FANTAZINË MA BREN, NJË KETËR UJI
Poezi nga Marash Mirashi
PAMUNDËSIA E PËRBALLJES
Notoj mbi valë, duke i ikur bregut,
Duke iu larguar tokës.
Shquaj majën e malit të thiktë, sapo kthehem në shpinë,
Njerëzit nisin e bëhen akoma e më të vegjël,
Pemët shkurtohen.
Kthehem përmbys mbi ujë, me sytë thellë
Duke menduar se liria
Nuk gjendet asnjëherë në tokë.
Notoj gati dy milje larg bregut
Peshqit, rrëshqasin paqësor, poshtë trupit tim
Që rri pezull,
Peshq me ngjyra të forta, kuaj deti, oktapodë.
Një kandil çuditet me mua, specien që vjen nga toka
Me qëllim e vetëm për të provuar lirinë
Që më jep deti.
Kthehem në shpinë. Bregu tani është larg,
Mali është bërë më i vogël
Pemët janë veçse silueta.
Njerëzit nuk i shquaj më.
Ashtu në shpinë, me sytë ëndërrimtar, shoh hënën
Një hënë e largët, gri
A thua se nuk ështe ajo,hëna e madhe, e kuqe
E mbrëmjes së djeshme
Kur e zbritëm në tavolinë
Dhe vendosëm mbi të, një picë napolitane.
Lëviz duart mbi rrafshin e ujit,
Si lopata të vogla.
Trupi im është një varkë prej mishi e gjaku
E lakmuar nga ndonjë peshkaqen i ngopur, por kurioz
Për të provuar një meny ndryshe.
Mbyll sytë. Ashtu në shpinë. Bëj pak a shumë
Një monolog si kushëriri im, Heminguei:
Nëse një peshkaqen e shqyen trupin tim
Kjo do ta trondisë opinionin tokësor
Për ngjarjen e pazakontë në det të hapur.
Lajmet do të nisin padyshim me mua
Dhe peshkaqenin.
Mbyll sytë. Ënderrimtar
U jap duarve lehtë në parajsën ujore.
Një valë vjen e më kërcen në gjoks
si ketër i çuditshëm uji.
Nga njëra prej varkave që më kanë rrethuar
Dëgjoj të më bërtasin rreptë:
“Roja bregdetare, kthehu
Ke shkuar shumë larg”!
Ky ishte qëllimi, zotëri!
Përgjigjem me vete
Dhe u jap duarve
Nën vështrimin kureshtar, nga thellësia
Të një oktapodi të qeshur!
MBI TJEGULLA, SHIU LUAN MUZIKË
Ti më thua se e ke pranë vdekjen
Se po e ndien ditën tënde të fundit
Të trishtë, si një pyll qiparisash
Në një muzg
Me këngë kukuvajkash.
Ti me thua se vdekja po rrokulliset tjegullave,
Veranda ka më shumë mërzi se lule.
Me thua se fuqia jote
Po shuhet
Dhe se vdekjes, në ditën e fundit
S’ia mbyll dot dritaren.
Dueli me vdekjen është një provë
Ku kanë dështuar të gjithë paraardhësit.
I mbijetuari i vetëm qe Krishti – Mbreti ynë i përbashkët!
Të them, kështu nën zë
Dhe ofshaj njësoj si një qiparis
Që nën pushtetin e erës
Mbështet majën e tij
Te qiparisi më i afërt
Në pyllin e madh të trishtimit.
Ti më thua se e ndien afër vdekjen.
Në dhomën tënde
Qirinjtë ndizen pa i prekur askush…
Dëgjoj “Ave Marinë”.
E vetmja gjë që mund të bëj për ty.
E vetmja gjë që të tjerët do të bëjnë për ne,
Në përpjekjen e pamundur për t’i bërë ballë
Tundimit për të qenë i përjetshëm.
Mbi tjegulla
Shiu bie paprerë
Duke luajtur muzikë!
ETJA E LULEVE NË BALLKON
Lulet në ballkon i ka marrë etja.
Një karafil zgjatet lart, për të parë motin.
