Eli kanina : ME NJERËZ PA NJERËZILLËK, POEZI

NJERIU MË PËRTEJ

E ç’mund të jetë tjetër njeriu?
Në mos thjeshtë një qenie…
Një miks i ngrohtë ndjesish!
Mirësish
Mundësish
Mendësish
Marrëzish
Mëkimesh
Mësimesh
Mallkimesh
Mbarimesh
Mëkatesh që e lindin dhe e mundin
Mes rënkimesh e ofshamash
Me fund, deri në fund, për fundin!

E ç’mund të jetë tjetër njeriu?
Në mos thjesht një qenie…
Një miks i njelmët jete!
Gjaku
Limfe
Qumshti
Pështyme
Djerse
Sperme
Lotësh çurgë
Në lojën ngriva-shkriva, stres, kujdes
Një rrjedhë lakadredhash që pikon pa limite
Derisa të ngurtësohet
Ditë pas dite!

E ç’mund të jetë tjetër njeriu?
Në mos thjesht një qenie…
Një miks qeniesh në përsosje!
Më shumë se qen, mace e mi
Më shumë se krimb, gjarpër e kërmill
Më shumë se ujk e dhelpër
Më shumë se mjelma e lejlekë
Më shumë se gomar e derr
Më shumë se peshk e ngjalë
Më shumë se korbi nëpër terr
Vlerëvluar, vetlëvduar, votbesuar
Përgjegjës pa përgjegjësi
I patëdytë mbi dhé
Njeriu nga parajsa në ferr
Më pak se njeriu-njeri
Gjithandej…
Kurdoherë…

PËRPJESTIM I ZHDREJTË

Fëmijë
Ndjehemi të rritur
Përbetohemi çiltër
Gjithë bujë, me shpirt
Se duam pa kufi, sa qielli sa toka
Dhe s’ka forcë të na mbajë
Të na ndajë…
Duke u rritur
Bota, rritet e rritet në sytë tanë
Rriten distancat, sidomos në mendje
Dashuria mes nesh zvogëlohet
Sa një kokërr arrë
Eh, ç’barrë!
Të rritur, të marrë!
Si plloça ndanë vatrës
Kur s’ka zjarr
Të vakët bëhemi me njëri tjetrin
Të ftohtë deri në ngjethje
Jetojmë për inerci, për kureshtje
Mbahemi me të madh, ndjehemi të vegjël
Vetëm, edhe pse mes njerëzve…
Distancohemi në heshtje
Humbasim në kohë
Shpërndahemi nëpër botë
Dashurojmë më kot
Jetojmë, pa kokë
As në qiell, as në tokë …

NJERIU I SË DJESHMES

I keni vënë re sytë e një bashkëbiseduesi
Kur veten zgjedhon tek e djeshmja
Unë kam qenë…
Unë kam bërë…
Unë kam patur dikur…
Sa dhimbje bartin e përcjellin në boshësi
Sa zishëm zëri zvarritet për tu ndier se akoma është
Pa e gjetur veten në të sotmen
Si një udhëtar që trenin s’mundi ta arrinte
Andej nga erdhi çapitet kokëvarur
E ndërsa fjalët vazhdojnë
Si sahat i pakurdisur, pa tik-tak
Veç dje-dje, dje-dje, dje-dje
Të vjen ndërmend Pashko Vasa
Në sosjen e durimit ta tundësh për supesh:
Po sot, pa më thuaj si je?
Dhe për të shpëtuar veten
Nga “lisi i rrëxuem përdhe”
Sa pa të çuar edhe ty tek e djeshmja
Ia mbath larg nga ky i shkretë
Nga fjalët, zëri, sytë që duken sikur e ndihin
Të marrë pjesë në varrimin e vet…

RELAKS

Ibriku i dashurisë vlon në trupat tanë
Një kafe e shpejtë në gdhirje
Për të zgjuar jetën që brenda nesh fle ende
Një çaj çlodhës mbasdite
Për të shkundur gjymtyrët tensionuar nga dita
Nevojtarë dhe, të varur prej saj kemi mbetur
Në mbrëmje, pas darke e gjithë natën
Hapim poret mbi avujt e tij
Ne, astmatikët e dashurisë
Një ëndërr pa cak, që e cekim
Njësoj dëshirueshëm
Mbasi nata bie
Dhe dita të nisë…

ME NJERËZ PA NJERËZILLËK

Si u bënë kështu njerëzit, si u bënë
Hë pra, si u bënë
Si supë bajate e shohin e shijojnë jetën
Strukur brenda vetes shtyjnë ditët
Izoluar nga familjarë e miq
Pa dashje apo nga halli
Bëhen me njëri tjetrin të ligj…

Si u bënë kështu njerëzit, si u bënë
Hë pra, si u bënë
Ndoshta s’u dalin llogaritë, ngelen në baltë
Se paraja sot është kod, pin dhe puk
Me të, hap çdo derë, je në majë gjithandej
Pa të, zvarranik e dallkauk.

Si u bënë kështu njerëzit, si u bënë
Hë pra, si u bënë
Ndoshta llogaritë i bëjnë keq a s’dinë ti bëjnë
Këtu shto, shumëzo, e mbaj ndërmend
Po atje pjesto, kujtohu e diçka hiq
Lakmia a padituria i ngatërron
Shndërrohen në meskinë e piskuriqë.

Si u bënë kështu njerëzit, si u bënë
Hë pra, si u bënë
Ndoshta që të jesh duhet të dish
Të kesh se ç’të përcjellësh a ç’të marrësh
Me diplomë , post, makina,tituj e akademi
Mund të jesh profesionist e pushtetar
Por vështirë të jesh e të mbetesh njeri.

Si u bënë kështu njerëzit, si u bënë
Hë pra, si u bënë
Më kafshë se kafshët që kemi përreth
Të gatshëm të lehin, të çirren, të shqyhen
Vështirë me njëri tjetrin të merren vesh
Për fenë, politikën, paranë dhe gjithçka tërbohen
Lindin njerëz, me njerëzillëk pak mund të gjesh.

Si u bënë kështu njerëzit, si u bënë
Hë pra, si u bënë
Ftohur ndjesitë, për gjë s’duan t’ia dinë
Pa folur mirë, si aparatë difektozë u bien bateritë
Nuk kanë derman as të gëzojnë me njëri tjetrin
Nerva nuk kanë as të shkëmbejnë dashuritë.

Si u bënë kështu njerëzit, si u bënë
Hë pra, si u bënë
Si ingranazhe të kësaj kohe të ndryshkur
Nga urrejtja, cinizmi, egoizmi dhe cmira
Çdo ditë nga pak harrohen, vdesin së gjalli
Sikur një karikues gjigand të kisha
Botën me fisnikëri mjellme ta mbushja, derisa të derdhej
Nga dashuria dhe malli…

E DIELA IME

E diela ime e përmallur
Më çon tek prindërit për kafe
Se java e ngarkuar si mushkë xanxare
Me ta s’më ka çmallur fare
Të ndërrojmë bashkë edhe ca llafe…

E diela ime kapriçoze
Sa sheh diell dhe kohën që hapet
Ta shëtis do, majë malit apo buzë detit
Monotonisë së javës t’i ndërrojë kartolinën
Doemos që të dalim jashtë qytetit…

E diela ime, për mua padrone
Më mbyt duke shpikur punë pa punë
Lodhem, prej tyre frymë nuk marr
Relaksin të djelës s’ia njoh as një minutë
Kur si amvisë, më përqesh e sjell vërdallë.

E diela ime barkmadhe me shumë neps
Më kërkon gatime e receta
Pa strese kalorish, pa dieta
Me shijet e të shtrenjtëve të zemrës time
Që rreth meje, gjithë naze e teka
Shijojnë njëri tjetrin, më shumë se gatimet.

E diela ime, sa më duhesh kështu
Pozitive, dashuri, me shkëmbim energjish
Me aroma e shije, impulse fantazie më stolis
Prej prehrit tënd të ngrohtë familjar
Me nur perëndeshe javën e nis…

CIKËL I PËRGJAKUR

Jeta evoluon
Me nga një pikë gjak
Pika e gjakut e bën vezën vajzë
Një vajzë bëhet grua e përndez burrat
Një grua bëhet nënë e përndez dashuritë
Një nënë bëhet me bij dhe përndez perënditë
Ndërsa Zoti përzgjedh engjëjt, qiellit t’i bëjnë dritë
Në përrenj gjaku kur njerëzit lajnë mëkatet
Bota hyn në luftë e gjaku përndizet
Përpushet shpirti me shpirt
Për jetë të re përbetohet
E dua, sot o askurrë
Kuqëlon dëshira
Çel bozhurë …

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here