FESTA. Tregim  nga sami Milloshi

 

AI që mendoi për festën ishte një burrë i urtë. Mblidhte kërpurdha pas shiut në korije.I hante të gjalla aty për aty. Kur mblidhte me shumicë i çonte të hanin edhe kalamajtë e tij.

Hiqmet e kishte emrin.Njerëzit në katund e mbanin për njeri të mençur, megjithse ai nuk kishte bërë shumë shkollë. Por, ndodhte që thoshte diçka që njerëzit e pëlqenin,që e mbanin mend dhe që ia përcillnin njeri tjetrit. Prandaj e mbanin për të mençur.

Para se Hiqmetit t’i binte ndërmend për festën e katundit, ai paskësh thënë diçka të habitshme. Fjalë për fjalë Hiqmeti kishte thënë:” Qëllimi i jetës nuk është të bëhesh i lumtur. Qëllimi i jetës është të jesh i vlershëm,të jesh i nderuar nga të tjerët, të të dhimbsen të tjerët në nevojë,të bësh ndryshim, atëhere po ti ke jetuar dhe po jeton mirë.”

Ndoshta pikërisht kjo e kishte bërë Hiqmetin të propozonte një festë për katundin. As ai vetë nuk e kishte të kthjelltë se për çfar do të festonin. Por,ndoshta ngaqë kishte një dhimbje për bashkëfshatarët që kishin kohë që nuk ishin mbledhur për festë, thjesht i shkrepi t’i ftonte.

– Zotni Hiqmet,- e pyeti dikush- po si do ta quajmë këtë festë,me çfar rasti po mblidhemi?

Ai, si i zënë në faj tha:

– Na ka marrë malli për njeri tjetrin. Ta quajmë FESTA e MALLIT.

Askujt nuk i vajti ndërmend që ta quante kështu. Por, fakt ishte se fshati pothuajse ishte rrënuar dhe nuk mbetej gjë tjetër, përveçse ata të cilët e kishin braktisur, të ktheheshin dhe të dëshmonin se sa shumë i kishte marrë malli për njeri tjetrin.

Edhe Hiqmeti e kishte braktisur fshatin,ç’është e vërteta. Por, ngaqë e mbante mend se e çmonin për të mençur,i kishte shkrepur të thirrte Festën e Mallit në fshat.

Vajti kush mundi. U ngjit në fshat me mall të madh. Rruga ishte për faqe të zezë,por ngaqë i kishte marrë malli nuk mund të ankoheshin për rrugën.

Ata që filluan të ankoheshin duke u ngjitur rrëpirave nëpër një rrugë që ishte po ajo rrugë ku ata vallonin dhitë dhe delet kur i nxirrnin në kullotë dikur kur kishte njerëz në fshat,heshtën sapo zbritën aty në sheshin ku do të zhvillohej festa. Ata nuk donin t’ia prishnin humorin festës. I kishte marrë malli edhe për gurët e për drurët,e jo më për njerëzit.

Hiqmeti kishte mbërritur aty i pari. Rrinte nën hijen e lisave ku kishte vendosur një banderole për festën e fshatit.

Shumë shpejt erdhën edhe këngëtarët.

Qendra e zërit u montua shpejt e shpejt dhe gjithshka ishte gati. Mjaftonte që fiks në orën e caktuar Hiqmeti ta shpallte të hapur festën.

Tha Hiqmeti:

– Mirëse ju ka pru Zoti në festën e katundit. Na ka marrë malli shumë. Katund nuk ka më këtu. Ne të gjithë kemi zbritur në qytet,por ne na merr malli. Tani o burra të hidhemi në valle. Ta marrë vesh i madh e i vogël se ne jemi gjallë. Dhe sa kohë ne vijmë këtu të hedhim valle sëbashku, edhe katundi është gjallë ,pavarësisht se të gjithë ne e kemi braktisur…

Filloi vallja. Diku ngjitur ishin kazanët dhe tepsiat me mish në zjarr…

Njerëzit i kishte marrë malli për njeri tjetrin dhe as që donin t’ia dinin se ata po kërcenin e këndonin në rrënojat e katundit.

Tek e fundit, edhe Hiqmeti, ai më i mençuri që e kishte thirrur festën, kishte thënë para se të niste festa se “… qëllimi i jetës nuk është tē bëhesh i lumtur, por të të dhimbsen të tjerët në nevojë…”

Ata vërtet kishin nevojë ta shihnin njeri tjetrin. I kishte marrë malli ,qëkurse e kishin lënë fshatin të braktisur në rrënoja..