ENVER S. MORINA : Shënim për librin “Masakër në Buzëmadhe” të autorit Petrit Palushi

Me shkas, botimi i tretë i librit “Masakër në Buzëmadhe” të autorit Petrit Palushi

Nga ENVER S. MORINA

Pas dy botimeve “Masakër në Buzëmadhe” (1996 e 2015) është libri i fundit më i plotë i studiuesit e shkrimtarit Petrit Palushi. Autori zbardh ngjarjen enigmatike të 1944, vit në të cilin u pushkatuan 21 civilë të pafajshëm të Buzëmadhes. Libri i Petrit Palushit “Masakër në Buzëmadhe” është një homazh për 21 viktimat e masakrës së 26 shtatorit 1944, është përkujtim dhe përkulje para sakrificës të 16 grave që do të mbeteshin të veja dhe të rritës së jetës të 58 fëmijëve jetimë. Përherë më ka brejtur dhe njëherazi më ka provokuar fragmentarizmi dhe konteksti si dy nocione që nuk arrij dot t’i anashkaloj! Vetëm rileximi e bënë më të plotë arritjen e një vepre. Filloj ta rilexoi…

Libri “Masakër në Buzëmadhe” (i autorit Petrit Palushi) trajton një nga ngjarjet më të dhembshme në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, pushkatimin e 21 vetave në shtator 1944 te Kroi i Bardhë në Buzëmadhe. Kjo vepër është një homazh për ato viktima dhe një dritësim për pasardhësit e 21 të vrarëve, njëherazi një kujtim dhe pasqyrim për tmerret që ka sjellë Shefqet Peçi me Brigadën e tij në Lumë.
Autori i librit monografi, Petrit Palushi, me një diskurs të rrjedhës kinematografike sjell për lexuesit e sotëm një ngjarje të dhembshme që duhet rikujtuar në të gjitha përmasat të asaj mesdite të nxehtë shtatori në “konfliktin” tragjik ndërshqiptar në fshatin Buzëmadhe.
Më këtë libër autori Petrit Palushi ka kryer misionin e shkrimtarit, historianit që duhet përkul me admirim dhe një shembull edhe i ruajtjes së kujtesës.
Libri “Masakër në Buzëmadhe” është një vepër e strukturuar në 12 kapituj titullëzuar, në tri pjesë përmbajtësore. Pjesën e parë, të cilën autori Petrit Palushi përshkruan në rrjedhën e kohës një nga masakrat më të rënda që kanë ndodhur në krahinën e Lumës, atë të 26 shtatorit 1944 në të cilën u vranë 21 veta, e emëron edhe më vet titullin e librit “Masakër në Buzëmadhe”. Libri nis me një parafjalë a hyrje në të cilën autori e krahason masakrën e Buzëmadhes me tragjedinë “Makbeth”. Derisa afër tre shekuj e gjysmë më parë mbreti Dunkan vritet si mysafirë nga Makbethi në shtëpinë e këtij të fundit, Brigada e Pestë partizane më në krye Shefqet Peçin vret në tradhti mikpritësit, 21 banorë të fshatit Buzëmadhe!
Një fragment krahasimtar, një diskurs i përmasave epike për rikujtim që ndodh vetëm një herë e për të qenë dhembja e përhershme: “… 340 vjet më vonë mbas krimit të Makbethit mbi mbretin Dunkan, në Buzëmadhe të Lumës do kryhej një krim i përafërt mbi banorët e saj, por i njëzetenjëfishtë më tepër. Krimi i paramenduar si njëzet e katër orë më parë, do të kryhej në vendin me emër të çuditshëm: Kroi i Bardhë, bash në pikun e ditës së 26 shtatorit të vitit 1944.
Skena në Krue të Bardhë, në pamje të parë është e njësojtë me skenën e tragjedisë “Makbeth” të Shekspirit.
