“SHTATORI I GJËMËS SË MADHE”
Me rastin e 25 – vjetorit të atentatit terrorist në Kullat Bibjake të Nju Jorkut, po botojmë një fragment nga romani me të njejtin titull i shkrimtarit Skifter Këlli$i, botuar në vitin 2010 në Shqipëri, në vitin 2022 në Amerikë nën titullin “Disastrous September” nga Llullu Press dhe nën titullin “Disastroso Septembre” vitin e kaluar në Itali. Si$ dihet, midis rreth 3000 viktimave të këtij atentati ishin edhe tre shqiptarë, personazhe të këtij romani .
11 SHTATOR, GJITHNJË MËNGJES, NË ORËN 8. 45 E MË PAS
Besimi ndodhej në kosh dhe po përfundonte së pastruari qelqet e dritareve të kateve të epërme të kullës së parë.
Tisnaja mjegullore po davaritej duke lënë të shfaqeshin kokat e rrokaqiejve të tjerë përreth kullave binjake, të cilat dukeshin sikur atë mëngjes po përshendetnin njera- tjetrën. Nga sipër në tarracën, të mbushur me turistë, disa prej tyre, madje edhe me fëmijë, zgjateshin që të fotografonin Besimin në kosh dhe pamjet magjepsëse që shpaloseshin pas tij nga kjo lartësi.
Mund të kishte vazhduar si zakonisht punën, por Markoja i kishte thënë se, përderisa sistemi elektrik në kullën e dytë nuk kishte përfunduar së rregulluari, ai kishte dëshirë ta zëvendësonte në mënyrë që shoku i tij të bënte një pushim të shkurtër. ”Për dy javë ti do ta lesh këtë zanat një herë e përgjithmonë, ndaj duhet të të mbajmë me kimet”, i kishte thënë. Dhe Besimi ishte bindur.
Mirëpo, kur shtypi butonin dhe koshi dalëngadalë zuri të ngrihej për të arritur në tarracën e katit të 107- të, ku e priste Markoja, ai dalloi nga larg një avion që po bënte drejt kullës. Gjatë tërë atyre viteve që kishte punuar pastrues në Kullat Binjake, kishte parë avionë që kalonin mbi qiellin e Nju Jorkut, por kurrë të fluturonin kaq pranë.
Mos ndoshta piloti po bënte ndonjë demonstrim, mos ndoshta, duke qenë i pirë, kishte humbur kontrollin e avionit që drejtonte, mos ndoshta po bënte një shaka pa kripë? E, pra, nuk dukej avion i vogël, një ose dy vendesh, por avion transporti udhëtarësh.
Edhe Markoja, mbeti i çoroditur kur pa që avioni tashmë po sulej drejt kullës. Lëshoi një britmë, ia bëri me dorë, si t’i thoshte pilotit se kishte gabuar kahje, se po të vazhdonte kështu, do të përplasej me kullën. Ishte një veprim i pavetëdijshëm, se, merrej me mend, se nga një largësi, ende e madhe, piloti as që kishte mundësi ta pikaste atë që vazhdonte të tundte dorën gjithnjë e më shumë.
Por kur avioni u shfaq tashmë aq pranë, si dinozaur parahistorik me krahë të nderë, i gatshëm të mësyjë prenë e tij, kur ai goditi me shpejtësi marramendëse diku në mesin e kateve të kullës, kur ajo u trand, u lëkund, Besimi në kosh dhe Markoja në tarracë, ndonëse larg njeri- tjetrit, e morën me mend se kishte ndodhur diçka që ia kalonte tmerrit, llahtarit, hatësë.
Në çast koshi ku ndodhej Besimi, i cili tashmë po ngjitej me shpejtësi mbeti dhe u tund sa nga e majta aq edhe nga e djathta, sa ai mezi mundi të mbante drejtpeshimin. Shtypi edhe një herë butonin, por më kot. Atëherë kuptoi se qarku elektrik ishte bllokuar dhe ai kishte mbetur i burgosur në kosh, pa më të voglën mundësi që të dilte së andejmi.
Markoja u sul drejt hekurave rrethuese të tarracës, u mbështet mbi to, zgjati kokën dhe pa koshin që ende vazhdonte të tundej me Besimin brenda tij. E kuptoi që koshi tashmë nuk mund të ngrihej dhe se shoku i tij do të mbetej përgjithnjë atje.
