ANGELA KOSTA INTERVISTON PRESIDENTEN E LIDHJES SË SHKRIMTARËVE (ACC) NË SHANGAI, KANDIDATEN E ÇMIMIT NOBEL, POETEN, PËRKTHYESEN, ARTISTEN KINEZE ANNA KEIKO
A. Kosta: Përshëndetje Anna! Mund të na tregoni diçka më shumë për fillimet dhe përqasjen tuaj me botën e letërsisë dhe artit?
Ana Keiko: Para së gjithash, faleminderit shumë Angela për këtë intervistë. Ndjehem vërtet e nderuar dhe e privilegjuar të jem në Gazeta Nacional dhe për këtë i përcjell respektin, mirënjohjen dhe falenderimet e mia të përzemërta Dr Mujo Buçpapaj.
Te ne ka një proverb të vjetër kinez që thotë: “Jeto dhe mëso!” me të cilin kam një evokim të thellë dhe të fortë. Pasioni im për letërsinë ishte forca nxitëse që më shtyu drejt kësaj fushe. Unë kam lindur në Wuyuan në Kinë, një vend me bukuri natyrore mahnitëse. Kënga e zogjve të mëngjesit, vesa mbi pemishtet dhe monotia e përditshme e prindërve të mi që punonin nga agimi deri në perëndim të diellit, prekën thellë dhe sollën në pah ndjeshmërinë time. Erdhi një çast kur të gjitha këto, dëshirova t’i “kapërtheja” dhe t’i përshkruaja me penën time dhe teksa fillova të shkruaja me orë të tëra, fare natyrshëm, fillova të kërkoja forma dhe mënyra më të arrira të shprehjes.
A. Kosta: Cilët janë idhujt që ju kanë frymëzuar gjatë rrugëtimit tuaj në art dhe krijimtari?
Ana Keiko: Frymëzimi im vjen kryesisht nga familja dhe prindërit e mi. Nëna ime gjithmonë na mësonte se nëse dëshiron të arrish të bësh diçka, duhet ta vendosësh të gjithë zemrën tënde në të. Kjo frymë më ka ndikuar thellësisht. Në të njëjtën kohë, jam frymëzuar nga shumë mendimtarë dhe filozofë, si Rousseau nga Franca, të cilët theksuan rëndësinë e të mësuarit në jetë. Në këtë epokë të mbingarkesës së informacionit, ne duhet të ruajmë racionalitetin dhe gjykimin e pavarur, i cili është gjithashtu një burim i rëndësishëm frymëzimi për krijimet e mia.
A. Kosta: Nëse do të na e përshkruanit stilin tuaj në shkrim dhe art, si i përshkruani ato dhe si ka evoluar ky stil gjatë këtyre viteve? Mund të na e prezantoni këtë stil në përmbledhjen tuaj poetike “Gjuha e gjumit të thellë”?
Ana Keiko: Stili im poetik është relativisht shumë i larmishëm. Titulli i përmbledhjes sime poetike ”Gjuha e gjumit të thellë” bazohet në një grupim poezish të mia. Disa lexues kanë komentuar se jam si një rimishërim i Heidegger dhe Schopenhauer në shekullin e XXI-të, gjë që është një inkurajim i madh për mua. Poezia ime nuk ka të bëjë vetëm me çështje familjare apo emocione personale; poezia ime është më shumë filozofi, pasi frymëzon lexuesit dhe u ofron atyre një pastrim shpirtëror dhe një dëshirë të zjarrtë për bukurinë. Për shembull, poezitë ”Një gotë bosh” dhe ”Pritja e autobusit” mund të duken të thjeshta në formulim, por ato përmbajnë reflektime të thella filozofike mbi furinë dhe boshllëkun e jetës moderne.
A. Kosta: Si kanë ndikuar kultura, arti dhe gjuha kineze në krijimtarinë dhe identitetin tuaj si autore dhe piktore?
Ana Keiko: Kina është një komb i poezisë, me një histori të gjatë dhe të pasur të traditës poetike.
E admiroj shumë poetin e lashtë kinez Qu Yuan. Poezia e tij karakterizohet nga gjuha e bukur, personaliteti i veçantë dhe emocionet intensive. Ajo që është edhe më e admirueshme në të, është fryma e tij patriotike. Sa për poetët modernë, vlerësoj: Bei Dao dhe Zhai Yongming. Poezia e tyre është e mbushur me mendjehollësi të thella mbi realitetin dhe shprehjet unike artistike.
A. Kosta: Keni ndonjë event specifik apo ndonjë eksperiencë të veçantë që ju ka nxitur të shkruani një vepër të arrirë ose të eksploroni një temë të caktuar?
