjellin surpriza në dramën “Shtëpia e re”.

Si autor, dramaturg, çfarë keni synuar me krijimtarinë tuaj, tematikat apo problemet që keni sjellë përmes saj?
Tashmë në skenën shqiptare, por edhe jashtë kufijve të vendit, Kosovë, janë vënë në skenë mbi 10 vepra të miat. Ajo çfarë i ka bërë tërheqëse këto vepra është tematika e tyre që ngërthen problematikat e jetës së përditshme. Më pëlqen të trajtoj temat e nxehta të ditës të sotme me të cilat na duhet të përballemi shpesh herë në mënyrë jo komode.
Duke marrë detajet e jetës si gëzimet apo edhe shqetësimet kam ditur që të ndërtojë vepra që i kanë rezistuar kohës dhe janë aktuale pavarësisht se mund të kenë kaluar dhe 20 vjet nga shkrimi i tyre si “Klithma e një nëne të marrë” apo “Amber Alert” sot, apo drama Ylli i mëngjesit” me tematikë marrëdhëniet mes brezave, për komedinë rinore “Fëmijë të ndrojtur” me probleme rreth edukimit seksual etj.
Por më pëlqen të futem dhe paksa në lëmin e dramaturgjisë historike dhe jam duke punuar me dy materiale të cilat janë konturuar, veçse duhet të kalojë në procesin e përpunimit të thellë.
Kur dhe si filloi të hyjë shkrimi në jetën tuaj?
Ju më pyesni kur? Unë ju them se më duket sikur kam lindur me laps në dorë. U bënë vite që nuk mund ta kuptojë jetën time pa shkrimin. Fillesat e të shkruarit kanë qenë që në moshë e vogël shkollore, më pas në atë studentore dhe me daljen në jetë. Kanë qenë prindërit e mi, mësuesit e mi që më kanë mbështetur, më kanë orientuar drejt krijimtarisë letrare. Sot ndihem bosh nëse nuk e kryej këtë ritual qoftë dhe me një shprehje të vetme, me pak vargje.

Do ta lëmë skenën dhe udhëtojnë në krijimtarinë letrare. Nga poezia shqipe, ju konsideroheni si një zë i ri i dalluar. Si reflekton e gjithë kjo tek ju, a konsiderohet një përgjegjësi e madhe ndaj kulturës shqiptare?

Poezia për mua është një dashuri e madhe, e vërtetë, që i besoj jetën time, shpirtin tim. Nëse bashkëshortes nuk do t’i rrëfejë të gjitha detajet e jetës sime të përditshme, me poezinë ndodh e kundërta. Asaj i besoj gëzimet, trishtimet, i besoj dhimbjet, lumturinë, i besoj puthjen, përqafimin. Jam i bindur që poezia nuk më tradhton ndaj dhe unë kurrë nuk do të divorcohem nga ajo. Është pikërisht kjo lidhje që ka bërë që poezia ime të jetë e vlerësuar në Shqipëri, por edhe më gjerë. Kam pasur fatin e mirë që poezia ime është përkthyer dhe botuar deri në gjuhën mandarinë, në Tajvan. Zakonisht tema e dashurisë më tërheq, duke krijuar kështu portretin tim në gjininë e lirikës, por janë mesazhet që përcjellë në vargjet e mia ato që e bëjnë këtë poezi të vlerësuar në krijimtarinë shqiptare. Tashmë në krijimtarinë time numërohet një numër i konsiderueshëm titujsh në prozë letërsi për fëmijë dhe të rritur. Një vëmendje i kushtoj letërsisë për fëmijë duke e shndërruar tashmë në një mision më vete për t’i dhënë kënaqësi lexuesve të vegjël shqiptarë që të edukohen me fjalën e bukur shqipe dhe me ndodhitë e jetës sonë.
Së fundi mora lajmin e bukur që Shtëpia Botuese “Ura” në Prishtinë ka botuar romanin tim “Për një gotë verë” një roman bashkëkohor me tematikë nga jeta e përditshme, marrëdhëniet bashkëshortore, të cilat për fat të keq po pësojnë një tronditje të themeleve në ditët e sotme.
Si e përballoni luftën tuaj të vazhdueshme krijuese?
E pohova që në fillim të kësaj interviste që të shkruarit është bërë pjesë e pandashme e jetës sime. Vazhdoj në çdo kohë që përpos punës sime institucionale të futem në botën e krijimtarisë. E ndjek jetën me dinamikën e saj, me të mirat dhe të këqijat, me gëzimet, shqetësimet, trishtimet për t’i futur në oqeanin e madh të krijimtarisë letrare. Vitet shkojnë e vijnë, por si Odise më duket se kam një burim frymëzimi të pashtershëm. Nuk di çfarë do të mund të më ndalë. Ndoshta dhe nga varri do të shkruaj… Ndoshta poezi dashurie…

