Flet për gazetën “Nacional” Mimoza Erebara, poetesha, shkrimtarja, përkthyesja dhe redaktorja me një karrierë të gjatë dhe shumëplanëshe

INTERVISTOI: MUJË BUÇPAPAJ

Hyrje

Poete, shkrimtare, përkthyese dhe redaktore me një karrierë të gjatë dhe shumëplanëshe, Mimoza Erebara është një zë i patjetërsueshëm i letrave shqipe. E njohur për poezinë e saj të ngjizur me ndjeshmëri, për përkthimet e rralla nga letërsia hebraike, për promovimin e autorëve të rinj dhe për guximin në fushën e publicistikës kulturore, Erebara është një dëshmi e gjallë e asaj që ndodh kur pasioni për fjalën nuk fashitet kurrë. Në këtë bisedë për gazetën Nacional, ajo flet për fillesat, për sfidat e letërsisë shqiptare sot, për autorët që lexon me dashuri dhe për përgjegjësinë që ndjen ndaj gjuhës dhe lexuesit.

I. Fillimet dhe formimi letrar

1. Znj. Erebara, le të kthehemi pak në kohë: kur e kuptuat për herë të parë që fjala e shkruar do të ishte shoqja juaj e përhershme? Si lindi tek ju dashuria për letërsinë?
Kjo pyetje më çon në fëmijërinë e hershme. Më pëlqente shumë kur im atë më lexonte përralla apo edhe botime për fëmijë. Nga dëshira e madhe për të mësuar fatet e personazheve, fillova të mësoj të lexoj vetë dhe, isha diku 5 vjeç. E pyesja ҫdo ditë për gërmat, madje edhe kur dilnim shëtitje, ishin ato parrullat dhe unë përsëri pyesja. Kjo mënyrë të pyeturi vazhdoi pothuaj deri sa mbarova fakultetin. Dhe ai që nuk përtonte, që nga eksperimentet e ndryshme që demonstronte, në vizitat nëpër muzeume deri në turet nëpër kështjella e qytetet e vendit. Kjo më afroi shumë shpejt me librin. Mbaj mend që në vizitat familjare që prindërit bënin dhe më merrnin me vete, unë kërkoja ndonjë libër aty ku shkonim, nganjëherë edhe jo të moshës, e ndërkohë që të rriturit bisedonin, unë lexoja. Madje në një rast “u takova” me “Ferrin” e Dantes! Mbaj mend rrathët të cilët më mbetën gjatë në kujtesë, ishte një tërheqje e ҫuditshme. Iu kërkova prindërve të shkonim prapë për vizitë atje. U thashë se doja të lexoja. Ata nuk ma prishën, shkuam, unë menjëherë vrapova në raftin e librave po Danten nuk e gjeta. Ia kishin dhënë dikujt për lexim. Një ndjesi e çuditshme më mbeti, e cila m’u shfaq përsëri pothuaj e njëjtë pas gati 20 vjetësh kur në universitet e studionim këtë autor të përmasave botërore. Dhe gjithnjë në atë kohë të pakuptueshme për mua, ndodhte që unë i rishkruaja në mendje sipas imagjinatës sime. Lexoja natën me kokën e mbuluar dhe me një elektrik dore pasi në fakt duhej të isha në gjumë. Kështu leximi filloi dhe u bë pjesë e jetës sime. Nuk më zinte gjumi nëse nuk e kisha përfunduar një libër. E po të ndodhte që nuk e përfundoja, e merrja me vete në shkollë. Në një rast qëlloi të lexoja “Doni i qetë” i Shollohovit më kishte rënë në dorë dhe aq shumë më kishte tërhequr sa po e lexoja krejtësisht e përqëndruar në orën e matematikës. Ndjehesha disi me sedër të përkëdhelur sepse po lexoja një libër për të rritur, isha në klasë të gjashtë. Vjen mësuesja dhe kap për flokësh, e merr librin dhe e flak në klasë, më përplas kokën pas dërrasës së zezë dhe mua më shpërtheu gjak nga hundët. Klasa u step. Një nga shokët kishte shkuar me vrap në drejtori. U bë një skandal shumë i madh. Mësuesja u pezullua nga detyra. Babai mori një vërejtje nga qendra e punës, kurse unë për herë të parë dëgjova se kishte libra të ndaluar, siç ishte Shollohovi, Dostojevski, Pastërnak në atë kohë. Ky incident më shtyu më shumë drejt leximit dhe shkrimit po sidomos fillova të kërkoj këta, librat e ndaluar. Po incidentet nuk kishin mbaruar. Pasi lexoj “Dy kapitenët”, prapë letërsi ruse/sovjetike, kisha menduar tërë natën për ngjarjen dhe njerëzit që ishin pas vdekjes së Stalinit dhe më lindën pyetje. Kështu, në orën e edukimit politik që bënim në mëngjes, e pyes mësuesen që ishte edhe sekretarja e partisë në shkollë edhe drejtoreshë, i them: ‘Po nëse vdes xhaxhi Enver, çfarë do bëhet me Shqipërinë?” Ajo nuk reagoi, por me zë të ulët më kërkoi që pas orës të shkoja në drejtori. Shkova dhe aty më thotë që të mos thoja më gjëra të tilla pasi babi dhe mami do dënoheshin. Më kërkoi t’i premtoja që nuk do e zija më në gojë. I premtova. Ajo qëlloi njeri i mirë, nuk e denoncoi rastin po foli vetë me babain tim, unë e mbajta premtimin, megjithëse nuk e kuptoja arsyen. Sot e kuptoj atë që mund të na kishte ndodhur. Kisha shumë dëshirë që çka lexoja t’ua tregoja edhe shoqeve e shokëve të mi, më pëlqente kur ata më dëgjonin dhe më kërkonin histori.Madje e kthyem si një rit, ҫdo mëngjes para fillimit të mësimit ata prisnin historinë e re. Këtë vit, 2025, jam habitur që Ermelinda, një nga shoqet e klasës e kishte mbajtur mend këtë fakt. Besoj që ky ka qenë përvijimi i parë i të shkruarit, i shkrimtarit.