Në tragjedinë “Makbeth”, mbreti Dunkan si mysafir i Makbethit, vritet prej këtij të fundit, pra keqpërdoret ftesa e të zotit të shtëpisë për bujtësin, ndërsa në tragjedinë e Kroit të Bardhë, mysafirët në Buzëmadhe, dmth., mysafirët e paftuar të natës së 25 shtatorit të vitit 1944, partizanë të Brigadës së Pestë partizane, të nesërmen, mbasi hanë mëngjesin, prishin rregullin më tradicional të bujtësve: u bëjnë zë burrave të katundit Buzëmadhe për një mbledhje që, sipas tyre do mbahej në Krue të Bardhë dhe aty zbatojnë urdhrin e komandantit të Brigadës së Pestë partizane, mu në prani të tij që të ekzekutoheshin 21 prej mikpritësve të një nate më parë.
Shkurt, me gjithë afëritë, është një krim ndryshe në dy tragjeditë.
Në tragjedinë e fantazisë së Shekspirit, është mysafiri a bujtësi (Mbreti Dunkan) që vritet prej pritësit, të zotit të shtëpisë, ndërsa në tragjedinë e Kroit të Bardhë janë pikërisht mysafirët, ata që ekzekutojnë të zotët e shtëpive ku kaluan natën.
Por 21 banorët e Buzëmadhes nuk ishin as mbretër as bij mbretërish …”
Derisa “pjesa e parë” përfshinë “kaptinën” kryesore të librit në dy “pjesët” tjera të titulluara “Nga rrëfimet/1” dhe “Nga rrëfimet/2” vijnë rrëfimet, pesë rrëfimet autentike të dëshmitarëve të ngjarjes a të anëtarëve që kishin mbijetuar (Hysen Sali lala, Halim Sali Lala, Tahir Arif Lala, Shani Ramiz Lala, Shahe Riza Hoda-Cena) në një “pjesë” dhe në “pjesën” tjetër, të fundit hyjnë edhe rrëfimet e pjesëtarëve të gjendur përkrah partizanëve (Nënoçe Osmani, Mezin Aliaj, Derro Deraj dhe Elmaz Hasanmataj) sipas citatit, kryesisht të nxjerra nga libri i Vangjel Kasapit “Mrekulli e natyrës, kështjellë e historisë”, botim i vitit 1998.
Udhëtim i vetëm papritur nga Prishtina për në Kukës, tashmë i takon një afërsie të çastit. Mesdita e së hënës ishte e zakonshme. Moti filloj të ndryshonte dhe shiu i pranverës ishte kthyer në një të ftohtë dimëror. Qyteti mbi rrënjët e Gjallicës mu tek cepi i bashkimit të dy lumenjve, Drini i Bardhë e Drini i Zi, të ardhur nga anë “të kundërta” frymonte, me një takim futbolli të dy klubeve të suksesshme nga Tirana e Kukësi. Pas ndeshjes takoj për herë të parë shkrimtarin e njohur Petrit Palushi.
Një libër i dhuruar, në kohën e sotme është një mision që mund të tejkalohet keq, deri në harresë! Gjeneratat më të vjetra këtë dukuri mund të shohim me mëdyshje, megjithatë, shpresojmë. “Buzëmadhe”, një emërtim që të provokon. “Masakër në Buzëmadhe” është një libër që nuk të lë ta ndërpresësh se lexuari deri në fund, për të mbetur i ngulitur ai fshatë malor në kujtesë, ende pa e vizituar, pa e prekur, pa e parë. Në mes një tregimi rrëfimtar artistik dhe materialit e të dhënave të dokumentuar historike libri “Masakër në Buzëmadhe” (të cilit i mungojnë fotografi të nevojshme në botime të tilla, qoftë edhe të fshatit në kohën e sotme) shpërfaq një epokë të tërë të dhembjes pas një tragjedie “të parrëfyer” më parë! Është ky një libër si një “pasqyrë e të rrëfyemit” të një ndodhie “të pandriçuar”.
Autori Petrit Palushi ndjen një përgjegjësi ndaj vetes si një obligim, jo vetëm ndaj viktimave por edhe të së ardhmes. Ndihmë “kërkon” edhe nga shkrimtari i njohur anglezo-irlandez Oscar Ëilde si gërshetim në pafundësi mendimesh: “… “Askush s’është aq i pasur sa ta blejë të kaluarën e tij” (O. Ëilde), më ngjan krejt e përshtatshme për historinë në Krue të Bardhë, histori e cila, me gjithë mbulesën e mjegullt, prej asaj mjegulle terr të zezë të hedhur vrulltas dhe rrëmujtas mbi të, tashmë vjen e ndriçuar imtisht, pa kurrfarë mungese…”.
Saktësia dhe e vërteta shndrit dhembshëm. “Njerëzit e tregojnë ngjarjen sikur t’ish një veprim i pakmëparshëm dhe kanë regjistrue çdo gjë me saktësi” ditën e masakrës, ditët dhe netët e para pas-masakër, varret e të masakruarve sipas renditjes dhe ata që tregojnë ngjarjen janë të moshave të ndryshme, por gjatë rrëfimeve janë jashtëzakonisht të saktë, tejet të saktë, pasi ngjarja duke u kallëzue shpesh, tek përsëritej gjithat herë ka bërë vend rëndshëm në kujtesën e gjithsecilit.”
Arsyet e mëdyshjeve të një letre si alibi enigmatike vjen e ridimensionuar me variacionin shterues të qëllimit. “Së pari, shpesh është përsëritur se letra i shkoi me vonesë Sh. Peçit dhe se, po të shkonte më parë, masakra s’do të kryhej. (E njëjta gjë është thënë edhe pas ekzekutimit të Ramize Gjebresë, sikur një letër e tillë R. Gjebrea që ekzekutuar me 7 mars 1944, në bazë të një vendimi të gjyqit partizan të firmosur prej Sh. Peçit, H. Kapos, M. Myftiut, etj.)
Së dyti, është thënë se Sh. Peçi e mori letrën dhe e grisi nervozueshëm; pra, ai s’e përfilli atë çka shkruhej në letër dhe masakra e krye.
Së treti, fantazia e njerëzve të painformuar si duhet shpesh kish krijuar mendësinë se E. Hoxha s’i dinte krimet që mund të kryheshin dhe se, sipas asaj mendësie ai kurrsesi s’mund të lejonte ato …”
E gjithë kjo sepse “që një përpjekje për të krijuar një gjendje kome të vazhdueshme, të mos shmjegullohej e vërteta dhe ajo të zhytej në një pas të errët dhe pa shtegdalje.”
Dhe në fund atmosfera e zymtë afër gjysmëshekullore flet me gjuhën e realitetit dhe ndriçimit të së vërtetës. “Por me ndërrimin e sistemit komunist, ngjarjet e shtatorit 1944-s nisen të rimerren me gjakftohtësi, nisur së pari duke shfletue dokumentet e kohës të ndryme deri asokohe nëpër arkivat e kohës, por dhe duke marrë për bazë edhe rrëfimet e dëshmitarëve të kohës, veçanërisht t’atyre, mbi të cilët rëndoi primitivizmi i formacionit partizan të Brigadës së Pestë.
Pak nga pak, u arrit të ridimensionohej atmosfera e zymtë.”
Dhembja nuk shteron. I kalon kufijtë e legjendave. Dhe të jetës njerëzore. I mbijetuari i masakrës Hysen Sali Lala (në bashkëbisedim me autorin e librit në shtatorin e vitit 1994, pesëdhjetë vjet pas ndodhisë te Kroi i Bardhë) thotë: “Trishtimin e asaj dite veç Natës Vorrit kam me ia kallzue”.
Halim Sali Lala, rrëfimi i të cilit ripërtërihet përgjatë viteve, shprehet: “Asht nji ngjarje si s’harrohet kollaj. E s’ka si me u harrue!” (…) “U trishtuesh sa s’kallzohet. U bana krejt vner.” (…) “Skisha fuqi as me ecë, as me folë, mbeta si dru n’vend.”
Përmasat e krimit ishin tmerrësisht të përjetuara. Ruheshin në ndërdije si një makth që do çlirim. Por krimi kalonte çdo limit. Tahir Arif Lala: “ … s’ma marrke mendja se kishin me na i mashtrue djemt me shkue te Kroi i Bardhë e me ua ba t’pabamen.” (…) “Sikur i kemi vajtue njerëzit si na i kanë vra, as gratë e Reçit s’mund e bëjnë at vajtim.” (…) “… ka qenë nji regjim si mos raftë me u kujtue!” (…) “…ai kish ba namin e zi kahmos. Edhe n’Kosovë kish ba gjak ai, kish vra gjithat njerëz të pafajshëm.”
Dëshmitarët rrëfejnë makthin e atyre ditëve edhe gjysmëshekulli më pas në hollësi. Shani Ramiz Lala: “Po t’i kallëzoj fjalët fun e për majë.” (…) “Remzi Islami u çel n’fytyrë…”
Jeta si sakrificë e ndodhia e papritur si shkatërrim. Shahe Riza Hoda-Cena: “Ne mbetëm katër jetima. Jemi rritë me shum zor, se me u rritë pa babë asht me u rritë pa pasë zot shpije.” (…) “Ajo parti na e bani të pabamen, na shkatërroi, na shkeli e na ka lanë me e kapërdijë jetën me zot.”
Në fund, “pjesa” e tretë të librit, a shtojca e dytë e rrëfimeve vjen si një lloj i pendesës, por që në thelb ka “ngjeshjen” e një libri historik më të dhënat edhe të anës së kundërt, “të atyre”. Nënoçe Osmani: “Të vret Perëndia t’i harrosh mikpritjet kuksiane.” (…) “Një herë, kur pata rastin ta takoja, ia përmenda Buzëmadhen, por heshti si përpara një hidhërimi e nga goja nuk nxori fjalë.”
Një lloj pendese, një çekuilibrim dialogu në mes të Mesin Aliaj dhe Hito Çako, 23 vite pas masakrës (1967)! Një shfajësim ndërgjegje që nuk kalonte më shumë se një monolog në vetvete. Mezin Aliaj: “Nuk folëm më tej se të dy i druheshim të vërtetës së hidhur. Kuksianët, si kundërpeshë ndaj përkujtimit të Hysenit, i bënë 21 martirët-shehitër (dëshmorë).” Ish-pjesëtari i Brigadës së Pestë Derro Deraj nga Brataj ka thënë se “realiteti e nderi nuk treteshin në ujë.” Dhe vërtetë në “formatin” e përkryer vijnë në librin e Petrit Palushit “Masakër në Buzëmadhe”.
Analogjitë janë të domosdoshme. Sidomos, në rastin kur kemi të bëjmë me një shkrimtar që merret me një fakt historik, jo vetëm të dokumentuar por edhe më pjesëmarrës të mbijetuar. Derisa, në aspektin letrar, thuhet se “historicizmi nuk mundet të transformojë një mendje të shekullit 20”, shkrimtari Petrit Palushi në vazhdën e arritjeve të suksesshme të ndriçimit të periudhës së anatemuar, edhe letrare, arrin të gërshetoj realitetin e një tragjedie të dhembshme me një gjuhë artistike, falë përkushtimit dhe përgjegjësisë që ndjen një intelektual i kohës në kapërcimet dhe “thyerjet” e mëdha që ndodhin në një shoqëri. Ka periudha sikur koha ecën shumë më shpejt se sa në një periudhë tjetër. Përmasat e një humbje ruhen në zonat më “të errëta” të vetëdijes. Ato nuk harrohen. Në kodin e mbamendjes, si urti dhe vërejtje e popullit, thuhet se edhe therra (si shenjëzim a “objekti” më i urryer dhe më i fshehur) ka zbuluar vrasësin! Mund të vonohet por në asnjë rast krimi nuk është zhdukur për t’mos u njohur.

Fillimmaj 2016, “Kalabria” (Prishtinë)

SHËNIM I REDAKSISË

Pas botimit të parë në vitin 1996 (“Eurolindja”, Tiranë) dhe botimit të dytë të plotësuar në vitin 2015 (“OMBRA GVG”, Tiranë) muaj më parë vjen botimi i tretë i veprës së Petrit Palushit “Masakër në Buzëmadhe” nga SHB “Lumbardhi” në Prizren. Botimi i tretë është plotësuar gjithashtu me një shënim hyrës nga Mr. sc. Nue Oroshi, pastaj në kuadër të Suplement në fund një intervistë e realizuar nga autori Petrit Palushi me historianin Zekerija Cana të realizuar në tetor 1997 dhe me shkrimin “Pasqyrë e të rrëfyemit për tragjedinë në Kroin e Bardhë”, të autorit Enver S. Morina, një letër e studiuesit Xhavit Bushati për autorin dhe krejt në fund një shënim i shkurtër dhe një fotografi e autorit me vajzën e një nga të pushkatarëve znj. Danie Lala (Bilali). Risjellim shkrimin e publicistit Enver S. Morina për lexuesit e “Nacional”…