Flet për gazetën “Nacional” shkrimtari suedez Bernt-Olov Andersson. Intervistoi: IRMA KURTI

Askush nuk mund të mbijetojë vetëm me poezi

BERNT-OLOV ANDERSSON është një autor, dramaturg dhe gazetar per kulturën, që jeton në Suedi. Ai ka qenë ish-nënkryetar i Shoqatës Suedeze të Shkrimtarëve dhe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Veriorë. Ai është gjithashtu iniciator i krijimit të Shoqërisë Stig Sjödin dhe Shoqatës së Shkrimtarëve të punësuar. Ndërkohë, është edhe këngëtar në grupet muzikore Band Avd dhe Starka Band.
Bernt-Olov Andersson ka lindur në Kilafors, Hälsingland, por fëmijërinë e kaloi në Sandviken, Gästrikland, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës. Ka debutuar si poet në vitin 1976 dhe që atëherë ka shkruar romane, drama dhe prozë. Sandviken dhe mjedisi industrial i qytetit janë esenciale në shkrimet e tij, por në kujtimet e titulluara “Den osynliga nåden” (Hiri i padukshëm, 2018), ai flet gjithashtu për familjen e tij në Hälsingland. Disa nga librat e autorit janë transmetuar si seriale në radio. Në vitin 2019, ai mori pllakën Hedenvind, një çmim i rëndësishëm letrar që u jepet shkrimtarëve që vijnë nga klasa punëtore dhe në 2022 u nderua me çmimin Ivar Lo, i cili është një nga vlerësimet më prestigjoze të Suedisë.

Autor, dramaturg, gazetar dhe këngëtar. Çfarë ju bën të ndiheni më shumë vetvetja?

Në thelb, unë jam një poet, edhe pse kam shkruar kryesisht romane, drama dhe romane për gati 50 vjet. Poezia është themeli i parë i letërsisë.

Cila ishte qasja juaj ndaj botës së letërsisë?

Nuk isha nxënës i mirë në shkollë dhe nuk kisha asnjë interes për letërsinë. Megjithatë, isha i apasionuar për muzikën. Jam rritur me një baba që kishte probleme me pijen. Si i ri, unë punoja, si im atë dhe pjesa më e madhe e të rinjve të qytetit, në fabrikat e mëdha të hekurit. Ishte një punë e rëndë, e pistë dhe monotone.
Isha 16 vjeç kur fillova punën atje dhe qëndrova në të njëjtën makineri për gjashtë vjet. E urreja atë vend pune dhe, për të çliruar trurin nga shqetësimet, fillova të shkruaja tekste këngësh gjatë turnit të punës.
Vjehrri im më prezantoi me një nga poetët më të mëdhenj të Suedisë, Stig Sjödin, i cili, ashtu si mua, ishte rritur në të njëjtin qytet. Ai i përkiste një brezi tjetër, por kishte të njëjtin prejardhje si unë. Tekstet e këngëve që kisha shkruar ai i konsideroi si poezi dhe më nxiti të vazhdoja të shkruaja.
Ndërkohë, ai më dha një këshillë shumë të rëndësishme: “Duhet të lexosh shumë!” Kam lexuar gjithçka qysh atëherë! Fillova me Eposin e Gilgameshit dhe Biblën, deri te Majakovski, Çehov dhe Dostojevski dhe, më tej, te shkrimtarët modernë. Pak vite më vonë bëra kritikun letrar duke u fokusuar tek poezia.

A ju kujtohet poezia apo tregimi juaj i parë?
Poezinë time të parë nuk e kam më, por mbaj mend se ishte për mënyrën sesi e shikoja të ardhmen time dikur. Më dukej se do të mbetesha i lidhur me zinxhir pas një makinerie gjatë gjithë jetës. Por arrita të largohem prej andej dhe u stërvita si marangoz, që u bë profesioni im për shtatë vjet.

Cili ishte libri juaj i parë?
Libri im i parë u botua në vitin 1976 dhe ishte një lloj ditari poetik, i cili përmbante edhe tre tregime. Një vit më vonë botova dy poezi në një revistë dygjuhëshe angleze-suedeze, që do të thoshte se unë, së bashku me një mik, udhëtuam për në Nju Jork dhe takuam shumë nga poetët e asaj kohe. Si rezultat, unë dhe shoku im botuam përmbledhjen me poezi “Ditë në Nju Jork”.
Paskëtaj, botova përmbledhjen me poezi “Mes goditjeve të çekanit dhe ndërrimeve të bandës”, e cila përmbante motive nga vendet ku kisha punuar. Në ballinën e një gazete lokale shkruhej “Bernt Olov, ti je një sensacion”. Kjo ishte pika e kthesës për mua si poet.
Mora guximin dhe e lashë punën si marangoz. U shndërrova kështu në një gjë kaq të pazakontë siç ishte një baba që rrinte në shtëpi me fëmijën e porsalindur për një vit të tërë. Mendoja se do të mund të shkruaja poezi gjatë gjithë kohe. Por kjo dështoi që javën e parë që kalova me djalin tim Jonas, i cili shfaqet gjithashtu në përmbledhjen me poezi “Jonassvit”. Kur u rrit, djali im u bë poet. Jonas, vajza jonë Linnéa dhe kushërinjtë e tyre krijuan një grup muzikor, që zgjati 10 vjet, ku unë isha këngëtar. Grupi quhej “Band Avd”, që ishte reparti në fabrikën e hekurit ku punoja dhe prej nga nisi rruga ime e të shkruarit. Ne publikuam një CD që është i disponueshëm në Spotify me titullin “Järngrepp”.

Pse filluat të shkruani prozë?
Mund të them se ai titull në gazetën lokale më bëri që të hesht si poet për gati dhjetë vjet. Ndërkohë, drejtova projekte të ndryshme kulturore, bëra lexime nga përmbledhja ime e vogël me poezi në biblioteka dhe shkolla, shkruajta rubrika dhe recensione, u bëra kryetar i shoqatave të ndryshme… por nuk shkrova asnjë poezi.
Kuptova se duhej të largohesha nga qyteti im i fëmijërisë, për t’iu përkushtuar seriozisht letërsisë. Pikërisht atëherë në jetën time arritën tregimet e shkurtra, romane, drama dhe libra jofiction. Askush nuk mund të mbijetojë vetëm me poezi.

Me cilin libër ndiheni më shumë i lidhur?
Së fundmi, kam botuar romanin “Alla goda ting” (Të gjitha të mirat), që është libri i shtatë i pavarur me motive nga lagjet punëtore të një qyteti të vogël në Suedi. Të gjitha këto përmbledhje poetike dhe romane janë domethënëse për mua, sepse përshkruajnë mjedisin tim të fëmijërisë. Guxoj të them se jam ekspert i historisë sime dhe të qytetit. Por romani i ri është i fundit i kësaj serie. Tani po përfundoj së shkruari një përmbledhje tjetër me poezi.

Si do ta përkufizonit lidhjen tuaj me muzikën?
Poezia është e lidhur me muzikën. Për mua, muzika është gjithashtu parakusht për poezinë. Dhe pikërisht kur poezia dhe muzika hapin vrima në armaturën e luftës, mund të ketë paqe të vërtetë në tokën tonë. Sot, kjo është më e rëndësishme se kurrë.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Kam botuar një roman vitin e kaluar, por tani po punoj për një përmbledhje me poezi, që përmban mendime dhe motive të ndryshme: politike, personale dhe poezi që kam shkruar në udhëtimet e mia, kur kam vizituar vende të ndryshme. Para disa ditësh shkrova një poezi me titull “Ai”, që tregon për marrëdhënien time me babanë. Jam rritur në një familje të klasës punëtore dhe kam punuar në industrinë e rëndë për 16 vjet vetë, si hekurpunues dhe punëtor ndërtimi, por për pesëdhjetë vjet kam qenë shkrimtar me kohë të plotë. Kjo do të thotë se tani jam i moshuar. Në fund të këtij viti do të jem 78 vjeç. Kam vendosur të shkruaj poezi për pjesën tjetër të jetës sime. Kam debutuar si poet dhe dua ta lidh jetën me poezinë.