EJANI TË QAJMË POEZINË. Cikël  nga Pajtim Xhelo

 

1  .FUSTANET I RUAJTËN PËR NUSËRI

 

 

( Kushtuar shoqeve të viteve studentore , agronomeve heroina që u përkushtuan me ndërgjegje në punën e tyre të vështirë, duke hpërfillur rininë, duke harruar që ishin femra, atyre që i harruan

fustanet dhe veshën pantallonat, atyre që lageshin e thaheshin nëpë kodra e fusha, atyre që u endën fshatrave si cigane dhe nuk dëgjuan kurrë një fjalë të mirë për një jetë të pajetuar.)

 

 

 

Drit’ argjendore agimi mbi det,

Balsam për shpirtrat tanë ishe ti,

Askush nga ne s’të pati fat, medet!

Agronome flokartë, shtatselvi.

 

Belholl’ e brishtë dhe cazë nazike,

Siç të pat lindur nëna. pa stoli,

Sa u mërzitën djemtë kur ike,

Në një fshat të humbur, në malësi.

 

Pas vitesh në Tiranë të takova,

Me pantallona dhe xhaketë gri,

Të thjeshtat agronome, shoqet tona,

Fustanet veshën veç për nusëri.

 

Flokët si ar, derdhur supesh kujtova,

Të shkurtër, djalërisht ishin tani,

Studenten nazike kot e kërkova,

Yll mbrëmësor, sa larg dukeshe ti.

 

As në sytë nuk kish më ëmbëlsi,

Veç trishtimi nuk dukej asgjëkund,

I huaj rrinte një shkëlqim i ri,

Shpirti yt një mjegullnajë fa fund,

 

Ylbere mirësie shoqet tona,

Vajza plot hire, nur dhe lezet,

Të ëmbla dhe kur veshën pantallona,

Dërguan edhe ëndrrat në kurbet.

 

U bënë endacake shoqet tona,

Fush’ e kodër, si ciganet, medet!

I thanë vajzërisë : ” Ti harrona! ”

Shiu na përbalt, dielli na vret.

 

Me thinja, po jo plakur shoqet tona,

Kish mbetur për to akoma rini,

Agronomet që mbajtën pantallona,

Fustanet veshën veç për nusëri!

 

Pajtim Xhelo, 24 gusht 2021

 

 

 

 

 

2 .TI ENDESH NË PRAGJE, TE ÇDO SHTËPI

 

 

Si erë marroke largohesh ti,

Si nuk na trokite në asnjë derë,

O jetë e veshur me pabesi,

Ndalo sikur një çast në një shtroerë.

 

Ditë të qeta pështjell me stuhi,

Dhe shtyhesh rrugës tënde pa u ndjerë,

Ti endesh në pragje, te çdo shtëpi,

Edhe muzgjet na i rrëmben shpesh herë.

 

Të shoh të pështjellë me shall kashmiri,

Tjetër herë e rreckosur vrapon,

Zjarreve të shuar ku mbeti hiri,

Këmbëzbathur moj jetë, ku nxiton.

 

Pa mbaje vrullin një çast dhe dëgjo,

Sa njerëz pa fat rrotull teje ke,

Kthe kokën prapa dhe botën shiko,

Ti shurdhmemece moj jetë nuk je.

 

Kështu do mbetesh në përjetësi,

E shpërfillur nga malli dhe nga zjarri?

Shih si pret të të prekë çdo njeri,

Mos e ler të zhgënjyer gjer te varri.

 

O jetë tekanjoze, gënjeshtare,

Shëmbëlltyrë e verbër në shkreti,

Rend dhe trokit në çdo prag moj bredhare,

Mos harro që shpresa jonë je ti.

 

 

 

3  . EJANI TË QAJMË POEZINË

 

( Elegji për ” poetucët” vrasës të poezisë)

 

Po ngjiten flakë zemërimi,

Në qiell po dynden mbi re,

Mbytur, si elegji vajtimi,

Një zëshpirt po bërtet atje.

 

Kjo hije nate kujt i turret?