Rrufeshëm vrulloi teposhtë drejt ashensorit. Së bashku me të edhe dy – tre punëtorë që edhe ata ndodheshin mbi terracë, së bashku me grupin e turistëve, që shtrëngonin në duar fëmijët e tyre. Ishin kaq të tromaksur sa, duke e parandierë se ç’rrezik i madh i priste, asnjëri nuk shqiptoi qoftë edhe një fjalë. As Markoja. Mirëpo ashensori nuk punonte. Markoja u kujtua se edhe aty ishte ndërprerë qarku elektrik.
– O burra, te shkallët! – briti me zë të mbytur njëri nga punëtorët, kur sinjali i alarmit po jehonte drithtueshëm.
Ashtu bënë të gjithë. Bashkë më ta edhe Markoja, i ndjekur nga turistët, që filluan të flitnin tërë ankth në gjuhët e tyre. Duke u derdhur furishëm nëpër shkallë, ai solli ndërmend se, kështu ishte derdhur edhe Besimi disa vjet të shkuara, kur kishte marrë vesh se në katet nëndhese të kullës ishte hedhur një bombë dhe ashensorët ishin bllokuar.
Shkallët po dyndeshin tani edhe nga punonjës të kateve të tjera dhe burra e gra që sokëllinin të mbërthyer nga paniku e llahtari.
– O zot, ç’është ky, tërmet?
– Jo, më duket se një avion ka goditur anën e prapme të kullës.
– Një avion? Po piloti ku i kishtë sytë?
– Një djall e merre vesh!
– Lërini llafet, të shpëtojmë kokën. Kjo ka rëndësi!
Ata bënin teposhtë e teposhtë, andej nga filloi të vinte një duhmë e rëndë dhe shtëllunga tymi të zi, zunë të ngjitëshin lart, aq sa atyre filloi t’u zihej fryma.
Markoja u ndal në katin e 80- të dhe mori majtas. Vrapoi nëpër mesore, u përplas me disa nëpunës, që u habitën kur panë se ai, në vend që të kriste e t’ia mbathte si ata, po bënte të kundërtën, u rrëzua, u ngrit, u kthye djathtas, u fut në një zyrë, pastaj në një tjetër dhe tutje dritares së madhe të saj pa Besimin brenda koshit që varej pezull. Megjithëse si i kapur në çark po mundohej t’i afrohej dritares.
Atëherë Markoja rrëmbeu një karrike dhe, me sa forcë që kishte, nisi të godiste qelqin e trashë të dritares. Të njejtin veprim zuri të bënte edhe Besimi me shkopin e gjatë, mbi majën e të cilit ishte furça që i shërbente për të pastuar e larë dritaret. Por më kot. Shkopi qe i lehtë dhe i hollë. Ai nuk kishte peshë dhe si pasojë, pas disa përpasjesh në qelqin e trashë të dritares, pjesa e sipërme e tij, u thye.
Besimi ofshani dhe drejtoi sytë nga Markoja që goditi karriken sërishmi edhe më më shumë forcë mbi xhamin e trashë të dritares. Xhami në një moment u kris, u plasarit dhe më së fundi u grimcua në qindra e qindra kokrriza të imta, një pjesë e të cilave u tretën teposhtë dhe një pjesë tjetër e vogël u përhap mbi parketin e zyrës.
– Zgjatma shkopin!- briti Markoja që tashmë ndodhej mbi prevazin e dritares, aq sa po vinte veten në rrezik.
Dhe Besimi ashtu bëri. Markoja i tendosur nderi krahun e djathtë për ta kapur shkopin dhe dorën tjetër e mbërtheu në pjesën prej dërrase të dritares, qelqi i së cilës tashmë ishte thyer përgjysmë. Atëherë, si e shtrëngoi shkopin fort në dorë, e tërhoqi pas vetes e bashkë me të, tërhoqi edhe koshin ku ndodhej Besimi. Sapo koshi preku faqen e murit ku fillonte dritarja, Besimi, me duart të mbështetura në mbajtësen e koshit, u ngrit me të dyja këmbët mbi paretin anësor të tij, u hodh përmes dritares brenda dhomës dhe u shkapet mbi dyshemenë e zyrës dhe atë çast nga goja e tij shpërtheu një rënkim therës.
– Ç’pate? – pyeti Markoja duke iu afruar dhe duke rrekur ta ngrinte.
– Këmba, – rënkoi Besimi, duke u përpjekur të ngrihej. – Më duket se e ndrydha.
– Të ndihmoj unë, – i dha zemër Markoja, duke e kapur për duarsh.
