TROPOJA, PASURIA NATYRORE QË KËRKON NJË STRATEGJI KOMBËTARE ZHVILLIMI
Puna e mirë e kryetarit të Bashkisë Rexh Byberi dhe vizioni për një Tropojë moderne, me ekonomi të qëndrueshme
Nga Flamur Buçpapaj
Tropoja është një nga trevat më të veçanta të Shqipërisë, një tokë e bekuar me male madhështore, ujëra të pastra, pyje të pafundme, pasuri minerare, tradita të lashta dhe njerëz punëtorë. Ajo nuk duhet të shihet thjesht si një zonë periferike, por si një pasuri kombëtare që mund të japë një kontribut të madh në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
Për shumë vite Tropoja ka vuajtur nga largësia me qendrat e mëdha, mungesa e disa shërbimeve dhe emigrimi i të rinjve. Por sot kërkohet një vizion i ri: që kjo krahinë të zhvillohet mbi bazën e pasurive të saj natyrore, të njerëzve të saj dhe të një administrimi më të mirë.
Në këtë drejtim, puna e Bashkisë Tropojë nën drejtimin e kryetarit Rexh Byberi ka sjellë ndryshime të dukshme në infrastrukturë. Investimet në rrugë, asfaltimet dhe lidhja më e mirë e fshatrave me qendrat e shërbimeve kanë krijuar kushte më të mira për banorët. Edhe fshatra si fshati im Tplani kanë përfituar nga përmirësimi i aksesit, duke e bërë më të lehtë lëvizjen e njerëzve, zhvillimin e ekonomisë familjare dhe afrimin me tregjet.
Një rrugë nuk është vetëm asfalt. Një rrugë është zhvillim, është mundësi për fermerin që të çojë prodhimin në treg, për turistin që të vizitojë zonat malore dhe për të riun që të ketë arsye të qëndrojë në vendlindje.
Por Tropoja ka nevojë për një plan edhe më të madh zhvillimi. Ajo nuk duhet të humbasë statusin e bashkisë; përkundrazi, institucionet duhet të forcohen. Një territor me kaq shumë pasuri natyrore ka nevojë për administrim të afërt dhe profesional.
Tropoja ka nevojë për një kadastër e vet funksionale, që qytetarët të zgjidhin problemet e pronësisë dhe investitorët të kenë siguri juridike. Ka nevojë për një spital funksional, që banorët të marrin shërbime shëndetësore cilësore pranë vendbanimit të tyre. Ka nevojë për shërbime të drejtësisë, që një gjykatë të jetë pranë qytetarëve dhe jo larg tyre.
Një rëndësi të veçantë ka menaxhimi i pasurive natyrore. Pyjet e Tropojës janë një thesar kombëtar dhe kërkojnë menaxhim shkencor nga specialistët, inxhinierët dhe profesionistët vendas. Duhet të krijohet drejtoria e pyjeve dhe policia pyjore,ne Tropoje, në mënyrë që pasuritë pyjore të mbrohen dhe të zhvillohen në mënyrë të qëndrueshme.
Por Tropoja nuk ka vetëm pyje dhe turizëm. Ajo ka edhe pasuri të rëndësishme nëntokësore. Burimet minerare si kromi, kuarci, nikeli dhe fosforitet duhet të studiohen dhe menaxhohen me profesionalizëm. Nuk mjafton vetëm nxjerrja e lëndëve të para; duhet të krijohen mundësi për përpunim brenda vendit, duke hapur fabrika dhe vende të reja pune.
Veçanërisht kuarci mund të jetë një mundësi e rëndësishme për zhvillimin industrial. Një strategji e mirë do të mund të sillte investime në përpunimin e këtyre pasurive, duke krijuar ekonomi lokale dhe duke mos lejuar që pasuritë e Tropojës të largohen pa përfitim për banorët.
Një tjetër drejtim i rëndësishëm është bujqësia dhe agropërpunimi. Tropoja duhet të kthehet në një zonë të njohur për pemëtarinë malore. Mbjellja e gjerë me qershi, gështenja dhe pemë të tjera frutore do të krijonte një ekonomi të re për familjet rurale. Klima dhe terreni i kësaj zone janë një avantazh që duhet përdorur me zgjuarsi.
Shteti duhet të krijojë pika grumbullimi dhe përpunimi për produktet tradicionale të Tropojës. Bimët mjekësore, boronicat, çaji i malit dhe produktet e tjera natyrore janë pasuri që sot kërkohen në tregjet europiane. Duhet të krijohen qendra grumbullimi ku fermerët të kenë siguri për shitjen e prodhimit të tyre.
Një politikë e drejtë do të ishte që shteti të mbështesë blerjen dhe standardizimin e këtyre produkteve, në mënyrë që fermeri të mos mbetet vetëm përballë tregut. Kjo do të rriste të ardhurat e familjeve dhe do të hapte vende të reja pune.
Zhvillimi i Tropojës duhet të bazohet në një model të integruar: turizëm, bujqësi, industri përpunuese, menaxhim të pyjeve dhe përdorim të zgjuar të pasurive minerare.
Tropoja ka njerëz të aftë, ka tokë, ka pasuri dhe ka një identitet të fortë. Ajo që kërkohet është një strategji kombëtare dhe bashkëpunim mes pushtetit vendor, qeverisë, biznesit dhe komunitetit.
Puna konkrete në infrastrukturë është një hap i rëndësishëm, por e ardhmja kërkon më shumë: institucione funksionale, ekonomi prodhuese dhe investime që sjellin punë për njerëzit.
Tropoja nuk është një periferi e Shqipërisë. Tropoja është një pasuri kombëtare, një thesar i Alpeve Shqiptare dhe një mundësi e madhe për zhvillimin ekonomik të vendit.


















