Flet per gazeten “Nacional” botuesja dhe poetja kineze CHRISTINE PEIYING CHEN. Intervistoi: Angela Kosta

Flet per gazeten “Nacional” botuesja dhe poetja kineze CHRISTINE PEIYING CHEN. Intervistoi: Angela Kosta

Christine Peiying Chen ka lindur në Kinë dhe është Kryredaktore e revistës “Mandarin Page” në Zelandën e Re. Ajo u nderua me çmimin “Autorja më e mirë e Huaj 2023” me çmimin e 30-të “Ossi Di Seppia” në konkursin ndërkombëtar Çmimi i Letërsisë Italiane e gjithashtu fitoi çmimin e parë në Konkursin e 2-të Ndërkombëtar të Poezisë “Azia Letrare” (gjuha kineze). Në vitin 2022, Chen mori pjesë në organizimin dhe botimin e Sydney International Poetry Festival në Australi ku u vlerësua me Certificatën “Special Contribution Aëard”. Chen është dy herë fituese e “Neë Zealand Literature Aëard” (letërsi kineze) në vitin 2018 dhe 2019. Christine është koordinatore për Lëvizjen Botërore të Poezisë Oqeania dhe shërben si anëtare e Komitetit të Shoqatës së Shkrimtarëve Kinezë në Zelandën e Re. Poezitë e saj të fundit u botuan në China Language (Tajvan, 2023 – 2024), e veprat e saj u përfshinë në antologjinë Ëorld Poetry – Chinese Poets in the 21st Century, botuar nga Puntoacapo Edizioni, në Itali në maj 2024. Eshte botuar edhe ne gazeten Nacional, Tirane.

– INTERVISTA –

A. Kosta: Përshëndetje Christine. Mirë se vini në Gazeta Nacional. Kur keni shkuar në Zelandën e Re dhe si u integruat me jetën atje?

– Përshëndetje Juve Angela dhe të gjithë lexuesve ngado që na ndjekin… Unë emigrova në Zelandën e Re në vitin 1994. Sapo isha diplomuar në universitet, plot entuziazëm dhe energji rinore, duke marrë frymë në ajrin e lirisë. Çdo gjë ndihej ndryshe nga shoqëria ku kisha jetuar: gjuha, kultura, njerëzit, madje edhe ajri. Ndoshta ngaqë isha e re, u përshtata mjaft mirë. Dy vitet e para I kalova duke studiuar dhe më pas duke punuar brenda komunitetit kinez. Më vonë, pata fatin të bashkohesha me një kompani shumëkombëshe vendase, ku vazhdova të mësoja dhe të stërvitesha, duke u bërë përfundimisht pjesë e ekipit drejtues. Integrimi dukej se ishte një proces i natyrshëm.

A. Kosta: Si e kultivuat pasionin për letërsinë?

– Unë e kam dashur letërsinë që kur isha fëmijë. Gjatë shkollës, esetë pra hartimet e mia përdoreshin shpesh si shkrime model. Gjatë viteve të mia universitare, Kina po përjetonte epokën e “Poezisë së mjegullt,” sëbashku me të gjithë studentët e universitetit që lexonin dhe recitonin poezi. Katër vitet e leximit, thellimit, meditimit dhe reflektimit gjatë universitetit, më dhanë mbështetje teknike për krijimet e mia të ardhshme, ndërsa përvojat e jetës siguruan materiale dhe “ushqim” të dorës së parë për poezitë e mia.

A. Kosta: Cilat janë botimet tuaja dhe si janë pritur nga lexuesit?

– Fillova të shkruaja artikuj gazetash dhe më vonë u bëra kryeredaktore letrare në dy gazeta. Prandaj, kam botuar gjerësisht nëpër gazeta dhe revista të ndryshme letrare. Veprat e mia më të fundit janë përfshirë në librin “Ëorld Poetry Chinese Poets – 21st Century,” botuar nga Puntoacapo Editrice në Itali në maj të vitit 2024. Veprat e mia më të fundit nga viti 2023 dhe 2024 janë përfshirë edhe në revistën “Gjuha Kineze” në Tajvan, e cila shërben si një material leximi suplementar për mësuesit e gjuhës kineze në shkollat fillore dhe të mesme tajvaneze. Në përgjithësi, veprat e mia janë pritur mirë nga lexuesit. Unë u përmbahem parimeve që:

1) Gjuha nuk duhet të jetë tepër e zbehtë dhe e pakuptueshme, ndërsa mendimet duhet të jenë jo vetëm të thella por edhe të thjeshta. Siç thotë një thënie kineze: “Të vërtetat e mëdha janë të thjeshta dhe të lehta për t’u kuptuar”.

2) Përmbajtja nuk duhet të jetë sentimentale pa arsye. Vepra duhet të lidhet me jetën aktuale të përditshme dhe kjo duhet t’i bëjë jehonë lexuesit, në vend që të jetë vetëkënaqësi personale.

