Feti ZENELI : “ÇELSAT E PËRSOSMËRISË…” SË PROFESOR LAVDI HASANIT

Shpesh, kur diskutojmë për suksesin shkencor apo akademik, ja atribuojmë atë njerëzve dhe rrethanave jo dhe aq të zakonshme; duke iu larguar, në një farë mënyre, rrethit të atyre individëve, që kanë lindur në fshat. Fjala vjen, një shkencëtar apo qoftë dhe një shkrimtar të mirë, sikur e kemi të vështirë ta pranojmë, se mund të dalë edhe nga mjediset e familjeve fshatare në zonat e thella të vendit, të cilat nuk kanë një minimum trashëgime në këtë drejtim. Por, nxitohemi dhe ndoshta gjykojmë cekët, se të zotin dhe të sukseshëm njeriun, nuk e bën vendlindja, dhe as vetëm trashëgimia, por aftësia individuale për të fituar kulturë, sjellje dhe koncepte qytetare. Të lindësh në fshat apo të jesh bir i prindërve të pashkolluar si duhet, është thjeshtë një rastësi natyrore, një rrethanë, që jo domosdoshmërisht, përcakton të ardhmen tënde në jetë. Natyrisht, punët dhe vështirësitë mund t’i kesh më të mëdha, por suksesi, në shumicën e rasteve, është i lidhur vetëm me këta faktorë. Mund të lindësh, të shkollohesh e të privilegjohesh nga rrethanat e jetës urbane, madje dhe në qytete të mëdha, por jo patjetër mund të arrish që të ndryshosh thelbin tënd intelektual. Sespe, ka jo pak raste, që individë të këtyre mjediseve manifestojnë kulturë, sjellje dhe formim, që nuk e ndesh as në zonat më të skajshme të vendit. Kthejmë pak kokën pas, dhe e hedhim vështrimin në thellësi të viteve, ku do shohim, se pjesa më e madhe e personaliteteve tona të politikës, ekonomisë, shkencës, artit, kulturës, etj., kanë origjinë fshatare. Gjithësesi ky është një fenomen i përbotshëm, aspak vetëm shqiptar. Faktorët që e bëjnë njeriun të sukesshëm apo të dështuar janë të llojeve dhe natyrave të ndryshme, por mbi të gjitha, e rëndësishme është, që hapat premtues të hidhen qysh në fëmijëri. Ja, ashtu siç thotë biznesmeni i njohur amerikan, Kristofer Gardner: “Hapat që në fëmijëri kanë rëndësi, për aq kohë sa jeni duke ecur përpara. Ju mblidhini ato të gjitha bashkë, dhe një ditë, kur të hidhni vështrimin pas, do të habiteni se ku mund të mbërrini”.
Teorikisht mund të flitet pafund rreth kësaj teme, por le të zbresim në terrenin praktik. Po i referohemi një zone të thellë, siç është ajo e Buzit në Tepelenë. Midis shumë personaliteteve që kanë dalë prej këtej, ndër më të spikaturit, është emri i Prof. Dr. Lavdi Hasanit nga fshati Arrëz e Vogël. Lindi në 23 Maj 1958. Në vitet 1965-1969 kryen arsimin fillor pranë shkollës së ciklit të ulët në vendlindje. Për të përfunduar 8-vjeçaren, plotë katër vite rresht nga 1969-1973, udhëton përditë deri tek shkolla e një fshati fqinj, në Buz-Golemaj. Në saj të rezultateve të shkëlqyera të arritura në përmbylljen e këtij cikli arsimor, fiton të drejtën e studimit për në shkollën e mesme pedagogjike “Pandeli Sotiri”, Gjirokastër. Dhe këtu, sërish shkëlqen, si në mësime ashtu dhe në komponentët e tjerë që përmblidhte arsimimi i mesëm i asaj kohe. Gjatë viteve 1977-1978 kryen periudhën e stazhit (një detyrim ligjor para shkuarjes në universitet vetëm për djemtë) të ndarë në dy pjesë. E para, zgjat 8 muaj dhe përfshin sektorin e arsimit, si mësues në shkollën 8-vjeçare Buz-Golemaj, ndërsa e dyta, atë të stazhit direkt në prodhim, 4 muaj në ish-kooperativën bujqësore Buz. Pasi i përmbushi me sukses të gjitha këto detyrime, në vjeshtën e vitit 1978 nis studimet e larta në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Departamenti i Biologji-Kimisë, Tiranë, të cilat i përfundon me rezultate të shkëlqyera në vitin 1982. Përsëri një vit stazh, por këtë herë si mësues i Biologjisë dhe Kimisë pranë Gjimnazit “Abaz Shehu” Tepelenë. Në të njëjtën kohë kryen dhe studimin për mbrojtje diplome, me temë: “Kontribut në studimin e herpetofaunës në rrethin e Tepelenës”. Me mbrojtjen e diplomës, bazuar dhe tek rezultat e larta të arritura në universitet, emërohet pedagog pranë ish-Institutit të Lartë Pedagogjik të Gjirokastrës, sot Universiteti “Eqerem Çabej”. Gjatë viteve 1987-1994 kryen studimet pasuniversitare, duke plotësuar kështu, nëpërmjet provimesh shtesë, kulturën biologjike 5-vjeçare, që ishte një farë specializimi i ngusht profesional në këtë degë. Ndalemi pak këtu, për të evidentuar një cilësi të veçant të karakterit të profesor Lavdiut, që lidhet me shfrytëzimin e mundësisë më të parë që të jepet në jetë për t’u përsosur profesionalisht. Ai kishte kohë që e vëzhgonte dhe e shpresonte këtë shans apo mundësi të re shkollimi dhe kualifikimi të mëtejshëm, ndaj me t’u materializuar institucionalisht, ishte ndër të parët që u ul, sërish si një “student i zellshëm”, në këtë auditor të nivelit të lartë akademik, që sapo hapej në Shqipëri. Ndërkohë, ndoshta i vinin ndër mend edhe eksperiencat e leximeve “jashtëshkollore”, siç u thoshin atëhere botimeve jo mësimore, si romane, tregime, histori, filozofi, etj., të cilat e bëjnë më të plotë arritjen e potencialit të tij, dhe që Konfuci do t’i quante “…çelsat e përsosmërisë personale”. Por, së pari, kujtonte këshillat prindërore dhe ngjarjet e tjera jetësore në atë fshat të largët, ku në mjedisin fshatar, më shumë se sa për t’u kuptuar, duhej të bëje kujdes për të mos u keqkuptuar, pasi “syri vigjilent i partisë” dhe ai i xhelozisë, të kishin nën mbikqyrje gjithë kohën. Sepse në rast të kundërt, gjithëçka kishe investuar e sakrifikuar, duke punuar shumë e me gjithë zemër, befas mund të të shkonte dëm, siç për pak i ndodhi bashkëfshatarit të tij, Baki Kika, që vijonte studimet në shkollën ushtarake “Skënderbej”, dhe për të cilin ai rrëfen gjerë e gjatë në librin e tij artistik: “Fëmijëria jonë sa e vështirë aq dhe idilike” …
Por me kaq sa treguam nuk kemi thënë asgjë për sukseset e Lavdi Hasanit. Ai nuk është thjeshtë një profesor e lektor i zoti për studentët e universitetit, por një shkencëtar i ri në fushën e biologjisë. Ndërkohë që kryen studimet pasuniversitare, pra midis viteve 1987-1994, vjen dhe një ndër punimet më të rëndësishme shkencore të tij, me të cilin fiton dhe gradën “Doktor në shkencat biologjike”, të titulluar: “Kontribut në studimin e N/Klasës Coccoinea të Klasës Hexapoda në rajonin e Shqipërisë Jugore (Sarandë, Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet) me të dhëna bioekologjike për llojet dëmprurës”. Duhet thesuar gjithashtu, se ky është dhe studimi i parë dhe më i plotë në këtë fushë për vendin tonë. Studime e punime të tilla, tepër cilësore, do të shoqëronin edhe marrjen e titujve të tjera akademik, si “Profesor i asociuar” dhe “Profesor”. Në vazhdimësi, me kalimin e kohës, veprimtaria e tij shkencore thellohet, zgjerohet dhe pasurohet gjithnjë e më shumë. Nga ana tjetër, veprimtaria shkencore dhe ajo mësidhënëse ndërthuren, plotësojnë e ndikojnë njëra-tjetrën. Në mjaft raste ajo lidhet, edhe me udhëheqjen prej tij të disa studimeve të kandidatëve për doktoraturë, për master shkencor, për master profesional apo dhe për tema diploma. Gjithashtu, kjo veprimtari e spikatur gjendet në më shumë se 63 artikuj shkencorë të botuar brenda dhe jashtë vendit (ndër të cilët një pjesë e konsiderueshme me impakt faktor); tek mjaft kumtesa në fushën e biologjisë, mjedisit, didaktikës, evolucionit të jetës, florës dhe faunës. Por ajo gjendet jo pak edhe tek problemet apo çështjet e modernizimit të universitetit dhe ciklit parauniversitar arsimor, mësimdhënies e metodologjive në kërkimin shkencor, në modernizimin e kurrikulave, implementimin e procesit të Bolonjës në arsimin tonë të lartë, etj. Nga ana tjetër, në këtë veprimtari të tij gjejmë edhe një sërë referatesh shkencore specifike me një trajtesë gjithëpërfshirëse, të mbajtura në konferenca shkencore me temë nga fusha e evolucionit biologjik, fusha e biologjisë, fusha e didaktikës së mësimdhënies dhe ajo e problemeve të lidhjes së shkollës me prindërit dhe komunitetin. Ai, gjithashtu, ka marrë pjesë, duke kontribuar me punimet e tij, në mbi 35 konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Për shkak të këtij kontributi, Lavdiu është sot anëtar i shumë shoqatave mjedisore si dhe i asaj të Apidëve të Ballkanit. Gjatë veprimtarisë së tij shkencore, ka marrë pjesë dhe ka udhëhequr një sërë projektesh kërkimore, mes të cilave dhe ato dypalëshe në bashkëpunim me Universitetin e Leçes, Itali. Gjatë gjithë kësaj kohe, ai nuk ka lënë pasdore edhe kualifikimet për sinkronizimin e nivelit të tij profesionalo-shkencor me zhvillimet evropiane dhe mbarëbotërore në këto fusha. Kështu ka kryer një sërë kualifikimesh shkencore dhe menaxhuese (për arsimin e lartë) në kuadër të projekteve TEMPUS, IMG, Bilaterale, etj., jashtë vendit, si në Greqi, Itali dhe në SHBA.
Aktivitetin e tij botues në fushën e shkencës e ka filluar qysh herët (në vitet e para të punës së tij), nëpërmjet disa artikujve shkencor të publikuar në periodikun shkencor për nxënësit “Horizonti” (për shumë vite radhazi) apo edhe në ish-gazetën “Zëri i Rinisë”, në rubrikën shkencore të saj “Horizonti i të riut”. Në vazhdën e këtyre lloj botimesh, përveç monografive të përmendura pak më lartë, e para, përgatitur gjatë mbrojtjes së diplomës dhe tjetra, gjatë marrjes së gradës “doktor në shkencat biologjike”, përfshihet dhe ajo me titull: “Koksidet”, botim i vitit 1997.
S’kemi si lëmë pa përmendur këtu edhe kontributin shkencor të profesor Lavdi Hasanit në hartimin e afro 30 teksteve e tekst-maketeve të ndryshme mësimore (ndonjë edhe me bashkëautor); të programeve të studimit biologji-kimi, mësuesi në arsimin fillor dhe infermieri e lartë për studentët universitar, e në veçanti për ata të Universitetit të Gjirokastrës. Po kështu edhe shumë cikle leksionesh për nivelin e dytë të studimeve, atë “Master” në “Mësuesi për biologji-kimi”; tekst-makete mësimor për degën “Mësuesi për arsimin fillor e atë parashkollor”, etj. Krahas teksteve mësimore, ka hartuar edhe një sërë tekstesh didaktike të karakterit metodologjik e praktik (laboratorik), si metodika e mësimdhënies së lëndës “Dituri natyre”, tekste ushtrimesh në biologji, udhëzues për praktikat në terren dhe praktikat laboratorike të studentëve, etj.
Veprimtaria e tij shkencore, megjithëse në një nga fushat më të vështira (atë të shkencave natyrore), ku konkurenca ndërkombëtare është nga më të fortat, mbase do të kishte qënë më e shumtë, nëse nuk do t’ia kishin zënë një pjesë të kohës detyrat e përgjegjësitë drejtuese në Universitet, apo dhe jashtë tij. Duke filluar nga viti 1987 e në vazhdim, përveçse në krye të Katedrës dhe Seksionit Shkencor të Biologjisë, apo si Përgjegjës i Departamentit të bashkuar të Biologjisë dhe Infermierisë, ka kryer dhe detyrën e Dekanit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, si dhe atë të Zv/Rektorit e Rektorit të Universitetit “Eqrem Çabej”, Gjirokastër. Ndërkohë, qysh nga viti 2019, krahas punës si lektor në universitet, zgjidhet e kryen dhe detyrën e Kryetarit të Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Gjirokastrës. Gjithashtu, Lavdiu ka qënë aktiv edhe në median audio-vizive lokale e kombëtare për trajtimin dhe ndarjen me publikun të shumë çështjeve lidhur me shëndetin, mjedisin, biodiversitetin, arsimin, etj.
Një pasion tjetër i profesor Lavdiut është dhe publicistika e letërsia. Janë dy aspekte këto që e plotësojnë figurën e tij intelektuale. Në këtë drejtim duket se ecën në gjurmët e profesorit të tij të fakultetit, Prof. Dr. Ethem Ruka, i cili përveçse një shkencëtar me emër është dhe një letrar klasi. Rrëfimet e tij kanë art, mençuri dhe shtjellim interesant të temave, kryesisht të atyre sociale. Kësisoj edhe botimet e këtij lloj të profesor Lavdiut ecin në po të njëjtat gjurmë, talenti e formimi intelektual. Ai ka botuar në shtypin periodik të kohës me dhjetra artikuj, ku me profesionalizëm të spikatur ka trajtuar një sërë problematikash të procesit evolucionuar të arsimit shqiptar. Disa prej tyre si: “Ne dhe universiteti ynë përballë kohës që po vjen”, “Pikëpyetjet e mia mbi reformën në arsimin e lartë”, “Profesioni i shpërfillur i mësuesit dhe disa nga shkaqet e krizës në arsimin e lartë”, “Cilësia e pranimeve të reja dhe cilësia e studimeve universitare”, etj., janë platforma pune dhe strategji qeverisëse për arsimin në vendin tonë.
Krahas këtyre e shumë artikujve të tjerë të natyrës publiçistike mbi aktualitetin dhe perspektivën e zhvillimit të arsimit në përgjithësi dhe të atij universitar në veçanti, ka botuar edhe tre libra interesant në këtë fushë, të titulluar: “Vendlindja jonë-fshati Arrëz e Vogël në rrethin e Tepelenës”, “Fëmijëria jonë sa e vështirë aq dhe idilike” dhe “Shqisa mahnitëse apo supershqisa”. Rrallë ndodh që një individë i cili shkëlqen në fushën e shkencave të natyrës, të spikasi edhe në letërsi e publicistikë. Pedagogjia e konsideron një përjashtim faktin, që të shkëlqesh në të dy këto fusha, njëherësh. I tillë është profesor Lavdi Hasani. Po të lexosh librat e tij bindesh për një konstatim të tillë. Veçanërisht te libri: “Fëmijëria jonë sa e vështirë aq dhe idilike”, gjendet edhe historia e suksesit shkencor të tij. Nëpërmjet 64 tregimeve “të jetuara” ai sjell kujtime interesante nga jeta e shkollës, por edhe nga ajo e fshatit, për të merituar titullin “djalë fshati”, të cilin ai e konsideron, jo pa ironi, të barazvlefshëm me titullin “Qytetar nderi” sot. Ishte një vlerësim që e fitoje me veprimtarinë dhe sjelljen tënde, duke u bërë i denjë, jo vetëm për veten e familjen, po për gjithë komunitetin. Siç pohon vetë autori, “…rëndësi ka të kujtojmë se me ç’ndjenja, me ç’sakrifica, me ç’sadisfaksione, me ç’vlera, me ç’ide, me ç’filozofi mbi jetën, me ç’kreativitet dhe me ç’fantazi ishte e mbushur jeta jonë”. Tek ky libër, në dukje i thjeshtë, por me vlera të jashtëzakonshme edukative e kulturore, tregim pas tregimi shpalosen ndodhi e ngjarje, që dëshmojnë se si rridhte jeta në fshat. Cilat ishin shqetësimet kryesore që prekuponin komunitetin, dhe punët më të rëndësishme që duheshin kryer? Cilat ishin kushtet, andrallat dhe ëndrrat që thureshin në atë kënd të vogël, sipas autorit, të kësaj bote të madhe?!
Siç dihet, dhe siç rrëfen vetë autori, aty nga nga fundi i viteve ’60, jeta në fshat, si për këdo, por në mënyrë të veçantë për fëmijtë, dukej sikur po i bënte ata me optimist, më ëndërrimtarë, por njëkohësisht dhe më të kulturuar e më të qytetëruar. Sapo kishte përfunduar elektrifikimi, i cili më shumë se një arritje teknike, ishte një mundësi qytetërimi dhe emancipimi shoqëror për fshatin e kandilit. Shërbimet sociale shtoheshin e zgjeroheshin përditë. Fshatit po i shtoheshin dyqanet industriale, furrat e bukës, vatrat e kulturës, qëndrat shëndetësore, kopshtet dhe çerdhet, e kështu me radhë. Natyrisht këto kushte të përmirësuara, do thoshim, ishin për çdo bashkëmoshatar të Lavdiut, por jo të gjithë patën suksesin dhe arritjet e tij. Kush është sekreti i shndërrimit të kësaj bote të vogël fshati në një botë akademike?
Siç dihet, bota akademike është një botë fjalësh, që përban informacion, teori, fakte, ide. Ajo është luftë dhe përpjekje mes intelektualit dhe fjalëve të shkruara. Duke kuptuar strategjinë e kësaj lufte, Lavdiu intelektual, ashtu siç e përmendëm pak më lartë, e fitoi këtë luftë duke shkruar tekste, monografi, programe e libra, jo vetëm shkencor, por dhe artistik, duke mbërritur kështu, pas nga pak, në kufijtë e përsosmërisë personale. Këtu qëndron dhe sekreti apo çelësi i suksesit të tij përgjatë gjithë këtyre viteve, që ka ecur sukseshëm në rrugën akademike, si një njeri i ditur, por dhe tërësisht i përgjegjshëm për impaktin publik. Kësisoj mbetet një figurë e nderuar jo vetëm në rrethet akademike, por edhe në të gjitha grupet shoqërore, që kanë përfituar individualisht dhe kolektivisht nga puna dhe botimet e tij akademike, pa përjashtuar këtu dhe aspektin drejtues. Prof. Dr. Lavdi Hasani përfaqëson në vetvete një dimension të gjerë të lirisë krijuese dhe akademike, i cili sendërton në qënien e tij parimin: në asnjë arritje njerëzore nuk ka autoritet të lartë se sa pasioni, puna dhe e vërteta.