Ana Keiko: Sigurisht që po. Konfliktet gjeopolitike dhe luftërat që ato shkaktojnë janë tema të cilave u kushtoj vëmendje të madhe. Për shembull, shkrova pesë poezi për konfliktin e Gazës, njëra prej të cilave, ”E pakuptueshme”, fitoi Çmimin prestigjoz “Seneca International Literary Award” në Itali në vitin 2024. Këto poezi jo vetëm që shprehin hidhërimin dhe zemërimin tim për luftën, por pasqyrojnë edhe dëshirën time të zjarrtë për paqe dhe mendimet e mia të thella e pozitive për humanitetin.
A. Kosta: Mund të na i përshkruani nuancat dhe ndjenjat gjatë procesit të shkrimit të librit apo veprës së artit më të fundit që keni realizuar? Ka diçka të veçantë që ju ka nxitur ta realizoni dhe ta paraqisni para lexuesve apo artdashësve?
Ana Keiko: ”Pa kufi” është një përmbledhje e rëndësishme e veprave të mia të fundit. Ndërsa zhytesha thellë në studimet e mia dhe zgjeroja leximin, rashë në kontakt me poetë dhe kultura nga vende të ndryshme, gjë që ndikoi shumë në shkrimin tim. Kjo përmbledhje jo vetëm që përmban reflektimet e mia të thella mbi tema të tilla si: lufta, paqja dhe jeta, por pasqyron edhe perceptimin tim të ndjeshëm për dallimet kulturore midis kombeve. U jam shumë mirënjohës poetëve dhe redaktorëve kolumbianë që më dhanë këtë mundësi për të paraqitur krijimtarinë time.
A. Kosta: Si ju ka ndihmuar arti, letërsia dhe krijimtaria të forconi lidhjet midis kulturave të ndryshme dhe të përcillni mesazhe të rëndësishme për shoqërinë?
Ana Keiko: Interneti ka pasur një ndikim të madh në krijimin letrar dhe artistik. Ajo na ka siguruar një platformë më të gjerë dhe burime më të pasura për krijimin. Në të njëjtën kohë, shkëmbimet kulturore midis vendeve të ndryshme janë bërë më të volitshme dhe më të shpeshta. Përsa i përket politikës së Kinës për kufizimin e aksesit në faqet e interneteve të huaja, besoj se ajo bazohet në konsideratat e sigurisë. Çdo vend ka sistemin e vet dhe sfondin kulturor dhe ne duhet t’i respektojmë dhe t’i kuptojmë këto dallime. Megjithatë, shpresoj gjithashtu se në të ardhmen, do të ketë më shumë mundësi dhe kanale për të nxitur shkëmbimet kulturore dhe mirëkuptim midis kombeve. Ndërkohë, mbaj kontakte me disa poetë dhe shkrimtarë të huaj të shkëlqyer përmes postës time elektronike, duke u përpjekur të punojmë së bashku, për të nxitur shkëmbimin dhe zhvillimin e kulturës poetike.
A. Kosta: Përvoja juaj si autore dhe artiste është mjaft e pasur nga pjesëmarrje të shumta në aktivitete ndërkombëtare të letërsisë dhe artit. Si ka ndikuar kjo në përceptimin tuaj kundrejt këtyre dy fushave?
Anna Keiko: Pjesëmarrja në veprimtaritë ndërkombëtare më ka zgjeruar kuptueshmërinë për letërsinë dhe artin. Më ka treguar se si kulturat e ndryshme interpretojnë poezinë dhe shprehjen artistike. Kam mësuar se pavarësisht dallimeve gjuhësore dhe kulturore, emocionet njerëzore dhe aspiratat artistike janë universale. Këto përvoja më kanë përforcuar besimin në fuqinë e letërsisë dhe artit për të krijuar unitetin dhe për të frymëzuar ndryshimin.
A. Kosta: Çfarë sfidash keni hasur gjatë karrierës suaj dhe si keni arritur t’i kaloni me sukses ato?
Ana Keiko: Në karrierën time letrare, jam përballur me të vërtetë me shumë sfida, duke përfshirë mosaprovimin, zilinë dhe dëmet. Përballë këtyre, së pari zgjedh t’i shpërfill ata që më lëndojnë qëllimisht, pasi veprimet e tyre shpesh vijnë nga mungesa e integritetit të tyre. Kur shpirti im goditet nga keqdashja e pajustifikueshme, përpiqem të qetësohem dhe të mos lejoj që këto emocione negative të ndikojnë në shkrimet apo veprat e mia. Unë zgjedh t’i kushtoj më pak vëmendje informacionit social që është i pafavorshëm për mua dhe në vend të kësaj të përqendrohem në punën time, gjë që më ndihmon të shmang luhatjet emocionale dhe konfliktet e përshkallëzuara. Në këtë mënyrë, kam ruajtur me sukses paqen e brendshme dhe kam vazhduar të eci përpara.
