Eliot Engel e Bob Menendez të shqetësuar, i shkruajnë Pompeos: Jo më goditje të rënda ndaj Kosovës!

 

Kongresisti Eliot Engel, kryesues i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, dhe senatori Bob Menendez, anëtar i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, dje i kanë bërë thirrje administratës së Trumpit të vazhdojnë mbështetjen diplomatike për të zgjidhur konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë në mënyrë të drejtë për të dyja vendet dhe në pajtim me ligjin amerikan dhe politikën e vjetër, por, me anë të një letre drejtuar dërguar Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeos, ligjvënësit kanë vërejtuar se “SHBA-ja ka ndërmarrë një qasje të ashpër ndaj qeverisë së zgjedhur të Kosovës.

Derisa ne pajtohemi se tarifat e Kosovës ndaj mallrave serbe – të cilat tashmë janë hequr – kryesisht e dëmtojnë Kosovën dhe qytetarët e saj, ky mjet është përdorur nga qeveritë e botës, e shpesh edhe nga administrata e Trumpit. Kosova është aleat i afërt i SHBA-së, dhe ne kërkojmë me ngulm nga ju që të ndërmerrni një qasje të durueshme dhe konstruktive me qeverinë e saj të zgjedhur në mënyrë demokratike”, kanë shkruar Engel dhe Menendez.

LEXO EDHE:

Basha: Ja për çfarë iu luta Ramës në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare

 

Teksti i plotë i letrës:

I nderuari Mike Pompeo

Sekretar i Departamentit Amerikan të Shtetit

2201 C St. NW

Washington, DC 20520

I dashur Sekretar:

Po ju shkruajmë për të shfaqur brengën tonë për rolin e Shteteve të Bashkuara në procesin negociator mes Kosovës dhe Serbisë.

Jemi të inkurajuar që Administrata ka dedikuar burime diplomatike për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës.

1 / 1

Shtetet e Bashkuara kanë luajtur historikisht një rol konstruktiv në rajon, që nga dhënia fund luftës në Bosnjë dhe kujdesi ndaj Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoninë e Veriut, deri në njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës dhe mbështetjen e reformës demokratike në Serbi. Shtetet e Bashkuara janë të vendosura në mënyrë unike për të vazhduar këtë rol, dhe ne mbështesim një prani diplomatike shumë aktive të SHBA-së në të gjithë rajonin.

Forca dhe qëndrueshmëria e përpjekjeve diplomatike amerikane do të jenë të suksesshme vetëm nëse bëhen në koordinim të ngushtë me aleatët tanë në Evropë. Serbia dhe Kosova janë vende evropiane me aspirata përfundimtare për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, dhe Kosova kërkon në të ardhmen anëtarësimin në NATO. Çdo përpjekje për të negociuar një zgjidhje midis Beogradit dhe Prishtinës duhet të bëhet në marrëveshje me Brukselin dhe kryeqytetet tjera kryesore në të gjithë kontinentin

Sidoqoftë, ne kemi qenë shumë të shqetësuar që SHBA-ja ka ndërmarrë një qasje të ashpër ndaj qeverisë së zgjedhur në Kosovë. Ndërsa jemi dakord që tarifat e Kosovës për mallrat serbe – të cilat tani janë hequr – dëmtojnë kryesisht Kosovën dhe qytetarët e saj, ky mjet është përdorur nga qeveritë në të gjithë botën, duke përfshirë shpesh administratën Trump. Kosova është një aleat i afërt i Shteteve të Bashkuara dhe ne ju bëjmë thirrje që të adoptoni një qasje të durueshme dhe konstruktive me qeverinë e saj të zgjedhur në mënyrë demokratike. Ne jemi më tej të shqetësuar që Administrata Trump bëri penalizime financiare ndaj një qeverie të Kosovës e cila kishte marrë detyrën vetëm javë më parë. Sigurisht, ne nuk kemi asnjë pozicion se kë e zgjedh populli i Kosovës për udhëheqës, por ju bëjmë thirrje që t’u jepni zyrtarëve të rinj mundësinë për të plotësuar ministritë kryesore dhe t’i shpallin pozicionet kryesore të politikës para se të mbështeteni në një qeveri të re.

Për më tepër, presioni i administratës Trump mbi Kosovën vjen brenda një konteksti të përpjekjeve të Serbisë për të delegjitimuar Kosovën dhe duke nxitur vendet të çnjohin vendin. Më 23 janar, Ric Grenell, Ambasadori amerikan në Gjermani dhe Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare i cili po shërben gjithashtu si i Dërguari Special i Presidencës për negociatat e paqes Serbi-Kosovë, i kërkoi Serbisë që të përfundojë fushatën e saj të çnjohjeve e në të njëjtën kohë ai i kërkoi Kosovës t’i hiqte tarifat. Sidoqoftë, që prej asaj dite, presioni publik i SHBA-së mbi Serbinë duket se ka rënë në mes të presionit të intensifikuar mbi Kosovën.

Mungesa e ekuilibrit të administratës Trump midis Beogradit dhe Prishtinës po ndodh në kontekstin kur Serbia po i zgjeron lidhjet me Moskën dhe po i rrit importet e armatimeve ruse. Këto blerje të armëve kërkojnë që Administrata të vendosë sanksione ndaj Serbisë në bazë të Ligjit Kundër Kundërshtarëve të Amerikës Përmes Sanksioneve (CAATSA) të miratuar nga Kongresi, pas ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016. Në përgjigjen tuaj, ju lutemi na informoni pse Administrata as nuk i ka shqiptuar ato sanksione dhe as nuk i ka bërë presion aktiv Serbisë për t’i dhënë fund përpjekjeve të saj globale për çnjohje.

Për më tepër, Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) duhet të rifillojë menjëherë zbatimin e Programit të Pragut dhe t’i japë fund pezullimit të saj për zhvillimin e projektit të propozuar me Kosovën. Modeli MCC bazohet në tregues objektivë, të drejtuar nga të dhënat dhe një projekt të dakorduar reciprokisht midis SHBA-së dhe vendit pranues.

Asgjë në kushtet e propozuara të kontratës të MCC-së, dhe as ndonjë shenjë në kartën e rezultateve të MCC-së për Kosovën, nuk specifikojnë ose kualifikojnë ndonjë ndalesë ose shqetësim në lidhje me përdorimin e tarifave të qeverisë së Kosovës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve bilaterale. Për këtë arsye, vendosja e tarifave të Kosovës ndaj Serbisë, pavarësisht nga sjellja politike e SHBA-së mbi këtë vendim, nuk është shkelje e programeve të propozuara të MCC-së.

Pezullimi i kësaj ndihme si masë ndëshkimi për veprimet që nuk lidhen me MCC-në ose misionin e saj, e shndërron agjencinë në thjesht një tjetër mjet presioni transaksional – pikërisht atë që do duhej të ishte. Në përgjigjen tuaj, ju lutemi detajoni qëndrimin e Administratës për rolin e duhur për MCC-në, dhe programet e saj, që luan në ushtrimin e presionit politik në një mosmarrëveshje diplomatike.

A beson Administrata që bazat për të pezulluar programet e MCC-së në Kosovë janë në përputhje me misionin apolitik të MCC-së (historikisht)?

Ne jemi të inkurajuar që Departamenti i Shtetit ka qenë në gjendje të negociojë masa për ndërtimin e besimit, përfshirë marrëveshjen e fundit të transitit ajror ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ne e vlerësojmë këtë përparim, por kërkojmë që në ditët në vazhdim Administrata të shmangë taktikat e goditjeve të rënda, të pabalancuara, teksa punon me Kosovën dhe Serbinë për të arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse të paqes që pasqyron vullnetin e njerëzve të të dy vendeve.

Presim me padurim përgjigjen tuaj.

Sinqerisht,

ELIOT L. ENGEL

Kryesues i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve

ROBERT MENENDEZ

anëtar i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here