FESTA. Tregim nga Odise Kote

 

 

Në javën e tretë të nëntorit, kryeministri e delegoi Herta Kurtizën si përfaqësuesen kryesore të qeverisë, në festën e krahinës së Zhegulanit.

Krahina e Zhegulanit është një zonë malore, me një luginë piktoreske, ku mespërmes kalon një lumë i rrëmbyer.  Ajo rrethohet nga male që arrijnë deri në 2000 metra lartësi. Ka atyre rrëpirave, prralle e shqopa, ferra e korije drizash pafund. Ka pemë të larta e buronja. Ka shkëmbinj, gërxhe, përrenj, strall, gurë dhe vetëm gurë.

Zhegulanasit shquhen edhe për organizmin e kuvendeve. Ka plot të tilla në historinë e tyre shekullore.  Ata janë dhe me emër të madh, jo vetëm si këngëtarë, por dhe për këngët e holla e plot lezete. Mbahen me nam për sarkazmën therrëse dhe dialogjet kuvëndore, hidh e prit. Këto të fundit janë mbledhur në një libër, si pasuri burimore nga një folklorist i shquar i zonës, propozuar tek presidenti edhe për t’u dekoruar me titullin ‘’Mjeshtër i madh i punës.’’

Në qëndër të Zhegulanit, vendin ku do të bëhej festa, gjendeshin tri rrepe madhështorë, dhe asgjë tjetër. As zogjtë nuk fluturonin më andej.

Njëqind metra poshtë tri rrepeve madhështorë, siç e informuan ministren, ishte zbuluar mozaiku i Zhegulanit, një objekt i rrallë kulti paleokristian, i gjendur në rrënojat e një kishe Paleokristjane të ndërtuar diku në shekullin e VI, e cila përbëhej nga tre anijata. E gjetur në vendin e quajtur Bregu i Kishës, faltorja kishte një gjatësi prej 13.8 m si dhe një gjërësi prej 11 m. Nefi, ose hapësira qëndrore ishte më e lartë dhe më e gjërë se dy nefet e tjerë, të cilët kishin përmasa prej 2.5 m secili. Kisha rrojti deri në shekujt e XV – XVI, dhe pastaj u braktis. Banorët e Zhegulanit ndërruan krah. Ngritën xhami. Tani në Zhegulan se ka mendjen njeri për kultin paleokristian, as për kishën e stërthinjur e të rrënuar.

Zhegulanasit vijnë pak edhe si marukër, të çoroditur e kokëmëvetas. Kështu kanë qënë jetë e mot. Me mëndjen top bien të flenë darkës, me tjetër mendje ngrihen në mëngjes. Dreka i gjen në bregun matanë.

Është për t’u habitur!

Dy batalione me zhegulanas, gati një shekull më parë, (për dyfek, shokë kanë veten), i dërguan thuhet me forcë, (jo mercenarë me pagesë?) në frontin e luftës italo – greke. Dhe ata në front, të hënë me ‘taljanët, të martën me grekët. deri sa një ditë për diell, ikën. I bënë topin. E braktisën frontin. Sikur i përpiu dheu. Dhe fshatrat e tyre më pas i dogji edhe greku, edhe ‘taljani, për hakmarrje.

Dy herë u ishte drejtuar pleqësia e fshatrave të Zhegulanit, kryeministrave shqiptarë, në vitin 1941 dhe gati tetëdhjet e pesë vjet më pas, me kërkesën për dëmshpërblimet e mohuara nga lufta Italo – Greke. Por kryeministrat s’e vunë ujin në zjarr. Asnjë kërkesë Italisë e Greqisë. Tek kjo kërkesa e dytë, pleqësia e Zhegulanit kishte bërë dhe një shtojcë: ‘’nëse nuk munden tani, le t’i mbajnë shënim e të na i japën më vonë. Tani fundja le të na japën ca viza, n’daç për gërqi, n’daç për ‘tali’’.

Edhe në kohë të luftës me gjermanin e deri në çlirimin e plotë, zhegulanasit kështu vazhduan, ca ishin me partizanët e ca me ballistët. Ata që në janar ishin me ballin, në shkurt kalonin me partizanët dhe e kundërta. E njëjta gjë dhe në demokraci. Herë majtas e herë djathas.

Vetëm skamja e varfëria mbetën të pandryshuara. Mjerimi i Zhegulanit tani nuk përshkruhej dot. Pa rrugë, pa qëndër shëndetësore, pa çezmë fshati, pa postë, pa shkollë, pa ujë, me rrymë elektrike që ikte sa herë binte një pikë shiu.

Katunde që dikur kishin pasur një begatim të njohur të mbështetur në një blegtori të mbarë, që ish pasurim dhe lulëzim, tani kishin ulur kokën. Puna e kaq brezave ishte zhdukur, në një kohë kaq të shkurtër. Kishte mbetur vetëm kujtimi i kohërave të mira dhe fatlume.

Mungonte çdo gjë, nga buka e ditës që e bënte secili vetë, tek foletë (shtëpitë e rrënuara) për të futur kokën, nga rrobat për t’u dukur e ruajtur nga ftohma, tek teshat e trupit. Krok e krokëllimë. Binte miu e thyente kokën.

Ja këtu, në festën e kësaj krahine e kishte dërguar kryeministri Herta Kurtizën si përfaqësuese të qeverisë.

Sheshi i Zhegulanit ishte mbushur plot me flamuj kombëtarë. Ishin shkulur e kishin ardhur banorë nga të gjitha fshatrat. Ata rrinin grupe – grupe, qeshnin, hidhnin romuze e shpotitnin. Në qëndër ishte ngritur dhe një podium, ku do të mbaheshin fjalimet e përfaqësuesve të popullit e qeverisë, do të këndohej e kërcehej sipas traditës së vjetër.

Ministren Herta Kurtiza, kishin rënë dakort ta shoqëronin edhe dy deputetët e zonës, njëri majtas e tjetri djathtas. Tingujt e fonisë së fuqishme, ardhur nga qendra, që transmetonin këngë patriotike të krahinës, dëgjoheshin deri larg.

Në orën dhjetë, të gjitha gjërat ishin gati. Fonisti lëshoi hymnin kombëtar dhe të ftuarit e grupet e shumta folklorike u çuan në këmbë për të kënduar e nderuar hymnin. Pas hymnit, në podium u ngjit kryetari i pleqësisë së katundeve. Kryetari ishte gjuhë shpatë. Pasi evokoi traditat e kësaj feste dhe burrat e mëdhenj të Zhegulanit, nuk la gjë pa thënë, (me të drejtë) për situatën e rëndë ekonomike, lënien pas dore të krahinës nga të gjitha qeveritë, emigracionin dhe shpresën e pakët për ndryshim. Në të njëjtën linjë ishin dhe kryepleqtë e katundeve. Te gjithë pas kësaj prisnin fjalën e ministres së qeverisë.

Herta Kurtiza u çua vrullshëm dhe u ngjit në podium. Nuk e mori fjalimin, që me kujdes klinik e pathos, ia kishte përgatitur drejtorja e re e marrëdhënieve me publikun, Donika Meropeza.

Foli pa letër. Ia nisi fare thjesht, shkoqur dhe miqësisht.

‘’Të dashura nëna, baballarë, motra e vëllezër! Erdha me dëshirë të madhe këtu, në vendin e bekuar e të bukur, me emrin Zhegulan, por u trishtova pa masë ngaqë makina nuk ecte në rrugë me asfalt. U mërzita shumë kur mësova se nuk ka çezëm fshati, mungon qëndra shëndetësore, kabina elektrike, shkolla është gati të mbyllet dhe pensionistët jetojnë keq e mos më keq. Por megjithatë, në zemrën time lindi një dritëz shprese kur pashë diçka, diçka që edhe ju e shihni përditë, por nuk i kushtoni rëndësi. Pashë ja këtë, qëndrën e Zhegulanit ku blerojnë prej dhjetra vitesh, tri rrepe madhështorë si historia jonë. Tri rrepe dhe burimin që nxjer një curil ujë, sa një gisht njeriu.

Më besoni të dashurit e mi!

Katund me tri rrepe madhështorë në qendër të tij, nuk ka në asnjë vend tjetër në Shqipëri. As në Ballkan. Madje as në Europë. Ku ka katund me tri rrepe në kërthizë, në gjenezë. Kjo është krenari e shkuar krenarisë, është mburrje kombëtare.

Katund me tri rrepe madhështorë në qëndër!

Por kjo nuk është e gjitha. Fakti tjetër është se këto tre rrepe në qëndër, janë tri shenjat e zotit. Ne duhet të jemi të lumtur se këto tri shenjat që i ka dërguar zoti janë : bujqësi, blegtori, turizëm!

Unë ju garantoj miqtë e mi se qëndra shëndetësore do të regullohet, edhe çezma e fshatit, edhe shkolla do të hapet, edhe sheshi këtu do të shtrohet me pllaka guri, deri në pranverën e vitit që vjen. Është premtimi i qeverisë, i kryeministrit. Unë vetë do të sjell që nesër (kishte fjalën e Ingrid.L – së) një linjë prodhimi, avlimëndet për prodhimin e sixhadeve, qylimave, velenxave për eksport.

Avlimëndet do të vendosen në katin e parë të ishpallatit të kulturës që rri kot. Aty do të punësohen fillimisht tridhjetë gra e vajza. Tregu është i garantuar, dhe paga e tyre do të jetë me shumë leverdi.

Do të dërgoj edhe dy specialist, sa për fillim, derisa t’ia marin dorën gratë e vajzat tuaja. Më tej, do ta menazhojnë e trashëgojnë ato linjën.

Këto do t’i bëjmë të gjitha. Por tri rrepet madhështorë në qëndër të Zhegulanit nuk i bënim dot. Ato i bëri zoti. Ndaj ne duhet të shpiem në vend vullnetin e zotit me këto tri shenjat, tri rrepet: të zhvillojmë e dalim të parët në bujqësi, blegtori e turizëm. Rroftë Zhegulani, rrofshi ju, rrofshin e qofshin tri rrepet në qëndër të krahinës!’’

Pas kësaj fjale, turma buçiti me duartrokitjet. ‘’Është interesante, – mendoi Herta Kurtiza teksa shikonte banorët e ekzaltuar, – se si i humbet individi përmasat kur bashkohet me individë të tjerë për të formuar turmën. Bëhet si insekt, bëhet si mizë. Prandaj disa e kanë quajtur turmën mizëri. Turma qenka një kafshë e stërmadhe, që është në çdo cep të globit e ngjashme. Turma është qenie. Turma e Zhegulanit qënka si turma e çdo vendi tjetër. Ky përbindësh që quhet turmë, po të manipulohet, po të zbutet, po të përdoret, të bën deputet, të bën ministër, të bën president. Të vret, të dashuron, të varros, të zhvarros të linçon, të gradon, t’i bën të gjitha me pasionin e saj të verbër. Kjo është kafshë e llahtarshme. Të nxjerr këngë polifonike por të nxjer edhe këngë me çifteli.’’ Grupet popullore hypnin e zbrisnin njëra pas tjetrës në skenë. Festa e shkuli vendin me gjithë rrënjë e pemë. Kënga, vallja e hareja u dehën, u harlisën, kapërcyen majëmalet dymijëmetërshe për t’iu ngjitur qiellit.