A. Kosta: Çmimi për kontribute të shkëlqyer dhe vlerësime të tjera prestigjoze si këto, janë një arritje e madhe. Si ndiheni dhe si mendoni se këto çmime po vazhdojnë të ndikojnë në karrierën tuaj artistike dhe krijuese?
Anna Keiko: Marrja e çmimeve është një nder dhe një përgjegjësi. Ajo shërben si vlerësim i veprës sime dhe më motivon të vazhdoj e të zgjeroj udhëtimin tim letrar. Megjithatë, përtej mirënjohjes, qëllimi im i vërtetë mbetet krijimi i poezisë që prek jetët dhe frymëzon mendimin. Çmimet ofrojnë mundësi për të arritur një audiencë më të gjerë, si dhe për të bashkëpunuar me artistë dhe shkrimtarë të tjerë, duke pasuruar më tej karrierën time krijuese.
A. Kosta: Në vitin 2020, ju u propozuat për çmimin Nobel. Si e përjetuat këtë propozim dhe çfarë mendimi keni për rëndësinë e një çmimi të tillë për poezinë dhe letërsinë në përgjithësi?
Anna Keiko: Nominimi im për çmimin Nobel ishte një përvojë me të vërtetë madhështore dhe mjaft e arrirë. Kjo më përforcoi besimin në domethënien e letërsisë dhe në formimin e ndërgjegjes njerëzore. Çmime të tilla sjellin vëmendjen globale në fuqizimin e poezisë dhe letërsisë, duke inkurajuar shoqërinë të vlerësojë kontributet artistike dhe intelektuale. Edhe pse këto çmime janë prestigjioze, gjithësesi mendoj që aspekti më i rëndësishëm mbetet ndikimi që ka letërsia mbi individët dhe komunitetet.
A. Kosta: Besoj se pjesëmarrja në festivalet ndërkombëtare të poezisë ka qenë një përvojë shumë e rëndësishme për ju. A mund të ndani me ne një përvojë të veçantë ose frymëzuese të ndonjë prej këtyre festivaleve?
Anna Keiko: Një nga përvojat më të paharrueshme do të mbetet një festival poezie ku poetë nga kontinente të ndryshme u mblodhën për të recituar krijimet e tyre në gjuhën amtare. Pavarësisht nga dallimet gjuhësore, emocionet e çdo poezie rezonuan në të gjithë të pranishmit. U preka thellë nga mënyra se si poezia krijoi një lidhje të pashprehur mes poetëve dhe dëgjuesve, duke provuar se fjalët kanë fuqinë t’i bashkojnë zemrat edhe përtej kufijve.
A. Kosta: Çmendim keni për mundësinë e zhvillimit në nivel të lartë të poezisë dhe artit në vitet në vijim, dhe cilat janë disa nga sfidat që poeti apo artisti i sotëm mund të përballoj në botën moderne?
Ana Keiko: Unë besoj se në të ardhmen, poezia dhe arti do të zhvillohen edhe në fusha të ndryshme. Shkrimtarët dhe poetët duhet të angazhohen më shumë me shoqërinë, duke u frymëzuar nga punëtorët, industritë prodhuese dhe profesionet e ndryshme. Aktualisht, shumë njerëz përqendrohen së tepërmi në shprehjet emocionale të homogjenizuara në poezi, duke rezultuar në vepra sipërfaqësore. Si dëshmitarë të zhvillimit të botës, ne duhet të shprehim me guxim pikëpamjet dhe qëndrimet tona mbi çështje të tilla si teknologjia, manipulimi i kapitalit të IA dhe mjedisi ekologjik. Në të njëjtën kohë, vetë ne, duhet të përballemi me sfida si mbingarkesa e informacionit dhe konfliktet kulturore në shoqërinë moderne, duke ruajtur mendimin tonë të pavarur dhe frymën krijuese.
Një tjetër sfidë është sigurimi që trashëgimia letrare tradicionale dhe kulturore të ruhet mes përparimeve teknologjike. Poetët dhe artistët duhet të përshtaten duke qëndruar besnikë ndaj integritetit të tyre artistik.
A. Kosta: Cilat janë hobet tuaja dhe si e kaloni kohën e lirë?
Anna Keiko: Përveçse shkruaj poezi, mua më pëlqen shumë të lexoj, të udhëtoj dhe të kaloj kohë të gjatë në natyrë të hapur, sepse kështu gjej frymëzim në muzikë dhe pikturë. Gjithashtu angazhohen në biseda interesante me njerëz me prejardhje të ndryshme nga vende të huaja. Këto aktivitete pasurojnë procesin tim krijues dhe më lejojnë të gjej këndvështrime të reja mbi jetën.
A. Kosta: Çfarë projekti presim nga krijimtaria juaj në të ardhmen si poete dhe si artiste?
A. Keiko: Si poete dhe artiste, shpresa ime më e madhe është të vazhdoj të krijoj vepra akoma më të shkëlqyera dhe të arrira. Kur kushtet do të mund të ma lejojnë, do të përpiqem të promovoj poezi të veçanta nga e gjithë bota, duke u lejuar më shumë lexuesve të vlerësojnë bukurinë e tyre. Në të njëjtën kohë, shpresoj të përdor ndikimin tim modest për të rekomanduar vepra të arrira kineze për botime në vende të tjera të ndryshme, të huaja. Aktualisht, po përgatis një projekt të ri poetik i cili synon të eksplorojë marrëdhëniet midis njeriut dhe natyrës, si dhe njerëzve e shoqërisë, nëpërmjet formës së poezisë. Shpresoj që kjo do të ketë mjaft jehonë dhe do të frymëzojë shumë njerëz nga çdo cep i globit.
BIOGRAFIA
Anna Keiko është poete, shkrimtare dhe artiste ndërkombëtare me seli në Shangai. Është Presidente themeluese dhe kryeredaktore e Shoqatës ACC në Shanghai “Huifeng International Literary Society”, promovuese botërore e poezisë, Ambasadore ndërkombëtare e paqes, fituese e çmimit për kontribut të shkëlqyer. Anna ka botuar 12 libra me poezi në shumë shtete të huaja. Poezitë e saj janë përkthyer në më shumë se 30 gjuhë dhe janë botuar në më shumë se 50 vende. Shpesh është ftuar të marrë pjesë në festivalet ndërkombëtare të poezisë në shumë vende të ndryshme të botës. Në vitin 2020, Anna Keiko u propozua kandidate për çmimin Nobel në letërsi.
NJË GOTË BOSH
Gota plot me ujë burimi në dukje ish
sikurse pjesë e trupit tim.
U mundova ta pija,
por kur u përpoqa,
gota ishte boshatisur.
Ku shkoi uji
në kaq pak kohë?
Thua të jetë ekzistenca
jo më tepër se një gotë uji?
Është mister, apo konfuzion?
Çfarë ndodhi?
Dje, këtu isha në të njëjtën orë
dhe gotën mbusha.
Ndoshta uji nuk do të ishte zhdukur
këtu po të kisha qëndruar?
Mendja ime ish bllokuar në xham
Apo…?
TË JAP GJITHÇKA
Ti je qielli dhe drita ime,
Ti je sytë dhe fryma ime,
Ti je poesia e shpresës
eja, ta shkruajmë së bashku!
Të shkruajm peripecitë, të shkruajm dhembjen,
të shkruajm vështirësitë dhe ëndrrat,
të shkruajm sëmundjen që po heq.
Ti pyete:
Përse mjekët më dhanë kaq shumë ilaçe?
Si ka mundësi që është kështu jeta ime?
Edhe unë pyes.
Ia kërkoj qiellit, ia kërkoj fatit, ua kërkoj mijëra maleve dhe lumenjve,
Ia kërkoj qiellit dhe universit.
e më pas përgjigjen dëgjova
megjithatë, nuk di
përgjigjen me fjalë ta shkruaj…
SAKURËS SË BUKUR
Më gjeniali i piktorëve
Mbrëmë një pikturë të mrekullueshme pikturoi
Edhe të varfërit ndalojnë ta admirojnë
Bukurinë e Prillit, kryeveprën e natyrës
Krijesën e qiellit,
Një engjëll që në tokë zbriti.
*Sakura ose siç quhet ndryshe “çelja e lules së qershisë” ka një diferencë të madhe shpirtërore në krahasim me lulet ose bimët e tjera. Japonezët i konsiderojnë Sakurën si më të bukurën jo vetëm në lulëzimin e saj, por edhe në shkatërrimin e saj. Kuptimet e sakuras janë gjithashtu kontradiktore. Ato simbolizojnë jetën dhe vdekjen, bukurinë dhe dhunën. Ashtu si ardhja e pranverës premton jetën e re, edhe lulëzimi i luleve të qershisë sjell një ndjenjë gjallërie dhe jetësore. Në të njëjtën kohë, jeta e tyre e shkurtër na kujton se jeta është shkurtër.
Përgatiti dhe përktheu: Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistave fizike: MIRIADE, NUANCES ON THE PANORAMIC CANVAS, BRIDGES OF LITERATURE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese