MADRIGAL
muzgu që bie në terr
si gjoksi i një kali të zi në luftë
ah, s’ka asnjë kujtim
sado i ndritshëm të jetë
që të mos shuhet
t’dashurosh gjurmën e një trupi në rërë
më shumë se sa gruan
që ka qen’ shtrirë në të
me gërshetat e zinj t’valëzuar
që shpërhapen si hardhitë
e reja në kopsht
e gishtat delikatë me nuancë
të kuqe zëmbakësh uji
në maj
nuk ka asnjë kujtim t’mos shuhet
sado që të jetë
i flaktë
buzëqeshja e vajzës që shkoi
si presa e ndritshme e një shpate
atje ku e shkuara shkon përgjithmonë
paj, tehu i mprehtë i gulshit të epshit
e kënga e gjinkallave që bie si një shi
i beftë nga qielli i verës
palca e eshtrave tona kthyer në vezullim
venat e gjakut n’fije zjarri të vrulltë
po s’ka asnjë kujtim
sado të jet’ i dhembshëm
që të mos shuhet…
SARABANDË
lër gjithçka të të ndodhë
bukuri, hov, tmerr
lumturia më e madhe në botë
që ësht` ajo e një iluzioni tjetër
Buda në lavdi, forma e ujit
hareja e virgjër e luleve
dehja e bletëve
dashuria e thell` që ësht` të shohësh
te një njeri i përditshëm bukurin` e përjetshme
yllësimi, shkulmi, humnerimi, lulësimi
misteri me themele n`mungesën si prani
tramundana që merr gjethen e vyshkur
të mendjes
ah, ashk, shend, llahtari
gjithçka të të ndodhë, lër
sytë që duken ëmbëlsisht tragjikë
lajthia që këndon n`gjuhën tënde
aromën e vet
lavdia e buzëve, e trëndafilëve të kuq
si flakë që burojnë nga toka në vesk
retë ornamentale, këngët e dëshirimeve
gremina e dridhshme në natën e botës
puthja e ballit të gruas me delikatesën e zefirit
e solemnitetin e Solomonit
marrëzia e hershme e asketizmit
forca e jetës që gjendet te gjuha e shprehjes
lër gjithçka të të ndodhë
bukuri, hymn, tmerr
melankolia e qëndresës së vonë
dinjiteti i qetë i dhembjes
ngrohtësia shtypëse e zjarrit dhe afshit
në vatrën e kasolles së kreshtës
e njeriu që përgjunjet vetëm kur falet
a për të njohur vetveten…
MELODI
jan’ qeniet që thërrasin qeniet
ujërat gjithëherë që thërrasin ujërat
erërat që thërrasin erërat, puthjet
që thërrasin puthjet e tjera
jan’ zjarret që thërrasin zjarret, qiejt
që thërrasin qiejt, lotët në shpirt
që thërrasin lotët e tjerë
blirët jan’ që thërrasin n’lulim blirët, ëndrrat
që thërrasin në frym’ ëndrrat, kometat
që thërrasin kometat e tjera
jan’ buzët që thërrasin buzët, gazelat
në agim gazelat, jaseminët
n’kundërmim jaseminët e tjerë, fjalët
jan’që thërrasin në mall fjalët, qeniet
që thërrasin në drit’ qeniet, yjet
që thërrasin në ndriçim yjet e tjerë…
ARIE
flaka plagoset veç nga një tjetër flakë
si plagoset koha, paj, nga një tjetër kohë
si drita veç nga një tjetër dritë, si loti
veç nga një tjetër lot, ah, si fjala
plagoset veç nga një tjetër fjalë, ëndrra
nga një tjetër ëndërr, si puthja nga një tjetër
puthje, malli nga një tjetër mall
si koha veç nga një tjetër kohë, si flaka
plagoset veç nga një tjetër flakë…
HYMNE PROVIDENCE
çdo emër të përmendësh
në këtë botë të gjallë
përmend flakën, ose buzët
përmend gjinjtë, o zjarrin
ose mallin, ose dritën
ose detin, ose fjalën
duke u ulur, duke u ngritur
përmend dallgën, o duart