Cila është arritja juaj më e madhe si shkrimtare deri më sot?
Në jetëshkrimin tim si krijues numërohen mbi njëzetë e pesë vepra të letërsisë për fëmijë dhe të rritur në prozë dhe poezi. Jam autor i gati pesëmbëdhjetë veprave dramatike, monodrama, komedi për fëmijë e të rritur. “Klithma e një nëne të marrë” ose “Amber Alert” është vepra ime e parë në gjininë e dramës. Ajo është luajtur në disa vende të Ballkanit Perëndimor. Pas suksesit në Athinë për disa muaj me radhë ajo shënoi suksesin dhe në Tiranë. Pra, mund të them se “Amber Alert” është arritja ime më e madhe deri më sot.

Çfarë këshille do t’u jepnit shkrimtarëve të rinj që sapo kanë filluar karrierën e tyre?
Duhet të krijojnë një bagazh jetësor me një sy të mprehtë të vëzhgimit të realiteti tonë të përditshëm. Mos të përtojnë që të lexojnë dhe të lexojnë, të mësojnë të shkruajnë bukur gjuhën e shkuar. Të arrijnë të zotërojnë një fjalor artistik dhe ta vënë atë në jetë në veprat e tyre. Dhe të mos harrojmë diçka me vlerë: duhet të dëgjojnë njerëzit me përvojë, të këshillohen. Të pranojnë kritikën dhe sado e rëndë të jetë ajo nga profesionistët asnjëherë mos të dorëzohen, por duhet të punojnë akoma më shumë.
Si njeri dhe gjithashtu si shkrimtar, si reagon ndaj dëgjimit të kritikave dhe si mund të ndikojë në punën tuaj të ardhshme?
Të kritikosh me objektivitet është vlerë. Të kritikosh për smirë është krim. Unë jam aq i dëshiruar për kritikën objektive pasi më ka ndihmuar dhe më ndihmon në rrugën time si krijues. E dua dhe kërkoj kritikën profesionale që nga spektatori i thjeshtë e te profesionistët e mirëfilltë. Të mos dëgjosh dhe mos pranosh kritikën mbetesh në ujëra të vetëkënaqësisë. Kjo është zona e vdekjes për një krijues.

Në mbyllje të intervistës do të donim të dinim diçka të veçantë për Odisenë, jo si krijues.
Kam lindur në qytetin e bukur të Fierit, pranë të cilit ndodhet qyteti antik i Apolonisë, jam rritur po ashtu në një trekëndësh të kulturës së lashtë, që si duket ka ndikuar shumë me magjinë e tyre në formësimin tim.
Tashmë punoj në Kuvendin e Shqipërisë si shef i sektorit të botimeve parlamentare, një pozicion që e dashuroj dhe e bëjë me shumë përkushtim pasi kam lidhje dhe kontakt të përditshëm me shkrimin në nivelin akademik. Kam një familje të bukur e cila është qeliza që më jep energji të përhershme, një mbështetje për të realizuar ëndrrat dhe dëshirat e mia në fushën e krijimtarisë. Së fundi kam ndërruar statusin tim, jam bërë gjysh me një nip të mrekullueshëm. Daorsi i vogël është bërë një burim frymëzimi në jetën time të re. Kur ke dhe një motiv më shumë padyshim jeta merr më shumë kuptim dhe zbukurohet me ngjyrat e pranverës. Ju faleminderit!