2. Si e kujtoni periudhën e shkollës 8-vjeçare dhe të mesme në raport me leximin dhe krijimin? Kishit mësues që ju nxitën drejt shkrimit? Po ndonjë bashkëmoshatar që edhe sot vazhdon të merret me letërsi?
Më 1973 gjatë pushimeve verore po luanim në fushën pranë shtëpisë. Po bënim diçka me ujë e me dhe. Ishim bërë gjithë baltë. Ndërkohë unë po recitoja disa vargje. Fëmijët qeshën kur u thashë se I kisha bërë vetë. Në inat e sipër u them atyre se do t’i botoja vjershat e mia. Ata qeshën përsëri. Unë nuk e zgjata po ashtu siç isha me fustanin gjithë baltë, me çelësin e shtëpisë varur në qafë, iki. Me mendjen time të botoja vjershën te revista “Pionieri”. Nuk e dija ku ishte redaksia, nuk e dija kush ishte në këtë redaksi, po për çudi u gjenda pikërisht aty! Këmbët në mënyrë të pashpjegushme më kishin ҫuar pikërisht në vendin e duhur! Ndoshta intuita. Odise Grillo ishte ai që e shënoi poezinë që unë e recitova dhe aty. Poezia u botua dhe unë në lagje shihesha me sy tjetër! Isha vetëm 10 vjeç! (Më vonë, kur u ritakuam me ‘redaksinë’e kujtuam me humor atë ditë që edhe ata nuk e kishin harruar ‘vajzën me fustan e duar gjithë baltë e me ҫelës varur në qafë’- Odise Grillo, Adelina Mamaqi, Skënder Hasko). Fill pas kësaj shkrimtarja dhe gazetarja e mirënjohur Shpresa Vreto, më merr për të recituar në Radio Tirana, një eksperincë e mrekullueshme kjo. (Më vonë, kur unë tashmë isha gazetare, edhe me Shpresën bashkëpunuam për të nxjerrë revistën për të rinj “Bota ime”) Kam qenë me fat me mësueset e mia të fillores. Mësuesja e klasës së parë, Vangjeli Kotonika më bëri dhuratë për ditëlindje një poemë, “Brigadierja” të Drago Siliqit. Mësuesja e klasës katërt, Vera Hasimi më bëri dhuratë për ditëlindje “Pinoku”-n. Libra shumë të shtrenjtë për mua! Shpesherë ato më vinin para klasës për të treguar historitë e lexuara. Mësuese Vera ishte ajo që më çoi për herë të parë në bibliotekën e shkollës, që më angazhoi me mirëmbajtjen e saj. Një botë tjetër ishte para meje. Në vitet e mëpasme, shfaqet mësuese Vasilika. Ishte e rreptë. Ishte ajo që më tha e para se “kisha lindur shkrimtare”, që i mori vjershat e mia dhe i paraqiti në konkurset e pionierit, që u gëzua për çmimet. Dhe mbi të gjitha më “detyroi” të mësoja shumë mirë gjuhën shqipe. Në atë kohë isha në shkollën “4 Dëshmorët”, Tiranë. Babai më kishte abonuar tek revista “Pionieri” dhe tek “Shkenca dhe jeta”. I lexoja e uritur të dyja. Ishte i vetmi burim informacioni pak më shumë se sa në shkollë. Shpeshherë shpjegoja edhe lëndën e re duke perifrazuar ato çka kisha lexuar. Po në këto vite bëra sprovën e parë në përkthim, atëhere mësoja fshehurazi italisht. Ishte një libër “Il bambini al mare/ Fëmijët në bregdet”, të cilin sipas meje e përktheva në shqip. Profesori që më mësonte, që ishte fqinji im, u habit aq shumë sa, pasi e mori fletoren, nuk ma ktheu më. Ai u kujdes që ta zhdukte edhe librin në italisht dhe pas disa ditësh më tha se nuk do të më mësonte më! Në atë kohë sapo kishim marrë televizorin dhe unë e mbaja (sigurisht fshehurazi) gjithë ditën tek RAIUNO. Edhe sot i kujtoj kronikat e Bruno Vespas nga Jerusalemi ku bëhej luftë. Që nga ai moment doja të dija historinë e Lindjes së Mesme për të cilën pothuaj nuk kishte, a nuk dija unë të gjeja, libra apo tekste. Rreth kësaj kohe gjeta një broshurë të Napolon Roshit “Rreziku i Lindjes së Mesme”, e lexova po nuk mund të them se e kuptova. Gjithësesi, “veshi u vra”.
Shkollën e mesme e kam kryer në gjimnazin “Partizani”, me mësues të përkushtuar ndaj letërsisë, Tarik Llagami, Afërdita Havari, Afërdita Orhani dhe me drejtorin e asaj kohe Musa Kraja. Ishin këta që e rekomanduan emrin tim në Grupin e Letrarëve të Rinj, që mbahej në Pallatin e Kulturës dhe drejtohej nga kritiku dhe studiuesi i njohur Adriatik Kallulli dhe kur për përkthimin në shkollë vinte i paharruari Perikli Jorgoni. Edhe këta më spikatën dhe mendimin e tyre ia thanë edhe drejtorit, Musa Kraja. Si përfundim, në dëftesën e maturës, u shënua “ka prirje për letërsi”, një formulim që në atë kohë kishte shumë rëndësi për degën e studimeve universitare. Ata ngulën këmbë që një cikël me poezi të botohej në gazetën “Zëri i rinisë”. Cikli u botua dhe unë fillova studimet për gjuhë e letërsi shqipe. Në fakt në këtë kohë kemi qenë shumë të rinj që përpiqeshim të shkruanim. Dhe nuk ishin të gjithë gjimnazistë, kishte edhe nga shkollat profesionale apo edhe në marrëdhënie pune. Madje shoku im i bangës për 8 vjet, Bajram Koskia, që në fillore kishte shkruar edhe një dramë! Po asnjë prej tyre nuk e vazhdoi publikisht pasionin.

3. Universiteti i Tiranës, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe — si ishte atmosfera e asaj kohe për një studente që donte të bëhej shkrimtare?
Bëhet fjalë për vitet 1981-1985 vitet e fundit të një regjimi. Në atë kohë unë i vura qëllim vetes të studioja sa më shumë. Kisha filluar të lexoja edhe frengjisht e italisht dhe për ditë isha në bibliotekë. Gjithmonë kisha ndjesinë që dija shumë pak dhe kjo ishte një shtysë tepër e fuqishme për të mos u ndalur në lexim. Në ato vite nuk mbaj mend të kem patur ndonjë veprimtari tjetër veҫ leximit. Në ҫdo orë të ditës e të natës. Doja t’i mbaroja së lexuari të gjitha librat e bibliotekës. Dhe për Bibliotekën e Lagjes ia arrita, m’u tha se “nuk kanë ҫ’të më japin tjetër”. Në fakt kisha bërë “një plan”- i mora autorët shqiptarë me rradhë me të gjithë veprën e tyre të botuar. Ndërsa për letësinë botërore ndoqa programin e leksioneve vetëm se më të detajuar, pra nëse lexonim Hugo unë lexoja të gjithë veprën e tij dhe te te tjerëve francezë të asaj epoke,…e kështu për të gjithë. Ishte një studim sistematik të cilin e bëja me shumë pasion e kënaqësi. Në atë kohë dilte gazeta “Studenti”. Botova për herë të parë në të, një vështrim kritik për novelën “Nën hijen e pavdekësisë” të Agim Gjakovës. Më pas u botuan edhe poezi të përkthyera nga frengjishtja të Hugo, Alfred de Muse. Ishte kënaqësi e veçantë. Po, kishim modele shumë të mira jo vetëm nga pedagogët por edhe nga studentët më të rritur se ne. Emra si Shaban Sinani, Teodor Keko, Rezear Xhaxhiu, Ardian Vebiu, Rita Petro, Behar Gjoka, Kudret Isai, të cilët referonin përkrah pedagogëve nëpër seminare shkencore, apo botimet e para të tyre, dashamirësia dhe nxitja nga vetë pedagogët, kishin krijuar një klimë pune.Të merrje lëvdatë nga prof. Xhaxhiu ishte një mrekulli. Po, më lëvdoi në auditor për një interpretim që i kisha bërë të famshmes “Mbeҫë more shokë mbeҫë”. Personalisht jam ndjerë e respektuar prej tyre dhe kjo vetëm e shtoi më tej dëshirën time për të vazhduar të shkruaj. Në ato vite nga Lidhja e Shkrimtarëve, Shtëpia Botuese “N.Frashëri” dhe Katedra e Letërsisë, u botua edhe një antologji poetike ku ishim pjesmarrës edhe disa studentë të përzgjedhur nga pedagogu Fotaq Malo. Po në atë kohë kjo ishte diçka shumë e rëndësishme, pasi shumë rrallë kishte botime të tilla, kishte shumë filtra si ideologjikë ashtu edhe artistikë. Në atë kohë bëhej punë redaksionale. Mua më kishin ndryshuar pak poezitë, pra i kishin përshtatur me vijën ideologjike. Kur e pashë të botuar u habita. Desha të ankohem po im atë nuk më la. Në atë kohë nuk e dija se si ishte në të vërtetë realiteti, se si funksiononte. Por për momentin kjo ishte si thuash, një pasaportë për të vazhduar me poezinë. Pas kësaj u botova edhe në revistën më të rëndësishme të kohës “Nëntori”, me një cikël poetik. Ishte një fillim i mirë.

