FLET PER NACIONAL POETI DHE AKTORI I NJOHUR ITALIAN PATRIZIO PELIZZI. Intervistoi: Angela Kosta

“Në këtë periudhë historike, ku dhunimi i grave është kthyer në një zakon, është e domosdoshme të përhapen këto projekte audiovizive apo teatrale, në mënyrë që ta bëjnë cilindo shpirt të reflektojë.”

Aktor, shkrimtar, poet, por mbi të gjitha një njeri i ndjeshëm dhe i përkujdesshëm ndaj shpirtit të botës, Patrizio Pelizzi është një figurë që i shpëton çdo përkufizimi të ngurtë, duke kaluar me hijeshi dhe intensitet, territore të ndryshme të artit: nga teatri te kinemaja e nga televizioni te fjala e shkruar. Karriera e tij, e mbushur me role sfiduese dhe bashkëpunime me mjeshtër të mëdhenj si Pupi Avati, është e ndërthurur thellë me një kërkim të brendshëm që del në pah në çdo gjest, në çdo përgjigje, në çdo varg të poezive të tij. Si autor i librit “L’essenza di un Sognatore – Esenca e një Ëndërrimtari”, Pelizzi i ka dhënë zë jo vetëm ëndrrave dhe trishtimeve vetjake, por edhe një dëshire më të gjerë: asaj për të përcjellë dritën dhe të vërtetën përmes artit. Fjalët e tij, shpesh të pëshpëritura por gjithmonë të fuqishme, lindin nga një nevojë e thellë dhe e sinqertë për të komunikuar, për të ndërtuar ura mes njerëzve në një periudhë që po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar dhe e copëtuar.

Në këtë intervistë, përpiqemi të shkojmë përtej sipërfaqes së suksesit dhe dritave të skenës, për të hyrë në përmasën më të thellë të qenies së tij. Çfarë e frymëzon, çfarë e shtyn të shkruajë, të interpretojë, apo të kërkojë bukurinë edhe atje ku duket se ka vetëm heshtje?

Si bashkëjetojnë brenda tij, dlirësia françeskane dhe intensiteti i aktorit që përjeton drama të brendshme? Ky është një udhëtim brenda shpirtit të një artisti që nuk ndalet kurrë së pyeturi, së krijuari dhe së vëni veten në lojë. Patrizio Pelizzi nuk na ofron vetëm përgjigje: ai na fton të vëzhgojmë, të ndiejmë e të reflektojmë. Dhe ndoshta, si çdo poet i vërtetë, me penën e tij na shoqëron më pranë vetvetes.

– INTERVISTA –

A. Kosta: Mirëdita Patrizio. Mirë se vini në këtë intervistë. Përveç pasionit dhe profesionit tuaj në kinematografi si aktor, ju gjithashtu shkruani… Në librin tuaj “Esenca e një Ëndërrimtari”, poezia bëhet strehë dhe zbulim. Çfarë ju shtyu të ndanit dimensionin tuaj më intim përmes shkrimit poetik?

Patrizio Pelizzi: Përshëndetje Angela. Mirë se ju gjeta! Të shkruaj, më ka shtyrë pasioni im i madh për natyrën, krijimin dhe njerëzimin që më rrethon. Poezia, sipas mendimit tim, ndërton një urë të fortë mes atij që shkruan dhe atij që lexon, duke mundësuar ndarjen e përvojave, emocioneve dhe ndjenjave të brendshme. Shkrimi dhe poezia në sintezë… është një strehë e vërtetë. Unë kam nisur të shkruaj poezi që në adoleshencë. Poezia më ka shpëtuar jetën, sepse ofron një hapësirë të sigurt dhe personale për një eksplorim të imët emocional, një lidhje me të tjerët, reflektim, krijimtari dhe rritje personale. Poezia është vetë kuptimi i thellë i jetës sonë. Është sublime në momentet e errëta të ekzistencës sonë. Sidomos gjatë pandemisë Covid-19 që e përjetuam si një makth të vërtetë. Sa herë ndiej emocione të brendshme ose të jashtme, duhet t’i shkruaj patjetër ato në letër.
Libri im poetik “Esenca e një Ëndërrimtari” (botuar nga 96-Rue-de la Fontaine Edizioni) është një përshkrim i brendshëm i shpirtit. Një udhëtim i cili fillon me një valixhe bosh, dhe përfundon me një bagazh të pasur, plot vlera dhe vërtetësi. Falenderoj edhe një herë për parathënien Dr. Anastasia Zeggio dhe për pasthënien poeten Ornella Mereghetti.
Pas eventit në Teatrin S. Francesco të Bolsenës, e kam prezantuar sërish përmbledhjen time poetike, më 28 qershor 2025 në qytetin bregdetar të Ostias (Rm), me mbështetjen e gazetarit të talentuar Alberto Tabbì dhe të “Kombëtares Italiane të Poetëve” (pjesë e së cilës jam edhe unë). Falenderoj Presidentët e dashur: Lino Gentile dhe Francesco Pasqual.

A. Kosta: Shpesh ju e keni përmendur Shën Françeskun e Asizit si figurë frymëzuese. Në ç’mënyrë ka ndikuar shpirtërimi i tij në rrugëtimin tuaj artistik dhe personal?

Patrizio Pelizzi: Gjatë periudhës së liceut, më preku shumë biografia e tij. Para se të bëhej “Shenjt”, Françesku ishte një njeri i zakonshëm që jetonte në luksin material! Ishte i varur nga disa vese dhe ishte djali i një tregtari të pasur. Papritur, ai u zhvesh nga gjithçka për të jetuar me lëmoshë, bamirësi dhe dashuri universale ndaj natyrës, kafshëve dhe gjithë Krijiuesit.
Një njeri që iu dha plotësisht Jezusit, Zotit tonë, motrës hënë dhe vëllait diell…
(Kantiku i krijesave i Shën Françeskut).

Shën Françesku i Asizit ishte gjithashtu poeti dhe regjisori i jetës. Ishte një Shenjt që kuptonte thelbin e vërtetë të bukurisë së jetës përmes esenciales dhe thjeshtësisë. Unë mundohem çdo ditë të marr frymëzim nga Ai, për të mos u bërë një “kafshë egoiste” si shumë njerëz të tjerë të zakonshëm, që jetojnë në falsitet të plotë.
Njeriu është i çorientuar dhe i pangopur pas të mirave dhe begatisë materiale. T’i shmangesh çdo tundimi tokësor nuk është e lehtë! Të paktën përpiqem, në mënyrën time minimale, përmes Besimit dhe meditimit. Shumë herë dështoj. Ndoshta pas qendrës eksperimentale të Kinematografisë dhe “Duse International” të drejtuar nga Francesca De Sapio, (ku kam studiuar), kam pasur gjithmonë një udhërrëfyes shpirtëror nga Shenjtët: Ati i Shenjtë Pio dhe Shën Françesku i Asizit. Ata janë gjithmonë pranë meje. Të jesh aktor dhe poet është një evokim i vërtetë.

A. Kosta: Në filmin “L’Orto Americano” i regjisorit të mirënjohur Pupi Avatit, ju keni interpretuar një rol kompleks. Si e përjetuat eksperiencën e punës me këtë regjisor që ju e konsideroni gjithashtu një Mjeshtër të madh?

Patrizio Pelizzi: Të punosh me Mjeshtrin Pupi Avati është një privilegj për këdo. Në setet e tij të xhirimit, ke gjithmonë çfarë të mësosh.
Së fundmi, Mjeshtri Avati u nderua me Çmimin për Karrierë “David di Donatello” dhe “Globo d’Oro” 2025. Një vlerësim i merituar pas gati 60 vitesh karrierë, pas shumë vitesh studimi dhe përkushtimi. Të punosh me Avatin është si të luash në Serinë A.
“L’Orto Americano” është një film horror-thriller gotik me mijëra nuanca: ka dhumin grash, intriga psikologjike, sekrete, ligje dhe shumë shpirt… Ndoshta është me të vërtet një film tepër kompleks për t’u përthithur nga të gjithë.
Mora pjesë në këtë xhevahir, me shumë entuziazëm dhe përkushtim. Kishte një pjesë neorealiste të xhiruar në Itali, në zonën e Ferrarës dhe një pjesë në stilin e Hitchcock xhiruar në Amerikë në Midwest, me magjinë e shiritave bardhë e zi, për të kuptuar kinemanë e vërtetë. Filmi u prezantua në Bienalen e Venecias në edicionin e 81-të më 2024 dhe u mirëprit me 15 minuta duartrokitje. Edhe kritika ishte mjaft pozitive. Fitimet disi më të dobëta por s’ka problem! “De gustibus non est disputandum – Tek shijet nuk duhet të diskutohet”.

A. Kosta: Ju keni shprehur dëshirën për të shkruar edhe një libër për gjyshen dhe nënën tuaj. Çfarë mesazhesh apo kujtimesh nga këto figura femërore dëshironi të përcillni përmes shkrimit tuaj?

Patrizio Pelizzi: Gjyshja ime nga ana e nënës sime Annita, ndërroi jetë vetëm disa muaj më parë. Nëna ime Rosetta dhe gjyshja kanë qenë gjithmonë pika referimi për mua. Shumë gra, kanë një hap më përpara krahasuar me ne burrat. Gjyshja ishte fshatare nga Abruzzo, me karakter të fortë dhe të vendosur. Ajo na ka lënë mjaft mësime të vlefshme… mua, nënës sime dhe xhaxhait tim. Pikërisht për këtë arsye kam filluar të shkruaj një libër-ditar për to. Ndoshta një ditë do ta përfundoj dhe do ta botoj, në të kundërt, do të mbetet në sirtarin e kujtimeve të mia personale.

A. Kosta: Duke deklaruar se jeni një adhurues i Shën Françeskut dhe Atit Pio, si reflekton ky devocion në jetën tuaj të përditshme dhe në zgjedhjet tuaja artistike?

Patrizio Pelizzi: Sikurse e përmenda edhe më sipër, Shën Françesku i Asizit dhe Ati Pio janë figura të cilët më shoqërojnë gjithnjë ngado.
Ata më kanë ndihmuar të kaloj momente shumë të ndërlikuara në jetën time. Në 90% të rasteve ata dëgjojnë lutjet e mia. Para se të bëj një zgjedhje artistike apo shpirtërore, unë u drejtohem atyre me përulësi dhe devocion.
Nuk jam një shenjtor, por flas shpesh me ta, e shpeshherë më dëgjojnë me vëmendje.

A. Kosta: Ju keni përmendur idenë e arratisjes në një ishull për të shitur lëngje frutash. Çfarë prezanton për ju ky imazh ekzotik?

Patrizio Pelizzi: Ndoshta, ky plan Z, një ditë do të jetë pjesa përfundimtare e jetës sime. Ai përfaqëson një zgjidhje fizike dhe shpirtërore në kontakt me natyrën. Shpesh herë, flas për këtë me mikun tim Andrea. Kush do të jetojë do ta shohë…

A. Kosta: Në rrugëtimin tuaj keni përballuar role teatrale intensive, si Laerte në “Hamleti” dhe Bob Dylan në një shfaqje muzikore. Çfarë ndjesish ju kanë lënë këto përvoja?

Patrizio Pelizzi: Teatri është palestra jonë si aktorë. “Laerte” në tragjedinë shekspiriane “Hamleti” është djali i Polonit dhe vëllai i Ofelias. Laerte ka qenë një rol shumë kompleks, (një auto-psikoanalizë e pastër). Isha shumë i ri, plot energji, e ndoshta isha në simbiozë me atë personazh. Personazhi i Bob Dylan është më i afërt (në shfaqjen teatrale – muzikore “Këngë dashurie ndër tregime lufte”, 2022 – 2023 në Teatrin Castello Orsini Colonna në Avezzano, me regji të Antonio Pellegrinit).
Edhe aty pata një rritje personale duke interpretuar rolin e një fituesi të madh të Çmimit Nobel, i cili ishte ende gjallë.
Interpretimi i Laertes tek “Hamleti” ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme dhe sfiduese për mua. Një rol i ngarkuar emocionalisht, që kërkon një ndjesi të madhe njerëzore. Laerti është një personazh plot pasion, hakmarrje dhe dhimbje, dhe e gjithë kjo më ndihmoi të eksploroj edhe anët e errëta e të brishta të shpirtit tim.
Kurse, të interpretoja Bob Dylan në një shfaqje muzikore, ishte si të jetoja në një poezi të gjallë. Dylan përfaqëson rebelimin, lirinë, mendimin kritik dhe shpirtin e artistit që nuk i nënshtrohet askujt. Ky rol, më ka dhënë një ndjesi të fortë identifikimi si poet dhe si aktor. Të dy këto role më kanë pasuruar artistikisht dhe më kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në zemër.

A. Kosta: Kohë më parë, ju keni folur për një projekt filmi mbi dhunën e grave. Çfarë ju shtyu të trajtoni këtë temë kaq delikate dhe aktuale?

Patrizio Pelizzi: Me poeteshën Ornella Mereghetti dhe poetin Mattia Cattaneo, kam sjellë në skenën e teatrit shfaqjen kundër dhunimit të grave: “Pashë të keqen në sy”, ku kam qenë edhe regjisori. Tani jam duke xhiruar gjithashtu një metrazh filmi kundër dhunës ndaj grave. Në këtë periudhë historike, ku vrasja e femrave është bërë zakon, është e domosdoshme të përhapen këto projekte audiovizive ose teatrale, në mënyrë që ta bëjë çdo shpirt të reflektojë.

A. Kosta: Ju keni marrë shumë çmime, si Çmimi Letrar Milano International për poezinë, ose më së fundmi atë në Firence: Çmimin për Kulturën dhe Karrierën Kinematografike. Si e përjetoni lidhjen midis punës suaj, njohjes dhe duartrokitjeve të publikut?

Patrizio Pelizzi: Po, e vërtetë… Kam marrë shumë çmime gjatë rrugëtimit tim të zgjeruar artistik. Falenderoj gjithmonë Shoqatën Kulturore Pegasus që më nderoi me “Çmimin Letrar Milano International 2022”, si dhe Dr. Roberto Sarra. Për mua është një periudhë e mbushur me emocione të bukura dhe risi. Po ashtu i jam mirënjohës Akademisë Tiberina; më 27 qershor 2025 në Firence, në pallatin e bukur Medici Riccardi, mora çmimin prestigjioz për Kulturë dhe Karrierë Kinematografike: “Çmimi Letrar Ndërkombëtar “G. Belli – F. Lami, edicioni i 2-të. Falënderoj me zemër të gjithë Jurinë dhe Presidentët: Dr. Franco Antonio Pinardi dhe Dr. Antonietta Micali (gjithashtu edhe Drejtore e Katedrës së Grave). Marrja e një çmimi nuk është një pikë arritjeje, por një pikë nisjeje për të përballuar sfida dhe realitete të reja me harmoni.

A. Kosta: Ju keni shprehur dëshirën të drejtoni një emision lidhur me kinemanë dhe poezinë ose mbi Shenjtëritë. Çfarë ju tërheq drejt kësaj ideje për t’i shpërndarë këto pasione me një audiencë më të gjerë?

Patrizio Pelizzi: Do të më pëlqente shumë të isha drejtues i ndonjë emisioni mbi Shenjtëritë, por edhe mbi Kinemanë. Unë e adhuroj historinë në përgjithësi dhe mendoj se është e rëndësishme për të rinjtë të përhapet kultura në 360 gradë.

A. Kosta: Do ju pëlqente ta vizitonit Shqipërinë, ose të bashkëpunonit me kinemanë apo teatrin shqiptar? Do të dëshironit të botonit një libër në gjuhën tonë të bukur shqipe?

Patrizio Pelizzi: Do të ishte fantastike të realizoja projekte të tjera, të reja kulturore dhe artistike në Shqipëri. Një ditë do ta bëj patjetër një udhëtim në vendin tuaj të mrekullueshëm. Sigurisht… pse jo, edhe të botoj një libër. Por, më parë më duhet të mësoj gjuhën tuaj të veçantë…

A. Kosta: Çfarë do t’u thoshit fansave tuaj për projektet në vijim?

Patrizio Pelizzi: Siç e përmenda më parë, jam duke përfunduar një metrazh të shkurtër për dhunimin e grave dhe bullizmin. Gjithashtu, po xhiroj filmin e ri të Maestro Pupi Avatit: “Në ngrohtësinë e vallëzimit”, me një kast të mrekullueshëm aktorësh. Dua të përmend këtu: Massimo Ghini, Isabella Ferrari, Sebastiano Somma, Lina Sastri, Raoul Bova, Giuliana De Sio, Gianni Franco, Filippo Velardi, Jerry Calà, Corrado Solari, Eleonora Ivone, Pino Quartullo, Eleonora Manara, Vittorio Introcaso, Francesco Colombati, si dhe shumë kolegë të tjerë të shkëlqyer. Gjithashtu, po shkruaj edhe dy skenarë të rinj. Më pas… po kryqëzoj gishtat për projekte të tjera që presin të vijojnë.
Në profesionin tonë nevojitet shumë energji, durim dhe fat, (përveç studimit pa ndërpreje)…
Carpe diem – Kap çastin!

A. Kosta: Duke ju uruar që të realizoni gjithçka që dëshironi, ju falenderoj për këtë intervistë interesante.

Patrizio Pelizzi: Faleminderit Juve Angela, për kohën që më kushtuat. Gjithashtu, i shpreh mirënjohjen time të thellë Drejtorit të gazetës prestigjioze, tejet e njohur tashmë edhe në Itali ashtu sikurse edhe Dr Mujo Buçpaj si dhe redaksisë. Mirënjohje!

Intervistoi: Angela Kosta, gazetare, poete, eseiste, botuese, kritike letrare, redaktore, përkthyese, promovuese.