Flet për Nacional artistja dhe poetesha italo – arbëreshe Catia Pugliese. Intervistoi : Angela Kosta

CATIA PUGLIESE: “ Rrënjët e mia janë italo – arbëreshe. Shqipëria: vendi i shqiponjave, një tokë magjike dhe magjepsëse. Besoj se kam trashëguar nga Shqipëria ndjenjën e fortë të pavarësisë, frymën e solidaritetit, të vullnetit dhe aftësinë për të ndihmuar, si dhe krenarinë e përkatësisë pjesërisht ndaj një populli rezistues dhe të fortë”.

Catia Pugliese lindi në Cosenza të Italisë, ku studioi dhe u diplomua në shkollën e mesme artistike në Castrovillari. Ajo ka qenë gjithmonë e interesuar për artin dhe poezinë në evente të ndryshme. Catia ka marrë pjesë në shumë ekspozita arti si dhe konkurse poetike në të gjithë vendin, duke fituar çmime të shumta e të rëndësishme, përfshirë këtu medaljen e Senatit të Republikës së Italisë. Ajo u diplomua në letërsinë moderne dhe jep mësimin e italishtes dhe historisë në shkollat e mesme.
E apasionuar pas studimeve të psikologjisë dhe misterit magjepsës që rrethon shpirtin njerëzor, në të gjitha format e tij shumëplanëshe, ajo shkruan dhe krijon vargje të shumta lirike. Shtysa dhe delikatesa kombinohen dhe prekin tema ekzistuese si: kujtimet, dashuria, dhimbja dhe shpresa të zhvilluara me stil thelbësor dhe thellësi të jashtëzakonshme. Poetja Pugliese është për t’u konsideruar, nëpërmjet gjuhës së thellë, të lirë dhe specifike të vargjeve të saj, një nga mendjet mjaft të shkëlqyera poetikisht të kohëve tona, duke rrënjosur fuqinë e dialektikës së saj letrare në një kontekst intelektual me intensitet emocional të lindur. Nxitja dhe delikatesa kombinohen në mënyrë të përsosur në një zë të vetëm dhe prekës, në të cilin Shpirti vibron dhe i ngazëllyer dhemb. Faqosja e krijimive është shpesh e lidhur me interpretimet artistike të cilat autorja në fjalë i projekton në kanavacë.

Librat e saj me poezi të botuara janë:

– Tra i sassi e le stelle – Midis gurëve dhe yjeve
– Eclissi di una vita – Eklipsi i një jete të tërë
– Ti fui luna, ti fui sole – Të kam qenë hënë, të kam qenë diell.

Shumë nga veprat e saj artistike mund të gjenden brenda Atlasit të Artit Bashkëkohor (De Agostini), në katalogë të ndryshëm të Artit Modern (Mondadori) si dhe në shumë revista periodike të artit.

– INTERVISTA –

A. Kosta: Përshëndetje Catia. Mirë se erdhët në Gazeta Nacional. Na tregoni për veten tuaj. Kur ka qenë qasja juaj me artin dhe shkrimin?

– Përshëndetje Angela. Kënaqësi që ndodhem këtu me Ju e vençanërisht në gazetën prestigjoze NACIONAL tashmë mjaft e njohur në Itali e kudo në botë.
Unë fillova t’i afrohem botës së artit që në moshë të vogël. Gjithmonë më ka pëlqyer t’i pikturoj emocionet e mia; peneli dhe ngjyrat kanë përfaqësuar vazhdimisht një “arratisje” të ëmbël nga realiteti… Një strehë e përditshme pothuajse. Më pas, kurioziteti për të eksploruar sa më shumë, më shtyu të krijoja dhe eksperimentoja me vepra nga më të ndryshme të artit (duke përdorur teknika të larmishme pikture) me reagime pozitive nga publiku. Në të njëjtën mënyrë, delli poetike ka shoqëruar gjithmonë rrugëtimin tim. Piktura dhe shkrimi përfaqësojnë bashkimin shpëtimtar të jetës sime. Përshkrimi i lirikave është shpesh i lidhur me interpretimet dhe figurat grafike që unë projektoj në kanavacë.

A. Kosta: Keni marrë pjesë në ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare? A keni ndonjë përvojë që ju ka bërë veçanërisht përshtypje apo që përfaqëson një pikë kthese themelore në karrierën tuaj?

– Sigurisht! Unë kam marrë pjesë në ekspozita të ndryshme si në: Kinë po ashtu edhe në Indi si dhe në të gjithë territorin italian. Mbaj mend fare mirë kur isha vetëm pesëmbëdhjetë vjeç, herën e parë që u bashkova me një kolektiv të artit bashkëkohor, në një ceremoni çmimesh me një nga veprat e mia (një lëndinë me lulëkuqe). Më kujtohet ende sot, emocioni i madh që ndjeva kur më intervistoi një gazetar i TV. Ishte një përvojë mjaft pozitive, e cila sigurisht më nxiti të vazhdoja rrugën e mrekullueshme artistike.

A. Kosta: Veprat tuaja janë të pranishme në katalogët e artit modern. Si ndiheni duke ditur se puna juaj vlerësohet dhe njihet në një prani kaq prestigjioze?

– Po e filloj duke thënë se jetojmë në një botë të paperqëndruar, ku paprekshmëria rrit ndjenjën e vetmisë së njeriut, duke e bërë atë skllav të modeleve të imponuara nga një shoqëri që shtyn gjithnjë e më shumë drejt individualizmit. E jona është një shoqëri iluzioni, të margjinalizuar ku ka gjithnjë e më pak momente reflektimi. Arti luan një rol themelor sepse thyen rregullat duke nxjerrë në pah bukurinë e vërtetë dhe në heshtjen e brendësisë së tij çon në një dimension shpëtimtar për një asketizëm.
Për mendimin tim, një vepër arti merr konsensus pozitiv atëherë kur arrin të emocionojë dhe transferojë tek vëzhguesi atë që ai dëshiron të shohë. Siç thotë Rodini: ”Kur njeriu përballet me një vepër arti, është e natyrshme të jetë i dhënë të dëgjojë, të dojë, të shpresojë, të dridhet dhe të jetojë”. Si përfundim, është vërtet kënaqësi të shfletosh faqet e katalogëve të rëndësishëm të artit dhe të shohësh veprat e mia artistike të përfshira, por ajo që ka më shumë rëndësi për mua është ajo çka përmenda më sipër, pra, të arrijë në destinacion mesazhi që secila prej këtyre veprave përmban.

A. Kosta: E miratoni inteligjencën artificiale (IA) në fushën e artit dhe letërsisë?

– Besoj se inteligjenca artificiale sot është brenda mundësive të shumë artistëve. Ka kaq shumë kuriozitet për teknologjitë e reja, saqë e gjithë kjo ngjall me të vërtetë fare pak besim tek unë, përsa i përket aftësisë reale për të përmirësuar artin. Besoj se ende nuk ka procese të mëdha artistike që përdorin sistemin (IA), shpresoj që gjeneratat e reja të artistëve, përveçse të zotërojnë mjetet e reja të ofruara nga inteligjenca artificiale, të ruajnë një ndjeshmëri të fortë që i predispozon ata të mos neglizhojnë atë që zotëron dhe që është më e rëndësishmja në qenien njerëzore: Shpirti.

A. Kosta: Çfarë mendoni për artistët dhe shkrimtarët e sotëm?

– Besoj se arti dhe rrjedhimisht artistët pasqyrojnë shoqërinë në të cilën jetojmë, të përbërë nga transformime të mëdha epokale. E rëndësishme është, pra, që çdo artist apo shkrimtar të jetë në gjendje të tregojë diçka për të tashmen tonë historike dhe jo-historike, duke arritur të zhytet në një realitet ku lexuesi mund të njohë dhe gjejë vetveten. Për mendimin tim, detyra për të qenë bartës të mesazheve të rëndësishme kryhet gjerësisht nga artistët dhe shkrimtarët e sotëm.

A. Kosta: Çfarë mesazhi do të donit t’u përcillnit shkrimtarëve dhe artistëve të rinj?

– Arti është dashuri, pasion, bukuri, delir. Duhet të jeni të vetëdijshëm që i keni të gjitha këto përbërës para se t’i afroheni. ”Duhet ende të kesh kaos brenda për të krijuar një yll vallëzimi” thotë Nietzseche. Pra, sugjerimi është të zhvishesh nga të gjitha paragjykimet, të vëzhgosh, të depërtosh, të shkrihesh në art derisa dikush të bëhet pjesë përbërëse e tij. Dhe në fund, shkëputu prej tij dhe vëzhgoje nga larg po me të njëjtën çiltërsi me të cilën dikush vëzhgon botën për herë të parë.

A. Kosta: Cili është artisti apo shkrimtari juaj idhull?

– I dua të gjithë shkrimtarët e veprave klasike italiane dhe jo italiane, ndërsa për artistë arti nuk kam ndonjë preferencë specifike, por e vlerësoj shumë të gjithë artin bashkëkohor.

A. Kosta: Cilat kanë qenë sfidat në karrierën tuaj letrare dhe artistike?

– Sfida më e madhe për mua ka qenë guximi, rëndësia e ”të treguarit’ që në fund të fundit përcakton jo vetëm se kush jemi në kuptimin më reflektues dhe më të thellë, por pasqyron edhe një funksion të rëndësishëm social sepse na lejon të ndërmarrim dhe të komunikojmë me të tjerët.

A. Kosta: A mund të na tregoni më shumë për origjinën tuaj dhe si e zbuluat pasionin tuaj për artin dhe letërsinë?

– Rrënjët e mia janë italo – arbëreshe. Shqipëria: vendi i shqiponjave, një tokë magjike dhe magjepsëse. Besoj se kam trashëguar nga Shqipëria ndjenjën e fortë të pavarësisë, frymën e solidaritetit, të vullnetit dhe aftësinë për të ndihmuar, si dhe krenarinë e përkatësisë pjesërisht ndaj një populli rezistues dhe të fortë. Pasioni im për të shkruar doli në dritë në moshën e njomë kur isha në klasën e parë. Që atëherë më pëlqente shumë të krijoja… i shkruaja emocionet kudo që isha. Në atë periudhë jetoja në një fshat të hapur. Isha një fëmijë e turpshme dhe e vetmuar, por u rrita në shoqërinë e luleve; ”Miqtë’ e mi ishin: pemët, retë, dielli, yjet etj. Unë jetoja e rrethuar nga natyra dhe shpesh përkëdhelesha nën hijen e një lisi të madh ku ia besoja një faqeje letre të bardhë, të gjitha mendimet e mia më të thella. Më pas, shkrimi u bë pothuajse një formë terapeutike dhe mbrojtjeje kundër një bote që edhe atëherë e konsideroja larg ndjenjës sime të thjeshtë dhe të pastër. Më vonë fillova t’i transferoja shkrimet dhe poezitë e mia në kanavacë, në mënyrë që të filloja të përfaqësoja botën time të brendshme edhe grafikisht dhe kjo ishte për mua një lloj mënyre çlirimi. Arti më ka shpëtuar disa herë nga vështirësitë. Është e vetmja gjë që për mua ka shumë rëndësi dhe ajo që ka vërtet rëndësi nuk mund të shpjegohet kurrë. Ai thjesht jeton brenda meje dhe ditë pas dite më shpëton.

A. Kosta: A keni pasur ndonjë përvojë domethënëse që ka ndikuar në formimin tuaj letrar dhe artistik?

– Në fakt nuk mbaj mend ndonjë ngjarje të veçantë… (përveç jetës sime në evolucion të vazhdueshëm) që ka ndikuar në formimin tim artistik letrar.

A. Kosta: A mendoni se arti dhe letërsia janë një mjet paqeje dhe vëllazërie midis popujve? A është ky një motivim i vazhdueshëm në punën tuaj si shkrimtare dhe artiste?

– Padyshim, arti mund të konsiderohet nëpërmjet mënyrave të ndryshme të tij të shprehjes një mjet i vlefshëm, një lajmëtar i vlerave më të larta njerëzore si: paqja, solidariteti, vëllazëria, etj. Në fakt, kjo ndërmerr një rol themelor në rivendosjen e një centraliteti të ndërgjegjes dhe si veprat e mia të pikturës po ashtu edhe shkrimet e mia bëhen bartëse të gjithë kësaj .

A. Kosta: Si i arrini këto vlera nëpërmjet krijimtarisë suaj?

– Thjesht duke transferuar përmes ngjyrave dhe pikturave gjithçka që përjetoj brenda shpirtit. E njëjta gjë vlen edhe për shkrimin: paqja ose lufta lindin në zemrat e njerëzve dhe është pikërisht shpirti i të njëjtit që duhet edukuar. Dhe pse jo? Gjithashtu nëpërmjet gjuhës emocionale që është tipike e artit dhe është e vetmja që shkon drejt e në zemër.

A. Kosta: Faleminderit për intervistën Catia. Ju uroj shumë suksese me libra të tjerë të rinj ashtu sikurse edhe piktura shumta të tjera.

– Një falënderim të përzemërt për ju Angel, për Drejtorin e gazetës Mujo Buçpapaj e gjithashtu një përshëndetje të ngrohtë për të gjithë lexuesit shqiptarë.

Intervistoi dhe përktheu: Angela Kosta Drejtore e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese