Flet per gazeten Nacional shkrimtari Neki LULAJ, nënkryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe e Krijuesve Shqiptarë në Gjermani

Nga Sejdi BERISHA
FATI I KOMBIT DHE I ATDHEUT, GJITHMONË ISHTE DHE MBETI AMANETI SHPIRTËROR I SECILIT SHQIPTAR INTELEKTUAL DHE I TË GJITHA SHTRESAVE TË TJERA GJITHANDEJ BOTËS NË MËRGATË…!

Neki Llulaj, deri me tash ka botuar tetë libra: “Dardania ime”, “Zjarri i shpirtit” “Në kështjellën e përjetësisë”, “Balada e heshtjes”, “Vesa mbi gur”, “Trinomi i lirisë”- bashkautor me H. Qyqallen, “Bukuria e bekuar” dhe “Kodi i tokës”
Disa nga librat e tij janë përkthyer në gjuhën gjermane, angleze dhe në atë rumune. Është Nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar në Gjermani, që nga viti 2015 është anëtar nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë në Bukuresht. Ndërsa, nga Kuvendi i Lidhjes Shqiptare në Botë mbajtur në qershor 2017, është zgjedhur Kryetar i Lidhjes Shqiptare në botë për pesë lande gjermane obligim.
Është përfshirë në shumë antologji të botuara në Kosovë, Shqipëri, Gjermani, Francë, Suedi, Romani, New York, në Maqedoninë e Veriut, Itali, Zvicër, Austri, Greqi, Angli etj.
Është bashkëpunëtor i shumë gazetave kombëtare në të gjitha trojet shqiptare dhe gjithandej Evropës dhe SHBA-ve. Po ashtu është fitues i çmimeve të ndryshme poetike dhe i shpërblyer me Mirënjohje te ndryshme.

Të gjithë ata që u bënë pjesë e mallit dhe e dhembjes të cilët mërguan në shtetet e ndryshme evropiane dhe të botës, morën me vete një grusht dhé, e nё shpirt frymën e atdheut si gjënë më të shtrenjtë të jetës

Krijimtaria letrare në mërgatë ka rëndësi të veçantë për qëndresën dhe zhvillimin e kombit, andaj trajtimi i temave lidhur me këtë janë fondamentale(Shkrimtari dhe publicisti, Sejdi BERISHA duke biseduar me krijuesin, Neki Lulaj, i cili jeton dhe vepron në Gjermani

Pyetja: Vlerat shpirtërore, kulturore dhe historiografike janë themel i afirmimit mbase edhe i zhvillimit të një kombi. Në këtë drejtim edhe diaspora me vite mbase edhe decenie ka dhënë kontribut të çmueshëm.
N. Lulaj: Po, pjesa neuralgjike e shpirtit të kombit është mërgata! Rruga e mërgimit për ne shqiptarët daton diku nga vitet 1876 por edhe më herët. Për shkak të kushteve politike, sociale dhe ekonomike, shqiptarët e kanë shijuar që herët emigracionin, ndërsa, vendet e preferuara ishin ato që i tërhiqnin më së shumti e sidomos atje përtej oqeanit. Ndoshta nuk është momenti t’i theksoj emrat në këtë rast. Por, nga shënimet me të cilat disponoj, i pari shqiptar që ka shkelur në „Tokën e Premtuar“ të Amerikës, ishte Kolë Kristofori nga një fshat i Korçës në vitin 1884. Kështu, “pionierët” e tjerë shqiptarë, në Amerikë i ngjasojnë lumit që nuk shteron. Pra, që atëherë, emigrantët e parë ishin tepër aktivë në lëvizjen kombëtare dhe u bënë miq e bashkëpunëtorë të Sotir Peçit, Fan Nolit, Faik Konicës, Qerim Panaritit, Xhevat Kallajxhi, Athanas Gegaj, Mithat Bej Frashëri etj., të cilët loznin role të rëndësishme në internacionalizimin e çështjes kombëtare shqiptare tek organet zyrtare tё shteteve ku jetonin. Edhe të tjerët, që migruan në shtetet e ndryshme evropiane, morën me vete një grusht dhé, e në shpirt frymën e atdheut si gjënë më të shtrenjtë të jetës.
Pra, të larguarit e ri nga vendi, nuk qëndruan si komunitet pasiv, por krahas ndihmave familjare arritën të impenjohen fuqishëm në çdo shtet ku ngulën duke punuar dhe luftuar për çështjen e shenjtë kombëtare.
Kështu që, kontributet e çmueshme të shqiptarëve në mërgim, edhe atëherë por edhe sot janë të pazëvendësueshme, si në organizimin e jetës duke hapur klube dhe shoqata shqiptare, ashtu edhe në rrjedhat politike, e veçmas duke u shquar edhe në aktivitetet kulturore dhe sportive, si në futboll, boks, kulturë, muzikë, film, mjekësi por edhe në të gjitha rrjedhat tjera të jetës, duke ia ngritur kështu namin atdheut.

