ËSHTË NDARË SOT NGA JETA POETI, I  MIRËNJOHUR FERIK FERRA

NJOFTIM MORTOR

ËSHTË NDARË SOT NGA JETA POETI, I  MIRËNJOHUR FERIK FERRA

“Përcjellja për në banesën e fundit do të bëhet të mërkurën, më 5 nëntor 2025, në orën 12:00, duke u nisur nga Shërbime Funerale “ALBA 2000”,Rruga e Durrësit, Tiranë”.

Nga dr. Mujë Buçpapaj

Me pikëllim të thellë njoftojmë se më 4 nëntor 2025, në Tiranë, është ndarë nga jeta poeti, përkthyesi, studiuesi dhe filatelisti i njohur Ferik Ferra (1934–2025), një nga zërat më të kultivuar e më fisnikë të poezisë bashkëkohore shqiptare, mik i afërt dhe bashkëpunëtor i çmuar i Gazetës Letraro- Kulturore “Nacional” dhe Botimeve Nacional.

Siç njofton bashkëshortja e të njderit Ferra, Brunilda Ferra, përcjellja për në banesën e fundit do të bëhet të mërkurën, më 5 nëntor 2025, në orën 12:00, duke u nisur nga Shërbime Funerale “ALBA 2000”,Rruga e Durrësit (ish-Ambasada Jugosllave), Tiranë.

Ferik Ferra lindi në një familje të njohur dhe aristokrate nga Kruja, pasardhës i Kont Xhemal Ferra, ndërtues i Pallatit Mbretëror (sot Pallati i Brigadave) dhe mik i afërt i Mbretit Zog.

Fëmijëria e tij u përball me stuhitë e historisë shqiptare, nga monarkia, fashizmi e nazizmi, deri tek periudha e gjatë e komunizmit, ku familja Ferra u përndoq dhe iu sekuestruan të gjitha pasuritë.

Pavarësisht vështirësive dhe heshtjes që i imponoi koha, ai mbeti i përkushtuar ndaj letërsisë dhe kulturës, duke ruajtur në shpirt fisnikërinë, urtësinë dhe dashurinë për atdheun.

Pas viteve 1990, në epokën e fjalës së lirë, Ferik Ferra shpërtheu me një krijimtari të gjerë e të thellë poetike, duke botuar 11 libra me poezi, që i dhanë poezisë shqipe një zë të veçantë, të pjekur dhe filozofik.

Që me librin e tij të parë, “Duke kapërcyer shekullin” (2001), kritika letrare e konsideroi veprën e Ferrës si një pasuri të re për fondin poetik kombëtar, një kthesë në trajtimin modern të sonetit dhe një dëshmi të lartë të qëndrueshmërisë së fjalës poetike.

Vargjet e tij bartin dritën e Alpeve dhe frymën krutane, urtësinë e traditës dhe përsiatjen moderne të shpirtit qytetar.

Në to gërshetohen lirizmi, përvoja historike dhe filozofia e njeriut që ka njohur errësirën, por që i ka kënduar gjithmonë dritës.

Poezia e Ferik Ferrës është përkthyer në anglisht, italisht, greqisht dhe rumanisht etj, duke e bërë atë një ambasador të vërtetë të kulturës shqiptare në hapësirën evropiane.

Poezia e Ferik Ferrës është përkthyer në anglisht “Arduous sun” (“Diell i vështirë”, poezi, (shqip- anglisht), përkthyer nga Lluka Qafoku, 2005, ”Sole difficile”, (“Diell i vështirë”), poezi (shqip- italisht), përkthyer nga Kadri Vokopola, 2008, ”Poezi e zgjedhur”, përkthyer në rumanisht nga akademik Kopi Kyçyku, botuar dhe promovuar në Bukuresht, Rumani, ”Poezi e zgjedhur”, përkthyer në greqisht nga Aris dhe Niko Kacalidha, botuar dhe promovuar në Athinë, 2012, duke i bërë një shërbim të vyer poezisë shqipe, pasi poezia e tij tashmë është dhe një urë komunikimi me kulturat, lexuesin, studiuesit e kritikët e këtyre vendeve.

Një tjetër kontribut i poetit Ferik Ferra është dhe ai në përkthimin në shqip të poetëve më të mirë botërorë, në një botim special të titulluar ”Perla e inxhi poetike” (2009).

Në promovimin e përkthimit në rumanisht të librit “Diell i vështirë”, kritikët dhe poetët rumunë e krahasuan veprën e tij me atë të Konstandin Kavafisit, duke e cilësuar Ferrën si një zë të dritës, paqes dhe mençurisë që lind nga thellësitë e fjalës shqipe.

Kritikë e studiues të shquar si Ardian-Christian Kyçyku, Vasile Andru, Paul Vinicius, Viktor Kraçun e të tjerë, e kanë cilësuar Ferrën si “një autor evropian të poezisë filozofike, ku fjala shndërrohet në urë të përbashkët mes kulturave dhe njerëzimit”.

Në vitin 2015, ai u nderua me Çmimin Ndërkombëtar “Albanian Booker Man”, nga Gazeta dhe Botimet “Nacional”, ndër to edhe Çmimin për Sonetin më të Mirë të Vitit 2021 me motivacion:” “Sonetet e Ferrik Ferrës përfaqësojnë, në historinë e kësaj forme madhore poetike shqiptare, një zhvillim domethënës për sa i përket konsolidimit teknik, duke rinovuar përvojën e trashëguar, me një ekspresivitet të lartë artistik, duke demonstruar fleksibilitetin dhe fuqinë lirike, përmes cilësisë së jashtëzakonshme të poezive të tij”.
Ferra është nderuar edhe me disa çmime të tjera të rëndësishme në Kosovë, Itali dhe rajon.

Krijimtaria e Ferik Ferrës ka zgjuar interes të madh në qarqet akademike dhe letrare shqiptare e ndërkombëtare.

Për të kanë shkruar dhe janë shprehur me vlerësime të larta disa nga personalitetet më të njohura të kulturës dhe letërsisë shqiptare, ndër ta:

Prof. dr. Alfred Uçi, akademik Ali Aliu, akademik Dritëro Agolli, akademik Kopi Kyçyku, akademik Përparim Kabo, prof. dr. Shaban Sinani, prof. dr. Fatbardha Hoxha (Fishta), prof. dr. Ardian Kyçyku (Universiteti i Bukureshtit), prof. dr. Mujë Buçpapaj, dr. Arben Prendi, Anton Çefa, Perikli Jorgoni, Ramadan Musliu, Defrim Cani, Niko Kacalidha, Niko Kubatis, Dhurata Hamzai, Lisandri Kola, Arjeta Ferlushkaj, Armela Hysi, Tonin Shiroka, Lluka Qafoku, Rajmonda Moisiu, Skënder Temali, Flori Slatina, Xhevahir Spahiu, Romeo Çollaku, Dukagjin Hata, Dino Kubatis, Mexhit Premçi, Qazim Shehu, Klara Kodra, e shumë të tjerë.

Studiuesi Dëfrim Cani i ka kushtuar dy libra studimorë veprës së tij: “Dielli i vështirë” dhe koha e poezisë” dhe “Mjegullat e fjalës poetike”, ku ndalet në thellësinë filozofike të vargut ferrian.

Gjithashtu, profesori italian Mauro Geraci e ka përfshirë poezinë e tij në veprën “Prometeo in Albania”, si shembull i përfaqësuesit të letërsisë shqiptare moderne.

Në vitin 2020, Ferik Ferra botoi veprën e plotë poetike, një testament shpirtëror e kulturor që përmbyll me dinjitet një jetë të tërë në shërbim të fjalës, të bukurisë dhe të atdheut.

Për Gazetën Letraro-Kulturore “Nacional” dhe Botimet Nacional, poeti Ferik Ferra nuk ishte thjesht një bashkëpunëtor e autor, por një mik i afërt dhe një frymë e ndritur e debatit kulturor.

Në tryezat e bisedave me redaksinë e gazetës, ai sillte gjithnjë refleksionin e qetë, mendimin e thellë, dashurinë për gegënishten, për poetin legjendar Gjergj Fishta, vargjet e të cilit i recitonte përmendesh në çdo tryezë dhe në çdo ambient, për bashkimin kombëtar, për historinë, dhe mbi të gjitha, për shqipen si tempull i shpirtit kombëtar.

Ferik Ferra mbetet poet i fisnikërisë së fjalës dhe urtësisë njerëzore, një shembull i njeriut që kaloi nëpër epokat e stuhishme të historisë shqiptare pa humbur dritën e shpirtit.

Në jetën e tij u takuan monarkia, diktatura dhe demokracia; por në poezinë e tij mbeti vetëm njeriu i përjetshëm, i përulur, kërkues i dritës.

Në çastin e ndarjes së tij nga jeta, kultura shqiptare përkulet me respekt përpara një emri që do të mbetet gjatë në kujtesën e letërsisë sonë. Ferra ishte i fundit nga artistokracia e para Luftes së Dyte Boterore, që i mbijetoi terrorit komunist dhe arriti demokracine, ndaj së ciles ishte gjithmonë mirenjohes.

Gazeta dhe Botimet “Nacional” shprehin ngushëllimet më të sinqerta bashkëshortes së tij të nderuar Brunilda Ferra, fëmijëve, nipërve, mbesave dhe gjithë familjarëve dhe lexuesve të tij të shumtë.

Me ndarjen e tij nga jeta, humbëm një poet, por fituam një përjetësi në fjalë.

U prehtë në paqe nën dritën e vargut që nuk shuhet kurrë.

 

Tiranë, 4 nëntor 2025

 

Gazeta Letraro-Kulturore “Nacional”

Botimet Nacional

Institutit i Studimeve Albanologjike “Nacional”