4. Cilët pedagogë ju lanë gjurmë të veçanta në formimin tuaj estetik dhe kritik? A keni pasur kontakte të mëvonshme me ta si kolegë apo lexues të veprës suaj?
E gjithë Katedra e Letërsisë. Për respekt do ua përmend emrat: Vebi Bala, Muzafer Xhaxhiu, Vebi Bala, Muzafer Xhaxhiu,Nasho Jorgaqi, Floresha Dado, Ali Xhiku –letërsi shqipe; Nexhip Gami, Refik Kadija,- letërsi e huaj; Vedat Kokona, Ilia Lëngu, Petrit Sinani,-të frengjishtes; Tefik Çaushi, Shaban Murati, Alfred Uçi,- estetikës etj. Përtej opinioneve politike që i trazon gjërat, unë kam qenë me fat që pata mundësinë të mësoj më të mirën prej tyre që për kohën ishin elita e punës studimore. Edhe pas përfundimit të studimeve universitare që i mbylla me një temë diplome për herë të parë të trajtuar publikisht në një institucion qendror arsimor, sikur ishte “Mbi brendinë poetike në prozën të Zejnullah Rrahmanit”, temë e cila mbrojti tezën për atë kohë, se “letërsia shqipe është një, i përket një kombi, një gjuhe, një besimi, një shoqërie, ndaj nuk mund ta ndajmë duke etiketuar si “letërsi kosovare”. Temë e cila u lejua nga qeveria e kohës pas një lufte të gjatë jo vetëm burokratike; pedagogët (po i quaj të mitë) më pranuan si kolegen e tyre. Madje me Prof. Nasho Jorgaqin patëm edhe bashkëpunime për publikimin e veprës së Nolit. Po ashtu më 1996 ai bëri edhe parathënien e vëllimit tim të dytë me poezi “Klithmë dashurie”, botuar nga “Toena”. Ajo për mua erdhi si surprizë, e pashë vetëm kur libri kishte dalë nga shtypi. Po kështu prof. Nasho më ka përmendur edhe në një studim të tijin mbi zhvillimet e letërsisë shqipe. Apo prof. Shaban Murati i cili më ka përgëzuar për dy nga botimet e mia të cilat i kishte lexuar- bëhet fjalë për vëllimin me tregime “Dry me qera” dhe atë poetik “Paqe pa Profet”.

5. A kishte në brezin tuaj studentë që më vonë u bënë emra të njohur në letrat shqipe? A ruani ndonjë kujtim të veçantë nga ajo kohë e krijimtarisë së hershme studentore?
Sigurisht. Po e filloj me ‘më të mëdhenjtë në moshë’: Teodor Keko, Shaban Sinani, Ardian Vebiu, Rezear Xhaxhiu, Çerçiz Loloçi, Bebi Bramo, Rita Petro, Ben Latifi, Elida Skënderi, Vahid Hyzoti, Faruk Myrtaj, Ilir Yzeiraj, Naim Zoto, Petrit Palushi Me më ‘të vegjlit në moshë’: Mimoza Ahmeti, Mujo Buçpapaj, Jaho Margjeka, Stefan Çapaliku, Kristaq Jorgo, Arbër Ahmetaj, Robert Goro, Margaret Mara, Rezarta Reso. Ndërsa nga kursi ynë: Eda Derhemi, Eda Merepeza, Leidi Shqiponja, Kristina Jorgaqi, Qazim Shehu, Loreta Vaso, Mimoza Erebara, Mimoza Dino. Sigurisht që kjo nuk është një listë përfundimtare po kaq më erdhën në mendje.
E, përsa u përket kujtimeve ato janë të shumta. Po përzgjedh një: Me Vedat Kokonën. Kisha botuar tek gazeta “Studenti” një poezi të Viktor Hugo, ‘Pranvera’. Rastësisht më kishte dalë para në një nga librat që lexoja në frengjisht. Ajo kishte qenë e pabotuar në shqip. Prof. Kokona e merr vesh dhe më kërkon në katedër. Shkoj dhe ai më përshëndet në frengjisht. Unë nuk i përgjigjem. Më pyet nëse isha unë ajo që e kisha përkthyer Hugonë. Ia aprovoj me kokë. Ai dyshon dhe kap një nga librat në raft, që qëlloi Emil Zola dhe më thotë se kam 1 rë kohë për të përkthyer 5 faqe. Ata ikin dhe në katedër mbeta vetëm. E përktheva. I pëlqeu, më foli përsëri në frengjisht dhe unë i them në shqip se nuk mund të flisja në frengjisht. Ai tundi kokën dhe tha – ‘rast i rrallë’. Për fat ajo poezi kishte ardhur në shqip me të njëjtin numër rrokjesh, madje edhe zanoret ishin të njëjta! Po që nga ai çast i shmangesha prof. Kokonës nëpër korridoret e fakultetit, ndjehesha keq që nuk arrija të flisja. Edhe sot nuk kam ndryshuar, nuk e marr guximin për të folur.

