20.09.1990.
- Sapo erdha që atje…isha tek ata. Tani e kuptoni dhe vetë. Gjërat po marrin kthesë. Porosia është të ndodhë gjithçka me sa më shumë qetësi, urtësi, dashuri për çdo gjë që është arritur. Të ruhet çdo pasuri e vënë me djersë dhe mund nga populli. Mos harroni. Keni gati një jetë që e mbani këtë stacion. Të mos të guxojë asnjë prej nesh të thyejë ose të prishë diçka. Të gjitha institucionet kalojnë shumë shpejt në mbrojtje dhe ruajtje ushtarake… – Heshtje. – Rrugës bleva dhe këtë. As në radhën e bukës nuk shtyheshin kaq shumë. Do ta lexoj sonte. Të kuptoj se çfarë ishte e pamjaftueshme…ajo që ishte apoajo që pritetdo të mbetet po e tillë…Shfletova pak rrugës, por s’kuptoj ende gjithçka. Një studio në festë apo një ftesë pa të ftuar?
- Sa e dha radioja. Aty përmendi dhe…Madje, e përmendi dhe “Ditari” matanë oqeanit.
- Të lexojmë nesër gazetën “Zëri”. Besoj do të ketë qëndrime për vlerat dhe kritikë për librin.
- Ky agronomi më tha diçka. E kishte blerë dje. Zbulimi i një lëvizjeje, ku ikja është ndryshimi i parë i madh. – Vili u mbështet në karrige duke lëshuar një psherëtimë përgjumjeje.
- Një herë thuhet se libri doli sot. Më pas dëgjoj se ka dalë dje. Tani thoni se e dhanë lajmet… edhe të huajat. Pastaj…gazetat, kritika. Ikja. Shkurt. Kohës po i ndodh ajo që i ndodh një nëne shtatëzënë. Fëmija brenda saj po lëviz aq shumë, sa mjekët po presin kur ai të jetë në pozicion që ta përgatisin nënën për dhimbjet.
- Nëse nuk ndalon, do të duhet operacion.
Fjalët e Gëzimit i dhanë bisedës kontekstin e një realiteti ku mjaftonte të përdorje simbolin, një fjalë të veçantë, një sjellje, dhe kuptohej mjaft mirë se kur nis të jetosh ndryshe, do të fillosh të sillesh ndryshe.
- Kur koha është e pamjaftueshme, hija e së ardhmes e huton të tashmen, si njeriu i dehur që ecën kuturu. E ardhmja është një portë e madhe ku e tashmja heziton të hyjë, se e di që s’e mbush dot atë përmasë.
Toni i Anës ishte filozofik. Ajo atë çast shfaqi mallin për ta rithënë me të njëjtin diksion atë imazh të dikurshëm, kur ishte spikere e lajmeve dhe e emisionitnë radio “Për shqiptarët jashtë atdheut”.
- Po ne ç’jemi? –Pyeti Vili me shaka.
- Ne? Ne jemi ata që e kthejmë njeriun esëll në shtëpinë e vjetër.
Pasditja verdhonte shndritshëm, por në thellësi të qiellit filluan të shfaqeshin re që sillnin një muzg të mbyllur gri. Gjithsesi, venat e gjakta të muzgut i kuqnin retë si garza plagësh. Vilit iu përzie.
- Nuk jam mirë. Po më përshkruante një shok plagën e një polici të gjakosur në kokë, kur kishte shkuar në Spitalin Ushtarak për të takuar një të afërm të aksidentuar, sa dhe tani jam gati të vjell. Këto retë, si copa fashosh mbi plagë, sikur do ta lëshojnë mpiksjen e gjakut që mbajnë brenda. – Vuri dorën në gojë dhe shkoi pranë gardhit.
- Unë di se gjaku të zë kur ndien aromën e plagës. Dhe, të lutem,mos na trego gjëra të tilla, se dhe në radio duket sikur po troket një derë pas së cilës do të dëgjojmë breshëri plumbash.
- Këto ndryshime do të kenë gjithçka.
Gëzimi mori një qëndrim që i dha tonit të tij atë të një profecie të pashmangshme.
- Nëse retë do të ishin të bardha si çarçafë të nderur, atëherë çdo mbrëmje do të ishte një romancë. Por ne,të dashurit e mi,kemi lindur t’ju dhurojmë një mëkat që ju burrëron deri në flijim.
Ana u çlirua nga një heshtje e gjatë dhe shkopsiti bluzën ngjyrë rozë.
- Të bëhemi pak mëkatarë ose, siç thuhet, të flasim pak ndyrë. Këtu vijnë të gjithë.
Ajo uli kokën mbi gjoksin e saj. Një hije e kuqëluar kishte rënë brenda bluzësku lëkura e saj, tashmë në rozë, krijonte imazhin e një Ane të zhveshur.
- Edhe ai polici i plagosur, tani i ka harruar të gjitha se është në detyrë, por mbani mend, kur gjithçka të mbarojë gjithkush do t’i rikthehet dashurisë. Kur dëgjoj protesta, demonstrime në radio dhe televizor në fillesë të gjithçkaje është liria për barazi. Këtë e nxit dhe e tundon dashuria. Sonte duhet të ndezim atë televizorin. Sonte nuk duhet vetëm të dëgjojmë.
Gjethet e para që filluan të binin ndanë rrugës u dukën si përshëndetje për kalimtarët. Rënia e gjetheve ishte një përshëndetje lamtumire.Mbi stacion po ulej mbrëmja. Antenat mbi njëqind metra të larta dukej sikur gërvishtnin retë. Mbi to, retë krijonin përshtypjen e tullumbaceve të mbushura me qiell të vdekur,nga të cilat, me t’u çarë, do të binin në fillim shpirtrate harruar,më pas fluturate ringjalljes dhe në fund vetë reja, kjo cohë e madhe si fashëtani vetëm për plagë,së cilës herë-herë do t’i duhej të prekte edhe kockën në trupa njerëzish.
Nga rruga nacionale era vrapoi e trembur. U kthye në rrugën me gurë e dhe, dhe ngriti pluhurin e saj. Kur kaloi stacionin dhe u tret në fushataty, rruga heshti sërish nën vetminë e saj të vjetër. Fshati në fund të rrugës, atje ku niste shtegu mes pishave që të çonte në breg të detit, prej kohësh nuk flinte më netëve. Jo vetëm dritat e ballkoneve të dy pallatave rrinin ndezur, por dhe ato brenda shtëpive. Në shtëpitë përdhese dëgjohej hapja dhe mbyllja e dyerve. Rojat që patrullonin stacioninmbanin elektrikë dore.
- Kemi uri.
Ana u ngrit.
- Ajo dhoma si të ishte gjetja e ishullit të thesarit.
- Më mirë të marr me vete ndonjë këngë.
Drejtori doli në oborr dhe iu afrua atyre. Me librin në dorë ndezi një cigare.
- Se çfarë mund ta bëjë njeriun të veçantë, deri siç thotë dhe K, të jashtëzakonshëm, kur të gjithë kemi jetuar të barabartë në gjithçka…Apo…libër. Dhe një libër është pjesa më e fshehtë që mbajmë brenda vetes. Dhe tani e gjeti t’i thotë. Kështu?…
- Të drejtë ke vetëm në mendimin e fundit. Atë mbyllës.
Gëzimi fliste duke i dhënë zërit një diksion jo vetëmmbushamendës,por asisoji që nuk qaste kundërshtime.
- Leximi të bën të harrosh shumë gjëra.
- Por jo urinë. Nëse e harron edhe atë, atëherë një libër quhet propagandë. Por jo ky. Ky libër të nxit të kërkosh ushqimin.
- Nëse heqim propagandën, çfarë mbetet?– Drejtori fiku cigaren duke e shtypur fort me këmbë.
- E vërteta.
Gëzimi e ndjeu se nuk tha thjesht një fjalë. Ishte më shumë një mendim që kërkonte guxim.
- Drejtor,mos u mërzisni,por ju e dini se sa herë jepen lajme për ne, ato nisin me fjalinë: “Propaganda zyrtare e shtetit shqiptar…”.
- Nesër mbrëma ju ftoj të ulemi. Do të hamë bashkë. Nga procesverbali që kam në dosje ushqimet në atë dhomë janë të freskëta. Janë sjellë këto dy vitet e fundit. Nuk mungon asgjë. Por në lajme prej nesh thuhet dhe diçka tjetër: “propaganda armiqësore…”Të pyes. Kë të besojmë?
- Atë dhomën e kyçur, që do ta hapësh nesër. – Vili buzëqeshi lehtë.
- Aty shohim kush ka të drejtë.
- Iku dhe ai fshatari. Se sillte një herë në javë qumësht. Por kur e pyesja pse kaq pak dhe kaq rrallë, më thoshte: thatësira, kullotat, buka e zezë, listat.
- Ky është lajmi që rri mes dy propagandave. – Gëzimi e uli zërin, por jo timbrin e tij kumbues.
- Ky është zëri që më vjen ta shtrëngoj. T’i jepem e gjitha…
- Se vetëm ti? – Vili uli kokën dhe vazhdoi. –Jo lot Ana. Aroma jote është lumturi.
Një hënë që po mbushej si e plotë e ndriçonte atë natë,ndërsa pikat e vesës në barin e fushave,në pemë, gjethe dhe rrugë, vetëtinin në një buzëqeshje të drojtur qëpo ia zinte vendin frikës.
17.10.1990.
Dy teknikët po i afroheshin majës së antenës qendrore. Quhej ashtu sepse rrinte në mes të dy të tjerave, asaj nga perëndimi dhe asaj nga lindja. Pastronin, vajisnin, shkundnin, lyenin.
- Mos harro yllin. Yllin. Me smeril një herë ndryshkun. Më pas me të kuqe cepat. Duhet të shkëlqejë. Shih ç’pamje? Vetëm kur hipën kaq lart, e kupton se njeriu ka të drejtë të ngopet me hapësirë.
- Po ndenje me njerëz që lexojnë, kuptohet se shprehje të tilla do të thuash. Gërryej atë ndryshkun. Kujdes. Jo aq fort, se do të na këpusësh ndonjë cep ylli. Dhe hajde pastaj merru me ata poshtë.
Një psherëtimë gjethnaje kaloi poshtë atyre. Nga lartësia iu duk si zë që kishte nisur poshtë, por që tretej humbshëm deri atje ku ishin ata. Era u ngrit në lartësinë e antenave. Atëherë të dy kuptuan se gjithë ai zë i heshtur ishte një kor bashkëtingëlloresh gjethesh. Njëri nga teknikët foli me zë të lartë dhe u duk se në atë re të padukshme zërash diçka u gris. Aty lart kuptuan dhe diçka që nuk u ndodhte për herë të parë. Gjithçka atje poshtë jo vetëm harrohej, por bëhej e padukshme. Fjalët, mërzitjet, lodhja, veshja, dëshirat, gazetat, urdhrat, të gjitha atje lart nuk mbërrinin qoftë dhe me çmimin e një ringjalljeje të mundshme në përjetim. Në lartësi lindte një prehje ku heshtja dhuronte një shëmbëllesë hyjnore të prekshme, deri në perceptimin se atje lart njeriu është i pavdekshëm.
Njëri prej tyre dalloi silueta njerëzish që shkonin dhe vinin në atë rrugë kalldrëmi, sikur ecnin mbi shtyllën kurrizore të ndonjë kafshe të tretur. Tjetri gërryente ndryshkun dhe pluhuri i kuq i krijoi përshtypjen sikur po mbërrinte muzgu. Ndaloi dhe nuk e hiqte vështrimin nga ata njerëz që tani ishin bërë grusht duke u mbledhur bashkë në dalje të rrugës. Dukej se prisnin ose makinë, ose grupe njerëzish të tjerë. U drodh. Njëri nga ata aty poshtë i kishte thënë se zëra të fshehur kishin shprehur qëllimin e hedhjes së njërës prej antenave dhe, sidomos, të asaj që kishte yllin.
- Tani lyeje. Mjaft e pastrove.
- Ke të drejtë, por ndryshku ka krijuar tri shtresa. Madje…
Atë çast iu këput një cep i yllit.Aty ai pa se dhe shtresa e brendshme brenda strukturës metalike të yllit ishte nxirë frikshëm.
- Sa i mprehtë ky cepi. Tetanozi është pak po të preu.
- Mirë e ke. Kushedi çfarë mikrobi kanë gjithë ato lajme… (Qesh).
- Këto të Lindjes ta mpijnë trupin, kurse të Perëndimit të çmendin me liri, sa dhe veten e vretnga kënaqësitë.
- Je prerë. Deri këtu tek unë ndihet era e gjakut. Mirë që je këtu, se po të ishe në det, mendo peshkaqenët po të ndienin gjakun.
- Pse nuk thua në tokë?
- Në tokë gjakun e ndjekin të shtënat.
Tekniku tjetër kontrollonte kabllot prej çeliku që i mbanin antenat drejt dhe lidhur. Nga brenda yllit doli një merimangë e cila iu ngjit në krah teknikut që tani po lyente yllin.
- Kur një insekt ngjitet kaq lart,hajde beso se në qiell ka vetëm shpirtra. –Tha si me vete, kur e shtypi merimangën me një neveri të cilën e shoqëroi me një pështymëtë hedhur poshtë.
Në disa vende të kabllove prej çeliku fijet e holla ishin këputur nga ndryshku.Vetëm kur i pastroi afër antenave, tekniku vuri re qëpo të mos ndërroheshin ato kabllo, antenat shumë shpejt do të nisnin të lëkundeshin,dhe nuk përjashtohej mundësia e rënies.
- Edhe këtu mërzitesh. E ke thithur gjithë këtë qiell, por më tutje?
- Duhet të jesh poet, që të jetosh këtu. Zbresim?
- Po më djeg plaga.
- Gërvishtje është. E lyejmë me jod poshtë. Por laje me ujë një herë.
- Ujin e piva të gjithë.
- Largoje pak kokën nga ylli. Të shoh bojën. Ke lënë prapë diçka pa i dhënë dorën e dytë. Por…Lëre. E pastruam. E lyem. Tani ta thajë era. Kujdes te shkallët. Mos u nxito kur të ulemi poshtë.
- Plaga mbyllet. Por kur ke një sëmundje.
- Aty nis pagjumësia. Njeriu vigjëlon organin e sëmurë. E ndien, e dëgjon, e ruan. Si një duel. Kush do të qëllojë i pari. Afroi plagën te hunda. Kundërmimi i gjakut ishte i rëndë.
- Po i vë pak graso nyjës së kavos. E dëgjove mbrëmë në lajme? Pionierët s’do të dalin më të dielave në aksione. As familjarët që dilnin të pastronin oborret para pallatave. Ose territorin e ndërmarrjeve ku punojnë. E diela pushim. Shplodhje. Një bisedë. Televizor dhe…
- E diela e radhave thuaj. Nga vaji te vajguri. Nga buka te perimet.
- Ç’ditë është sot?
- Nesër vjen turni ndërrues. Unë iki në ora dy të natës dhe ngrihem në tre e gjysmë për shishen e qumështit.
- Unë mbërrij në mëngjes. Tamam për radhën e bidonit të vajgurit. Jam dhe pa u larë. S’po e duroj dot yndyrën te flokët. Ka filluar të më kruhet edhe trupi.
- Po ajo? Sa e pastër. Apo është femër?
- I ka bekuar tjetërkush dhe tjetër gjë. Si macet janë. Ka macja ndonjëherë erë? Lahet vetë.
- Kurse një grua kur lahet është…mesdita vetë…Po zbres. Po më përzihet.
- Të zuri gjaku yt.
- Ana është frymëzim thotë Vili. Dhe Vilin e kemi poet përkthyes. Se ç’më dha të lexoja kohë më parë, një libër të vogël si fletore. Ishte novelë. “Lulet e mollës”. E kemi parë dhe film. Eee…! Sa e thellë është…Po më djeg plaga.
- Vetëm Orhani s’e duron. E rregullon armën sikur do të bëhet gati për në paradë. Do ta merrnin në këtë paradë nëntori, por i thanë që jo. Do të jetë paradë përkujtimore. Diçka e vogël, si ato festat brenda shtëpisë, pa ftuar asnjë nga fqinjët dhe të afërmit.Pastaj,sa të jenë studentët dhe akademia ushtarake. Mjaftojnë ata për një demonstrim force, si përherë.
- Tani që s’e morën Orhanin, prit kur të qëllojë. Në atë plogështi prej kaq vjetësh e shtëna do t’ia shkundë gjumin e trupit që ngjan sikur e ka futur në hijen e vet.
Nga larg një shkrepëtimë që thërrmoi dy re të rënda gri ngjante me zjarrin që rindizet poshtë hirit. Pika shiu roitën në fillim të ndara nga njëra-tjetra. Por më pas ato u lidhën duke rënë litar.
- Po më dhemb. Më rreh. Ai ndryshku sikur po më helmon gjakun. Zbresim ta mjekoj. Një zë shiu mbuloi gjithçka. Një zë përmbyllës për gjithçka.
Të ulur në verandën e stacionit,njëri me dorën e lyer me jod dhe tjetri me një peshqir të vogël që thanin flokët,të dy teknikët shihnin shiun.
- Ky shiu sikur na e çoi tutje atë bisedë. Tani gjithë ato fjalë rrëshqasin atje ku ka pjerrësi. Shiu nuk është kujtesë.
Shkrepëtima e dytë e fiku dhe e ndezi ndriçimin e stacionit.
- Edhe rrufeja u duhet antenave…Mirë që mbaruam ne, se po të na kapte diçka atje lart, do të bëheshim si druri që prushon pas flakëve. (Qesh).
Një vetëtimë buçitëse, sikur qielli të ishte një masë prej qelqi, u thye. Dridhja e qiellitikaloi tokës.
“Ora 18:00. Po japim lajmet. Ashtu siç ishte parashikuar…Udhëheqësi…Ne. Grushti. Partia.Plani.Shoku ynë…Datëlindje. Nuk…Mbetemi kurdoherë konsekuentë. Parimet. Pavarësia. Shpërblime. Dekorime. Ambasadori i akredituar. Një vizitë…Kurrë. Në kooperativa dhe ferma. Tufëzime në brigada. Ushtarakët tanë. Kufi…Realizimi i planit dhe i treguesve…Në Amerikën Latine grushte shteti.”


