përmend qiellin, o krahët
ose lotin, ose seksin
a poemën, a flakën
duke ndalur, duke ecur
ose rimën, ose sytë
ose buzët, ose Zotin
duke ngjitur, duke zbritur
të përmendësh çdo emër
në këtë botë të gjallë
përmend dallgën, o gjinjtë
ose zjarrin, ose mallin
duke rën’, duke u ngritur
duke kënduar, duke qarë
duke ndalur, duke ecur
duke u errur, duke aguar
duke dashur, duke urrejtur
përmend mallin, o duart
ose mallin, a poemën
duke u ngritur, duke u ulur
duke zbritur, duke ngjitur
ose dritën, ose dhembjen…
SELITJE
fuqia e fatit që luan qetësisht si një kontrabas
në cepat e fshehtë e të dhembshëm të jetës
e trishtimi i vjetër si një lëvozhgë gjinkalle
n’erën e fuqishme e mjaltin e shkëlqyer të Kretës
kallinjt’ që lëkunden brinjave, puhiza që luan me jaseminët
një grifshë që gërthet në brendësi të pemëve
flakërimat e lëshuara nga thundrat e pelave të zeza
teksa godasin në shkëmbijt’ e shkretëtirt’ në një nat’ pa yje
më kujtohet kur i puthja nyejt e këmbëve
të rrumbullakt’ të fort’ të nxeht’ si gurët në diellin e mesditës
e syt’ e saj si dy hëna të plota të zeza
në qiellin e afshtë të një nate të bardhë në korrik
ah, bukuria, ah, gratë, ah, shkretëtirat
i lashë vargjet të ushtojnë kudo që shkova
e zgjodha për veten rrugën e vuajtjes e t’rrënimit
si mugullojn’ kështu gjërat: re, zogj, arom’ myshku
e shkuara e dendur e detit, akti i poezisë së mendjes
e fuqia e fatit që luan qetësisht si një kontrabas
në thepat e fshehtë e të dhembshëm të jetës…
VILANELË
çdo gjë ësht’ e thjeshtë
si mësimi i puthjes
vezullimi i zjarrit të brendshëm
drita e zambakut të fushës
vallja shamanike n`ujvarë
struktura sintaksore e realitetit
tingëllimi i kudhrës së farkëtarit
dija jonë e përsosjes
ah, se një me lumin e qenies
lotët e ëmbël të rinisë
lotët e njelmët të të vjetërve
porsi mësimi i puthjes
seç ësht` çdo gjë e lehtë
përplasja e valëve në shtuf
firoma e amësht e bisqeve
ajthi i mallit mes shkulmesh
kurmi i vajzës së vogël
me arom` luleshëngjergji
bota që përbëhet nga fjalë
bletët nëpër arin e kolzës
t`folurit me saktësin` e rreptë
që kërkojn` çastet e fundit
seç çdo gjë, paj, e thjeshtë
si mësimi i puthjes
jeta që na krijon ngaherë
t`rrojturit për mall e kujtime
violina e trupit të gruas
n`tinguj gishtërinjsh afshi
floriri vjeshtor i vidheve…
ETYD
plagët dhembin më shumë në pranverë
kur lulet zhvirgjërojn’ ngjyrat dhe aromat- flladet
zgalemët -rimat e detet -sonetet
ah, se jamme plagët që na mbajnë gjallë
me mallimin e ri,vuajtjen e re
me ashklat e afshta të ashkut të valë
plagët dhembin më ëmbël në pranverë
kur gazelat zhvirgjërojn’ agimet e ndriçimet -fjalët
zgalemët -rimat e detet -sonetet…
INSTALACION
s’mund ta mbajm’ fatin që na shket për duarsh
zbutjen e heshtur të njeriut nën hijen e pishave
dobësin’ për mallet që flasin, gjurmimin me kanoe
me rremat e reflekseve të qetësive
në ujërat e gjelbra përfund pemëve
shtjellat rrotullore të kuptimit
vërshuar në rrjedhën e domethënies
vorbullat e errëta të ngjalave
të egra në kundër-rrymat e deteve
fati na ikën nga duart e s’mund që ta mbajmë
dritën radikale si muzikë në kafkën e lodhur
përmbi kreshtat e përhershme të dritës së mbrëmjes
cakun e cektinës ku zogjt’ hajn’ mbi togun e algave
borën që zgjedh pemën e rrëzuar
të shquaj’ mes gjith’ drurëve, tmerrin e kthjellët
që i bën profetët t’adhuruar
nuk mund ta mbajm’ fatin që na shket prej duarve
festën e dunave,shprehjen e nivelit të detit
të fshehurën, t’ëmblën puqjen e errët të buzëve
njeriun që vdes ose shkruan një poemë
për t’u çliruar prej formës brenda unitetit
librin e pikëlluar magjishëm
hovin e rrëzuar të drerit…
KANGJELJE ARBËRESHE
mos i jep
mos i jep kohë
mos i jep kohë barit
mos i jep kohë barit të rritet
mbi trupin tënd
ah, mbi buzët e tua, syt’ e tu
mbi fytyrën tënde të ndritshme
të afshtë
gjith’ shend
mos i jep kohë barit të rritet
mos i jep kohë barit
mos i jep kohë
mos i jep…
AKUAREL
ka veç një heroizëm,- ta shohësh botën
e ta duash ashtu siç është
brilantet që feksin nga hëna e plotë
aroma delicate e mentes, aroma e ashpër e elbit
një lumë i lumtur që hidhet të përjetësojë
shkëlqimin e vet t’rrëmbyer prej lumi,- te deti
moda e mizorisë dhe tmerrit që ndryshon
bre, sipas kohës e vendit
t’soditurit e një tufe pallojsh tek gufmojnë
me ritme të t’ëmbël valsi
fjalët që s’janë veçse lotët e atyre që deshën
ah, aq shumë të qanin
e që s’mundën
veç një heroizëm ka, – botën ta shohësh
ashtu siç është e ta duash
entusiazmi i fshehur thellë që digjet
me zjarr të qetë drithmëronjës
trëndafilët pa aromë të varreve në çukë
asgjëja eterike e fjetjes me lëndën e squllët t’epshit
paj, jetohet ajo që tashmë ësht’ jetuar,
t’guxuarit për të luajtur me universin
mes lemerisë së pafundësisë e frikës
së bindjes ndaj fesë
ka veç një heroizëm, – ta shohësh botën
e ta dush shut siç është
ekstaza e kuptimit t’misterit poezisë, agsholit
bisha e egër e urrejtjes me guximin pa ndërgjegje
ermimi I zgjimit fëmijëror t’faqeve, t’syve vesëllitës
të zbutur nga gjumi e dëshira për t’i puthur
në mëngjeset e ftohtë të dimrit…
VALS
fuqia e ëndrrës që rrëmben gjith’ trajtën e një burri n’vesk
sa që të duash tokën, siç do një fëmijë i vogël
rrahjet e zemrës së nënës
e aroma e fortë e re e manjolieve të Mursisë
gjethet në vjeshtë më të kuqe se lulet e pranverës
qielli ngjyr’ blu loti që ruan brishtësinë e dimrit
ashtu si t’magjepsurit e të vegjëlve dhe pleqve
pa e ditur nëse nga dhembja e kthyer në gëzim
apo nga gëzimi i kthyer në dhembje
ah, vetmia e vet e detit, e hapësirës, e vdekjes
mizoria e vogël që ka çdo shenjt për t’fituar aurën
e vet t’artë
si një vetëtimë e thekshme që fut n’terr peisazhin përreth
e bukuria e vërtetë e trëndafilit n’çastin e agimit
malli n’pragmaji për të shkuar në fshatin e thellë
për të parë murrizët, mollët n’lulëzim dhe stuhitë
ashtu sit ë qarët e të vegjëlve dhe pleqve
pa e ditur nëse nga dhembja e kthyer në gëzim
apo nga gëzimi i kthyer në dhembje…
MOTIV ÇAM
e në të putha
se çë të bëra
veçse zemrën time
seç dogja
se dritë, se lot
ç’të pikon gjithë mall
pikë -pikë në hov
se në të putha
e çë të bëra
veç zemrën time
ah, që dogja…