II. Letërsia bashkëkohore shqiptare dhe preferencat personale

6. Ju jeni vetë një zë i rëndësishëm i letrave bashkëkohore, por si e shihni sot panoramën e përgjithshme të letërsisë shqipe? Ka gjallëri apo një mungesë vëmendjeje serioze ndaj saj?
Shoh një kaos. Kaosi i përgjithshëm, politik, ekonomik patjetër do pasqyrohet edhe në art. Në rastin tonë në letërsi. Përse mendoj kështu: sepse për sa kohë botimet do jenë të pakontrolluara, letërsia nuk mund të përmbushë qëllimin dhe objektivat e saj sa artistikë aq dhe edukativë e emocionalë. Sot të gjithë shkruajnë. Në fakt është e drejta e çdo njeriu që nëse e shikon të arsyeshme të shkruajë, le të shkruajë. Problemi është tek mungesa totale e punës redaksionale, tek mungesa e plotë e kritikës profesioniste. Çdo botim ka emra redaktorësh që në shumicën e rasteve shënohen sa për të qenë aty. Dhe përgjithësisht o janë miq, ose të afërm të autorit. Kjo e shton gjendjen e kaosit letrar sepse lexuesi nuk është në gjendje të vlerësojë atë që duhet vlerësuar dhe i krijon vetes një ide të gabuar se kushdo mund të jetë shkrimtar. Këtë e përforcon edhe e ashtuquajtura kritikë, e cila në shumicën e rasteve vetëm u bën elozhe gjenive e gjeneshave, si një farë qoke që edhe më shumë përforcohet me çmimet e stisura. Mendoj se nëse nuk rregullohet puna redaksionale dhe kritika e recensa profesionale, gjendja do vazhdojë edhe për shumë kohë kështu, ku libri shihet si një produkt supermarketi, e jo si një vepër arti. Që libri të ketë vëmendje serioze patjetër që përgjigjja është tek politikat ndaj kulturës në përgjithësi. Një politikë vizionare, afatgjatë, gjithëpërfshirëse, ku në qendër të jetë autori, botuesi do e ndryshonte krejtësisht këtë situatë. Mirëpo burokratët patronazhistë nuk marrin vesh nga këto,(kupto: bëjnë sikur nuk marrin vesh) ata dinë të bëjnë ҫka u thotë shefi partiak dhe aq; dinë t’u gëzohen rrogave të majme e mundësisht e ndonjë gjëje ekstra me tendera sipërfaqësorë. Kështuqë prishmëritë bien. Dhe gjendja është kjo që është.

7. Cilët janë disa prej autorëve shqiptarë bashkëkohorë që lexoni me kënaqësi — si në poezi ashtu edhe në prozë?
Në fakt në këtë fluks botimesh mund të ndodhë që dhe një vepër e mirë të anashkalohet dhe të mos kesh informacion për të. Po gjithësesi, nga vitet ’90 e këtej janë përvijuar një kastë autorësh realisht, sipas meje të mirë, të cilët unë i lexoj me kënaqësi. Po përmend disa: Në poezi- Pandeli Koçi, Skënder Buçpapaj, Roland Gjoza, Elida Buçpapaj, Eva Tafa, Rakela Zoga, Leidi Shqiponja, Zyhdi Dervishi, Anton Papleka, Arjan Kallço, Agim Mato, Demir Gjergji, Frederik Rreshpja, Izet Duraku, Jaho Margjeka, Ervin Hatibi, Mujo Buçpapaj, Gjek Marinaj, Kadrush Rodogoshi, Anila Toto, Mirela Papuçiu, Teuta Dhima, Flora Gjondedaj, Fatbardha Behri Kacaj, Fatmir Musai, Valbona Bozgo Musai, Agim Bajrami. Në prozë, kryesisht romane pasi tregimi dhe novela pothuaj nuk lëvrohen- Zija Çela, Ylljet Aliçka, Luan Rama, Bashkim Hoxha, Mira Meksi, Anisa Markajan, Rita Petro, Istref Haxhillari, Mark Simoni, Sokrat Habilaj, Bujar Balliu, Valter Dauti, Vaso Papaj. Janë edhe plot autorë për të cilët kam dëgjuar se janë të mirë, por unë nuk kam patur mundësi t’ua lexoj veprën kështuqë nuk mund të prononcohem. Por nuk i besoj zhurmës mediatike që bëjnë disa prej tyre.

8. A ka sot sipas jush ndonjë zë të ri që premton shumë dhe që mund të bëhet një shtyllë e rëndësishme e letërsisë shqiptare nesër?
Ndoshta. Të sjellësh diçka të re, ndryshe, që të ndryshojë qëndrimin ndaj letërsisë si të lexuesit, ashtu edhe të kritikës, të ndryshosh përmes kësaj vetë kritikën nuk është e lehtë. Epokat letrare nuk është se ndodhin përditë. Me aq sa janë prezantuar deri më sot autorët shqiptarë, nuk shoh dikë që ta mbajë këtë përgjegjësi madhore. Po jeta është me të papritura, dhe arti si pasqyrim i saj po ashtu, pra nuk i dihet, edhe mundet. Le të shpresojmë!

III. Sfidat aktuale për autorin shqiptar

9. Një nga sfidat më të mëdha sot është fakti që shumë pak studentë zgjedhin të ndjekin degën e Gjuhës dhe Letërsisë në universitete. Pse mendoni se ndodh kjo dhe çfarë mund të bëhet për ta ndryshuar këtë klimë?
Mendoj se kjo ndodh për shkak të tregut të punës, tek mundësia që do kenë ata studentë nesër për punësim dhe pagesë të mirë. Përgjithësisht kush mbaron për Gjuhë e Letërsi kalon në mësuesi. Shumë pak mund të jenë në vende të tjera si gazetarë, redaktorë. Duke qenë se mësuesia është një problem më vete përsa i përket pagesës, volumit të punës përgjegjësisë së pretenduar, nuk para pëlqehet. Pastaj është edhe klima e përgjithshme antilibër që ndikon në këtë stepje. Sigurisht që ka zgjidhje për këtë gjendje, gjë e cila fillon me politikat angazhuese dhe miratuese ndaj këtij qëndrimi. Nëse një student shikon një perspektivë të respektuar dhe dinjitoze me siguri që do të studionte për gjuhë letërsi. Politikat afatgjata për studimet universitare në përgjithësi, për trajtimin me dinjitet të tyre, të dëshirave e aspiratave të tyre, tek e fundit tek jetesa e përditshme, e bëjnë të mundur lehtësisht rikthimin në Gjuhë Letërsi. Po deri më sot ka ndodhur e kundërta, studentët janë trajtuar thjesht si ca numra në kutitë e votimit, dhe asgjë për ecurinë e mbarësinë e tyre.

