LETËRSIA BASHKËKOHORE, ËSHTË SI NJË PASQYRË E MBAJTUR NË DORË TË SHOQËRISË
“Më pëlqen shumë të udhëtoj nëpër botë, edhe pse tani që jam pak më i madh në moshë, opsioni i vetëm që më mbetet është hobi im “special”: të ngas motoçikletën lart e poshtë maleve si një “kalorës pa moshë”. Pra, nëse një ditë më gjeni në ndonjë kreshtë malore të largët, mos u habini shumë, quajeni vetëm pjesë të aventurave të mia”.
Intervistoi: Angela Kosta, Itali
A. Kosta: Përshëndetje Dr.Tzemin. Mirësevini në Gazeta NACIONAL. Lexuesit do të donin t’ju njihnin më nga afër. Na tregoni diçka më shumë… Kush është Tzemin Ition Tsai?
Tzemin I.T: Së pari dua t’ju falenderoj për këtë intervistë. Me siguri emri im kinez mund të ketë shkaktuar pakëz habi! Unë kam një karakter entuziast, i vërtetë letrar me zellin dhe sharmin e shkollës së vjetër. Kam lindur në vitin 1957 dhe u rrita në një fshat të vogël peshkimi përgjatë bregdetit jugor të Tajvanit. Kam qenë profesor universiteti por tashmë jam në pension. Jam Ambasador kulturor për Kinën e Madhe me Inner Child International (SHBA), redaktor ndërkombëtar për revistën maqedonase Contemporary Dialogues dhe kolumnist për Gjuhën Kineze të Tajvanit Monthly. Vepra e mia letrare, përfshijnë: romane, ese dhe poezi, duke eksploruar gjithmonë dashurinë mes natyrës dhe njerëzimit. Unë besoj se “nëpërmjet fuqisë së letërsisë dhe tregimit, shkrimi mund të jetë një dritë udhëzuese, duke na udhëhequr përmes labirintit të ekzistencës, duke ofruar perspektiva të reja mbi gjendjen njerëzore dhe duke ofruar një strehë për reflektim”.
A. Kosta: Kohët e fundit ju sapo fituat çmimin prestigjioz GALATEO në Itali, në seksionin e autorëve të huajve me poezinë tuaj në italisht. Çfarë mund të na thoni diçka më shumë për këtë?
Tzemin I.T: Në fakt, hyrja ime dhe çmimi në këtë konkurs me poezinë e titulluar “Një odë për Trekkerin e Majave”, më dha shumë kënaqësi. Në vargjet e kësaj poezie gjendet një thellësi e qetë filozofike, e cila e orienton lexuesin të përjetojë lidhjen e ngushtë midis natyrës dhe jetës. Ajo pikturon tablon e një endacaku që lë pas britmat e qytetërimit, duke udhëtuar i vetëm në pyllin e fshehtë. Në këtë mbretëri të paprekur, endacaku dëgjon psherëtimat e maleve dhe këngët e përrenjve, duke shijuar misterin dhe heshtjen e botës natyrore. Përmes pëshpëritjeve të luginave dhe rrathëve të pemëve të lashta, endacaku sheh bukurinë sublime dhe përparimin e madh të jetës.
Poema tregon jo vetëm qetësinë e natyrës, por simbolizon eksplorimin e jetës nga njerëzimi në kontrastin midis vogëlsisë sonë dhe të pakufishmes. Me imazhe të tilla si “ritmi i evolucionit” dhe “shkretëtira e padukshme”, ajo përcjell nderim të thellë për natyrën dhe sugjeron se jeta, ashtu si udhëtimi i endacakut, është një kërkim i pafund dhe mahnitës. Në fund, yjet në
“shkëmbinjtë krejtësisht të heshtur”, na kujtojnë se, pavarësisht nga synimet tona, natyra dhe kozmosi mbeten të pafundme dhe enigmatike, duke na inkurajuar të kërkojmë me përulësi historitë tona. Me gjuhën e saj delikate, posia kapërthen reflektimet e endacakut në natyrë, duke u ofruar lexuesve një ndjenjë të meditimit filozofik përtej përvojës individuale. Ajo na fton drejt një qetësie të brendshme dhe një kuptueshmërie më të thellë të thelbit të botës, duke u bërë thirrje në fund lexuesve që meditojnë për domethënien e jetës dhe fuqinë e thellë të natyrës.
A. Kosta: Cila është muza juaj më e rëndësishme dhe kryesore që derdhni në krijimtarinë tuaj?
Tzemin I.T: Jam thellësisht i tërhequr nga shprehja “dashuria e jetës” si një emblemë kjo për këmbënguljen time në shkrim. Veçanërisht duke u nisur nga thellësia dhe brendēsia e mendimit krijues, gati të gjitha veprat e mia janë thurur nga përvojat e mbledhura në udhëtimin e jetës, si dhe lidhjet e krijuara mes njerëzve. Shpresa ime më e madhe është që lexuesit të gjejnë brenda rreshtave të shkrimit tim, një reflektim mbi filozofitë e jetës, veçanërisht ato të ndriçuara nëpërmjet takimeve me natyrën dhe farefisninë njerëzore. Mbi të gjitha, dëshiroj që puna ime të jetë një jehonë evokuese si tërheqëse po ashtu edhe domethënëse, duke u ofruar momente mendjehollësie atyre që e lexojnë.
A. Kosta: Çfarë mendoni për letërsinë bashkëkohore? A mendoni se ka një ndryshim rrënjësor në shkrimin e sotëm në krahasim me atë të së djeshmes?
Tzemin I.T: Unë besoj se ndryshimet në letërsinë bashkëkohore janë, në thelb, një pasqyrim i shumëllojshmërisë dhe sfidave të lindura në perspektivat, vlerat dhe mënyrat e shprehjes njerëzore. Letërsia bashkëkohore jo vetëm që është diversifikuar në formë, por edhe është çliruar progresivisht nga kufizimet tradicionale përsa i përket temave, stileve dhe thellësisë intelektuale. Ajo është përpjekur të jetë drejt një drejtimi më kritik dhe eksplorues dhe nga pikëpamja historike, kjo ka qenë dhe është e pashmangshme, ndoshta edhe përtej kontrollit tonë. Letërsia bashkëkohore, është pak a shumë si një pasqyrë e mbajtur në dorë të shoqërisë, ku tani pasqyron shqetësimet tona komplekse në mënyra që do të kishin qenë të paimagjinueshme në të kaluarën. Shkrimi i sotëm shpesh angazhohet thellë me çështje të tilla, si: identiteti, pabarazia sociale, ndikimi i teknologjisë dhe globalizimi. Një ndryshim i tillë do të thotë se letërsia nuk është më thjesht një pasqyrim i emocioneve të brendshme njerëzore, por edhe një përgjigje ndaj botës së jashtme. Qëllimi i shkrimit në ditët e sotshme, nuk është më thjesht të shpjerë në kohë të zgjatura shprehinë e ndjenjës njerëzore ose hartojë ideale, por ka evoluar në një përpjekje më kritike dhe reflektuese që i nxit lexuesit të dialogojnë me vetë botën. Përsa i përket dallimeve themelore midis letërsisë bashkëkohore dhe asaj tradicionale, ndryshimi letrar nuk ka qenë kurrë një çështje e shpejtë apo sipërfaqësore. Besoj se kontrastet më të goditura qëndrojnë në perspektivat mbi realitetin dhe përdorimin e gjuhës. Letërsia bashkëkohore vë theksin më shumë në përfaqësimin autentik të jetës, duke përqafuar fragmentimin, moskokëçarjen dhe tjetërsimin. Në këtë proces, letërsia është zhvendosur nga të qenit thjesht një shprehje artistike në diçka më filozofike, duke zbuluar kundërthëniet dhe pasiguritë e jetës dhe duke shprehur kërkimin modern për kuptimin e plotë.
Për këtë mendoj dhe që është gjithashtu shpresa ime, që vlera thelbësore e letërsisë bashkëkohore qëndron në përfshirjen, fleksibilitetin dhe ndjeshmërinë akute të saj ndaj kompleksitetit të botës së sotme. Ajo na sfidon të rimendojmë atë që e konsiderojmë “e vërteta”, “natyra njerëzore” e madje edhe “bukuria”. Ky stil letrar jo vetëm që zotëron shtresa të pasura intelektuale, por gjithashtu inkurajon lexuesit të angazhohen me veten dhe botën nga këndvështrime të shumta.
A. Kosta: E “përqafoni” inteligjencën artificiale?
Tzemin I.T: Sigurisht që po! Ndonjëherë, madje më duket sikur inteligjenca artificiale është si një mik i ri në botën e letërsisë, as e vështirë, as e prirur për të vjedhur dritën e bardhësisë. Teksa e shohim, kjo nuk na lë me një dredhi komploti bombë si në fundin e ndonjë romani; ajo thjesht qëndron e qetë pranë nesh, duke na ndihmuar me fjalorin, drejtshkrimin, ose herë pas here duke na ofruar një shkëndijë frymëzimi, pa u përzier kurrë me krijimtarinë tonë.
