Flet për “Nacional” poetesha e njohur Tatiana Konomi me rastin e botimit të librit me poezi: “Në anën tjetër të shpirtit” , nga “Botimet Nacional” Tiranë.

Gazeta “Nacional” ka kënaqësinë të sjellë për lexuesit një rrëfim të ndjerë me poeten Tatiana Konomi, me rastin e botimit të librit të saj të parë me poezi “Në anën tjetër të shpirtit”, botuar nga “Botimet Nacional”, Tiranë. Një zë i brendshëm, i thellë dhe autentik që flet me ndjenjë, kujtesë dhe shpirt mërgimtari. Urime autores për këtë debutim të ndjeshëm poetik dhe mirënjohje për besimin e dhënë ndaj platformës sonë letrare dhe kulturore.
Me librin e saj të parë “Në anën tjetër të shpirtit”, botuar nga “Botimet Nacional”, ajo na fton në një udhëtim të brendshëm përmes kujtimeve, dhimbjeve, mallit dhe shpresës së heshtur që mbin edhe në dheun e largësive.

Tatiana Konomi nuk është një emër i ri për poezinë – ajo ka jetuar me të që në fëmijëri, e ka mbajtur në heshtje si një thirrje të brendshme, dhe tani, pas shumë vitesh jetë mes Greqisë dhe Gjermanisë, ia ka dhënë zë këtij pasioni të thellë përmes vargut të shkruar. Poezitë e saj janë pasqyrim i një shpirti të ndarë mes dy brigjeve: vendlindjes që e thërret me kujtime dhe identitet, dhe mërgimit që i jep thellësi dhe përvojë.

Në këtë intervistë ekskluzive për “Nacional”, poetja flet me sinqeritet për fillesat e saj, përpjekjet për të ruajtur zërin e saj përmes kohërave të vështira, ndikimin e prejardhjes dhe natyrës së Palasës në krijimtarinë e saj, përvojën e emigracionit dhe rolin e fjalës së shkruar si mjet për të mbijetuar, për të dashuruar dhe për të mos harruar.

Një bisedë e sinqerte dhe ndriçuese me një poete që vjen nga thellësitë e shpirtit për të na kujtuar se fjala, kur është e vërtetë, nuk njeh kohë, as kufij. Ju ftoj ta lexoni!

Intervistoi: Dr. Mujë Buçpapaj

1.Zonja Konomi, sapo keni botuar nga “Nacional” Tiranë, librin tuaj të parë me poezi, “Në anën tjetër të shpirtit” . Si ndiheni në këtë moment të veçantë për ju?

Të vërtetën e shpirtit?? -Nuk e di!
E ndjej si një borxh kundrejt vetes time.
Ndjej një lehtësim këndëshëm.

2.A mund të na tregoni për titullin “Në anën tjetër të shpirtit”? Pse ky emër dhe çfarë simbolike mbart për ju?

-Kam patur gjithnjë ndjesinë se njëra “Unë”jetonte jetën dhe tjetra “Unë” diku…, diku ku mbetej e paprekur nga zhgënjimet, dhimbjet.
Njëra njërëzore, e vdekshme, e robëruar, e bindur “fatit” e jetës, tjetra luftëtare, e lirë dhe rrebele dhe e pavdekshme dhe gjithnjë ja dilte të më jepte krahë e vendosmëri.

3. Në biografinë tuaj theksoni se poezinë e keni nisur që në moshë të vogël. Si e përjetuat atë përvojë të parë kur recituat para gjithë shkollës?
-Përpara se të dal para shkollës isha shumë e lumtur, që një nga mësueset më të mira të letërsisë në qytetin tonë Liri Kazazi( pas një viti do behesha nxënësja e saj dhe ajo
stacion i jetës time plot dashuri),e kishte zgjedhur poezinë time dhe mua si recituese.
Por kur u gjenda para kaq syve e veshëve ,mbaj mend se dridhesha nga brenda e kisha shum trak. Isha vetëm 9 vjeç.

4.Për shkak të prejardhjes suaj familjare, jeni përballur me vështirësi në rrugën tuaj arsimore dhe letrare. Sa e ka ndikuar kjo në zërin tuaj poetik?

-Shtatorin e kam përjetuar për shumë e shumë vite si muaj të përzishëm (një vdekje të brendëshme pa emër).
Sa për ndikimin, vitet e tetvjeçares dhe gjimnazit
jo gjithmonë e hidhja në letër frymëzimin tim(nuk e quaja te domosdoshme, e bindur që nuk kisha shtigje për të ecur). I rikaloja e i përpunoja vargje në kokë,duke pakësuar fjalët, derisa mbetej vetëm thelbi i asj që desha të thosha.Mendoj se ky përpunim mendimi, më imponoi më vonë një mënyrë lakonike në shkrimet e mia.

5. Pas shumë vitesh jete jashtë Shqipërisë, fillimisht në Greqi dhe më pas në Gjermani, si ka ndikuar ky mërgim në krijimtarinë tuaj? A ka një jehonë malli në poezitë tuaja?
-Kjo nxë në tre fjalë:Bagazh ndjenjash, përvoje.

6. Cilat janë temat që përshkojnë më së shumti librin “Në anën tjetër të shpitit”? A është ky një libër i përvojës personale, i reflektimeve shpirtërore, apo një përpjekje për të ndarë me të tjerët dhimbjen dhe bukurinë e jetës?
-Do të thosha te gjitha ato bashkë.

7. Çfarë poetësh apo shkrimtarësh shqiptarë dhe të huaj kanë ndikuar në formimin tuaj letrar dhe shpirtëror?
-Dua te ndaj dhe të theksoj: Përrallat, ato të shkruarat dhe ato të pashkruarat, se unë pata fatin te dëgjoj nga gjysha, stërgjyshja, hallat shumë gojëdhana, në shqip e greqisht.
Madje mami im më thoshte te plotë gojdhanën e Konstandinit dhe Dhokinës.Atë të popullit,jo te librave, dhe unë e mbaj mend akoma sot, mund tua jap ta botoni.Pushkini (libri i tij me poezi e poema qe jasteku im). Zhyl Verni, Kolodi, Shekspiri, Molieri,Zëeigu, Kadare, Resul Bedo, Petro Marko.Emrat janë pa fund.
Tani që mendoj të gjithë klasik,rilindas,
fantastikoshkencor lanë gjurmë e mbresa tek un dhe ndihmuan formimin e botkuptimit tim.Më kujtohet se kur lexoja “hirushen”. Çdo mesnate bëhesha kungulleshkë. Kur lexoja “Don Kishotin” ndjeja peshën e parzmoreve mbi trup. Kur lexoja “Pinokun”,më kërcisnin gjunjët si prej druri. Kur lexoja “Valë të nxehta në Berlin”
më dhimbte trupi nga torturatne kampin e përqëndrimit.

4. Çfarë vendi zë natyra, origjina juaj nga Palasa, dhe kujtimet nga fëmijëria në poezinë tuaj? A është deti një figurë e pranishme në vargjet tuaja?
-Po.Palasa me njerëzit e saj, gërxhet, thimarin dhe sherebelën, ullinjtë e portokallet, shtëpijat e banueshme dhe rrënojat, ferreckat dhe vreshtat, detin dhe perëndimet,është pika në botë ku fillon dhe mbaron qenia ime.Unë jam një copëz e saj. Ajo është IDETITETI i shpirtit tim.

5.Duke qenë edhe nënë dhe gjyshe, si ndikon ky rol në mënyrën si e perceptoni botën dhe si e përshkruani atë në poezi?
-Këto janë ndjenja kaq te forta, sa dhe pse i kam prekur disi, akoma nuk gjej shtegun të shpreh dhe të përcjell
atë magji që ndjej kur i shoh te rriten para syve të mi,si hijeshojnë e plotësojnë jetën time.

10. A mendoni se poezia është sot më shumë nevojë shpirtërore apo formë rezistence përballë një bote gjithnjë e më të zhurmshme dhe të shpejtë?
– Një formë rezistence ?? –Po!! Nevojë shpirtërore??– Po dhe prapë po, dhe akoma më tepër!!

11. Cilat janë reagimet e para që keni marrë nga lexuesit për librin tuaj “Në anën tjetër të shpirtit”? A ka ndonjë koment që ju ka prekur veçanërisht?
-Një njeru im i afërt,piktor i njohur në Mynih, më tha: Duke i lexuar vjeshat e tua,v etvetiu i shoh të ndodhin para syve të mia ato që pershkruan ti. Një mbesa ime qe studion në Universitet më tha:vjershat tua teta Tana i lexohen me kënaqsi dhe përcjellin mendime. Një miku im poet më tha: Në vargjet e tua dashuria nuk e urren zhgënjimin, as malli mungesën.Pritja eshtë mike me ikjen dhe perëndimet të dashuruara me lindjet.

12. A mund të ndani me ne një poezi nga libri, të cilën e ndjeni më të dashur ose më përfaqësuese për veten tuaj?
-Po, dua të ndaj me mijëra lexues të gazetës prestigjioze Nacional poezinë time “Unë mërgimtari”:

