KAFKË BALLKANIKE
Kafkë e qetë
Pesë mitra pranë saj
Zog i zi ec përrreth
Nga një mendim lëshon mbi kafkë
Kafkë ballkanike
Se kush pëshpëriti
Nga rrethanorët qiellor
Tinguj universi
Tunguj uni ilir
Se kush i këndon kafkës
Me kaq sentiment mesdhetar
Ka një Zeus
Ka një Apollon
Që ruan kujtime për këngët
E shumë kafkave pellazge
Ka një shqiptar të uritur
Për dije e shije antike
Që i’u flet tani me kaq delikatesë
E pyet
Kush e mallkoi kafkën
Dhe trupin e saj kaq të shpërndarë
MENDIM
Lëshoj dorën mbi lugjet e Përmetit
Nis të hapet dita e krijimit të parë
Pa dashje shkel një hartë ilire me këmbë
Atje mbi Këlcyrë
Them bëra mëkat
E më ikë aq larg bashkimi i arbërve
Liria e tyre fshehur në skaje e dete
Prandaj ëndërroj lojën
Me hidhërimin e Zotit
Ku ka gabuar me nënat
Ku është e fshehur e bukura
E Rilindjes Kombëtare
Që goja ime s’e prek dot
Profecitë e ndjenjës klithin e çmenden
Mbi tokën e çarë mbi tokën e thatë
O ujë i lindjes së re
Bëje shqiptarin mendim
Pendim e profet bëje
ASGJSË S’LËVIZ NË BUKURI
Ka ikur dita s’di se ku
Njerëzit luhaten si manaferra
Kuptimi për fatin vetëm rastësi
Që prish rehatinë
E kënaqësive të vjetra
Ka ikur qeshja e mesditës
S’di se ku
Bari rritet i qetë mbi tryezë
Era nuk i ngacmon dritaret
Asgjë s’lëviz në bukuri
Ka pushuar së foluri
Goja e jetës
Të njëjta grisen magjitë
Orgjitë të njejta mësimet
S’ka ndryshuar racionalja provinciale
Qyteti hesht në zhurmën e vet
Sa shumë vetura
Sa pak wc publike
Vajzat vetëm në kafene rrinë
Çunat shigjetojnë kot
‘’Mishi do mishin’’ thotë një poet spanjol
Ejakulim do të thotë pak
Për ta lagur politikën e rrugës
Për ta grisur durimin e njerëzve varfanjak
Për ta çuar Kumanovën fluturimthi
Në Los Anxhelos
Të bëhet një kumanovare Vinona Rajder
O Qyteti hesht
Hesht në zhurmën e vet
E dita ka ikur s’di se ku
A TAKOHEMI ME FARËN
Brendi
Të ikim nga lulja
Nga rrethi
Të dalim në lakuriqësi
Në një gjelbrim
Që s’e shohin as malet
Të bëjmë histori
Duke larë marrëveshje
Me dilema
A do të themi
E patë ardhmëria
Para këtij lumi që rrjedh
Pastërti
Se është e lidhur
Me gra gjithësia
Si të bëhemi
Kënaqësi
Se më s’do themi
Jeta është
Gërmadhë
Uratë e vjetër
Dredhi
Brendi o brendi
A takohemi me farën
SI BARI
Hija e gjeti gjelbëruar
Kopshtin e vjetër
Ik o fillim i njejtë
Me erën time
Toka tash më ka ndrruar
Vlerën intime
Zogjtë këndojnë
Për një trup gruaje të bukur
Dhe një fëmijë
Që shpërndanë ndryshime rreth saj
C’farë zëra në hije
C’farë lamtumire
Dashuri e prishur
Brenda në harresë
Sa jam i ri
Mes dilemave
Të rri nën hije
Apo të vrapoj mbi këto civilizime
Që s’thonë asgjë për dashurinë
Ky dimër i ftohtë trillimi
Filloi të më përqeshë
Sikur të mendojmë si bari
Si gjethet
Unë dhe sekreti im o jetë
MBYLLJA E SYVE TË ZI
Ç’janë mbledhur dhe mjaullijnë ato mace në podrum
Pse mushkonjat më vardisen në shpatull veç mua
Me vijnë ndërmend dashuritë e mëdha mike
E s’mund ta nisi lojën e gjuhës
Mbi ato maja të forta kumbullore
Shekspiri e krijoi Ofelinë
E Dante Beatriçen
Si të të krijoj ty me këtë shikim të rritur
Si zgjatim drenushe në vrapim
Me ato duar kakao me ato vithe xixëllonjëse
Po buzët mavi që klithin si qenushe
Ka kohë që në penën time
S’vjen dot të ndalojë kaltërsia
Bardhësi mike s’ka askund
Ka vetëm tika taka dhe intriga
O sa dua të të bëj laureshë majltimi në poezi
Sa dua të të gjuaj në skaje të Botës
Pranë gojës së krokodilave
E prap të të tërheq shpëtimtari yt
Duke të kthyer në Shqipëri
Ku Zoti na dhuroi detin pa fund
E ne përsëritemi ta shkatrrojmë
Vetveten çdo ditë
Ti e di se me çdo gjë në trup
Mundem të të gris pa ndërprerë
Oh vetëm një puthje bardhësia ime e kuqërremtë
Një puthje ngadalë majë më maje
E dhëmb për dhëmb
Një pështymë si lidhje mos durimi
Mes meje dhe teje mikeshë
E dendur në ndjesi
Vetëm engjujt më kuptojnë tani
Duke hapur pak syrin
Sa ta shoh gjuhën e ëmbëlsuar
Dhe mbylljen e syve të zi
E syve të zi
ME NGJYRËN E VERDHË ANASH
Ah ajo ngjyra e verdhë dhe flladi i dhjetorit anash
Hunda dhe krejt çka fshihet poshtë saj buzëkuqi
U nisën drejt këngës sime për ty poete
E harrova çantën dhe syzet e llaptopit mbi tavolinë
E në tualet hyra i trullosur
I mbushur te koka
Po mendoja se ai në krah aspak stë ngjan
Apo se rrëfimet e miqve kanë qenë të kota
Oh kisha hyrë në tualet të femrave
Dhe pastruesja më qorton ashpër
Prapë ti po gabon
Je totalisht i papastër
Dhe zemra bëri beri tak
Adhuruesja vjollcëruar më priste
Me shikimin e blertë
Si të Miki Mausit mbi tavolinë
Dhe mushtin e buzës së bukur e dalëse
Pastaj patatet me birrën kriko Tirana
Seç na shijuan shumë nga rojtarja e saj
Po unë numrin tre e mendoja në Elabasan
Seç mbeta përmallim
Pas një kohe të gjatlë
Zgjatim mallëngjimi
Me tingujt e Ardian Trebickës
“Lumë që vjen duke këndu duke kënduar
Tregom rrugën kah ke bredhur kah ke shkuar”
Seç mbeta ari i vetmuar
E lumë i trazuar
Në Tiranën me drita plot
Në Tiranën me ngjyrën e verdhë anash
NE DO TË HUMBIM E DASHUR
Ne do të humbim e dashur
Do të humbin
Bota pas nesh do të ekzistojë
Po seksi që bëmë tani me dymbëdhjetë orgazma
Do të ruhet në analet e Tokës
Që na lindi vetë pa kërkesën tonë
Ne do mund të jemi flutur a dinozaur në vrapim
Apo robot që pa dashje gabon
Dhe e prish harmoninë e Universit
Do të mund të harxhohemi në krahë e duar të tjera
Por kështu s’do kemi fatin të luhatemi një orë e njëzetë
Minuta
Duke e lodhur gjuhën dhe fijet e mishit poshtë
Duke i terur dhe lagur përsëri
Ne do të humbim
Do të ikim e dashur nga kjo Botë hileqare
Nga kjo Botë me gjarpërinjë e marimanga
Me ndërtesa qindkatëshe e me fëmijë që vdesin çdo
Ditë në Afrikë
Ne do plakemi e dashur një ditë
E do të ikim siç ikën Hitleri e Merlin Monro
Siç iku Nëna Terezë dhe fëmija i Kosovës në luftë
E s’do kem fatin të lexoj mistere e barcoleta
Te Gazeta Express
As këngë të Redon Makashit më
S’do jem më afër frymës tënde
Afer shpinës lakuar me vithe nga unë
Afër këtij shtrati që duroi klithmat e bërtimat e tua
Si në filma Italianë
Unë vërtetë besoj në reinkarnim por jo si ky poeti
Që të lau me djersë afër barkut hënor
Afër asaj vrime me fleta
Që më shikon e enjtur nga lotët e krypur
Sikur më thotë vdis këtu e mos jeto më
Jo mos jeto më
Ne do të humbim e dashur
Do të humbim
Ah sa dua të të puth dhe njëherë
Fatos Rushiti i takon brezit të ri krijues nga Maqedonia e Veriut. I lindur në Vaksincë të Likovës, ai viteve të fundit jeton dhe vepron në Shkup. Nga viti 2020 udhëheq me Klubin e Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”. Është profesor universitar në lëmin e Sigurisë Nacionale. Deri më tani ka botuar këta libra me poezi:
1.“Aurora e Jetës”, “Luma”, 1999, Tetovë.
2.”Në Elirë”, “Buzuku”, 2007 ,Prishtinë.
3.“Sytë e Shqipërisë”, “Jehona e Karadakut”, 2014, Kumanovë.
4.“Kurorë”, “Jehona e Karadakut”, 2017, Kumanovë.
5.“Grisje”, “Jehona e Karadakut”, 2023, Kumanovë
Është fitues i disa çmimeve letrare në Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Shqipëri. Ka botuar poezi në disa revista letrare në hapësirat shqiptare. Poezia e tij nga kritika letrare në Kosovë është vlerësuar si inovative për nga stili dhe struktura e vargjeve sidimos tek libri “Sytë e Shqipërisë” Nga motivet dominon ai i dashurisë duke vë në pah dhe elementin erotik me theks tek vepra “Kurorë”. Për disa vite poezia e tij mori vëmendje në rrjetin social “Facebook” përmes së cilit autori krijoi një miqësi të gjerë jo vetëm virtuale me krijues nga Shqipëria dhe lexues të apasionuar pas poezisë. Kjo bëri që Fatos Rushiti dhe miqtë e tij shkrimtarë nga Kumanova të lidhin bashkëpunime me Klubet Letrare dhe shkrimtarë nga Shqipëria si në Korçë, Përmet, Pogradec, Tiranë, Durrës, etj. Veç tjerash shkruan dhe tekste për këngë. Gazeta Nacional herë pas here ka botuar cikël me poezi nga ky autor. Eskluzivisht për Gazetën Nacional autori tregon planet e tij që në vitin 2024 në Tiranë të del me dy botime, njëri libër i ri me poezi e tjetri përmbledhje e pesë librave të tjerë poetik. Në këtë numër Gazeta Nacional boton një cikël më të zgjeruar nga opusi krijues i Fatos Rushitit të cilit i uron shëndet dhe suksese në rrugëtimin shumë premtues poetik.