A. Kosta: Cili është zhanri juaj i preferuar në shkrimin tuaj?

A. Kosta: Besoj se poezia i rrëmben njerëzit nëpërmjet emocioneve. Për të shprehur mendimet, mund të shkruash ese ose artikuj në gazeta. Unë preferoj teknikën e përshkrimit të thjeshtë, të ngjashme me stilin e dorën së lirë të pikturës kineze të bojrave, me hapësirat që u kanë mbetur lexuesve për të shijuar dhe medituar. DASHURIA është tema ime kryesore: dashuria për prindërit, dashuria për fëmijët, dashuria për të dashuruarit, dashuria për Zotin, etjer…

A. Kosta: Ju jeni Kryredaktore dhe bashkëpunoni me disa organe të medias. Si ju erdhi kjo mundësi?

– Ka një thënie kineze: “Duke mbjellë pa dashje shelgje, ato do të formojnë hije”.
Mua më pëlqen shumë të shkruaj dhe në këtë aspekt, gjithmonë ka pasur mentorë që kanë inkurajuar dhe mbështetur të rinjtë dhe unë jam një nga fatlumet që mora mbështetje nga shumë paraardhës. Për këtë u jam mjaft mirënjohëse.

A. Kosta: Na tregoni për fushën e përkthimit. Ju keni përkthyer shumë poetë të njohur dhe i keni botuar në revista fizike. A duhet shumë mund dhe përpjekje për këtë?

– Përkthimi i poezisë më duket fare i natyrshëm dhe nuk vjen me shumë presion. Meqë familja ime, miqtë, kolegët dhe shoqëria ime flasin anglisht, përkthimi i poezisë kineze në anglisht bëhet logjike dhe fare e lehtë. Shpërndarja e poezisë angleze e përkthyer në gjuhën time amtare mes njerëzve të vendit tim, është thelbësore. Mua më pëlqen shumë procesi i të qenit përkthyese, ndërtimi i një ure ky, midis kulturave lindore dhe perëndimore, e cila është jo vetëm një domosdoshmëri por po ashtu edhe një mision.

A. Kosta: E vizitoni shpesh Kinën? Çfarë ju mungon më shumë nga vendlindja juaj?

– Para COVID-19, unë e vizitoja Kinën disa herë në vit për të parë babanë tim të moshuar. Pas vdekjes së tij, vizitat e mia janë bërë më të rralla. Më mungojnë shumë traditat e vendit tim, kostumet, zakonet, shoqet e klasës sime të rinisë, ashtu sikurse edhe përgjegjësitë e paplotësuara të shlyerjes së përkujdesit dhe dashurisë ndaj prindërve të mi, për shkak të jetës sime shumë vjeçare jashtë shtetit.

A. Kosta: Ju keni marrë disa certifikata vlerësimi në disa vende. Si ndiheni për këto vlerësime?

– Ndihem jashtëzakonisht me fat që kam bërë disa gjëra të duhura në kohën e duhur, dhe që kam rënë në sy nga njerëzit e duhur. Përveç faktit që vazhdoj të kontribuoj, unë kam akoma edhe shumë kërkesa të tjera ndaj vetes. Për të gjitha vlerësimet i detyrohem jo vetëm punës sime këmbëngulëse dhe të pareshtur por edhe fatit tim të mirë.

A. Kosta: Keni dëgjuar më parë për Shqipërinë? Do të dëshironit ta vizitonit vendin tonë sot?

– Sigurisht që po! Më kujtohet se gjatë fëmijërisë sime (vitet ’70), filmat e vetëm perëndimorë që mund të shihnim ishin filmat shqiptarë. Jo vetëm unë, por edhe të gjithë ata që u rritën në atë epokë, mendoj se dëshirojnë ta vizitojnë Shqipërinë. Vendet tona kanë një histori të përbashkët. Bota ndryshon, regjimet zhvendosen dhe përmbysen, por natyra njerëzore mbetet e njëjtë. Shpresoj që populli shqiptar të ketë një jetë më të mirë sot, larg vuajtjeve të atëhershme.

A. Kosta: Cilat janë projektet tuaja në vazhdim e sipër?

– Këtë vit, kam në plan të botoj një përmbledhje poezish dygjuhëshe në kinezisht dhe anglisht, si dhe një përmbledhje poezish në italisht. Do të vazhdoj gjithashtu punën time të përkthimit dhe redaktimit të gazetave dhe revistave si zakonisht.

A. Kosta: Ju falenderoj për intervistën Christine. Ju uroj suksese të mëtejshme.

– Faleminderit Juve Angela për ftesën. Ndihem me të vërtetë e nderuar dhe e privilegjuar të intervistohem për Gazeta Nacional. Dëshiroj të falenderoj gjithashtu Drejtorin Dr. Mujo Buçpapaj, poet ne famë nderkombetare, të cilin pata rastin ta “njoh” nëpërmjet përkthimit që i bëra vargjeve të tij, ku u ndesha me një sfond mjaft të gjerë dhe te sofistikuar jo vetëm letrar por edhe artistik. Nje poezi origjinale ne prurjet e poezise bashkekohore boterore. Mbeta e mahnitur që familja e tij ka pasur lidhje të ngushta kulturore me Kinën dhe kjo është me të vërtetë e pabesueshme! Bota është e madhe dhe e vogël. Vëllau i tij poet dhe perkthyes i mirenjohur Skenderi e ka vizituar Kinën kur qënë drejtor i Përgjithsëm i RTSH-së me 1994, dhe vetë Mujo duke qënë drejtor i Qendres Nderkombëtare të Kulturës në Tiranë ka kontribuar për promovimin e kultures kineze ne Shqiperi dhe anasjelltas. Gazeta Nacional qe botohet nga Mujo boton shume poete dhe prozatore kineze, perfshire edhe nobeslitin tone te njohur Mo Yan. Kjo është ajo pjesë e historisë që njerëzit ende kujtojnë në vazhdimësi.