Menjëherë kthehet në saksi
Me lajmin e padëshirueshëm për lulet:
Në qiell s’ ka re,
Shiu do të mungojë për disa ditë
Zonja e shtëpisë s’po duket!
Një Sahara e vogël endet mbi gjethe
Luleborat nisin një këngë të bardhë petalesh.
Karafili i vetmisê
Qan fatin e tij të etur.
Fikuset si pleq
E durojnë më shumë etjen.
Begoniat flenë një gjumë me ëndërra gjethesh.
Marigoldat pijnë trishtimin
Që pikon prej petaleve ngjyrë shegë.
Në ballkon situata është e nderë, sundon etja
Lulet kanë ulur kokat.
Vetëm një mëllagë zgjatet e zgjatet plot shpresë
Drejt derës së çelur të ballkonit
Tek tavolina
Ku zonja e shtëpisë
Ka lënë një gotë përgjysmë
Me ujë!
QYTETI I VINÇAVE
Në qytetin e vinçave
Qytetarët e mbajnë kokën ulur,
Sepse një kokë lart mund të ketë pasoja serioze.
Një kokë e ulur është më pak e rrezikuar
Dhe s’ka nevojë për tabelën “ruhu nga vinçi”.
Në qytetin e dhunshëm, me histori të asgjësuar
Vinçat shkruajnë me krahë e tyre në qiell
Të ardhem e atdheut prej betoni. Një peisazh
për të cilin poetët, më kot do të mundohen
Të mbjellin “fijet e barit”
Të babait të tyre modern, Ëhitman.
Pasanikët e rinj, luajnë “play station”
Vinçat rrotullohen sipas dëshirës së tyre
Në qytetin me qytetarë që ecin kokulur
Pa shpresën e vakët se mund të ngrenë krye.
Në këtë qytet
Vinçat rrinë si pikëpyetje
Mbi kokën e secilit.
Pasanikët e rinj luajnë paprerë “play station”
Mbi atdheun klasik të kopshteve, puseve, qerpiçit…
Në këtë qytet, nuk është çudi që poetët
Ta shohin ndonjë natë dhe vetë hënën,
Të përpëlitet e varur në ndonjë vinç
Teksa qan me një të kuqe të ndezur
Fatin hënor tragjik.
Një “krra, krra, krra” njësoj si ajo e sorrave
Përcjell që larg, krrokama e tufës së vinçave
Në qytetin me kaq pak ëndërrimtarë
Dhe kaq shumë, turma të bindura.
PERVUEJTNIA E MBIJETESËS
Në fije bari, lëviz përpjetë, mundimshëm
Poshtë një kaçubeje drizash.
Një fije bari hollake, e gjatë dhe e bardhë,
Si shtati i një murgeshe rishtare
Që i ati e solli përdore dhe e la në një bangë,
Para një dërrase të zezë
Në kolegjin “Shën Jozef”.
Një fije bari po zgjatet në kërkim të rrezeve të diellit.
Kacavirret degëve të kaçubes
E bardhë, krejt e bardhë
Pa asnjë mundësi fotosinteze. Leviz dhe pak
Atëherë pushon, mbështetur mbi drizë
Në një përvuejtni, për të cilën vetë Darvini
Do të shkruante një tjetër libër
Për mbijetesën
E specieve.
Në kolegjin “Shën Jozef”
Nga dritaret, hyn papushim një dritë e praruar
Drita e diellit
Ku fija e bardhë e barit, ka mbështetur
Të gjitha shpresat
Për tu bërë jeshile.
KURBAN
Një rrëke gjaku në rrugë,
Fytyra e trembur e një qingji që dridhet
Para një burri të nginjur, me thika në duar.
Në gjuhën e njerëzve, ky është një kasap
Por qingji
Kupton vetëm blegërimën vajtimare të deles,
Nënës së dhëmbshur
Që pasi e kanë gënjyer me bar,
Po e çojnë dhe atë, në krematorium,
Në “Auschëitz”-n e kafshëve shtëpiake
Mbi një kamion
Që bie erë shkrumb.
Qingji e refuzon vdekjen
Por akoma nuk ka brirë
Për betejën e jetës.