Për mua, zhvillimi i Inteligjencës Artificiale (IA) nuk nënkupton se letërsia do të zëvendësohet, përkundrazi, kjo na hap një mbretëri të re. Kur IA mund të gjenerojë poezi, ndoshta një ditë ajo madje do ta kuptojë “thelbin” brenda vargjeve. Por të mos kemi aspak frikë, sepse ajo kurrë nuk do të na tejkalojë ne shkrimtarët në zbulimin se si të gjejmë frymëzim në parfumin e filxhanit të parë të kafesë në mëngjes dhe as nuk do t’ia dalë të mbledhë vetminë dhe ëndrrat e një stine shiu, në vargje. Pra, e përqafoj IA sepse më siguron mjete më kreative, duke më dhënë më shumë kohë për të shijuar rrahjet e zemrës dhe ritmet e procesit të shkrimit. Ne nuk duhet të shqetësohemi për shpirtin e letërsisë që zëvendësohet nga këto mjete. Në fund të fundit, asnjë algoritëm nuk mund të kuptojë ndërrimet emocionale që drita e parë e agimit i sjell një poeti. Përqafimi i IA-së, nuk do të thotë të dominohesh prej saj, përkundrazi, bëhet fjalë për eksplorimin e sferave krijuese të pakufizuara së bashku. Pra, le ta mirëpresim këtë bashkëpunëtore të re, ashtu siç e kërkon çdo hap, kundrejt një vepre të madhe letrare.
A. Kosta: Sa libra keni botuar dhe cili është mesazhi kryesor që keni dashur të shprehni nëpërmjet krijimtarisë suaj?
Tzemin I.T: Nuk i kam caktuar një qëllim të veçantë ose të kufizuar shkrimit tim. Përkundrazi, shpresoj që krijimet e mia do të hapin vizione të gjera si për veten, ashtu edhe për lexuesit e mi. Më poshtë po ju tregoj listën veprave të mia kryesore:
Veprat Letrare: Zemra e Engjëllit – Novela;
Kiki Ki im- Përmbledhje me poezi të reja;
Era përmes pyllit të bambusë bëhet kujtim – përmbledhje me poezi të reja; Pasqyra e zemrës, mjegulla mbush qiellin! – Novelë; Ngjyrat e reja malore, deti i vjetër i atdheut – Përmbledhje me poezi të reja; Kolona letrare e Tzemin Ition Tsai – Episode nga 1-100;
Përkthimet:
Travelers to the South – Neë Poetry Collection: (Daniel Piksiades, English original, Tzemin Ition Tsai, Chinese translation) – China: Lanqiëu Academic Publishing House Accomplissement – Neë Poetry Collection: (Vantchev de Thracy, Athanase, French original, Tzemin Ition Tsai, Chinese translation) – Bilingual Chinese-French, Paris: Éditions Institut culturel de Solenzara;
This Invisible Scene – Neë Poetry Collection: (Vantchev de Thracy, Athanase, French original, Tzemin Ition Tsai, Chinese translation) – Bilingual Chinese-French, Paris: Éditions Institut culturel de Solenzara;
Tekste Akademike: Të menduarit logjik për të aplikuar në jetën e përditshme; Krijimi i poezisë dhe letërsisë në tregimet jetësore; Përfaqësimi i kubit magjik në grupet algjebrike; Modelet e ekuacionit strukturor në aplikimet e logjikës së të mësuarit dhe të jetës; Shënime leksionesh mbi mësimdhënien e krijimit letrar;
Vepra në: poezi, prozë dhe formë të re romani të botuara në revistat letrare vendase dhe ndërkombëtare, me mbi 2000 tekste deri më sot.
A. Kosta: Përveç shkrimit, çfarë aktivitetesh të tjera përfshin jeta juaj e përditshme?
Tzemin I.T: Pjesën më të madhe të kohës e kaloj duke eksploruar nëpër internet, ndonjëherë për më shumë se 25 orë në ditë, (pak humor)…
Kam shumë interesa të tjera përveç letërsisë. Në fakt, ndonjëherë seriozisht mendoj se kam shumë. Unë jam si një enciklopedi shëtitëse e hobive të rastësishme. Kam qenë fans i Rubiks Cubes që kur isha fëmijë, dhe gjejeni çfarë? Ende edhe sot e kësaj dite jam. Gjithashtu jam një interpretues i shkëlqyer i këngës së bilbilit, dhe krijoj melodi të reja çdo ditë, sepse jam shumë gazmor çdo ditë. Oh, meqë ra fjala… unë kam doktoraturë në biokimi dhe një master në matematikën e aplikuar, e cila, (duhet të jeni në dijeni), është e mjaftueshme për të më mbajtur të vrapoj rreth e qark. Por kjo s’është e gjitha! Më pëlqen shumë të udhëtoj nëpër botë, edhe pse tani që jam pak më i madh në moshë, opsioni i vetëm që më mbetet është hobi im “special”: të ngas motoçikletën lart e poshtë maleve si një “kalorës pa moshë”. Pra, nëse një ditë më gjeni në ndonjë kreshtë malore të largët, mos u habini shumë, quajeni vetëm pjesë të aventurave të mia.
A. Kosta: Njihni autorë apo artistë shqiptarë?
Tzemin I.T: Më duhet t’ju kërkoj falje, por nga përvoja ime globale apo personale, jo! Shqipëria, edhe pse dikur kemi pasur marrëdhënie, më pas u bë kaq e paarritshme, saqë sinqerisht, dukej sikur të ishte në një planet tjetër! Më falni për këtë, por nëse do të më jepet ndonjëherë rasti, jam i sigurt se do të vij ta vizitoj vendin tuaj të mrekullueshëm.
A. Kosta: Cilët janë idhujt tuaj në letërsi?
Tzemin I.T: Unë kam dy dijetarë letrarë, por për fat të keq, të dy janë poetë nga Kina e lashtë, gjë që mund të duket e panjohur për lexuesit tuaj. Njëri është Li Bai, dhe tjetri është Du Fu. Ata janë të dy poetë jashtëzakonisht të njohur nga Kina e lashtë dhe sinqerisht shpresoj që një ditë t’ua prezantoj veprat e tyre, edhe njerëzve në vende të tjera të botës.
A. Kosta: Çfarë planesh keni për të ardhmen?
Tzemin I.T: Nëse përgjigja ime do të ishte thjesht që do të shkruaja më shumë vepra letrare, kjo do të ishte shumë e zakonshme, apo jo? Por, këtu është dhe përqendrohet mendimi im: unë do të preferoja të vazhdoj të fishkëllej, çdo këngë të bukur nën diell dhe të shijoj lumturinë që vjen nga përzierja e letërsisë me magjinë e muzikës. Kush e di, ndoshta një ditë, (jeta është e paparashikueshme, apo jo)? Mund të më spikatni duke fishkëllyer në internet ose diku tjetër. Sidoqoftë, mos harroni të shtypni butonin like!
A. Kosta: Faleminderit për intervistën interesante dhe shpirtin tuaj humoristik Dr. Tzemin.
Tzemin I.T: Faleminderit Juve Angela dhe Gazetës letare Nacional qe eshte bere nje gazete letrare me njohje nderkombetare dhe në veçanti dr. Mujë Buçpapaj.
Dr. Tzemin Ition Tsai (lindur në 1957) vjen nga një fshat i vogël peshkimi përgjatë bregut jugor të Tajvanit. Ai është profesor universiteti në pension dhe shërben si Ambasador Kulturor i Kinës së Madhe për ‘Inner Child International’ (SHBA), redaktor ndërkombëtar për revistën maqedonase “Contemporary Dialogues”, e gjithashtu kolumnist për ”Mujoren e gjuhës kineze”. Veprat e tij letrare përfshijnë zhanre të shumta, duke përfshirë romane, ese dhe poezi, ku ai përcjell me mjeshtëri emocionet dhe dashurinë e thellë si për njerëzimin ashtu edhe për natyrën. Ai beson se “nëpërmjet fuqisë së tregimit, letërsia bëhet një far që na udhëheq nëpër labirintin e ekzistencës, duke ofruar këndvështrime të ndryshme mbi gjendjen njerëzore dhe duke siguruar një vend të shenjtë për soditje”. Me çmime të shumta letrare vendase dhe ndërkombëtare në emër të tij, Dr. Tsai ka botuar mbi 2000 vepra në një gamë të gjerë platformash globale. Veprat e tij janë përkthyer në: anglisht, frëngjisht, shqip, turqisht, spanjisht, hindisht, hungarisht, sllovakisht, italisht, polonisht, armenisht, arabisht, persisht, serbisht etj. Shkrimet e tij janë shfaqur në mbi 50 vende. Publikimet e tij përfshijnë: ”Zemra e Engjëllit”; ”Kujtimet kur era kalon nëpër korijen e bambusë”; ”Pasqyra në zemrën time, mjegulla në qiell”; ”Peizazhi jugor, vendlindja ime’ Ocean”; “Mendimi logjik i aplikuar në jetën e përditshme” dhe “Zbatime matematikore të kubit të Rubikut në teorinë e grupit”; Era kalon nëpër korijen e bambusë (përmbledhje me poezi); Peizazhi jugor, oqeani i vendlindjes sime (Përmbledhje me poezi); Udhëtarët në jug (Përkthimi i veprës angleze të Daniel Piksiades në gjuhën kineze); Arritja (koleksioni i poezive dygjuhëshe franko-kineze).
KËNGËTARJA NË TAVERNË
Nga dr. Tzemin Ition Tsai
ZEMRA E BARIUT
Mes furisë të stuhisë dhe kodrave shterpë,
i vetëm ecën bariu, në ngricat e akullta
nuk ka më frikë – ngrohtësinë e pranverës shumë prapa e lë…
Sytë e tij dallojnë rrugën e largët,
një udhë pa shtigje, që drejt ëndrrave të jetës e shpie
dhe në agimin e mëngjesit
duke e ditur se cili vend i përket.
Qielli i gjerë dhe i kthjellët si kurrë më parë,
mos është zgjuar liria?
Apo është paqe e përjetshme që nuk vdes kurrë?
Delet e ndjekin të shkujdesura
ndërsa në shpirtin e tij, shkëmbinjtë e thepisur qiellin shpojnë…
Teksa vetë, nën një yll të largët jeton,
ai endet, i tërhequr nga horizonti i madh.
Mendon për rrugën gjarpëruese të jetës,
gëzimin, pikëllimin, zemërimin e butë,
por kudo,
veç fatkeqësi dhe vajtim ka.
Mali është i pjerrët, por lëndina është e gjerë,
mendimet krah për krah si lumë rrjedhin,
në të cilën e vërteta mund të gjendet,
si një themel i qëndrueshëm, apo lidhje fati?
Në momente të qeta, i artë bëhet qielli,
urtësinë e të parëve ndjen,
e megjithatë ai vetëm ecën,
duke gjetur rrugën e tij në livadh,
vetëm për të lënë pas, zemrën e një bariu.
SI NJË KËNGË GJETHESH QË BIEN
Të fshehura lundrojnë fjalët, mbi misteret e universit,
brenda rrotullimit të ekzistencës sonë të përbashkët,
ku shfaqjet e fuqisë, në të vërtetë, të brishta janë;
përralla jonë kolektive
në pauzën e një kali qëndron ose në takimin e të huajve,
të lidhur jo nga fisi apo kombi,
por nga identiteti i përbashkët.
Fijet e njerëzimit si vija gjaku ndërthuren,
furtunë në një vorbull, shpesh e padukshme,
por thellësisht e ndjeshme,
spektre gjyqesh të përbashkëta,
ku ndarjet shkrihen.
Ura e mirëkuptimit me kujdes duhet të ndërtohet,
duhet të kapërcehen humnerat kulturore,
të eksplorohen pa u larguar nga esenca.
T’i durojmë presionet joharmonizuese,
notat e paqes duke i ndarë,
të kompozojmë barrat tona,
në simfoninë e madhe t’i ndajmë.
Nga vendet e largëta deri te fqinji pranë,
zemra e njerëzimit në vëllazërinë universale rreh,
të modeluar nga filozofia e jetës jemi,
të formuar nga mjetet e mbështetjes.
Teksa harmonia na thërret, le të kërcejmë,
kështu ndarjet në strukturën e ekzistencës shpërbëhen.
Ndoshta jemi vetëm një komb,
apo një botë e vazhdueshme në zgjerim?
KËNGËTARJA NË TAVERNË
Dritat e llambave janë ulur në tavernë,
një çupë këngëtare shpirtin e saj në këngë derdh
zëri i saj, si një zog në fluturim,
kërkon të mos presë derisa të kalojë nata.
Fjalët që këndon si vargje poezie janë,
plot bukuri dhe hijeshi,
e megjithatë për dashurinë dhe humbjen flasin.
Nuk dëshiroj më ta shtyp dhembjen therëse brenda vetvetes
tani që larg ke ikur,
dhe vetmia ime me pikëllim më pushton.
Kujtimet rikthehen, qetësi kalimtare më ofrojnë
por me zjarrmi mendjen të paprekur ta mbaj, dëshiroj.
Zemrën që dikur preke, nga largimi yt, e plagosur,
është tharë, më nuk është ushqyer.
Për një kohë të gjatë, pjesë e jetës sime ishe,
e me dyll bletësh do ta vulos,
deri ditën kur sërish të jemi bashkë.
*Intervistoi dhe përktheu: Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese.