Dritat e lumturisë ndizen në darkë. Tregime nga  Alesia Mema, studente Durrës

 

 

Do të martohem me ty

Do të martohem me ty që pret një  telefonatë  timen për të hapur sytë në mëngjes dhe pse mund të kesh minuta që rrotullohesh kot nëpër krevat për të pritur të çohesh. Do të martohem me ty që mesazhin e mirëmëngjesit e sjell me të njëjtën dashuri dhe mënyrë që do të ma thoje dhe nëse do të isha zgjuar pranë teje këtë mëngjes. Do të martohem me ty që preferon të më marësh frymën me një përqafim më shumë se me një puthje. Do të martohem me ty që dashurinë që shpreh me shikimin tënd kur më sheh mua ,po të ishte ëmbëlsirë do të bëhesha me diabet që në kafshatën e parë. Po po do të martohem me ty që më puth në ballë çdo ditë dhe më  quan të voglën tënde. Që pavarësisht sesa vite do të kalojnë unë do të vazhdoj të qëndroj e vogla jote, sepse vetëm të vegjlit mund ti mbrosh me mish e shpirt. Me ty që më ke shoqen e ngushtë, para se të më kesh shoqen e jetës sepse e dashur është një perceptim shumë i ulët për të më  quajtur sipas teje. Do të martohem me ty që mbase nuk je romantiku që unë kërkoj ,por përpiqesh me çdo kusht të tregohesh romantik për të më kënaqur mu. Me ty që mjafton vetëm një buzëqeshje e jotja për të çarmatosur zemrën time, sepse buzëqeshjet e tua janë të sinqerta, bashkë me buzët qeshin sytë e shpirti. Do të martohem me ty që më dëgjon të flas e bërtas pafund kur jam e nerva ose të flas dhe qesh kur jam e gëzuar. Me ty që në ditët kur jam furtunë që sdua asgjë dhe thjesht rri e heshtur të kam pranë ty dhe dashurinë tënde bashkë me përqafimet pafund që më dhuron për të më ngrohur shpirtin. Dhe si përfundim do të martohem me ty që je pjesë e imja tashmë, je gjysma ime e pandarë. Do të martohem me ty sepse smund të bëj ndryshe. Gjurmët e lëna tek unë më kanë bërë atë që duhet të isha, personin perfekt që mund të arrij të jem vetëm me ty.

 

 

Dritat e lumturisë ndizen në darkë

Dritat e lumturisë ndizen në darkë e di? Ndizen atëherë kur je një familje e bashkuar, kur çdo njeri është kthyer nga puna ose shkolla dhe tavolina i ka vendet e zëna. Dritat e lumturisë ndizen pikërisht atëherë kur në vend që të flesh, sakrifikon qoftë dhe disa minuta nga gjumi yt për prezencë, për prezencën e njerëzve që në dritën e diellit s‘mund ti kishe. Ato drita ndizen pikërisht në ato çaste, kur në vend që t‘ia mbathësh nga shtëpia dhe të ikësh kudo tjetër për kënaqësinë tënde, ti përsëri refuzon për të qenë pjesë e kënaqësisë së të tjerëve. Dritat e lumturisë ndizen atëherë kur duket sikur jeta bie në qetësi, në një gjumë të thellë në errësirën e frikshme, por përsëri ato ndriçojnë botën me ngjyrat e tyre. Ti do të më pyesësh pse i quaj dritat e lumturisë? Ato mund të jenë dhe të hidhërimit apo jo? Por ne të dy e dimë shumë mirë që hidhërimi do errësirë, ne lotët i derdhim në errësirë aty ku nuk na sheh dot njeri, ndërsa gëzimin e shprehim me dritë, shkëlqim, madje duke bërtitur me të madhe që ta marin vesh të gjithë. Dritat janë të lumtura sepse në një mënyrë a një tjetër ato falin shpresë, falin shpresën e një drite në errësirë, e një të nesërmeje në të sotmen, e një zgjidhjeje në dëshperim. Dritat e lumturisë ndizen në dark, aty kur shpirti yt bie në qetësinë për të menduar gjithçka dhe për tu dëshpëruar në errësirë, por mjafton vetëm një shikim jashtë dritares që të të fali shpresë. Ato drita simbolizojnë jetën, dashurinë , lumturinë, prandaj dhe ti mund tja dalësh gjithçkaje sepse në mos sot nesër zgjidhja do të vijë. Dhe nëse arsyeja e mërzitjes së sotme sdo të ketë të njëjtën rëndësi pas disa vitesh të jetës tënde, atëhere as sot mos u mërzit për të. Sepse dritat e lumturisë ndizen në errësirë për të shkëlqyer bashkë me çdo shpresë tjetër për të nesërmen.

 

Bardh a zi?

Bardh a zi, në këtë jetë mjerimi ku nuk vendose as të vish.
Bardh a zi, në këtë natë ku ylli i fundit i shpresës u shua para se të lindte.
Bardh a zi, në këtë mes ngjyrash kaq të ndryshme dhe të ndezura.
Bardh a zi apo thjesht bosh, humnerë?
Dritë, jetë, dashuri , forcë apo thjesht shkatërrim? Fund. Mos erdhi vallë pak me herët seç e prisje? Hijet e manktheve të trurit pushtuan zemrën. Qetësi. Dorëheqje. Fund. Jeta do të vazhdojë dhe pas kësaj dite. Ngjyrat e tjera do ti pushtojnë të bardhën dhe të zezën. Bardh a zi? Ëngjëll apo djall? Fund a rikthim? Asgjë, preferoj asgjënë,kur shpirti e nxorri frymën e tij të fundit. Demonët e humnerës më tërhoqen para se të ngrija kokën dhe të shihja rrezet e para të diellit që lindën pas kaq shumë kohësh. Fund. Fundi i një fundi që nuk erdhi kurrë në kohë. Shpresë. Ajo që vdiq që në çastin e parë të të qarës time në atë maternitet. Braktisje. Puthja e munguar e nënës që më lindi dhe kurrë se njoha. Luftë për mbijetesë diku ku as mbijetesën se doja. Shkatërrim, zjarr, urrejtje,dhunë, vetëm bardh e zi apo pak më shumë zi? E zeza e një fati që kurrë se njohu dritën e shpëtimit. E zeza e një fëmije që luftoi për të lindur, por që dështimi ia preu rrugën dhe ëndërrat. E zeza ime dhe jotja që jetojme të burgosur diku dhe nuk e meritojmë. E zeza e njerëzve që nga uria vdesin kur të tjerët me ushqimin tallen. Dashuri. Dashuri e ardhur vonë, tashmë zbazëtia ka pushtuar gjithçka. Kush jam? Unë apo një shpirt i destinuar të luftojë për luftëra të humbura? Vetëm. E zeza pushtoi perëndimin tënd të preferuar, mbase dhe të fundit. Drita në fund të tynelit u shua, errësirë, erë vdekje, fund. Dhe ti vazhdon vrapon drejt një fundi që ska fund. Lufton me bardhësinë tënde kundër të zezës dhe në fund humbet vetveten. Gri. Je ti apo dikush tjetër tashmë? Luftë apo dorëheqje? Lodhje. Bomba e fundit ra në shpirtin tënd ,por rrënojat e tij ishin shkatërruar kohë më parë. Fund. Fjala e parë që njohe para se të hapje  mirë sytë. Në të qarën e parë që dhe në këtë botë more braktisje dhe refuzim, prandaj dhe buzëqeshjen e fundit ia dhe vetëm  atij, fundit të gjithçkaje, shpëtimit.
Bardh a zi në këtë botë ku të bardhën sarrite ta njohësh kurrë. Zi. Vetëm e zeza të shoqëroi në çdo hap të jetës. Zi. Ngjyra e fundit që pe kur mbylle sytë përfundimisht. Fund. Zi. Shpëtim. Dhe një dileme që kurrë sdite ti përgjigjesh…. Bardh a zi?

 

 

 

