EMANUELA DALLA LIBERA:Stinët e dehjes, poezi. Përgatiti dhe shqipëroi: Anila Dahriu

 

 

EMANUELA DALLA LIBERA

 

I lexova me një frymë dy librat e poetes Emanuela Dalla Libera, me titull:

 

Canto per voce sola”“Këngë për zë të vetëm”

“Le stagioni dell’ebrezza”“Stinët e dehjes”

Libra të pasur, intensivë, të aftë të udhëheqin lexuesin drejt një reflektimi të thellë.

Emanuela Dalla Libera është një poete e pajisur me profesionalizëm të madh dhe me një njohje të thellë të problemeve të kohës sonë. Me përgjegjësi dhe delikatesë, ajo i beson poezisë rolin e një rituali të domosdoshëm për të interpretuar vizionin tonë mbi jetën.
“RESISTE” është një sfidë: autorja na rikthen thelbësoren e të jetuarit, duke ofruar një rreze drite mbi zgjedhjen e saj për të dashur, për të vuajtur, për të kërkuar një ekuilibër e për t’i lënë hapësirë botës së mistereve. Humanizmi i saj përshkon një labirint të padukshëm, krijon shtigje, gjeneron shqetësime dhe e përqafon jetën me një trishtim sublim.

Libri i parë është një e tërë sillogji që përshkon universin duke kryer një udhëtim të brendshëm. E tashmja, me nuancat e vuajtjes që shndërrojnë jetën, shtrihet në pjekurinë e qetë të pendimit: një lulëzim i së kaluarës që hapet drejt një udhëtimi të ri të plotësisë, pa mashtrime dhe pa zhgënjime.
Ndërthurja me natyrën, tokën dhe dashurinë plotëson arsyet e thella të të jetuarit. Në këtë libër, prania e Zotit nuk është fetare as dogmatike: është një figurë simbolike, një bashkëbisedues i heshtur drejt të cilit autorja drejton këngën e saj të brendshme. Nuk është një Zot që ndërhyn apo ngushëllon, por një prani që dëshmon brishtësinë njerëzore. “Kënga” bëhet kështu një lutje laike, një dialog me ndërgjegjen, me natyrën, me të kaluarën dhe me dhimbjen që shndërron. Udhëtimi i brendshëm është qendra e veprës, ndërsa Zoti përfaqëson mbi të gjitha një hapësirë dëgjimi dhe pushimi, një dimension universale ku un-i poetik kërkon ekuilibër, të vërtetën dhe rilindjen.

Libri i dytë, nga i cili kam zgjedhur katër poezi të dendura e përfshirëse, pothuajse të dehin me fjalët dhe frazat që duken të pafundme ndërsa rrëshqasin në brazdat e shpirtit dhe e ushqejnë atë. Jeta, e qepur nga fati dhe e jetuar me ngut, ndonjëherë do të donim ta çqepnim për të ribërë copat në drejtimin e duhur.

Janë libra të kuruar me imtësi nga autorja, të pasur në leksik dhe në vizion: vepra që kërkojnë hapësirë dhe kohë, sepse duhen lexuar e rilexuar për të kapur sa e thellë është zëri i saj poetik, sa autentik është përjetimi që ajo mbart.
Përkthimi i këtyre teksteve në gjuhën time amtare ka qenë një mision i vështirë, por edhe i ndritshëm: më kanë mësuar se aty ku ka “shkëndija drite në heshtje”, aty mund të rigjesh kuptimin e të jetuarit.

Poezia na mëson pikërisht këtë… dhe shumë më tepër: paqen tonë të brendshme.

ANILA DAHRIU

 

 

 

 

 

1-

Zot, që të imagjinoj në qiell, larg çdo shpërthimi tokësor.
Zot, teksa qëndron lart në qiell,
dhe asgjë nuk të prek, as të lëndon,
asgjë nuk të kërkoj.

Kam gjurmët në lëndinë,
ndërsa mbërrin era dhe krahët e qiellit ku mbështes vështrimin,
dhe këpucët e mbuluara me baltë nga ecjet e gjata.

Zot, që të mendoj pa zhurmë, në heshtje,
lëmë qetësinë e gjërave:
gurët, burimet premtuese dhe kohën.

Lërmë të dëgjoj të folurit e butë të qenieve, pa lehjen e qenve,
dhe shkëlqimin e heshtur të yjeve të largët,
zbrazëtinë e qetë të netëve të verës,
dhe shuarjen e valës në bregun e shkretë.

Bëj që në heshtje të iki,
madje në heshtje të mbeten hapat e mi — të humbur përgjithmonë.
Orë të ikura pa më dhënë strehë,
shumë ditë të shuara në pritje të lodhshme, pa gjumë dhe pa asgjë.

Shumë zhurmë bën bora teksa vrapon,
shumë fjalë qendisnin zbrazëtinë.

Zot, që të imagjinoj të lodhur dhe të humbur,
vetëm heshtjen të kërkoj, asgjë më tepër.
Heshtja — aty ku është gjithçka,
dhe brenda saj, paqja.

 

2-

Unë e di në ç’kulme je tretur,
në thellësinë e shpirtit,
dhe sa dhimbje e mbledhur
ta ka shtypur e mbytur kraharorin.
Netët e pagjumta ta kanë gërryer shikimin,
madje dhe duart të dridheshin
nga humbja e paimagjinueshme e ditëve,
nga zbrazëtia që mblidhet në zbrazëti.

Dhe një nga një zhdukeshin zërat
që dikur i kishe të dashur,
zhdukeshin edhe gjestet
që mbanin të qëndrueshëm e të paprekur fluturimin.
Unë e di çfarë kthesa të errëta
ta ka humbur jeta, ç’zë të ka marrë,
dhe nuk të kërkoj të më rrish pranë —
vetëm jepi një emër këtij sensi,
më jep ekzistencën tënde
ende, si një këngë.

3-

Po të them çfarë është dashuria,
kur shtrëngoj ndër gishta heshtjen e agimit,
ndërkohë që nata humbet nëpër shtigje,
humbet loja e hënës mbi hijet,
dhe zhurma e shiut mbi ballkone.

Më mbetet vetëm kujtimi yt nëpër gjethet e gjera,
retë e bardha që mbyllin horizontin.
Si një ëndërr misterioze që ngjitet mbi lëkurë,
fjalë që ndriçojnë dhe fryjnë kohën.

Po të them për dashurinë që ka lindur nga universi im,
që mbush ditën
me hapa që psherëtijnë në mendimin që kthehet
për të mbajtur kohën,
dhe të tjera të panjohura:
shpresa ime e heshtur,
zhurma e faljes,
hijet e ngulura në zemër,
aroma që ishim.

Emri ynë: Dashuria.

 

4-

Unë, në këtë heshtje të shkrirë,
që banon lartësitë dhe thellësitë
e kthesave të errëta,
dhe në të folurin e heshtur të pemëve,
që prej mijëra vjetësh
ngrihen në humnerën qiellore,
dhe prej mijëra vjetësh
njohin fatin e mirë dhe fatkeqësinë.

Ndryshon mes degëve
dhe barit një paqe e lashtë,
një buzëqeshje e lehtë ajri dhe trazimi,
një pritje e qiellit që kthehet
në gurë e dhe,
për të dhënë jetës lulëzim të ri,
ngjallur nga mijëra anije të fundosura,
e fshehur në mijëra fjalë,
e shfaqur në mijëra heshtje.

Jashtë tokës asgjë nuk shkatërrohet,
përveç arratisjeve të fshehta drejt humnerave,
ku fundoset iluzioni
i të qenit të lirë.

Unë dua zinxhirët e tokës,
krahët e saj të fortë që më mbajnë,
ulërimën e erës në netët e stuhive që qielli e errëson,
dua gropën e hapave të mi,

ecjen e ngadaltë në aventurë,
humbjen time në këtë jetë
mes hijesh dhe gurësh.

 

 

“Le stagioni dell’ebrezza” – “Stinët e dehjes

 

Dashuromë

Më dashuro për atë që më mbetet,
madje edhe për frymërimet që kam konsumuar.
Më duaj për këtë kohë që humbet pa u shfaqur,
duke rrëshqitur në një grykë të therrshme pa u shtrënguar.

Më duaj për lëkurën time të ashpër,
më duaj sepse nuk kam frikë nga jeta,
as gjethet e vdekura, as pritjet e zbrazëta.
Më duaj për kurajën time të paprekshme,
duke ecur gjithnjë me guxim,
duke mos u ndalur aty ku freskon hija.

Duke lundruar akoma, vala e shtrembër risjell
bregun në pellgun e një dite tjetër.

Tani, ndërmjet meje dhe kohës, shtrihet një gjurmë libri;
di që pak fletë janë për t’u lexuar,
dhe shkojnë duke lundruar kundër rrymës,
duke kujtuar të nderojnë perimetrin e kohës.

Duam në gazëllimin e një mëngjesi të çelur nga habia,
dhe në shenjë dëgjoj gufin që këndon,
madje në trugun e zhveshur të një ulliri
befasoj zhapikun duke u dashuruar.

Duke të pasur dhe ndezur, zbret për mua akoma,
në perëndim dielli.

 

 

PROLOG

Unë po të tregoj çfarë ka ngelur nga gropat e lëna mbi tokë,
nga stinët e mia të lashta.
Do të tregoj si dielli përvëlon mbi ditët
mbi të cilat nuk gjenden gjurmët e universit,
të mbetura në fijet e zemrës.

Madje do të të tregoj për duart e lodhura
që mbështesin jetën ditë pas dite,
duke e lënë mbi shpatulla;
ndërkaq, fushat e djegura dhe lumi i heshtur
kërkojnë toka të tjera për t’i lëruar,
toka të tjera për të harruar.

Do të tregoj sa e shkurtër është koha
teksa ndan zërin tim me tëndin,
madje një gulç i mbetur nga ëndrrat në netët pa qetësi,
si dhe një ngashërim
atëherë kur nuk ngelet gjë tjetër në qoshet e lëna.

Tashmë gjithçka kthehet dhe frymon larg.

 

 

LULET E LËNDINËS

Unë gjendem ndërmjet gjërave që nuk bëjnë zhurmë,
si uji që rrëshqet nga hiret e monopateve
dhe lag tokën me prehjet e tij mahnitëse.

Unë kërkoj gjërat që kanë pak vlerë,
ato që mjaftojnë për të jetuar,
siç bën bleta që merr ushqimin e vet
dhe lë aromën e luleve të çelura.

Unë vështroj gjërat që tashmë janë të mëdha,
që s’kanë nevojë për lavdi të botës,
as për hënën që varet mbi hijet e fjetura nga dielli,
teksa shfaq gjurmët e kohës.
Dhe ditës i vështroj kthimin e dritës,
çdo herë.

Tokës i përulem për jetët e fshehura,
që zhvishen turpshëm dhe dashurojnë erën,
madje, për të jetuar, ngjyrosen
me mungesën e vegimit.

Unë jam një shpirt që flet me zërin e gjetheve,
me aromën e myshkut në valle që shtyjnë
të kaltërën e qiellit në mendime,
teksa më shtrëngon dëshira për t’u lumturuar
në heshtjen e tingullit të kohës.

 

 

 

KAM JETUAR ME AQ NXITIM

E dehur, kam jetuar me aq nxitim,
shumë më ka rrëmbyer dhe më ka dëshiruar deti,
në ulërimat e horizonteve për të zbuluar tokën.
Kam kapur me etje
ditë shkëlqyese e të shndritshme,
duke i lënë të bien aty ku errësira shtrëngon litarin
tek ajo që shijohet shpejt dhe avullohet.

Kam kaluar dimrin mes stinëve kurioze të ardhshme,
duke gëzuar të ftohtin e burgjeve të vetmuara,
edhe pse dielli kishte dalë dhe ajri ngrohej pak.

Tani, duke parë përtej kalimit,
ku qëndrojnë gjurmët e konsumuar,
para një qielli të mjegullt dhe një dite ende të paqartë,
do të doja ta shkërmoqja këtë jetë,
të hiqja copëzat një nga një dhe t’i ribëja mbi një plan.

Do të vizatoja hapin e ngadaltë
të një rëre orendi që ecën butë dhe shkon larg,
shikimin e durueshëm të atij që di se drita
fiket dhe vdes, jo më humnerë,
rrëzime shkatërruese në gremina me tym,
as pengesa në rrugë të prishura,
vetëm solsticet e ndritshme të verave.

 

 

 

 

 

 

Biografia – Emanuela Dalla Libera

Emanuela Dalla Libera ka lindur në Vicenza (Itali), ku edhe ka kryer studimet e saj në Leterësi dhe Filozofi pranë Università di Padova.Pas studimeve, ka punuar si mësuese në shkolla të mesme.

Për arsye familjare ka jetuar për periudha të gjata jashtë Italisë — në Indi dhe në Shtetet e Bashkuara — përvoja që i ka hapur syte ndaj botës, kulturave dhe realiteteve të ndryshme.Më vonë u vendos në Maremma (Toskanë), ku natyra, heshtja dhe peizazhet kanë ndikuar thellë në formimin e saj si poete.

Ka nisur të merret me poezi dhe publikon disa vëllime poetike të njohura: ndër të tjera, Lo sguardo altrove dhe ἡσυχία Sedimentare il tempo (publikuar nga shtëpia botuese “Gilgamesh”), dhe Infinito andare (botuar nga “Il Convivio”).

Vepra e saj më e fundit — Le stagioni dell’ebbrezza — është përfshirë në katalogun botues dhe shpërfaq ecurinë e saj poetike.

Poezia e Emanuela Dalla Libera karakterizohet nga një lidhje e thellë me natyrën, me heshtjen, me elementët e tokës dhe vendit; ajo përshkon tema si koha, kujtesa, natyra, vetmia dhe kërkimi i thellë i ekzistencës.

Përveç veprave të botuara, ka fituar disa çmime në konkurse kombëtare të poezisë — për shembull ka fituar çmimin për vitin 2019 me poezinë Non mi chiedo che colore avrà il cielo në konkursin “Campana on line”.

Përgatiti dhe shqipëroi: Anila Dahriu