10. Botimi i një libri në Shqipëri shpesh është një barrë financiare për autorin. Ju vetë, si e keni përjetuar këtë aspekt dhe a keni ndjerë ndonjëherë se mungesa e mbështetjes institucionale ka penguar ndonjë projekt tuajin?
Botimi i një libri në Shqipëri është një aventurë më vete nga pikëpamja financiare. Autori e paguan vetë botimin, po ashtu po vetë merret edhe me shpërndarjen. Ndoshta ka ndonjë mbështetje institucionale po kjo ndodh vetëm për autorët e listave. Pra, dikush i ka dhënë të drejtën vetes të hartojë një listë nisur më së shumti nga interesa jo vetëm financiare dhe duke anashkaluar anën artistike, vlerën e vërtetë të një libri. Këta autorë që nga vitet -90 e këtej kanë një listë pothuaj të pandryshuar, ata promovohen, ata zotërojnë median, ata marrin çmime, ata hartojnë konkurse të shitura. Bërtasin me të madhe për vlerat e tyre, pra autoreklamë ekstreme. Unë nuk bëj pjesë në këto lista, pra nuk kam përfituar asnjëherë asnjë gjë. Librat e mi i kam botuar vetë dhe nuk kam patur ndonjë iluzion tjetër. Kjo ka bërë që duke parë se si funksionon, duke mos besuar aspak, unë t’u qëndroj larg institucioneve. Një rast të vetëm si nënkryetare e Akademisë Europiane të Artit, Seksioni Shqip, iu drejtova Ministrisë së Kulturës për mbështetje të një projekti mbarëkombëtar. Kur shkova për t’u interesuar, për fat të keq, dosja ime ishte në kosh.! Po, realisht në kosh! Nuk shkova më.
Në fakt dua të përmend këtu botimin “Shalli i lutjeve”, antologjia me poetë hebrenj i cili u botua nga Shtëpia Botuese “Onufri”, me propozim të saj. Është i vetmi botim që nuk u pagua nga unë vetë. Sigurisht që e vlerësova shumë.

11. Shpërndarja e librit shqip në hapësirat shqiptare jashtë Shqipërisë mbetet e dobët. Mendoni se mungesa e një qarkullimi të lirë të librit ndikon në përçarjen e lexuesit shqiptar dhe në rënien e interesit për autorin vendas?
Padyshim që po. Është ajo që e përmendëm më lart- mungesa e një redaktimi dhe recense e kritike profesionale, shtoji edhe mungesën e një shpërndarjeje të centralizuar. Në ç’mënyrë? Një libër duhet medoemos të ketë filtrin e redaktimit reaktorit letrar, korrektorit. Po ashu ai duhet të ketë recensën vlerësuese, pra bën apo nuk bën. E pas kësaj kritikën në shtyp, kjo për lexuesin, që ta orientojë atë drejt. Mungesa e këtyre elementeve bën që të botohet çdo gjë dhe të marrin vlera edhe ato që nuk kanë. Kjo e çorodit lexuesin. Mungesa e një politike të shpërndarjes e shton edhe më shumë këtë përçarje. Ndodh që nisur nga mediat dhe zhurma e tyre, lexuesi merr librin, 1,2,3… dhe shikon se ai libër nuk e justifikon zhurmën shoqëruese. Kjo e zvjerdh dëshirën për autorët shqiptarë dhe sytë kthehen nga libri i huaj, i cili për hir të së vërtetës është në superprodhim.

12. Çmimet letrare që jepen nga Ministria e Kulturës apo Drejtoria e Librit shpesh janë shoqëruar me polemika. Si e shihni ju këtë çështje? A duhet të rishikohet mënyra e përzgjedhjes dhe transparenca në këtë proces?
Sigurisht që do ketë polemika për sa kohë kjo veprimtari vazhdon të jetë klanore. Momentin që shkëputemi nga listat klanore dhe i japim vlerë asaj që vlen me të vërtetë, them se i afrohemi më shumë drejtësisë. Që të vlerësosh një vepër ka kritere strikte. Nëse vepra kalon përmes kësaj rruge, është e sigurt. Përsa i takon transparencës kjo është çështje dëshire e vullneti. Psh, në konkursin e AEA që unë kam organizuar, transparenca ka qene e plotë: Zgjodha anëtarët e jurisë të cilët për herë të parë u takuan në ceremoni. U dhashë kriteret europiane të vlerësimit me pikë. Në momentin e ceremonisë as unë nuk e dija kush do ishte fitues sepse pikët për materialet me kode, u mblodhën aty. Në fund, të gjithëve u pëlqeu kjo mënyrë, megjithëse nuk besuan se do realizohej me përpikmëri. Ama, unë megjithë presionin nuk i tregova emrat e anëtarëve të jurisë. Një mënyrë dinjitoze, ku çdo pjesmarrës u ndje “i përkëdhelur”. Kaq e thjeshtë është. Po për fat të keq mediokriteti është i fuqishëm, ka tentakula të papara. Kështuqë mbetet e domosdoshme puna redaksionale, pa të kot flasim për cmime të merituara. Eksperienca ime tregon që është e mundur të jesh i drejtë deri në fund. Zgjodha këtë mënyrë sepse me juri publike me klanet e interesat nëpër këmbë, kjo nuk është e mundur. Mund të jetë nëpër botë, po në Shqipëri, jo.

I. Rreth krijimtarisë letrare dhe poetike

1. Znj. Erebara, ju keni një karrierë të gjatë dhe të gjithanshme në letrat shqipe. Si e përkufizoni sot poezinë tuaj? Ka evoluar ndjeshëm zëri juaj poetik në këto dekada?
Mendoj që po. Elementi më delikat i një poezie është marrëdhënia me veten, personalja. Ajo shpeshherë “të mund”, pra nuk shkëputesh dot dhe kjo e dëmton poezinë, vlerën e saj. Në momentin që ti universializon ndjenjën apo idenë që do të përçosh, në atë moment poezia merr vlerën e vërtetë. Është një proces që të shoqëron në fillimet e tua.Mendoj se poezia ime e ka kapërcyer këtë proces. Në fakt që në fillimet e mia kam qenë tek poezia “e angazhuar” sikur quhet. Dhe kjo është një linjë që më ka shoqëruar në çdo vëllim poetik. Kam kuptuar se poezia është dita, me çdo detaj të saj, të mirë apo të keq; është ndjesia që duhet dhënë sa më e plotë; është meditimi që të çon në filozofinë universale; është shpirti të cilin ti dëshiron të ta njohin. Mendoj se ndër dekada, që nga botimi i parë më 1993 poezia ime ka një evolucion të brendshëm duke u bërë më konstatuese, më ‘rebele’, e sigurisht më shpirtërore.
2. Nga vëllimi “Për të shoqëruar një shpresë” e deri te “Fije besimi” që pritet së shpejti, duket se poezia është një shtyllë e pandashme e identitetit tuaj letrar. Çfarë e nxit më fort krijimin poetik tek ju — dhimbja, besimi, dashuria, apo heshtja?
Të treja bashkë. Herë mbizotëron njëra, e herë tjetra. Poezia është një gjendje e brendshme e imja, sot unë nuk mund ta kuptoj veten pa të. Edhe kur i them vetes që nuk do shkruaj më poezi, ajo del e mbizotëron tek mua. ‘Beteja’ me të për mua quhet e humbur, një humbje e bukur gjithësesi.
3. Shpesh keni sjellë tema universale përmes një gjuhe personale dhe të brishtë. Si arrini ta ruani këtë ekuilibër mes përvojës intime dhe universalitetit të poezisë?
Thjesht ndodh, nuk është se e paramendoj. Unë marrëdhënien me poezinë e kam të tillë: më vjen për të shkruar diçka, e shkruaj dhe e le. Pas një farë kohe e rilexoj, nëse më pëlqen e mbaj, në të kundërt e gris. Më pas mund të shoh pak më me kujdes anën metrike. Dhe e quaj të përfunduar. Në fakt e përfunduar për mua quhet kur ajo shkruhet në ҫast, sikur në atë moment plotëson diҫka me veten. Mendoj se ҫdo qenie është universale, të gjithë ne jemi produkt i universit, i përkasim atij. Edhe në veprime të thjeshta, të përditshme që duket se nuk kanë asnjë prapapavijë, universi është aty dhe na drejton. Universialiteti nuk është për të përzgjedhurit, në fakt i gjithë planeti është pjesë e tij dhe ‘zbaton’ me përpikmëri rregullat e tij. Kështuqë intimiteti njëkohësisht është edhe univers, është një binom jetësor që ndoshta humbet kur prishet raporti, pra kur qenia vdes. Universi ka kodet e tij, e një prej tyre është edhe kjo marrëdhënie poetike le ta quajmë.

II. Përkthimi dhe ndërkultura

4. Jeni ndër përkthyeset e rralla të poezisë hebraike në shqip. Çfarë ju tërhoqi drejt kësaj letërsie dhe çfarë sfidash përballët në përkthimin e saj.
Letërsia hebraike ka një vend shumë special tek unë. Që nga momenti kur mora vesh se nëna ime biologjike ishte hebreje, e gjithë vëmendja ime u drejtua në historinë, kulturën, letërsinë hebraike. Ishte një “zbulim” që më surprizoi. Për këtë arsye për shumë vite rresht organizova edhe veprimtari kryesisht në përkujtim të Holokaustit, apo botime rreth historisë e kulturës, besimit nëpër gazeta të ndryshme.. Po kështu nuk kanë munguar dhe intervistat në TV. E quajta si një mision dashurie për vendin. Më pas redaktova dhe solla në letrat shqipe Jakov Solomon një nga të ikurit e vitit 1990, hebre që jetoi në Vlorë. Përktheva tregime nga Isaak Singer, ‘Hëna dhe çmenduria”, nobelist. Po për fat të keq më humbën pasi u prish kompjuteri, nuk mundëm t’i shpëtonim. Kanë mbetur vetëm disa të cilat unë i kam publikuar përmes shtypit. Ndërkohë kisha filluar të njihja poetët: Haim Bialik, Tchernekovski, Leah Goldberg, Zelda, Rachel, Yehuda Amihai, Dan Pagis, Primo Levi, Haim Guri, etj, që përbënin poezinë klasike dhe bashkëkohore. Për të ndalur tek më të rinjtë Roni Somek, Amir Or, Shoshana Veght, Tsipi Sharor, etj,. të cilët i lexoj në vazhdimësi dhe me të cilët dua të nxjerr vëllimin tjetër antologjik me autorë hebrenj. Sfidat ishin të mëdha. E para, bëhej fjalë për një kulturë aspak të njohur për publikun shqiptar. Së dyti, duhej të depërtoje thellë në histori, besim, në mentalitet për të dhënë kuptimin e saktë të figurës letrare. Së treti, duhej të kuptoja me të vërtetë mënyrën e të menduarit, vijën llogjike gjë që edhe kjo ndryshonte krejtësisht nga ç’ishim mësuar. Shkurt: një botë tjetër që kërkonte eksplorim por edhe saktësi. Së katërti, gjuha e cila është edhe ajo e gjitha e koduar. Unë përkthimin e kam bërë nga anglishtja dhe e konsultuar me italisht, pra edhe kjo një sfidë më vete. Mësimi i saj është shumë i vështirë. Megjithatë unë kisha çelësin e kësaj pune- dashurinë për tokën që është edhe e imja.

5. Antologjia “Shalli i lutjeve” është një kontribut i çmuar në dialogun ndërkulturor. Mendoni se përkthimi i poezisë është edhe një akt paqeje, përtej artit?
Faleminderit për këtë vlerësim! Patjetër që po. Në fund të fundit misioni i poezisë ky është: të ngrejë ura paqeje, të këndojë për të, të hyjë thellë në shpirtin njerëzor, të japë dhimbjen, dashurinë. Të kapërcejë kufijtë, ta shikojë njeriun si një qenie universale. Histora na tregon për ndikimin e poezisë edhe në rrethana ekstreme konfliktesh. Një marrëdhënie e tillë ndërkulturore vetëm sa e shton ndërlidhjen mes botëve me tradita e histori të ndryshme. Në një aspekt më të gjerë, shton mundësinë e shtimit të vlerave të të qenurit njeri. Të gjetjes së paqes së pari me veten, e më pas në shoqëri. Vetë botimi i këtij libri është një akt dashurie për vendin, një lutje për paqe.

6. A ka ndonjë poet hebre që ju ka ndikuar fuqimisht në mënyrën si e shihni poezinë?
Në fakt, po. Yehuda Amihai dhe nga bashkëkohorët Amir Or e Shoshana Veight. Më ndryshuan në një farë mënyre konceptin tim mbi poezinë. Ata flasin për gjëra krejtësisht të zakonshme, ku syri në pamje të parë nuk sheh asgjë të veçantë apo të bukur. Apo për gjëra tërësisht të njohura, sikur është mitologjia greke. Po këtu është e veçanta e poezisë së tyre në shpërshfaqjen e kësaj bukurie që është aty para nesh. Kjo përbën sipas meje edhe dallimin e tyre si autorë, dhe po kjo përbën edhe ndryshimin e konceptit mbi poezinë, letërsinë më gjerë. Ndërthurrja e simbolikës së hershme me realitetin e sotëm, ndërvarja mes tyre, e mbi të gjitha dashuria biblike për vendin dhe popullin e vet janë kaq të pranishme, po larg të bërtiturave dhe patetizmit nacional. Poezia e tyre shpeshherë flet në heshtje apo në atë që duhet nënkuptuar. Thjeshtësia me të cilën trajtojnë filozofinë më të ndërlikuar edhe kjo është një veҫori e dukshsme në poezinë e tyre që mua më ka mësuar shumë.

III. Publicistikë dhe aktivizëm kulturor

7. Gazeta “Phoenix” ishte një hap i guximshëm dhe i veçantë për kohën. Si e kujtoni atë përvojë dhe sa vend ka sot në letrat shqipe figura e autorit “të harruar”?
Ishte një përvojë unike. Ishim mësuar me autorë të asaj që e njohëm si realizmi socialist. Ishin autorë të boruar nga Shtëpia Botuese, e vetmja në atë kohë (para’90), pra botime ku ideologjia partiake zinte vendin kryesor. Tek-tuk ndonjë autor arrinte të thoshte diçka jashtë kësaj linje të detyrueshme, por edhe kur kjo ndodhte, shoqërohej me lloj-lloj manovrash për t’i ikur ndëshkimit. Po ndërkohë, pas ’90 filluan të njihen ata të cilët jo vetëm nuk u lejuan të botohen, por edhe u dënuan, deri në ekzekutime publike, rasti i Havzi Nelës. Pikërisht për të bërë të njohur këtë letërsi brilante, të panjohur më parë shërbeu edhe “Phoenix”. Sigurisht kjo gazetë kishte edhe zëra të tjerë, po qëllimi kryesor ishte pikërisht ky- promovimi i vlerave të heshtura. Ishte emocionuese kur shikoje se sa shumë autorë, të gjithë shumë të mirë, kishin qenë të detyruar të rrinin në heshtje. Në fakt mbaj mend se u mirëprit nga lexuesi dhe ata ishin kureshtarë për figurat e rradhës. Një nga çastet që më ka emocionuar më shumë: kur iu kushtua një faqe e plotë Petro e Jamarbër Marko. Babai e biri! Të dy të adhuruarit e mi. Mesa e kam ndjekur botimin dhe median, sot mendoj se këta autorë janë bërë të njohur për publikun, po mendoj se gjithnjë ka diçka të re, diçka ndryshe.

8. Në cilësinë e redaktores dhe promovueses së poetëve të rinj, çfarë gjurme kërkoni në një zë të ri letrar? Çfarë i mungon sot brezit të ri, sipas jush?
Është një ndjesi e papërsëritshme kur njihesh me krijimtarinë e të rinjve, të atyre që e kanë pasion të plotё por edhe të momentit. Duke qenë drejtuese “Unionit të artistëve të rinj”, pjesë e AEA, ndër vite kam organizuar konkurse letrare dhe pikturë. Në atë kohë patëm mirëkuptim me kompaninë “Sigal” e cila na e jepte sallën falas. Kjo nuk ishte e pakët. Në këto konkurse kishte gjithnjë surpriza të bukura, sepse qëllonte të kishte gjetje artistike të mrekullueshme. Po ashtu në këtë kohë u botuan edhe dy antologji me krijime nga të rinjtë. Ishte një shtysë e mirë për ta dhe kënaqësi për ne. Sot më vjen mirë kur lexoj që nga ata të rinj ka botime vëllimesh poetike. Por kemi një brez rinor që po ndryshon çdo ditë. Ndikimi i plotë nga rrjetet sociale dhe AI në këtë aspekt sipas mendimit tim, e përkeqëson formimin e përgjithshëm. Shtoji këtu edhe mangësitë shkollore në programe e në zbatimin e tij, shtoji këtu edhe indiferencën e frikshme ndaj këtij shkollimi prej të rinjve, mungesën e veprimtarive edukuese në rradhë të parë. Është e qartë se e ardhmja është përmes teknologjisë, por nuk do të uroja kurrsesi që kjo të shënonte vdekjen librit. Brezi i ri ka humbur besimin. Rritja e dhunës dhe vrapimi i ҫmendur pas parasë janë bërë pjesë e jetës së tyre. Sikur është edh shkatërrimi total i moralit. Ke frikë të ecësh pranë nxënësve të shkollave sepse fjalori i komunikimit të tyre të le pa fjalë. Siҫ thuhet “me libër shtëpie” 10-12-16 vjeҫarë! Seksi për ta është thjesht një kaush akulloreje dhe aq. Rritja në një shoqëri të tillë është katastrofa e vërtetë sepse ajo vetëm gjeneron këtë dhunë e imoralitet të tejskajshëm. Nëse do ishin mësuar dhe edukuar hap pas hapi kjo gjendje nuk do të ishte. Mungesa e shkollimit është katastrofa më e madhe që mund t’i ndodhë një vendi, është një regres, një rënie, një humbje që nuk e di a do të mund të rikuperohet. Vetëm nëse kërkojmë të gjejmë rrugën drejt këtij besimi të humbur, ndoshta nuk është e pamundur. Po kjo nuk bëhet vetëm, as me raste sporadike. Kjo është politikë shtetërore, në rastin konkret e një rëndësie primare kombëtare, nëse do duam që Shqipëria të vazhdojë të ekzistojë.

IV. Ndërkombëtarizimi dhe njohjet jashtë vendit

9. Keni fituar një sërë çmimesh ndërkombëtare për poezinë tuaj, përfshirë edhe vlerësime nga Akademia Europiane e Artit. A ndiheni më mirëkuptuar jashtë se brenda Shqipërisë?
Për të qenë e sinqertë, po. Problemi është tek dhënia e porosisë, pra ti porosit dikë që të shkruaj për ty. Ai/ajo shkruan, ti kënaqesh, emri yt lakohet në mjediset e duhura, gazetaruckat vrapojnë të vazhdojnë jehonën e emrit për aq kohë sa shefat i lejojnë. Mua kjo personalisht nuk më shqetëson pasi mirëkuptimi së pari, dhe prononcimi në publik së dyti, prej emrave më të njohur të kritikës së letërsisë shqipe, pa këkesën time ndaj tyre, është vlerësimi më i madh e më i drejtë për veprën time. Ndërsa jashtë Shqipërisë sigurisht që nuk të njohin, ata njohin dhe vlerësojnë veprën. Kështu ndodhi me botimin në USA, në Izrael, botimet në Suedi, Rumani dhe në pjesmarrjen në Katalogun e AEA në Paris. Për shembull, kam marrë Medaljen e Artë për Poezi në Paris. Shtypi shqiptar asnjë njoftim. Po sikur e thashë, nuk më shqetëson pasi nga ky mekanizëm politik nuk pres qëndrim tjetër.

10. Si ndikojnë këto përvoja ndërkombëtare në mënyrën si e perceptoni letërsinë shqipe dhe vendin e saj në botë?
Këto përvoja padyshim që të ndryshojnë disa qëndrime, marrëdhënie. Sheh që çdo gjë e ka në emërues të përbashkët- profesionalizmin. Pikërisht kjo mungon masivisht në letërsinë shqipe.Nuk po flas për raste të veҫanta. Mjafton të kujtojmë Panairet e Librit tashmë të kthyera në dyqan domatesh ku pretendohet të luhet me çmimet e blerjes, me çmime të akorduara. Letërsia shqipe është “letërsi e vogël”, kështu thuhet. Po kjo nuk justifikon mosprofesionalizmin. Po, jemi të ndërgjegjshëm që për letërsinë shqipe është problem edhe gjuha, përkthimi i saj, po edhe kjo nuk justifikon gjë. Ka vende në botë të vogla si ne, po me letërsi të promovuar mjaftueshëm, të njohur e të diskutuar. Po në ato vende politikat kulturore janë aktive dhe në shërbim të autorëve. Rasti i Estonisë, Izraelit,etj., mjafton të shohësh revistat e shumta letrare që botohen atje. Sa të tilla ke në Shqipëri? Asnjë! Veҫ dy gazetave “Nacional”, “Ex libris” e tani së fundmi “Transformisti”. Sikur jemi dëshmitarë që autorë shqiptarë shkruajnë e botojnë në gjuhë të tjera dhe janë të sukseshëm. Por ata veprojnë në mënyrë individuale dhe kur suksesi u troket atyre në derë, zgjohen institucionet shqiptare për të marrë ndonjë copë të tij, pra në një farë mënyre të justifikojnë rrogën që marrin.

V. Letërsia për fëmijë dhe raporti me fëmijërinë

11. “Aventurat e 10×10 dhe Munuriro Kokëposhtit” është një nga romanet më të veçanta për fëmijë në letërsinë tonë. Çfarë ju shtyu ta shkruanit dhe si e shihni sot letërsinë shqipe për fëmijë?
Ky libër është i veçantë për mua. Fillova ta shkruaj në blloqe të vegjël, nëpër trena dhe autobusë gjatë shërbimeve si gazetare. Ishte momenti kur kuptova se si funksiononte shoqëria shqiptare e kohës. Puna në një nga gazetat më të rëndësishme sikur ishte “Zëri i Rinisë”, përballja e egër me stafin maskilist e paragjykues deri në ekstrem, retushimet e ndryshme në foto e ngjarje, mënyra se si ata ishin të organizuar, fakti që nuk bënin asnjë përpjekje për të fshehur hipokrizinë, cmirën, “dënimet” që bëheshin për shkak të këtyre dallimeve, dëshira e hapur që unë të mërzitesha e ta lija atë vend pune, ishin një shtysë shumë e fuqishme për t’iu përgjigjur pëmes sarkazmës dhe ironisë. Libri mezi u pranua nga redaksia. Mё pas mora vesh se kishte qenё kёmbёngulja e Gaqo Bushakёs, mё duket nё atё kohё shef i kёsaj redaksie.Ishte ideja e tij pёr ta kaluar si libёr pёr fёmijё duke menduar se do ishte mё i lehtё pranimi. Gjithnjë jemi para viteve ’90. U gëzova pa masë dhe kur më thanë se e kishin çuar në shtypshkronjë, i lashë të gjitha dhe vrapova për ta parë. Zhgënjimi ishte shumë i madh. Në shtypshkronjë e kishin ndaluar shtypjen me ‘urdhër nga lart’. Libri përfundoi në karton sepse nuk i përmbahej ideologjisë së kohës. Nga ana tjetër shkrimi i këtij libri më përmbushi edhe një nga ëndrrat e fëmijërisë, madje disa episode në të i kam pas përvijuar që në atë kohë. Kjo ishte një kënaqësi e ‘një misioni të përmbushur’- kështu e cilësoja atëherë. Më 1996 libri u botua për afro dy muaj u shpërnda i gjithi. Letërsia shqipe për fëmijë ka qenë një mrekulli ku respektoheshin të gjithë parametrat që kjo letërsi kërkon. Sot? Nuk e di sepse nuk e kam ndjekur.

VI. Të përgjithshme / personale

12. Për ju, a është letërsia më shumë strehë, protestë apo kërkim i së vërtetës?
Mendoj se kërkimi i së vërtetës është promotori kryesor i ekzistencës së letërsisë, po në të njëjtën kohë ajo është edhe protestë, edhe strehë për autorin. Jeta është komplekse, e po kështu edhe letërsia. Nuk mund të ketë diçka të ndarë si me thikë.Në fund të fundit kjo është edhe bukuria e saj. Ajo bukuri që më ka bërë për vete e “nuk më lëshon”.

13. Nëse do t’i drejtonit një poezi Shqipërisë së sotme, si do të tingëllonte vargu i parë?
Atdheu u shit/ ky do ishte vargu i cili është pjesë e një prej poezive.

14. Çfarë projekti letrar i ardhshëm ju ngacmon më së shumti këto ditë?
Kam përmbyllur një vëllim poetik “Fije besimi”, dy me studime “Filozofi në Metaforë”, një dramë “Kulmi”, të cilat pres t’i botoj. Ndërkohë kam materiale të tjera në duar sikur është “Antologjia 2” me poetë bashkëkohorë hebrenj, studime, roman, publicistikë.

15. Çfarë nuk keni shkruar ende, por ndjeni se do t’ju duhet ta shkruani patjetër një ditë?
Padyshim që një roman i cili ka vite që përsillet në mendjen time.

16. Së fundi, si e shihni rolin e gazetës “Nacional”, në një kohë kur hapësira për letërsinë është gjithnjë e më e kufizuar në media?
Të botosh një gazetë, aq më tepër kushtuar letërsisë në kushtet e sotme është një nismë përtej të lëvdueshmes. Jemi dëshmitarë të rënies së cilësisë së shtypit, në kthimin e tij në shërbëtorë të bindur të regjimit, në mënyrë të hapur, e nëse nuk je në njërin krah, përjashtohesh. Dyert të mbyllen në fytyrë. Kjo nuk vlen për pjestarë të kastës me para, ata e gjejnë gjuhën me njeri-tjetrin. E nëse ti mban qëndrimin tënd, pra vazhdon të jesh vetvetja sepse nuk mund të jesh ndryshe, edhe më fort përplaset kjo derë. Është trishtuese, po. E ndjen veten në një guvë të errët , me shkëmbinj të errët, të kapllojnë mendime të errta… “Nacional” për mua (dhe jo vetëm), është drita në këtë errësirë. Është e vetmja gazetë që më ‘hapi dyert’, që më besoi, që botoi krijimtarinë time, promovoi veprimtaritë e mia, gjë që e bën me këdo që dëshiron të botojë. Në gazetën “Nacional” nuk ka lista. Ka pasur polemika në rrethet e shkrimtarëve ku disa prej tyre nuk janë dakort me këtë lloj botimi. Po unë besoj të kundërtën. Gazeta “Nacional” është e vetmja gazetë mbarëshqiptare, kombëtare, ajo shpërndahet në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Diasporë. Në të botojnë autorë nga të gjitha trevat shqipfolëse. Dhe ky për mua është një vlerë e shtuar e këtij botimi. Në gazetën “Nacional” janë promovuar autorët më të njohur të letërsisë së përbotshme të përkthyera mjeshtërisht nga emrat më të njohur të përkthimit në shqip. Aty nuk ka kufij, janë të gjithë kontinentet. Gazeta “Nacional” ngre probleme kyҫe të shoqërisë sonë, jo vetëm polemikat mbi letërsinë por edhe politikat që duhen ndjekur në raport me kulturën e traditën në përgjithësi. Studiuesit më të njohur gjithashtu kanë gjetur hapësirën e vet për hipoteza e teza shkencore, sidomos për gjuhën shqipe. Personalisht jam falenderuese gazetës “Nacional” dhe botuesit të palodhur në mirësi të saj, z. Mujo Buçpapaj. Faleminderit!