Ky zë i thekshëm nga po del?

Rrotull vështroj. Jo, s’flasin muret,

As syrin ylli se ka çel.

 

Në gjumë ndjej dyzimin tim,

Ëndrrës rrëshqet ai dembel,

Ja ku takon me përmallim,

Një shpirt që vjen nga një tunel.

 

” Ali Asllani jam – i thotë,

-Isha dikur dhe u si ti,,

Dyzimi im qe nëpër Botë,

Veç Bota s’ish si kjo tani.

 

Pse lodhesh ti, kot rri pa gjumë,

Zoti të bëri veç poet,

Që shpirti yt të rrjedh si lumë,

Dhe mendja e hapur , si det.

 

E di, si unë je dhe ti,

Nën zë e thua : ” Jam poet”,

Je yll plot dritë, yll i ri,

Veç terri rrotull po të vret.

 

Në kohën tjetër s’kish moçal,

Plot zvarranikë si tani,

Sytë lanim ujit kristal,

Besë kish dhe burrëri.

 

Të lindi Zoti ty poet,

Botës t’i japësh mirësi,

E di , je ëngjëll, po Medet!

Ti hesht, djajtë marrin Lavdi.

 

Të ndjek nga larg, më zë trishtimi,

Si dreqin po bëhet kjo jetë!

Të solla elegji vajtimi,

Për moçalet plot me ” poetë”.

 

Petro Markon e lash atje,

Fatos Arapin po ashtu,

Me ëngjëjt jemi ne të tre,

Veç syri na loton për ju “.

 

Mesnate erdh dyzimi im,

Trishtuar tha : ” Pse shkruan kot?

U bë poezia shëmtim,

I ardhtë keq të Madhit Zot!

 

Bërtita : ” Ngrihuni nga varri,

Fatos, Petro dhe ti Ali,

Se poezinë e dogj zjarri,

Poeti endet në shkreti!

 

Edhe shkretia s’ka jehonë,

Zë i vetëm shuhet, humbet,

Si vajz’ e virgjër do të thonë :

” Paç fatin e kurvës poet! ”

 

Pajtim Xhelo, 22 gusht 2021

 

 

4 . MIKU IM, TË KESH BESIM

 

 

Ti shpirtit nuk i vure çmim,

Dhe nuk u shite asnjëherë,

Sa shpesh në prita miku im,

Dhelprat dilnin për të të blerë.

 

Turret shkëmbit dhe nëpër shpat,

Veç lisin s’e përkul stuhia,

Tej hepohet në monopat,

E mposht marrinë mënçuria.

 

Tmerronte terri oh, sa gjatë,

Shkisnin ortekët në pjerrinë,

Djajtë përgjonin nëpër natë,

S’e zbeh e keqja trimërinë.

 

Shpirtin e nisje në Liri,

Kur në moçal ishin të tjerë,

Le të mërzitej në vetmi,

Veç jo i përbaltur, i mjerë.

 

Puthur me shpresën çdo agim,

Mëngjesi retohej përherë,

Qëndrove krenar miku im,

Kur kryet përulën të tjerë.

 

S’i vure shpirtit asnjë çmim,

Se shpirti nuk çmohet me vlerë,

Kur humbet veten , miku im,

Ke vdekur çdo ditë, qindra herë.

 

Aty, në klub ku pi kafe,

Shoh shpesh ca bashkëmoshatarë,

Spiunë dikur, sot , si ne,

Të qetë ndihen dhe krenarë.

 

Si merr zjarr shpirti yt, e di,

Akoma e nis vetmitar?

Mbrëmjes zë mik një yll të ri,

Për të nuk u bëre tregtar.

 

Duan spiunët shpirtravrarë,

Krahë për t’i ngjitur në qiell,

Krahë jep veç rini e parë,

Të vonët shkrumbohen nën diell.

 

Mos rri trishtuar miku im,

Dhe pse sheh spiunë, kusarë,

Në një ag të ri ki besim,

S’do jetë bota si më parë,

 

20 gusht 2021

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here