Po ashtu, mërgata, duke dhënë kontributin e vetë dhe duke u rreshtuar edhe në UÇK, mendoj se përherë e ka vendin e nderit në mbrojtje të atdheut.

Kontributet tjera të çmueshme janë sakrifica karshi atdheut duke i dalë krah dhe duke u rreshtuar në UÇK, për çfarë mendoj se mërgata e ka dhënë provimin dhe përherë e ka vendin e nderit në mbrojtje të atdheut.
Pyetja: Ju jeni mbi dyzetë vite në diasporë, që do të thotë se edhe si veprimtarë, por edhe si krijues keni punuar shumë për mirëqenien e kombit por edhe për shqiptarët gjithandej jo vetëm në Gjermani?
N.Lulaj: Po, këtu në mërgim i kam kaluar mbi dyzet vite, dhe nuk e di a kam mundur t’i dalë zot sa duhet atdheut dhe kombit. ”E ndiej obligim shpirtëror dhe moral që mos të “tradhtoj” dy herë, ngase njëherë kam tradhtuar kur kam ikur nga Kosova, dashtë Zoti e atdheu të ma falë gabimin”!
Andaj, si veprimtar nuk kam kursyer dhe nuk do të kursehem kurrë. Isha krushk i palodhur në organizimin dhe konsolidimin e jetës duke i dalë zot atdheut, si me protesta paqësore të cilat i organizonim nëpër qytetet e ndryshme gjermane dhe evropiane, ashtu edhe në organizimin e jetës politike dhe në internacionalizimin e çështjes së rëndë nëpër të cilat kalonte aso kohe populli i Kosovës nën makinerinë e egër të regjimit milosheviqian duke e pasqyruar në mënyrë të sinqertë gjendjen reale tek pala gjermane në seminare të ndryshme, që aso kohe i mbanim me aktivistët e “Asylkreiss-it“ gjerman, por edhe nëpër shkolla fillore, të mesme, në universitete e deri tek Bundestagu gjerman dhe ai evropian.
Dua të theksoj se në ato vite, të vetmen dritare të Informimit, veç tjerash e kemi pasur të përditshmen kombëtare “Bota sot”, e cila aso kohe botohej në Zofingen të Zvicrës, e në të cilën gazetë rregullisht kam publikuar për aktivitetet e nduardurta të mërgimtarëve.
Në kohën kur Kosova ishte e okupuar, nuk na ka ra ndërmend të merremi me gjëra të tjera përveç se me organizimin e gjërave me rëndësi jetike kombëtare duke kontribuar në Fondet e ndryshme si: “Ta ndihmojmë shkollën shqipe ne Kosovë”, në “Fondin e Achenit”, pastaj në “Fondin e 3%-shit” dhe “Në ndihmë familjeve të prekura nga lufta” e deri tek sakrifica sublime e të rinjve që veshën uniformat ushtarake për t’i dalë zot atdheut.

Libri “Trinomi i lirisë” dhe dy antologji të botuara-dëshmi për punën serioze të krijuesve në diasporë

Pyetja: Në fushën e kulturës e veçmas të letërsisë, në vendin ku jetojnë dhe veprojnë krijuesit, mund të thuhet se ata janë bukur mirë të organizuar dhe të rreshtuar në intensifikimin e peshës të fjalës së shkruar?
N.Lulaj:.Po është shumë e vërtetë se jemi shumë mirë të organizuar, pas konsultimeve me krijuesit shqiptarë në mërgim, u bënë përgatitjet për Kuvendin Themelues, i cili u mbajt me 10 dhjetor të vitit 2006 dhe u themelua “Lidhja e Shkrimtarëve, Artistëve dhe e Krijuesve Shqiptarë” në Gjermani. Që nga kjo datë neve kemi kryetar, nënkryetar, një kryesi dhe një anëtarësi të gjerë, dhe rregullisht i mbajmë takimet letrare e që krijuesit e ri shqiptarë dhe te tjerët i kanë zhvilluar dhe i zhvillojnë aktivitetet e tyre, si në promovimin e veprave letrare nga autorët të cilët janë anëtarë të këtij asociacioni letrar dhe aktivitete të thera kulturore. Çdo vit i mbajmë Takimet Letrare “Azem Shkreli” me karakter garues, ku shpërblehen garuesit për vepra letrare dhe për poezi më të mira.
Vite me radhë, në takimet “Azem Shkreli” marrin pjesë edhe shkrimtarë nga Kosova dhe Shqipëria. Dua të veçoj se në muajin maj të vitit 2012, e kemi botuar librin “Trinomi i lirisë” (Bashkautor Neki Lulaj dhe Hasan Qyqalla), kushtuar 30-vjetorit të vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, në të cilin libër janë përfshi 30 autorë. Këtë Antologji poetike e kemi promovuar me 29 korrik 2012 nën patronazhin e Kryetarit të Pejës. Pastaj, vlen të theksojmë edhe botimin e dy Antologjive poetike; njëra për Shenjtoren Nënë Tereza “Vargje për Nënën” dhe tjetra për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun“ “Moti i madh“, përgatitur nga Hasan Qyqalla dhe Fran Tanushi. Krijuesit letrarë shqiptarë në mërgatë, e kanë botuar edhe përmbledhjen poetike “Ora poetike“ në Paris (2021).
Njëherësh, zhvillojmë takime dhe aktivitete letrare nëpër Klubet shqiptare në vigjilje të kremteve kombëtare, e që fjala e bukur poetike përcjellët me një interesim të madh.

Unë, ëndrrat edhe vargun poetik, i shoh atje ku i kam varret e prindërve atje në oborrin e shtëpisë sime…!

Pyetja: Të flasim pak për punën tuaj si krijues, si shkrimtar dhe poet. Cila është ajo rruga e krijuesit që padyshim se nuk është e lehtë, por është edhe mjaft e përgjegjshme?
N. Lulaj: Thënë të drejtën, unë jetoj mbi dyzetë vite në mërgim, por asnjëherë në gjumë nuk kam parë ëndërr gjermane. Unë, ëndrrat i shoh atje ku i kam varret e prindërve atje në oborrin e shtëpisë plotë bar mbi gur pasi askush nuk jeton më atje, e shpirti më rrugëton në rrugët tona plotë jetë, plotë gaz e njerëz zemërmirë, buzë lumenjve plotë ujë, në rrugët plotë mërgimtarë, në bjeshkët plotë borë e buzë përroskave plot ujë duke u zhdjergur nga bjeshka. Rinia i ngjet poezisë, andaj duke menduar se nuk do të plakëm kurrë, qysh si nxënës i shkollës fillore kam filluar të merrem me poezi. Të jesh poet, sipas mendimit tim, nuk është e lehtë, kurse, të shkruash poezi është një univers tjetër… Shkrimet e mia poetike i publikoj nëpër gazetat e kohës në Shqipëri, si te gazeta “Telegraf“, „Gazeta e Alpeve“ dhe te gazeta „Dielli“ në SHBA, te gazeta „Albanazus“ në Bukuresht, por edhe te „Gazeta Javore„ e cila botohet në Mal të Zi si dhe tek portalet e ndryshme, të cilat në numër janë bërë shumë.
Nuk është ne domenin tim që te nxjerr për çdo ditë shkrime poetike. Poezinë, çdoherë pasi që e shkruaj, e la në shtëpi të pushojë, si brumin e bukës, që të vjen, ngase kështu më duket më mirë dhe më e drejtë…
Rruga poetike është rrugë me plotë lule, por edhe plotë përgjegjësi! Frymëzimi më kaplon si uji i kroit, kurse e vargjet si stërkalat mbi gurrën e lugut. Por, nëse nuk ndien përgjegjësi për atë që e shkruan, atëherë nuk je poet i vlerave-kështu mendoj unë.
Pyetja: Ju jeni edhe nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve të tjerë Shqiptar në Gjermani. Cila është puna e këtij asociacioni me rëndësi të veçantë?
N. Lulaj: Po, punët në Kryesinë e LSHAKSH në Gjermani, i bëjmë bashkërisht, në mënyrë kolegjiale. Kemi një koordinim me Kryesinë dhe me anëtarësinë e gjerë të shkëlqyeshme dhe për çdo lakmi. Kurse, puna e këtij asociacioni është shkollë dhe qendër e shumë aktiviteteve kulturore. Së pari në ngritjen e vlerave krijuese dhe letrare, pastaj, në zbulimin e krijuesve të rinj dhe të tjerëve që e duan artin. Pastaj, në promovimin e veprave të reja letrare, të cilat botohen gjatë një viti kalendarik si dhe në zbulimin e përkthyesve dhe të recituesve të rinj dhe atë jo vetëm në Gjermani, por në të gjitha shtetet evropiane.

Bashkëpunimi më i ngushtë me atdheun është thelbësor që gjeneratat e reja të edukohen dhe të qëndrojnë vertikalisht në aspektin kombëtar…!

Pyetja: Krijuesit atje janë entuziastë por edhe, nëse mund të thuhet, edhe këmbëngulës për të arritur sa më shumë duke botuar vepra poetike por edhe të fushave të tjera. Sa qëndron kjo dhe cilat janë vlerat krijuese, por edhe çfarë duhet bërë në të ardhshmen që letërsia dhe kultura në diasporë ta kanë një taban sa më bindës për t’u inkuadruar në rrjedhat e cilësisë krijuese kombëtare, pse jo edhe ndërkombëtare?
N. Lulaj: Dihet se krijuesit kurrë nuk pajtohen me atë që e kanë arritur duke qenë ambicioz dhe këmbëngulës në kërkim të vlerave më të përsosura jo vetëm në arsim, art dhe në poezi por edhe në fushat e mjekësisë, sportit, arkitekturës dhe të biznesit, por në të gjithë lëmenjtë e tjerë, numri i të cilëve po rritët gjithnjë.
Nëpër qendrat evropiane, por edhe ato botërore ku gravitojnë mërgimtarët, funksionojnë klubet, shoqatat por edhe shkollat shqipe, mbase edhe grupet letrare, të cilat në një formë i bëjnë konkurrencë për mos asimilimin e gjeneratave të reja, të cilat po rritën dhe shkollohen larg atdheut. Njëherësh, televizioni shqiptar është një institucion kulturor në vete, që mundëson informimin e shpejt dhe të drejtë me programet e nduarduarta edukative. Bashkëpunimi më i ngushtë me atdheun është edhe letërsia e cila krijohet në mërgatë, e tëra është burimore dhe e lidhur me taban kombëtar…
Pyetja: Sa është në nivel bashkëpunimi dhe uniteti i krijuesve në mes vete dhe a është i intensifikuar bashkëpunimi i ndërsjellë i krijuesve shqiptarë në Gjermani me ata që jetojnë e veprojnë në shtete të tjera, si bie fjala në Suedi, në Angli, në Zvicër, Austri etj.?
N. Lulaj: Është fat i pa kontestueshëm se bashkëpunimi dhe uniteti mes krijuesve që krijojnë në mërgim është tejet i madh dhe kemi bashkëpunim të ngushtë dhe shumë të mirë me krijuesit shqiptarë edhe në shtetet e tjera ku gravitojnë shqiptarë, si në Austri, Zvicër, Angli, Suedi, Francë, Greqi, Itali etj. Vlen theksuar edhe bashkëpunimin tejet të mirë që e kemi me Tetovën, e posaçërisht me shkrimtarët, Zeqirja dhe Zejnepe Rexhepi, si dhe me Kroaci, Slloveni, Bukuresht etj. Njëherësh, për çdo sezon veror, ne bashkërisht organizojmë Takimet e Krijuesve të mërgatës nëpër qytetet e Kosovës, duke përuruar vlerat krijuese, librat e krijuesve, si në Bibliotekën Kombëtare „Pjetër Bogdani“ në Prishtinë, por edhe në të gjitha qytetet e të Kosovës dhe në Maqedoninë e Veriut…
Pyetja: Cili është bashkëpunimi në mes krijuesve të diasporës dhe atyre në Kosovë e më gjerë. Po ashtu, sa bashkëpunojnë në mes vete shoqatat dhe asociacionet letrare të diasporës me ato vendore dhe anasjelltas?
N. Lulaj: Ne, e kemi një bashkëpunim të ngushtë dhe tejet të sinqertë me krijuesit në Kosovë, Shqipëri, Tetovë. Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj nga zemra të gjithë ata që çdoherë janë të gatshëm dhe të papërtueshëm për bashkëpunim.

Cilësia dhe arti duhet të janë ajo bërthama fisnike, rreth së cilës krijimtaria të japë fryt por që edhe krijuesit ta forcojnë unitetin dhe fanatizmin e vlerave, edhe pse letërsia që krijohet në diasporë ndoshta ka një kostum tjetër, por fundi i fundit mesazhi është i njëjtë mos shpeshherë edhe më i fortë….

Pyetja: Ju deri me tash i keni botuar disa libra me poezi, ta cilat kujtoj se janë mirëpritur nga lexuesit, e që janë promovuar edhe këtu në Kosovë, si e konsideroni mesazhin dhe mendimin poetik që lind e krijohet në diasporë. Veprat e krijuara atje a pëlqehen dhe a janë të mishëruara e të inkorporuara në “maratonën” krijuese në Kosovë dhe gjithandej trojeve shqiptare?
N. Lulaj: Unë, deri me tash kam botuar dhjetë përmbledhje poetike duke filluar nga qendra e dikurshme e shqiptarëve të Rilindjes, ku dikur ka jetuar Noli, Asdreni, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli e shumë të tjerë, Bukureshti, Tirana, Prishtina, Shkupi etj. Pra, çdo libër po nuk pat kritikë, sipas mendimit tim është ndoshta edhe i pa vlerë… Kritika të nxitë dhe të bën edhe më të vyeshëm krijuesin por edhe librit i japë konotacion tjetër. Nëse nuk ka kritikë, do të thotë se libri nuk ka zgjuar kureshtje tek lexuesit. Pra, arti është bërthama fisnike, rreth se cilës duhet të jemi bashkuar. Poezia që krijohet në diasporë, ka një mesazh tjetër që i përngjan rinisë së ndrydhur ose rinisë se burgosur! Ka një mall tjetër, ka një kostum tjetër të veshjes, por fundi i fundit, mesazhi është i njëjtë.
Do beja një krahasim; në dasmat tona çdoherë këndohen këngë trimërie, kurse në luftë këndohen këngë dashurie, këngë lirie… Pra, ashtu ashtu është edhe tek poezia. Çdoherë në poezi jam përpjekur dhe përpiqem të jam sa më origjinal. I dua të gjitha gjinitë letrare, edhe ato i kam për shpirt, por poezinë e kam bashkudhëtare të jetës!… Kështu më lidhë krijimtaria.
Në kuadër të kësaj, dua të them se mërgata me vendin e origjinës është e lidhur si mishi me kockën, prandaj falënderoj shkrimtarët vendor tek të cilët çdo herë gjejmë përkrahje morale shoqërore e kolegjiale, dhe të cilët nuk kursejnë asgjë për ne, duke na përkrahur deri në maksimum, duke na shoqëruar në ditët poetike të mërgatës, duke na shërbyer edhe me rezyme dhe parathënie librash falas, kuptohet pa asnjë kompensim. Ketë e ka bërë disa herë gazetari, shkrimtari, poeti-krenaria, urtaku e i mençuri i Dukagjinit shkrimtari dhe publicisti, z. Sejdi Berisha.
E gjithë kjo na japë kuraje dhe na ngritë moralin e bashkëpunimit edhe më të lartë. Pastaj, disa nga shkrimtaret e mërgatës, edhe unë vetë jam anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, pra, edhe kjo është përkrahja e pa rezervë që e kemi nga krijuesit e atdheut!
Pyetja: Ju jeni edhe anëtar i shumë komisioneve dhe i asociacioneve të ngjashme që bëjnë përpjekje për afirmimin e vlerave kulturore dhe letrare gjithëshqiptare, a çmohet dhe a mbështetet puna në këtë drejtim?
Neki Lulaj: Po. Jam anëtar kryesie dhe administrator në “Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë” këtë vit, pra, në muajin nëntor, i mbushë tetë vite nga themelimi i saj. Por, gjatë këtyre viteve janë intensifikuar dukshëm aktivitetet dhe në anën tjetër sa që edhe anëtarësia sa vjen e shtohet… E si shpjegohet ky masivizim i LKSHM?! Që nga themelimi, jemi përqendruar në Festivale Poetike vjetore, kombëtare e ndërkombëtare, të cilat tani më kanë zënë rrënjë dhe janë kthyer në traditë, e ato janë: “Pavarësia poetike“(Takimet pranverore), “Promenadë mërgimtare” (Takimet verore në atdhe) dhe takimet (Nëntori historik kombëtar) “Nëntori poetik”. Një njëherësh jam edhe anëtar i Kryesisë në Shoqatën Humanitare “Dardania“ në Wiesbaden të Gjermanisë, pastaj Kryetar dhe koordinator i disa landeve në Gjermani i Lidhjes Shqiptare në botë.

Panairi Ndërkombëtar i Librit në Frankfurt dhe takimet e ngjashme nxisin dhe shtojnë interesimin për letërsinë kombëtare e ndoshta edhe për intensifikimin e përkthimit të saj në gjuhë të huaja…

Pyetja: Shoqatat krijuese në diasporë, përveç që angazhohen për afirmimin e vlerave krijuese atje, sa është kontributi i tyre por edhe i secilit krijues veç e veç që veprat letrare nga gjuha shqipe të përkthehen në gjuhën gjermane apo edhe në gjuhë të tjera, që vlerat krijuese kombëtare shqiptare të afirmohen sa më shumë gjithandej vendeve të Evropës dhe botës. Kjo nuk do të thotë që të përkthehen vetëm ato vepra që shkruhen e botohen në diasporë, por edhe të veprave të atyre krijuesve që jetojnë e veprojnë në Kosovë dhe gjithandej trojeve shqiptare?
N. Lulaj: Çdo vit, krijuesit e mërgatës janë aktivë me pjesëmarrjen e tyre në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt, ku në stendën e Kosovës bëjmë edhe promovimin e librave. Ku, përveç vizitoreve shqiptarë, kemi edhe vizitorë dhe krijues gjerman, por edhe italian, që zgjojnë interesim për letërsinë shqipe. Në këtë formë, më së miri, krijuesit shqiptar të mërgatës lidhin ura bashkëpunimi dhe përkthimi në gjuhën gjermane.

Në mërgatë, mësuesi që predikon gjuhën shqipe është si një lloj shenjtori për nxënësit shqiptarë, e unë jam shumë i lidhur me nxënësit e mi, kurse mësues është ai që nxehësve u jep diçka më tepër se sa që ka teksti shkollor!

Pyetja: Të flasim pak edhe për peshën e arsimimit të gjeneratave të reja shqiptare në Gjermani, gjë e cila ndikon shumë në ruajtjen e gjuhës amtare por edhe të traditave dhe të vlerave të tërë asaj që ka peshën historike kombëtare. Ju, ka mbi tridhjetë e pesë vite e keni mbajtur gjallë shkollën shqipe atje ku jetoni. Cili është ai roli fondamental për tq intensifikuar edhe më shumë shkollimin në gjuhën shqipe, apo për ta ruajtur dhe kultivuar gjuhën amtare në diasporë?
N. Lulaj: Udhëheq me krenarinë më të madhe tani e mbi 35 vite shkollën shqipe, pra mësimin plotësues të shkollës shqipe në Speyer të Gjermanisë. Mësuesi është si një lloj shenjtori i himnizuar për nxënësit, unë jam shumë i lidhur me nxënësit e mi. Në shkolla ka mësues dhe mësimdhënës, por mësues është ai që nxënësve u jep diçka më tepër se sa ka teksti shkollor, e unë jam përpjekur të jam i tillë. Nuk duhet që mësimdhënësi të shkojë vetë sa për të kryer një obligim profesioni apo pune.
Mësimi plotësues i gjuhës shqipe është e vetmja dritare e jetës për gjeneratat e reja, e cila në një formë e pengon asimilimin. Sepse, aty mësohet për bukuritë që i ka atdheu, për gjuhën, për kulturën, për historinë kombëtare, për historinë e letërsisë, për muzikën, për artin, për heronjtë dhe për dëshmorët e atdheut. Andaj, kujtoj se pikërisht në këtë mënyrë ruhet dhe kultivohet tradita tek të rinjtë tanë.

Athua mos vlerat kulturore dhe ato letrare e të mos them se edhe shkrimtari i ditëve të sotme është i harruar…!

Pyetja: Dhe krejt në fund. Cili është mendimi i juaj që letërsia kombëtare të respektohet dhe të mbështetët më shumë nga shteti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë?
N. Lulaj: Cilësia e krijimtarisë kombëtare në Kosovë, Shqipëri si dhe në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, po rritet gjithnjë e më tepër, por përkrahja institucionale, sidomos në Kosovë dhe në Shqipëri është tejet e vogël, të mos them se shkrimtari i ditëve të sotme është i harruar. Mendoj se shkrimtarëve të vërtetë, respektivisht të dëshmuar por edhe atyre të gjeneratave të reja, do t’u nevojitej një përkrahje e madhe por edhe financiare nga institucionet-shtetërore, në mënyrë që t’u krijohen kushtet më të mira krijuese por edhe të jetesës, sepse kjo shtresë intelektualësh kujtoj se është e lënë pas dore…!
Pyetja: Pra, a duhet t’u jepet kuraje, që të respektohen dhe që të shpërblehen krijuesit e mirëfilltë si në nivel lokal, ashtu edhe në atë qendror. E them këtë, sepse janë edhe kasnec edhe ambasadorë të të gjitha fushave, pra edhe letrare dhe kulturore?
N. Lulaj: Tek ndarja e shpërblimeve, dekoratave dhe të mirënjohjeve, kam vërejtje serioze, sepse një gjë e tillë sikur është bërë gati si një sëmundje kronike e shoqërisë sonë. Shpeshherë ato ndehën pa filluar takimi, e besa me tel. edhe para takimit, të cilën gjë nuk e pëlqej aspak edhe pse askush nuk jeton për një shpërblim apo mirënjohje. Dua të cek se mërgimtarët nga Kosova marrin pjesë rregullisht në konkurse të ndryshme letrare me karakter garues.
Në një konkurs letrar të shpallur para dy vitesh në Kaçanik e kam fituar shpërblimin e dytë, kurse në konkursin letrar „Ditët e Naimit“ në qytetin e Përmetit, poezia ime është shpërblyer dhe kam zënë vendin e tretë.
Pyetja: Ju, gjatë krijimtarisë tuaj keni shëtitur edhe nëpër shumë vende të Evropës, Amerikës dhe gjithsesi edhe në shumë qytete anekënd trojeve shqiptare, ku keni vizituar shumë vende historike dhe muze. Keni mësuar për shumë gjëra historike dhe personalitete që njeriu rrallë i prekë dhe i mëson drejtpërdrejtë gjithë këtë thesar. A keni menduar që tërë këtë pelegrinazh mbase historik do ta përjetësoni në libër reportazhesh pse jo edhe të natyrës tjetër?
N. Lulaj: Po. Është e vërtetë se udhëtimin tim-shëtitjen e kam nisur me një “trok kali” e nuk e di se ku dhe kur do të ndalëm. Gjatë rrugëtimit të krijimtarisë sime kam pasur fatin t’i shëtis gati të gjitha qytetet e rëndësishme të Evropës.
Nëse më lejohet do t’i përmend vetëm disa, ngase gjeografia e shëtitjeve të mia është bukur e gjatë dhe interesante. Për herë të parë kur e kam vizituar Berlinin, gjegjësisht, Portën e Bradenburgut të lirë, me lot në sy i frymëzuar e pata shkruar një poezi : „E kur do të thehët gardhi jonë“…!
Shkurt, gjatë qëndrimit tim në Gjermani i kam vizituar të gjitha qytetet nga Hamburgu e deri në Passao.
Kam vizituar edhe shumë qytete e monumente historike gjithandej Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por për ta mos bezdisur lexuesin në këtë intervistë, kësaj radhe nuk do të lëshohem në detale, kështu që përkitazi me këtë do të flas herëve të tjera, prej nga kujtoj se do të rezultojë edhe një libër shumë me peshë…
Pyetja: Ju faleminderit. Puna e krijuesit, kudo që vepron ai, është e shenjtë dhe e pazëvendësueshme?
N. Lulaj: Ne në mërgim, nganjëherë bëjmë jetë asketi dhe do ta kisha parafrazuar me një thënie të Dante Aligieri-t: “S`ka dhimbje më të madhe se sa ta kujtosh kohën e lumtur në mjerim“! Na nuk ndiejmë lumturi në mërgim…!
Pyetja: Synimet e Juaja për krijimtari sigurisht se janë të pashtershme dhe të pandalshme?
N. Lulaj: Asnjëherë nuk them se e kam kryer misionin tim poetik. Krijuesi i përngjanë bletës, e bleta është e pandalshme dhe e palodhur. Pra, letërsia është një xeherore e pashtershme shpirti…!
* * *
BIOGRAFIA E SHKURTËR E NEKI LULAJT

Neki Lulaj u lind me 13 janar 1955 në fshatin Broliq të komunës së Pejës.
Shkollën fillore e filloi në Prapaqan të Deçanit kurse semimaturën e përfundoi në shkollën fillore “Fan Noli“ në Kryshec të Pejës. Gjimnazin „Vëllezërit Frashër“ e mbaroi në Deçan, u regjistrua në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Bajram Curri“ dega letërsi dhe gjuhë shqipe në Gjakovë,e me pas mbaroi Fakultetin Filozofik, dega letërsi dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Kosovës në Prishtinë.
Pastaj punoi si mësimdhënës i Gjuhës shqipe në Shkollën fillore “B. Kidriq“ në Vushtrri nga shtatori i vitit 1980 deri me 31 Nëntor të vitit 1992.
Qysh si nxënës i shkollës fillore filloi të merret me shkrime dhe poezi të cilat i publikonte në gazetën „Pionieri“, në „Rilindja“(Faqja për fëmijë), në “Zani i rinisë“, dhe në gazetat „Bat“ dhe „Shëndeti“.
Gjatë studimeve ishte i pranishëm me shkrimet e tij në „Rilindja“, në gazetën e studenteve „Bota e re“, “Zëri i rinisë“ dhe me vonë edhe në revistën letrare „Jeta e re“ që botohej në Prishtinë.
Rrethanat e egra të regjimit sërbosllav rënduan mbi supet e rinisë shqiptare e sidomos edhe te pishtarët e zëshëm të arsimit, kështu që Nekiu qe i detyruar që ta marrë rrugën e mërgimit dhe përfundimisht mërgoi në shtetin Gjerman, ku edhe sot e kësaj dite jeton dhe vepron.
Në Gjermani ka vazhduar Fakultetin për Kualifikimin përkatës dhe punoi si Social-Pedagog, dhe pastaj u punësua në procesin edukativo arsimor në një gjimnaz gjerman. Njëherësh tani tetëmbëdhjetë vite ka udhëhequr mësimin plotësues në gjuhën shqipe me nxënësit shqiptarë.
Deri me tash ka botuar tetë libra: “Dardania ime”, “Zjarri i shpirtit” “Në kështjellën e përjetësisë”, “Balada e heshtjes”, “Vesa mbi gur”, “Trinomi i lirisë”- bashkautor me H. Qyqallen, “Bukuria e bekuar” dhe “Kodi i tokës”
Disa nga librat e tij janë përkthyer në gjuhën gjermane, angleze dhe në atë rumune. Është Nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar në Gjermani, që nga viti 2015 është anëtar nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë në Bukuresht. Ndërsa, nga Kuvendi i Lidhjes Shqiptare në Botë mbajtur në qershor 2017, është zgjedhur Kryetar i Lidhjes Shqiptare në botë për pesë lande gjermane obligim.
Është përfshirë në shumë antologji të botuara në Kosovë, Shqipëri, Gjermani, Francë, Suedi, Rumuni, New York, në Maqedoninë e Veriut, Itali, Zvicër, Austri, Greqi, Angli etj.
Është bashkëpunëtor i shumë gazetave kombëtare në të gjitha trojet shqiptare dhe gjithandej Evropës dhe SHBA-ve. Po ashtu, është fitues i çmimeve të ndryshme poetike dhe i shpërblyer me mirënjohje të shumta.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here