E shtrënjta vatra ime me kaq halle,
Palasë e fshehur Çikës mes blerimit.
Puth djellin çdo agim si shtojzavalle
Dhe dashurohesh në muzg me perëndimin.
Pse zgjodha ikjen, as ti as unë s’e dimë.
Mblodha vehten në çantë,
Jetën time për dore.
Njërs të panjohur.
Tokë e huaj prapë e prapë.
Rrugët u ngjizën trupit u bënë brinjë
Por unë akoma nuk arrita asgjëkundi.
Një pashaportë, kish peng shpirtin tim
dhe zëmra mes kufijve rrugën humbi.
Veç ënërrat e mia
Ah ato
Tërë bota nuk i nxuri
Se ëndrrat e mia djepi yt
Rebele i përkundi.
S’të thashë asnjëherë lamtumirë.
As ti për ikjet s’më qortove kurrë.
Më prisje si Anteun, prind i mirë
Me frymën tënde të më bëje burrë.
Ende tani stacionet ecin, ecin …
Dhe pse gjurmët e mia heshtur rrinë.
Në thelb mbes mërgimtari klandestin.
Kjo nofkë dikur më digjte m’u në gjak
Besdiste ky përkufizim
Një copës time sot i shkon për shtat
Sa them ta mbaj përngjitur emrit tim.
Përderisa tek ti të shtrijë i qetë
Trazimet që troshitën kokën time
Dhe ti me degët nderur pret e pret
Se dashuritë nuk kanë nevojë për premtime”.

13. Tashmë që “Në anën tjetër të shpirtit” ka parë dritën e botimit, a keni plane për një libër të dytë? A është poezia një udhë e re që sapo ka nisur për ju?

-Po, kam dëshirë të mbaroj një libër vogël, për femijë të vegjël që nxitohen të rriten, që të mbërthejnë me vështrimet çamarroke, të vënë me shpatulla pas murit me pyetjet e tyre dhe që kërkojnë të mësojnë kaq shpejt, kaq shumë!!

14. Në fund, çfarë do të dëshironit t’u thoni lexuesve shqiptarë që ndoshta kanë harruar poezinë ose nuk i japin më kohë fjalës së shkruar?
-Fjala e shkruar mban gjallë identitetin e çdo populli,apo grup njerëzish.Përse lexojmë?? Që të jemi bashkudhëtarë për pak ose për shumë në mendime, ndjenja, përvoja, kuptime e botkuptime të ngjashme apo të ndryshme apo edhe të kundërta me tonat.Do thosha se të lexosh shkrimin e dikujt:
Ngjan se poeti a shkrimtari të ka ftuar në sallonin e mendjes së tij, të qeras kafe, apo raki, apo thjesht nje gotë ujë, një lugëz liko.
Herë tjetër të kap prej krahu e të shetit atje ku nuk do hyje dot kurrë ndryshe,në kopështin e shpirtit të tij.
Herën tjetër të xhvat për jake e të zvarrit në shpella apo rrëpira,të hedh në humnera, apo të jep krahë të çash qiejt e endërrimeve të tij.
Gjithsesi të lexosh do të thotë të rritesh mentalisht e shpirtërisht.

15. Çfarë dëshironi të shtoni tjetër?

-Dua të falenderoj Botimet Nacional Tiranë për botimin cilësor, redaktimin e shkelqyer dhe hapsirën që i japin në gazetën letrare dhe kulturore Nacional krijimtarisë time, por edhe gjtihë shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë pa përjashtim, pa paragjykim por me dashamirësi dhe mikpritje. Për ne poetëtë e emigracionit Nacional është një pikë lidhjeje me Atdheun tonë të dashur.
Faleminderit!

Biografia

Unë jam Tatiana Konomi Shella, kam lindur më 12 dhjetor 1961 në qytetin e Lushnjës. Prindërit e mi vijnë nga fshati piktoresk Palasë, i ndodhur në Rivierën e mrekullueshme shqiptare, të Jonit — një vend që mbart brenda vetes bukuri, histori dhe frymëzim.
Lidhja ime me poezinë lindi herët, në moshën 9-vjeçare, kur shkrova poezinë time të parë. Ajo u vlerësua nga mësuesja ime e ardhshme e letërsisë, Liri Kazazi, e cila më nxiti ta recitoja përpara gjithë shkollës tetëvjeçare “Kongresi i Lushnjes”. Në atë kohë isha vetëm në klasën e katërt fillore, por ajo përvojë mbeti thellë në kujtesën time si nxitja e parë drejt fjalës së shkruar.
Vijova më tej shkollën e mesme të qytetit, e cila në atë kohë quhej “20 Tetori”. Megjithatë, për shkak të prejardhjes sime nga një familje antikomuniste, që konsiderohej në atë kohë, si antiregjim, rruga ime drejt arsimit të lartë dhe zhvillimit letrar u ndërpre.
Në vitin 1991, së bashku me familjen time, u vendosa në Greqi, ku jetova për disa vite. Prej 13 vitesh, jetojmë në Gjermani, ku jeta jonë ka marrë një drejtim të ri, më të qëndrueshëm dhe të qetë.
Jam nënë e dy vajzave dhe gjyshe e dy mbesave që e ndriçojnë jetën time me dashuri dhe lumturi të pafundme.
Rreth dy vite më parë, ndjeva një thirrje të brendshme për t’u rikthyer te pasioni im i vjetër — poezia, fjala, ëndrra që më ka shoqëruar gjithmonë në heshtje.
Sot, jam këtu pranë jush me librin tim të parë, si dëshmi se ëndrrat nuk harrohen kurrë — ato thjesht presin momentin e duhur për të rilindur.