FLAMUR BUCPAPAJ, si e drejtoj LEVIZJEN STUDENTORE ANTIKOMUNISTE NË UNIVERSITETIN E SHKODRËS, MË 13 DHJETOR 1990

13 dhjetori i studentëve dhe i popullit të Shkodrës dha shembullin e revolucionit të mirëfilltë.
Në qoftë se kudo në Shqipëri lëvizja antikomuniste ka patur edhe vetëpërmbajtjen edhe “kompromisin”, në lëvizjen studentore të Shkodrës dhe të popullit të Shkodrës, të vitit 1990, ato kanë munguar. Nëse 8 dhjetori i studentëve të Tiranës dha shembullin e bashkimit brenda terminologjisë së lirisë, 13 dhjetori i studentëve dhe popullit të Shkodrës, dha shembullin e revolucionit të mirëfilltë. Shkodranët nuk do të ishin për reforma të buta dhe graduale. Ata ishin për revolucion. Parakalimi i studentëve konviktorë prej lagjes “Zdrale” në drejtim të ndërtesave të Institutit të Lartë Pedagogjik (sot Universiteti Luigj Gurakuqi) ka paralajmëruar furtunën e drekës së 13 dhjetorit. Studentët shkodranë vetë, shkodranët në tërë lëvizjen antikomuniste të dhjetorit nuk kanë qenë aspak utopistë. Ata kanë qenë praktikë, bile radikalë. Kahja e padiskutueshme e qëllimit të lëvizjes së tyre ka qenë përmbysja korrekte e kushtetutës së “virtytit” dhe “terrorit” të shtetit komunist dhe dalja e mirëfilltë tek shteti institucional, rendi dhe rregulli. Studentëve shkodranë në atë mëngjes dhjetori nuk u ka interesuar paqja me sistemin, por liria dhe nëse punët e demokracisë liberale të pasvitit 1992 nuk kanë shkuar mirë, faji qëndron tek moskuptimi si duhet i mesazheve të lëvizjes antikomuniste të Shkodrës. Bashkëjetesa e gabuar me pendesën hipokrite komuniste dhe reformat gjysmake dhe me karakter të potershëm, çuan më vonë deri në shkatërrimin e demokracisë, ose rrezikimin e saj nga rebelimi komunist i marsit të vitit 1997. Por kjo është një çështje tjetër, ne do të ndalemi vetëm tek 13 dhjetori, i cili qe i ashpër si për nga përmasat e konfrontimit, ashtu edhe nga fjalori që u përdor atë ditë. Megjithatë, ai nuk arriti dot të bëhej Timishoarë dhe këtu qëndron dobësia e kësaj date. Kjo nuk ndodhi, jo pse mungoi guximi i studentëve dhe i popullit të Shkodrës për të qëndruar, por për dobësinë e diktaturës. Në fakt, 13 dhjetori shkodran prodhoi jo vetëm mënyrën se si mund të shkohej tek liria, por edhe një teori kritike për vetë demokratët dhe shtetin e tyre të ardhshëm. Kuptimi i radikalizmit të lëvizjes së Shkodrës përcaktohet në një farë mënyre edhe nga tradita.