DUKE KËNDUAR AGAPANTHUS

Të lutem, nisu tani
Më lër të të shoh nga larg,
Të vëzhgoj rrjedhën e diellit dhe hënës
E shkëlqimin e yjeve.

Vrraga lë uji,
Patat gagarisin kur kalojnë

Butësinë dua të frenoj
Shenjat që ke lënë.
Të lutem vazhdo të ecësh përpara,
për të arritur deri në ditët e reja
duke braktisur të vjetrat.

Lër që bluja e shndritshme
E vetme të qëndrojë,
Përveç të kuqes, portokallisë, së verdhës,
së gjelbrës dhe ujit.

Duke qëndruar e vetme
pranë këmbanave sezonale
dhe nga cicërimat kolektive të gjinkallave
Koha përparon në përbashkësinë e saj: Njësia
Por unë pas teje rri
për të vështruar teksa vazhdon
kokën mbrapa ta kthesh.

Ti je në anën e bashkëmoshatarëve të tu
Kaq ndryshe nga të tjerët: me tipare,
Mish dhe gjak, i gjallë e konkret.

Ti, vezullues si një yll,
Syrin ma shkel.
Buzëqesh, të arrij dhe në krahë më merr.

Pafundësia fundësi bëhet
Abstrakti kthehet në konkret,
Në një çast…
Duke e mbajtur në pëllëmbë të dorës,
fort…
Oh, je i imi: një fije blu reale
Ti thua: po, e dua!

Shënim:

Agapanthus lulëzojnë mrekullueshëm në Zelandën e Re në kohën e Krishtlindjeve me një blu të shndritshme. Në greqisht emri i agapanthus (zambakut) do të thotë “lule e dashurisë” dhe gjuha e luleve është: “dashuria ka mbërritur”.

TË GJITHË PËSHPËRISIN

Para se një poezi të bëhet poemë
Një dre përplaset
Në momentin e fundit
kur shishja e qelqit rrëzohet.

Ulërimë!
Fluturat shpërndahen,
Drita e bardhë ndër flakë shpërthen
Derisa gjethet me hijeshi të shtrihen.

Piktura e një natyreje të vdekur
Para se vetvetva të bëhej.
Ujërat e liqenit trazohen,
Trupat përkunden me valët
Zhytje! Një balenë shfaqet
Shtrati i oqeanit, i mbuluar me drita shkëlqyese
Derisa batica nuk largohet,
Në tokë perëndon hëna

Toka që drejt kodrave ngrihet
Pyjet e qeta malore ushqen.

Si në majë të gishtave kalon koha
Ëmbëlsisht dhe konstante
Në mantelin e mëndafshtë, ndalon,
Reflekton dhe përpiqet të kuptojë…

Blu është qaforja jote
Bota në shkëlqim,
Çdo gjë kaq ëmbël gumëzhin

Mbaj frymën… dëgjoj
Këngën e ëmbël të shpirtit.

NJË QYTET, NJË PERSON

Fantazma shuan fenerët,
Zoti i ndez
Duke mbajtur lart pishtarin
Dikush me hapa të shpejtë afrohet.

Nëpër rrënoja ecën
në një qytet të shkatërruar hyn
Në rrugica të thella dhe të pafundme.

Teksa zgjatem, majat e gishtave
qaforen tënde prekin
me frymën tënde ngopet ajri.

E trullosur dhe e pakapshme
E përqafuar nga drita dhe hija,
Trupi im ikën fluturimthi…

Pika – pika shkrihet qiriu
Në qiell një qytet shfaqet
Porsi hëna që lind në det,
Ovale e shndritshme.

Ngrihen baticat,
Valët përplasen
Në kullën e vjetër të sahatit,
Hije të zbehta njerëzish.

Disa ngrenë kupat hënën për ta ftuar,
Të tjerët ëmbëlsisht këndojnë
Akoma të tjerë me fantazmat kërcejnë
Të gjithë kanë ardhur!

Ding, ding, ding
Në orën 12:00 dëgjohet sahati
Akrepat e orëve
Minutave dhe sekondave konvergjojnë…
Karroca në thellësinë e bebëzave
menjëherë vrapon
Uji i detit përvëlues, ripërtërihet
Hap sytë…
Shtrat me dritë hëne
Njolla të lëna prej qirinjve
në jastëkun ende të ngrohtë.

Dhemb paksa trupi
Një qytet, një person, këtu ka qenë.

Intervistoi dhe përktheu Angela Kosta Akademike, Drejtore e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese