FLUTUROI ORKESTRA E ZOGJVE . HAIKU nga Konstandin Dhamo

 

 

1.

Pirueta e lulediellit ,

Homazh

Van Gogut !

 

2.

Sa rrëqethës

Vaji në pyll

I zogut të vetmuar…

 

3.

E krisi qiellin

Hiperbola

E vetëtimës…

 

4.

Dielli mes resh,

Buzëqeshje

Xhokonde…

 

5.

Pemët pasqyrohen n’ujë;

Zogjtë dhe peshqit

Lozin bashkë…

 

6.

Lot të stilizuar

Fijet e shelgut

Që shkrehen e derdhen.

 

7.

Kokrra t’arta bëri

Molla , kur bilbili

Ndër degë i këndoi…

 

8.

Çfarë sensualiteti !

Lule ,zogj dhe, diell

Që shqyhet gazit…

 

9.

Kur mjellma këndon ,

Tek vdes,

Liqeni bëhet lot!

 

10.

Dordolecat n’ara,

Aktorë të trishtë

Tragjikomedish .

 

11.

Qull pylli nga shiu;

Kërpudhat dolën,

Por s’bënë pranverë…

 

12.

Dielli djeg;

Nga pemët

Bien fosile gjinkallash…

 

13.

Çeli pranvera!

Sa e bukur jeta,

Sa i vërtetë amshimi…

 

14.

Zogu fle në fole,

Te lulja flutura;

Ah,të më pranonin mua !

 

15,

Si u thur

Ylberi

N’avlëmendin e shiut!

 

16.

Diellin që u zhyt në det,

Rrekem ta kap

Si Peshkun e Artë !

 

17.

I kuqi i buzëve

Në tehun e gotës!

Si ike e s’u puthëm ?

 

18.

I mallëngjyer

Dielli

Në perëndim !

 

19.

Ylberet mbi ujëvara

Zogj ekzotikë

Që s’kapen…

 

20.

Krahu i fluturës

Tavaloca n’erë

E piktorit…

 

21.

Mjellmën mes ujërash

Rri dhe shoh

Si t’ish femër nudo.

 

22.

Ato plepat, po atje

Presin e presin

Ndanë udhës…

 

23.

Lepuri n’agim

Mes shkurresh shijon

Luleshtrydhen e diellit…

 

24.

Gjarpri u zhvesh;

Lëkura e ftohtë

Dhuratë mistike për mozaikun.

 

25.

Sa shumë polen

Shkundi sonte

Gonxhja e hënës !

 

26.

Miq , vetëm fëmijët

Ndrisin sa dielli,

Kur qeshin…

 

27.

Bie një gjethe,

Bie një pendë;

Pema dhe zogu pikëllohen !

 

28.

Shend e verë

Bajamja

E nusëruar !

 

29.

Gjelit të egër ngjyrat

Ia mbuloi bora;

Pula iu largua…

 

30.

Ajo po më çmend, ajo

Reja që bëhet ëngjëll

E më pas djall…

 

31.

Kjo fole përtokë

Më shqetëson

Sa shtëpia e shembur…

 

32.

Zot, mbeta këtu,

Në provincën

Tokë !

 

33.

Zabelin flu era

Shih, kur ta shprishë

Si push lulesh…

 

34.

Pas pyllit dielli

I kuq dhe i madh

Si zjarr…

 

35.

Ujëvara e ngrirë

Endërr vere

E ndërprerë…

 

36.

U rebeluan lulet;

Flutura u bënë

Dhe, fluturuan !

 

37.

Yjësi e zbritur

Hurmat ndër degë

N’oborrin me mjegull

 

38.

U vjeshtëzua pylli…

Si ta përballoj

Herbariumin mallëngjyes?

 

39.

Herbariumi im

Me gjethen e hënës

Në mes…

 

40.

Lulja që shtriu shiu,

Si femra pas dashurisë

M’e bukur u çua…

 

41.

Sa herët shtroi bora!

Si të shkel fushës;

Nën prask ka lule…

 

42.

Tundeni tundeni plepin !

S’e shihni që ka ngecur

Ndër degë hëna ?

 

43.

Hëna mbi mal

Shih, kur të shkasë

Si ortek i bardhë !

 

44.

Ndrikullat bletë

Nguten të lidhin

Lulemollën me luleftoin…

 

45.

Ah, asonanca

E rrjedhës së lumit

Me psherëtimën e pyllit!

 

46.

Fluturoi

Orkestra

E zogjve…

 

47.

Bien gjthet,

Rrokjet

E vjeshtës…

 

48.

Shelgu,

Sensualisht spërdhredhur

Si haiku japonez …

 

49.

Një janë ,një

Valët e lumit,

Telat e violinës…

 

50.

Pulëbardha me sqep

Cik cik cipën e ujit;

Me pejza drite e qëndis…

 

51.

Shiu në zabel

Psherëtimë

E fshehtë…

 

52.

Ra tablo’ e vjeshtës

E dimrit u var;

Nxin pylli, kodra zbardh…

 

53.

Bizhuja e hënës mbi liqen

Si e vën‘ me dorë

T’i japë peizazhit klas…

 

54.

Ikën shirat;

Ylberi mbeti pas,

Dhuratë si Kali i Trojës…

 

55.

Yjet mbi valë

Ma djegin shpinën

Si kandilë deti …

 

56.

Lulja mbi pleh,

Predikim pavdekësie

Nga vetë vdekja.

 

57.

Këtë dimër,

Foletë e zogjve

Pubisin e saj më kujtuan…

 

58.

Kopsht dimëror me borë,

Ç’magji në prill

T’i çel lulet ?

 

59.

Ç’zog do të dalë

Nga foleja e hënës

Te plepi ?

 

60.

Xixëllonjat dashurinë

Me dritë divine shprehin

Mbi pllajën blu…

 

61.

Turrnakin turtujt

Tremolat e gjetheve ndizen,

Vrujojnë ujërat…

 

62.

Vjeshtë është në hënë ?

Prandaj shkund gjethe

Mbi lumë ?

 

63.

Sa i trishtë dreri !

Ah, nga brirët, si drurëve ,

I paskan rënë gjethet…

 

64.

Vresht’ i nxirë mbi borë,

Vargjet e tu po këndoj

Tek pi verë…

 

65.

Në fushën me pellgje,

Patat si përrallë zbritën.

Ku është Anderseni ?

 

66.

Vdiq bilbili dhe ra

Duke kënduar

Gjer në fund.

 

67.

Vrizon shiu,

Korija vrungullon;

Në qiell pingërima zogjsh…

 

68.

Korbi s’krrokat,

Si e ngordhur dhelpra;

Gjejeni La Fontenin !

 

69.

Si më erdhi ndër mend

Në det të hapur

Rrugicë e fëmijërisë…

 

70.

Nga kopshti me cikna

Njëherësh ikën zogjtë ;

Ç‘zbrazëti e ç’trishtim !

 

71.

Si dallgë e trazuar

U shkulën nga ujërat

Patat e egra !

 

72

Dielli ,

Tullumbacja që iu iku

Fëmijëve nga duart.

 

73

Kalë i zi i zi

Si i shkrumbuar

Nga rrufetë.

 

74.

Sa i bardhë agu!

Por nata qe e zezë;

S’u ndez llamba e hënës….

 

75.

Mirazhin e ç’qyteti

Po rrokullisin me rropamë

Bubullimat mes reve?

 

76.

Vesë e brymëzuar ,

Fruta pylli të brydhëta,

Zogj dimërorë të hutuar…

 

77.

Heje ngricash dhe myshk

Në pyllin me dritë boreale

Dhe heshtje shurdhuese .

 

78.

Gjithë jetën do ta ndjek

Rënien e gjetheve

Në vjeshtë.

 

79.

Borë dhe erë e ngrirë

Por ja, një detaj:

Zogu që fluturon…

 

80.

Bien gjethet heshturazi;

Së shpejti kështu

Dhe bora do te bjerë…

 

81.

Të trishta

Fytyrat e lulevjollcave !

Por ç’duan praj meje ?

 

82.

Me bizhutë e ylberit në gushë

Në ç’pullaz do të ndalë

Pëllumbesha e dashuruar?

 

83.

Pemë e vetmuar në fushë,

Zog i vetmuar në qiell;

Ku po shkon poeti?

 

84

Mjellmën  që po ulet

Çfarë e krijoi ?

Vallë mjellaza n’ajër?

 

85.

Du Fu, Du Fu;

Si e mori era arin e vjeshtës

Kështu, dufuuu…

 

86.

Herët në mëngjes

Zogu dhe dielli

Lozin në të njëjtën degë.

 

87.

Në luadhin e vesuar

Paskan ardhur

Zogjtë dhe dielli…

 

88.

Pa shih ;

Zabeli dimëror

Qenka mbushur plot yje.

 

89.

Fluturzat e borës,

Fluturat e verës qenkan

Zbardhur nga dimri…

                                          

  1. 90.

Tjegull më tjegull

Shtjerr macja

Lëmshin e diellit.

 

91.

Njera pas tjetrës mjellmat

Futen në liqen;

Dita zbardh…

 

92.

Nëse do të shkruash

Me pendën e mjellmës,

Ngjyeje në liqen…

 

93.

Pylli i vjeshtës shkëlqen !

Nxitoni ta shihni;

Ari i tij nxihet shpejt…

 

94..

Gjethe të kuqe si buzë,

Kujtime  puthjesh

N’erë…

 

95.

Krrokat korbi, bilbili këndon!

Disonancë zemërake ,

Por mua më pëlqen…

 

Farat me flatra të Haikut

Flu flu fluturuan nga Japonia ,

Mrekullisht për të mbir’ në Shqipëri…

 

97.

Mimozat, dielli i thërmuar

Vegim pranveror

Në sfond të pyllit të zhveshur …

 

98.

Mbi gjethet shkel poeti;

Më të bukur se vjeshta

Asnjë tapet s’i shtron dot…

 

99.

Flak’ n’ajër flamingot !

Thua do të shuhet

Kur të cikë ujërat ?

 

100.

Sa shpejt e nxin ditën

Pikëllimi i natës

Në dhjetor !                        

 

101.

Krizantema  të vjeshtës,

Si ju çeli njëherësh

Melankolia !

 

102.

E xixëlluar fusha ,

Gjelat e egër

Perla vese çukisin…

 

103.

N’udhën e shkret’

Dielli djeg,

Si djall ndjek…

 

104

Hëna, frut i pjekur

Shih,si u këput

Dhe,ra n’ujë …

 

105.

Puthen mjellmat ;

Qafat

Bëjnë zemrën…

 

106

Yjet,diejt dhe ret’ vërtiten në qiell,

Mbi arat korbat krrokatin grykshëm ;

Van Gogu, i shqetësuar…