Qytetërimi modern shkodran, kultura e fortë fetare, pedagogjia e klerikëve të shquar, shkrimtarët kolosë që kishin tronditur Perëndimin, duke filluar nga Marin Barleti, deri tek Martin Camaj në fund të shekullit XX, bibliotekat, shkollat, qytetërimi i gjithashëm si dhe lidhjet e përjetshme me Perëndimin, e kishin shndërruar Shkodrën në një kryeqytet të antikomunizmit. Nëse kudo nëpër Shqipëri komunizmi shumëfishohej me klarinetë dhe fizarmonikë, në Shkodër çdo nen i tij është përshkruar nga burgu, varri, plumbi, terrori duke mos u bërë kurrë një ideologji e pranueshme për popullin e saj. Besimi tek identiteti i popullit të Shkodrës është vetë besimi i identitetit të Shkodrës. Në qoftë se Shkodra kishte filluar luftën për përmbysjen e regjimit komunist qysh në vitin 1946, e njohur si kryengritja e Postribës, kjo ka qenë për shkodranët dhe veriun antikomunist në tërësi një zgjedhje vlerash dhe qytetërimi në tërësi, Një përgjegjësi për fatet e kombit dhe të atdheut, që sapo kishte rënë në shtetrrethimin komunist. Netët që pasuan robërinë komuniste të Shkodrës kanë qenë në radhë të parë një tragjedi e modernitetit të Shkodrës. Kur studentët e këtij universiteti, atëherë Instituti i Lartë Pedagogjik, kanë vendosur për të dalë në sheshin qendror të Shkodrës, gjithë qyteti kishte vendosur të ishte në krah të tyre. Gardianët, spiunët, hafijet, forcat speciale të ardhura nga Tirana, kërkonin të hakmerreshin kundër Shkodrës, e cila tani kishte vendosur të dilte hapur. Nëse regjimi ishte detyruar të përmbahej për të tjera rrethana, në Shkodër do të dilnin në rrugë tanket, mitrolozët, autoblindat dhe trupat komando për të shtypur Shkodrën. Më 13 dhjetor, Shkodra ka qenë e ftohtë dhe e menduar. Regjimi që kishte kositur në çdo dhjetë vjet inteligjencën shkodrane tashmë ishte kthyer në një kanibal të vetvetes. Ai këtë egërsi dëshironte të tregonte tani kundër Shkodrës, ndaj këtij qyteti i cili, përveç të tjerash, jetonte edhe në një lëngatë ekonomike dhe izolim. Atë dhjetor gjithçka mungonte në jetën e këtyre njerëzve, duke filluar nga drita, uji, puna, ushqimi i përditshëm dhe deri tek shpresat se mund të bëhej më mirë, se mund të ndreqej diçka në jetën e tyre. Menjëherë pas fillimit të protestave të Universitetit të Tiranës, në Shkodër pritej vetëm shkëndija. Mësimi ishte ndërprerë qysh prej datës 9 dhe lëvizja atikomuniste në Shkodër po merrte një kuptim të veçantë.
13 dhjetori fillon me parakalimin e mistershëm
13 dhjetori shkodran ka nxjerrë në skenë një varg ndryshimesh. Ungjilli shoqëror i këtij mëngjesi do të kishte gjithçka të një revolucioni që nga thirrjet për rrëzimin e Gardës së vjetër komuniste, frymën e paepur popullore, spontanitetin, idealizmin dhe ndjenjat e vetëflijimit, guximin dhe arsyen për të kapërcyer frikën, deri tek përleshja e ashpër dhe shkatërrimi. Shkodranët e dinin mirë se të jesh radikal do të thotë të kesh vendosur të vetëflijohesh.
Studentë konviktorë të universitetit, të udhëhequr nga lideri i kësaj lëvizjeje, Flamur Buçpapaj, në mëngjesin e asaj dite do të bënin një parakalim të mistershëm. Ata do të përshkonin rrugën nga “Zdralja” deri në auditoret e tyre në qendër të Shkodrës në kolonë për një. Por ç’është “Zdralja”? Si duhet të ketë qenë në përfytyrimin e studentëve kjo torturë e gjatë, të cilin regjimi e mbante për ndërtesë konvikti. Ai ishte një konvikt ferr, një “pension” që ne e hasim vetëm në ndonjë roman të Hygoit apo Balzakut. Ai konvikt ishte vetë fytyra e atij sistemi. Jashtë me parulla partiake që shprehnin eufori dhe optimizëm, ndërsa brenda pisllëku, mjerimi, të ftohtit, rënia shpirtërore, disidenca, por edhe spiunët vigjilentë dhe kujdestarët e pagabueshëm roje.
Me siguri gjithë këtë përfytyrim duhet të ketë nxitur edhe më tej ai shi i vrazhdë, që binte papushim atë mëngjes, ndërsa studentët kishin vendosur të mos ktheheshin më pas. Ata do t’i jepnin jetës së tyre dhe asaj të shoqërisë një kuptim më dinjitos dhe arsyet ishin të mëdha. Këtë parakalim e kishin përgatitur një sërë faktorësh. Ajo kishte brenda edhe origjinalitetin shkodran, mllefin e një duleli të gjatë të këtij qyteti me komunizmin. Shkodranët përpara se ta rrëzonin komunizmin dëshironin që të tallnin, të poshtëronin aq më tepër që një revolucion nuk ka tepri normative, ka vetëm lëvizje, vetëm ecje përpara, përndryshe gjithçka mbaron. Një revolucion nuk ka kohë të ndalet, ai është i mbushur me guxim me mesazhe, me shpresa që presin për t’u realizuar.
Flamur Buçpapaj, bashkë me Ismet Palin, Ilir Secin, Nazmi Pekën, Majlinda Sulën dhe Përparim Hykën do t’i jepnin shpirt kësaj lëvizjeje. Ata ishin të gjithë të prirur për t’u shndërruar shumë shpejt në aktorë të përgjegjshëm të asaj që do të ndodhte më vonë. Një shoqëri e re po konturohej brenda imagjinatës së këtyre djemve të rinj, të cilët kishin lënë pas një konvikt të pistë, ndërkohë që kishin akoma përpara gardianët e sistemit të kalbur për të shkuar tek liria që ëndërronin. Ashtu si edhe studentët e universitetit të Tiranës, ata ishin njerëz me prirje intelektuale, por tepër të prerë për të drejtuar revoltat studentore të universitetit. Ata, me të mbërritur në oborr të Universitetit, të shoqëruar edhe nga qindra qytetarë shkodranë, do të kryenin shpejt e shpejt një punë të rëndësishme – grumbullimin e të gjithë studentëve, detajimin e revoltës dhe shpërndarjen e detyrave të përcaktuara qysh në darkë. Në një revolucion çdo kush ka një detyrë, çdo kush ka rolin e vet dhe fuqinë e vet. Në një revolucion njerëzit janë të lirë. Një revolucion është i bukur, sepse nuk njeh kufizime për të shkuar tek liria. Ai njeh vetëm qëllimin e lirisë dhe barazinë në pjesëmarrje. Aty të gjithë e ndjenë veten heronj dhe bëjnë diçka prej heroi.
Diktatura e kishte vrarë dhe shkretuar Shkodrën për gjatë 50 vjetëve në një vetmi të plotë dhe larg syve të botës
Shkodra mbështeti Tiranën në ditët e protestës
Grumbullimi tek auditori nr.1
Ardhja e vajzave konviktore dhe bashkimi i tyre me djemtë në auditorin nr.1 të Universitetit, i ka dhënë fuqi lëvizjes. Së pari, ishte siguria dhe uniteti, së dyti vazhdimësia, së treti forca, njerëzit e policisë dhe të sigurimit do të kishin të bënin jo vetëm me djemtë, por edhe me vajzat. Kjo do të sensibilizonte qytetin, i cili ishte bërë gati nga ana e vet për t’u përleshur me diktaturën, por studentët do të luanin rolin e vet të rëndësishëm.
Në Universitetin e Shkodrës ishin marrë vesh qysh më 9 dhjetor protestat e famshme të natës së 8 dhjetorit në Tiranë. Ishin ndërprerë mësimet në të gjitha auditoret, ndërsa po përgatitej revolta nën drejtimin e F. Buçpapaj dhe të shtabit të tij. Shkodra e mbështeti Tiranën në të gjitha ditët e protestës së saj, në mënyrë të organizuar, ndryshe nga shkollat e tjera të larta të vendit.
Më 12 dhjetor, vonë në darkë, e kam takuar këtë shtab studetësh, duke parë në sytë e tyre vendosmërinë për t’u përballur me të gjitha mjetet me regjimin.
Tani, në auditorin nr.1 po buçiste kënga “O e mjera Shqipëri, se mjaft në robëri”, si dhe thirrjet “Liri-Demokraci”, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, etj. Ata që kanë qenë në atë auditor tregojnë se studenti i Histori-Gjeografisë, Flamur Buçpapaj, lider i kësaj lëvizjeje, i ka thënë rektorit komunist se “Nuk do të dalim të gjallë nga auditori pa ardhur për të bashkëbiseduar me ne vetë Sekretari i Parë i PPSH-së për Shkodrën, Xhemal Dymylja”, njëkohësisht edhe anëtar i Byrosë Politike të PPSH.
Eshtë për t’u theksuar se kudo studentët në këtë periudhë i kanë kushtuar vëmendje dialogut me regjimin përpara se ata të kalonin në demonstrata. Ardhja e shefit të komunistëve për Shkodrën tek studentët do të shënonte ndeshjen parë të të dy sistemeve në mënyrë publike. Por edhe humbjen e parë publike të komunistëve në Shkodër.
Në orën 13.00 ka mbërritur tek studentët Dymylja, i heshtur dhe i frikësuar. Një natë më parë studentët e Universitetit të Tiranës kishin takuar Presidentin komunist Ramiz Alia. Pluralizmi ishte lejuar, por regjimi nuk dëshironte të dorëzohej. Regjimi në atë kohë po bënte përpjekje të mëdha që të mbante Tiranën të izoluar, të veçuar prej pjesës tjetër të vendit. Qëllimi ishte i qartë të pengohej sa të ishte e mundur depërtimi i ideve përmbytëse të dhjetorit në zonat e tjera të vendit. Krahas kësaj, propaganda e kontrolluar nga Partia Komuniste në fuqi ishte hedhur në ofensivë. Studentë dhe demokratë përshkruheshin si fashistë, si njerëz të shitur tek imperializmi, si dhe kriminelë. Megjithatë, studentët e Tiranës kishin fituar mbi burokratët xhelatë dhe kriminelë të regjimit. Ndërsa në sytë e Shkodrës do të kishte shumë rëndësi ndeshja ballë për ballë me regjimin. Fenomeni i nxjerrjes së frikës kishte tepër rëndësi në këtë kohë, sidomos për popullin e thjeshtë.
Pas një heshtjeje të momentit, Dymylja i ka pyetur studentët se, “çfarë kërkesash keni?”
Lideri i studentëve, Flamur Buçpapaj, e ka pyetur me ironi se, “çfarë kuptonte me fjalën demokraci?”, si dhe “pse nuk doni të lejoni pluralizmin politik?””
Në auditor të mbushur tej mase kanë shpërthyer thirrjet “Liri-Demokraci”, por edhe batuta therëse të humorit shkodran kundër regjimit. Në këto kushte, zoti Dymylja ka bërë thirrje që dialogu të vazhdojë me një përfaqësi të studentëve në një tjetër sallë të fakultetit. Studentët kanë pranuar propozimin. Janë zgjedhur menjëherë përfaqësuesit e të gjitha degëve dhe fakulteteve si dhe është përcaktuar edhe auditori ku do të vazhdohej dialogu, që në fakt ka qenë gjyqi ndaj regjimit diktatorial të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë.
Vazhdimi i dialogut
Nëse ndalemi për të parë vëmendjen me të cilën studentët e dhjetorit e kanë shqyrtuar regjimin shtypës, simpatia ndaj tyre, si dhe lëvizjes së tyre, do të rritej edhe më shumë. Arsyeja kritike studentore ka qenë e papërballueshme. Ideja e lirisë ka ushqyer këtë revolucion, i cili në thelb aspironte për shoqëri civile, demokraci liberale, shtet konstitucional dhe rend ligjor. Besimi, dija, opinioni dhe guximi për të mbrojtur idetë e tyre përbëjnë në thelb natyrën e dhjetorit dhe të njerëzve të tij, studentëve. Kjo lëvizje, e cila në tërësinë e saj shkëlqen si në Tiranë ashtu edhe në Shkodër, ka patur edhe vrullet, edhe luhatjet, edhe funksionimin normal, por kurrë nuk është dhënë përpara goditjeve të egra, nuk është ndalur nga sulmet, intrigat dhe shpifjet në tirazh të lartë të regjimit. Lëvizja e dhjetorit në përgjithësi nuk mund të përbaltej kurrë. Ajo është e pastër dhe plot ëndrra, edhe sot pas tetëmbëdhjetë vjetësh nga koha kur ajo ndryshoi historinë tonë. Kjo lëvizje ngre lart ata që ju bashkuan asaj për çështje të lirisë dhe përparimit kombëtar, dhe mëshiron të gjithë ata që, siç rezultoi më vonë, ishin futur atje me udhër të strukturave të Sigurimit dhe PPSH-së.
Megjithatë, le të kthehemi tek dialogu i lënë përgjysmë. Në sallën e katit të dytë të biokimisë, një përfaqësi prej 80 vetësh ka vazhduar dialogun me zotin Dymylja. Flamur Buçpapaj ka akuzar rëndë kastën komuniste për izlomin, telat me gjemba, varfërinë, luftën e klasave, mohimin e pronës private dhe të të gjitha lirive themelore të njeriut. Ai ka paraqitur një listë zyrtarësh komunistë të hartuar nga studentët, që duheshin ekzekutuar, si Çaushesku në Rumani, pasi kishin lyer duart me gjakun e mijëra shqiptarëve të pafajshëm. Përfaqësuesit e regjimit kanë filluar të dridhen. Kujtimi i Çausheskut ishte i freskët. Studentët të egërsuar kanë mbështetur liderin e tyre. Kanë folur studenti nga Dibra, Gazmend Dibra, si dhe pedagogu Bajram Xhafa etj. Që të dy, tregojnë pjesëmarrësit, kanë sulmuar diktatorin Enver Hoxha dhe regjimin monist, bile edhe më të shara banale. Papritur, studenti Flamur Buçpapaj ka thirrur me tërë fuqinë e tij “Poshtë diktatori Enver Hoxha!”. Me kaq takimi është prishur, për t’iu drejtuar revoltës së hapur. Gjatë gjithë kohës që po zhvillohej takimi me drejtuesin e lartë të PPSH-së, në oborrin e Universitetit ishin grumbulluar me mijëra njerëz, të cilët po prisnin studentët për të filluar protestën më të madhe antikomuniste në Shqipëri për kohën dhe një ndër më të mëdhatë deri më sot.
Demonstrata e madhe fillon, hiqet busti i Enver Hoxhës, tre studentë arrestohen, digjet qendra e Shkodrës
Në qoftë se pjesa tjetër e shoqërisë nuk ishte e përgatitur të ndeshej haptazi me regjimin, rinia studentore e kishte pikërisht këtë kurajo. Ndërsa diktatura e kishte vrarë dhe shkretuar Shkodrën për gjatë 50 vjetëve në një vetmi të plotë dhe larg syve të botës, Shkodra kësaj radhe do t’i kthehej traditës së vet, do të ndeshej për jetë a vdekje me Gardën e vjetër të regjimit, duke e çuar në vend dinjitetin e vet. Studentë të kapur dorë për dorë dhe të veshur kuq e zi, kanë udhëhequr të parët turmën e madhe të njerëzve. Në këto çaste, shpirti i këtyre studentëve ka qenë i ndriçuar së brendshmi. Flamur Buçpapaj dhe Majlinda Sula, studentë nga Tropoja, i kanë prirë protestës. Pas tyre kanë shkuar studentë të tjerë, si Arben Çeliku, nga Kukësi, Ama Fanko nga Shkodra, Nazmi Peka nga Kruma dhe të tjerë. Policia ka vepruar me një barbari të madhe. Studentët dhe qytetarët shkodranë janë përleshur ashpër me policinë e diktaturës. Policët, sigurimsat dhe forcat speciale kanë përdorur kundër demonstruesve të gjithë mjetet e dhunës. Shpirti demokratik i Shkodrës ka triumfuar. Prej atëherë dhe deri më sot komunistët nuk kanë mundur më të fitojnë në Shkodër. Ajo që ka prishur sado pak këtë demonstratë ka qenë dredhia që ka përdorur Sigurimi i Shtetit. Në momentet e fundit të protestës popullore antikomuniste, sigurimi ka nxjerrë në rrugë grupet e plaçkitësve dhe zjarrvënësve, të cilët kanë thyer dhe plaçkitur dyqanet kryesore në qendër të qytetit. Qëllimi ishte i thjeshtë – të etiketoheshin demokratët, si dhe PD e sapolindur si hajdutë kriminelë, njerëz ordinerë, të cilët po të merrnin pushtetin do të varrosnin Shqipërinë. Ata me këtë gjest të llogaritur mirë do të mund të përligjnin në orët në vazhdim dhunën, torturat dhe burgosjet ndaj demokratëve në këtë qytet dhe anembanë vendit. Pas demonstratës u burgosën studentët Arben Çeliku, Nazmi Peka, Ama Fanko etj, ndërsa u shpall në kërkim lideri i studentëve të Shkodrës, Flamur Buçpapaj, i cili do të arrestohej disa herë nga regjimi deri në fitoren e PD-së më 22 mars 1992. Populli i Shkodrës kishte çliruar qytetin e vet nga busti i diktatorit Enver Hoxha, duke u përleshur me policët dhe tanket, të cilat i gjuajtën me gur dhe sende të tjera të forta. Pas kësaj ngjarje dhe disa javë më pas, Shkodra do të vendosej nën shtetrrethim. Tanket, autoblindat dhe forcat komando do të patrullonin në rrugë dhe kudo, ditë e natë. Unë që jam gjendur mes studentëve protestues të Shkodrës. Ato ditë i kam edhe sot para syve ato pamje të egra të forcës së regjimit diktatorial. Megjithatë, fryma e re kishte triumfuar. Busti i Enver Hoxhës nuk ekzistonte më. Tani në Shkodër nuk kishte as bust dhe as fotografi të asnjë diktatori. Shkodra ishte kthyer në identitetin e saj antikomunist perëndimor, siç kishte qenë me të vërtetë tash e mijëra vjet. Ajo nuk do të votonte kurrë më për komunistët. Më 3 janar 1991, PD Dega e Shkodrës do të organizonte tubimin e saj të parë legal në Shkodër. Mandela shqiptar, Arbnori, do të hapte atë tubim, ku morën pjesë me mijëra shkodranë të cilëve do t’u drejtohej edhe Sali Berisha, Azem Hajdari, Shinasi Rama, Arben Broci etj. Tashmë, 13 dhjetori kishte shkruar historinë. Ai i dha një shtytje të fortë lëvizjes demokratike në vend.
Lëvizja sudentore antikomuniste në Shkodër, ndryshe nga lëvizja e Tiranës, nuk vazhdoi vetëm deri më 20 shkurt 1991 me rrëzimin e bustit të dikratorit. Kjo lëvizje do të vazhdonte deri më 22 mars 1992 me protesta, të të gjitha llojeve, nga demonstratat deri tek greva e urisë dhe kjo është meritë e posaçme e drejtuesve të kësja levizjeje, si dhe shpirtit antikomunist, perëndimor shkodranë
Dr. Mujë Buçpapaj