Kasapi mpreh thikat. Blegërima e fundit e qingjit
Mbetet varur në një kërrabë
Nën sytë lakmitarë të grabitqarëve
Që quhen njerëz.
Në rrugë shtohet dhe një rrëke gjaku.
Qentë e braktisur e adhurojnë kasapin
Me thika në duar.
E shohin në dritë të syrit
Deri në arritjen e qëllimit:
Një kockë nga trupi i vdekur i qingjit.
Përtej
Kane heshtur daullet.
E gjithë esenca e njeriut
Rri varur, me kokë poshtë
Nëpër çengelë.
AEROPORT
Gumëzhijnë rrotat e valixheve të mëdha.
Udhëtarë tërheqin nga pas atdheun. Një hamall
Është i gatshëm të të ndihmojë për katër euro
deri tek porta intiligjente e geitit njëzet e dy,
Por ti nuk mund ta lësh në dorën e askujt atdheun tënd
Dhe vazhdon e tërheq atë, nën gumëzhimen e rrotave
Sepse atdheu yt, sigurisht
Nuk mund të kushtojë vetëm katër euro.
Kur ngjitesh lart, në bordin e avionit
ti e ngre atdheun
Sipër ndenjësës tënde, për ta vendosur
Në raftin e përkohshëm
Por atdheu yt ka male, male pafund,
Cepa, shkëmbinj
Atdheu yt është i madh.
Më kot vazhdon e shtyn.
Për herë të parë në jetë,
Ti nis një luftë groteske me atdheun
Për ta futur atë doemos në raftin
Sipër ndenjëses tënde.
Një stuardjesë bjonde, sy bojëqielli
Që as nuk e kishe menduar se ajo mund të fitonte
Ndonjë betejë
E shtyn valixhen me një lehtësi të çuditshme.
Tërheq kapakun
Duke ta burgosur atdheun!
ATDHEU I MACEVE
Atdheu i maces ështe i bekuar me lule e bar
Brenda avllisë me mur të vjetër
Ku merr rreze një zhapik i porsalindur
E një bletë vjel nektarin e një trëndafili
Dhe e çon në kosheren tej avllisë
Ku një burrë nxjerr tym
Nga një fizarmonikë e vogël.
Macja zgjohet vonë
Duke kënduar si fillim, hymin e atdheut të vet
Një mjaullimë e tejzgjatur
E bash në këtë çast, breshka e vetme e vogël
Befas, mbledh veten poshtë zhguallit të saj
Dhe ndalon në bar
A thua se kurrë s’ka për të ecur më.
Macja shtriqet dy tre herë
Kërcen në murin kufi të avllisë, si mbi karakoll
Muri që ndan qartësisht republikat fqinje
Ku vetëm harabelët munden me shkelë
Hapësirën ajrore të atdheut të maces.
Macja zbret prapë prej andej,
Me një kërcim elegant
Në atdheun e vet brenda avllisë
Duke fërkuar kurrizin mbi një korrëse bari
Që nga çasti në çast
Mund të bëjë rrafsh me tokën
Atdheun e bekuar të vetë maces!
ARTISTI PIKTURON BUAJ NË KËNETË
Gjithë jetën pikturon buaj, buaj të mëdhenj
Buaj të vegjël, buaj të kuq
Buaj jëshilë, të zinj, të kafenjtë.
Mbi telajo sajon një kënetë
I zhyt buajt në llucë, i fundos, pastaj i kap për brirësh
I ngre prapë lart.
Ngjyen penelin në bojën jeshile
Pikturon një grumbull me bar
E ua hedh buajve.
Kënaqet kur sheh buajt që hanë.
Kopenë e ngopur shumëngjyrëshe të buajve
E zhyt prapë në llucën e kënetës.
I lë pak aty e i nxjerr prapë jashtë.
Tani të gjithë buajt kanë marrë ngjyrën e dheut.
Një mizë afrohet
Dhe zë vend mbi shpinën e buallit.
Piktori që e njeh bezdisjen e buajve
Ua largon mizat
Me penel.
Zhvendoset pak metër nga telajo
Me shpresë se dikush
Po kërkon buajt e humbur në kënetë.