Katran

Natë. Rrezja e parë e hënës përqafoi errësirën tokësore. Një rreze shprese shumë e vogël për të mposhtur errësirën në të cilën ndodhej. Drita verbëruese ndriçoi gjithçka veç shpirtit tënd. Bloza dhe humnera dukeshin plotë dritë përpara tij. Mallkim. Sa mijra mallkime more vallë nga shpirtrat e lënduar dhe kurrë s’ndalove së lënduari? Të falte kaq shumë kënaqësi shkatërrimi? Kënaqësi. Fjala e vetme që s’njohe kurrë në këtë jetë. Apo duhet të  të them i pangopur? I pangopur o qënie e shkretë, mjeruese që shkatërrove mijëra shpirtëra për të plotësuar tëndin, por që copëzat e thyer të tyre ishin shumë herë më të mëdha se i gjithë shpirti yt. Katran. Ngjyra e vetme që njihje. Ngjyra e syve, flokëve, shpirtit. Katran. Ajo që shihje kudo me sytë e tu të shuar tashmë. Rrezja e hënës nuk mundi kurrë të deportojë në sytë e tu. Dielli eklipsohej sa herë shihej nga ty. Zemrat vdisnin. Ti. Shkatërrimtari i shumë jetëve që nuk të interesuan kurrë. Shiu shkatërrimtar në ditët ku dielli duhej për të bërë çdo gjë perfekte. Ti. Një qënie e mjerë e kësaj bote të madhe. Një psikopat që gëzonte me vuajtje dhe vetëm atë dinte të bënte. Ti. Një njeri që kurrë se mësoi çishte dashuria. Për dashuri vrave o i mjerë mijra zemra, por zemrën tënde kurrë se njohe. Ti. Një mallkim, në këtë botë që kishte nevojë për dashuri dhe mirësi. Ti. Një më  shumë, që shkaktove shumë të tjerë më pak.

 

 

Rizgjim ndjenjash

Ylli i fundit ra atë natë fundviti dhjetori. Ai çau qiellin madhështor para se ora të shkonte 00:00 dhe një vit i ri të vinte, vetëm që ajo të shprehte dëshirën e saj për një vit ndryshe, një vit të mirë pas gjithë atyre që ajo kishte kaluar. Kishte ardhur koha që fati i larguar nga ajo të kthehej përsëri. Dielli të çante errësirën që e kishte pushtuar dhe që në fund të tunelit të lindte një dritë e re përsëri. Ajo kishte humbur shumë gjëra këto vitet e fundit. Ajo kishte humbur vetveten duke u përpjekur për tu bërë dikushi dhe kishte harruar se askush dhe asgjë nuk vlente më shumë sesa ajo vetë. Kishte luftuar për tia arritur qëllimeve të saj, ishte thyer, lënduar, demoralizuar, tallur, por kurrë mposhtur. Ishte lodhur nga gjithçka, por kurrë nuk kishte ulur kokën dhe të hiqte dorë nga gjërat vetem sepse ishin të vështira. Pavarësisht se në fund të çdo tuneli që ajo futej kishte errësirë qërruese, ajo e gjente përherë një dritë sado të vogël dhe të largët në fund të tij për të shtyrë veten të vazhdonte në atë rrugë. Ishte vajzë e guximshme, e fortë, çapkëne dhe mbi të gjitha shumë krenare. Me ate krenari të çmendur kishte ecur kaq shumë përpara dhe ishte bërë kjo që ishte sot. Pas gjithë asaj rruge të kaluar, pas gjithë atyre udhëve të shkelura nga këmbët e saj, ajo prap nuk ishte e plotë. Kishte luftuar me kokfortësi për tu bërë dikushi në jetë, kishte luftuar me gjak dhe shpirt për tia arritur synimeve të saj, por në shpirt ndihej bosh. Dhe atë natë prandaj ndodhej në ballkon duke pritur të binte një yll vetëm për të. Aq kërkonte nga ai fundvit, një yll, një dëshirë të vetme për tu plotësuar dhe asgjë më shumë. Kur ylli u duk duke lënë pas vijën e tij të zgjarrtë në mendjen e saj ishte vetëm një fjalë “dashuri”. Kishte të gjitha të mirat e kësaj bote, por në shpirtin e saj kishte mungesë dashurie. Kishte arritur kaq shumë gjëra në këtë jete, por bota e saj ishte bardhë e zi, nuk egzistonin ngjyrat. Tashme ajo ishte e gatshme të jepte gjithçkaje vetëm për të përjetuar dhe një herë dashurinë, ashtu siç e kishte njohur fëmijë. Një dashuri të pastër, te padjallëzuar, pa interes, një dashuri kur dashuron shpirti dhe jo ndërgjegja, një dashuri ku dhe vdekja do të dukej e ëmbël vetëm prej saj. Iu lut atij ylli me lot në sy që ta mësonte të dashuronte përsëri, që tia bënte dhe një herë botën e saj të bukur, iu lut që ai vit ti mbushte shpirtin, të cilin ajo e kishte lënë pas dore kohë më parë. Në gotën e verës që toku atë fundvit dhe fillim vit iu lut zotit për dashuri dhe asgjë më shumë. Atë natë dëshironte vetëm njerëz, ato njerëz të cilët i kishte lënë pas dore kohët e fundit, por që shpirti i saj i kërkonte çdo sekond. Dhe këtë vit të ri ajo do të përpiqej të ndriçonte tunelet e shpirtit të saj, para atyre të rrugës që po ndiqte. Telefonoi dhe uroi njerëz pa fund atë natë dhe pas çdo telefonate dhe urimi shpirti i saj filloi të zgjohej pak nga pak. Nata filloi të merte ngjyra të tjera, ushqimet e pijet shijonin më shumë dhe buza e saj çuditërisht po buzëqeshte e pavetëdijshme si kurrë ndonjëherë. Mbase ajo dëshirë e shprehur e atij ylli po plotësohej tashmë, ose mbase ajo vetë po bënte diçka që duhej ta kishte bërë kohë më parë. Kur filloi të afrohej përsëri me njerëzit e dashur kuptoi që bota kishte dritë dhe ngjyra dhe jo tunele siç ajo e shihte. Kuptoi që flladi i erës dhe era e shiut qetësonin uraganet e shpirtit, por ajo deri tashmë skishte mundur dot ti vinte re. Ajo mësoi te buzëqeshte, gëzonte, dashuronte çdo gjë të gjallë të kësaj bote dhe pa sesa shumë e ndryshoi kjo gjë.

 

 

Princeshë

Princeshat e ditëve të sotme shpëtojnë vetveten nuk presin më një princ që ti shpëtojë.Ndryshe nga dikur, sot princesha quhen pikërisht ato femra, që janë të forta tia dalin mbanë gjithçkaje të vetme, pa patur nevojën e një mashkulli ,që ta ndihmojë në rrugën që ato kanë zgjedhur për veten e tyre. Gjithmonë princeshat kanë qenë të pakëta në numër, si atëhere kur princesh të bënte gjaku , ashtu dhe sot që të bën sjellja. Në një botë ku të gjithë përpiqen të mbështeten tek të tjerët dhe të shfrytëzojnë këdo vetëm për tja arritur qëllimeve të tyre, është shumë e vështirë për të gjetur dikë që preferon që ti dalë vetë për zot jetës së tij. Princeshat nuk besojnë më në përralla, sepse realiteti I mësoi të rriteshin më herët seç duhej. Gjatë jetës kuptuan që gjërat e fituara kollaj humbisnin po aq kollaj sa dhe fitoheshin dhe që diçka e fituar pa mund e djersë nuk kishte të njëjtën vlerë dhe kënaqësi. Një princeshë e vërtetë është mësuar dhe me humbjet dhe zhgënjimet, është mësuar me mposhtjet, me rëniet në gremina, por ama kurrë nuk është mësuar me të hequrit dorë. Ka luftuar për atë që ka dashur qoftë dhe në  çastet më të vështira në jetë dhe kurrë sështë dorëzuar derisa ia ka arritur çdo qëllimi që I ka vënë vetes. I ka dalë botës kundra e vetme , vetëm që të ishte kjo që është sot. I ka lënë mendjemadhësitë anash dhe ka falur dashuri dhe mirësi të sinqertë në çdo hap që këmba e saj ka shkelur dhe ska kërkuar kurrë asgjë në këmbim. Ajo ka bërë gjithçka ka dashur shpirti I saj për të bërë mirë, sepse një shpirt I madhe mendon gjithmonë si ti bëjë mirë të tjerve dhe jo sesi të përfitojë vetë nga mirësia e të tjerëve. Këto princesha kanë mësuar të buzëqeshin kurdoherë dhe ti buzëqeshijn kujtdo, sepse një buzëqeshje kurrë si ka varfëruar shpirtin. Kanë mësuar që lumturia nuk është aq e thjeshtë sa duket dhe është shumë e vështirë të arrihet, por përsëri kjo nuk I ka ndaluar që ta kërkojnë atë. Ato kurrë nuk janë mposhtur në sytë e të tjerëve, gjithmonë e kanë pasur kokën e ngritur lart, skanë lejuar kurrë që kurora e tyre të binte poshtë dhe janë treguar gjithmonë të fortë në sytë e të gjithëve. Ato janë treguar princesha të vërteta në çdo çast të jetës së tyre dhe në çastet kur kanë kanë pasur nevojë për mbrojtje kanë veshur armaturën e tyre dhe kanë luftuar për vetveten. Sepse në fund të fundit princeshat këtë dinë të bëjnë, të jenë të pavarura dhe të sukseshme si të tilla.

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here