Por Besimi ndjeu se e kishte tepër të vështirë. Sidoqoftë, ishte dëshira për t’u larguar sa më parë që aty, dëshira për të zbritur sa më shpejt poshtë, dëshira për të jetuar, që e hovëzoi, që i dha forca. Ndaj, vuri njërin krah mbi shpatullën e Markos, i cili e mbështolli me njerën dorë në bel, u ngrit më këmbë dhe zuri të çapiste.
Nisën të zbrisnin shkallët e kateve të sipërme, ndërsa shihnin se brinjas u kalonin plot punonjës që derdheshin vrullueshëm nëpër shkallë. Secili për të qenë sa më shpejt poshtë, secili për të shpëtuar nga kjo katrahurë.
Nga dhëmbja që nisi të shtohej gjithnjë e më shumë, Besimi nuk mund ta prekte këmbën e ndrydhur në dysheme e jo më të ecte. Ndaj, duke u mbështetur edhe më fort në në shpatullat e Markos, zuri të përdorte vetëm këmbën tjetër.
Mirëpo, kur po zbrisnin kështu disa kate më poshtë, për njerëzit që vërshonin pas tyre, ata pa dashur u bënë pëngesë.
– Ej, ju, bëni tutje, se kini i zënë tërë shkallën, – u sokëlliu një zë pas tyre.
Të tjerë nuk e zgjatën, dhe i shtynë, aq sa ata për pak nuk u rrëzuan.
– Mbahu mbi shpatullat e mia, Besim, – i tha atëherë Markoja.
– Eshtë e kotë, Marko, – ia ktheu Besimi. – Më mirë më ler mua dhe ik, ik, sa nuk është vonë.
– Në asnjë mënyrë, mik, – ia ktheu Markoja duke tundur kokën.
Dhe kështu, në sheshpushimin e një kati, ai u përkul para Besimit, që i mbështeti duart mbi shpatullat e gjëra të tij. Kësisoj, ata vazhduan të përshkonin shkallët teposhtë.
– Si nuk deshi perëndia që të shkoje me mëngjes në kullën tjetër, ku punon ngahera, – tha pastaj Besimi me dhëmshuri. – Do të kishe shpëtuar nga kjo mënxyrë.
– Ja që kështu ndodhi, – rënkoi Markoja . – Po të bëjmë tani durim e të shpëtojmë së bashku.
Mirëpo, kur po kalonin pranë një dritareje që të shpinte edhe një kat më poshtë, ata panë vetëtimthi një avion tjetër që u përplas me rapëllimë shkundulluese diku mbi kullën dytë, që u përpi brenda kateve të saj të cilat shpërthyen në flakë.
Në çast ata që vazhdonin të vërshënin rrakapjekthi nëpër shkallë, burra e gra, u lebetitën e një grimë mbetën, thua se një avioni tjetër kishte goditur kullën ku ndodheshin.
Besimi ndjeu që shpatullat e fuqishme të Markos mbi të cilat kishte vënë duart, u drodhën; ai u lëkund e mezi u mbajt.
– Atëherë, nuk paska qenë gabim i pilotit që goditi këtë kullë, – mëmëriti ai me zë të përhumbur -Si thua, Besim?
Besimi mbeti një çast pa ditur ç’të thoshte.
– Ke të drejtë, Marko,- iu përgjigj pastaj dëshpërueshëm.- Ky është atentat kundër të dy kullave.
– Po kush e bën këta atentat kush, kush ? Ata ta Al Kaedës?
– Askush tjeter, veç atyre.
Atëherë Besimi pa se si Markoja, edhepse mbante mbi shpatulla peshën tepër të rëndë të trupit të tij, u grahu shpejt këmbëve nëpër shkallë, ku edhe më shpejt po turreshin edhe të tjerë, të tromaksur nga buçimat rëqethëse që kishte shkaktuar goditja e avionit të dytë ndaj kullës tjetër.
Mirëpo këtë radhë, disa nga ata që ndodheshin pas tyre, nuk u bënë më zë që të lëronin rrugën, por në panik e sipër, e dashur pa dashur, i shtynë ata të dy si të mundin. Markoja u rrek të mbahej, por humbi drejtpeshimin dhe u gremis me gjithë Besimin, koka e të cilit u përplas me forcë në parmakun prej hekuri të shkallës. Përplasja qe kaq e fortë, sa gjaku ziuri të buiste nga balli dhë të mbulonte fytyrën e Besimit, që kafshoi buzën e poshtme që të mposhtte një dhëmbje tjetër therëse.
Markoja, ndonëse edhe ai i dëmtuar në njërën dorë, brofi shpejt më këmbë dhe deshi ta ngrinte përsëri Besimin dhe së bashku me të të vazhdonte të zbriste. Por ai vuri buzën në gaz dhe i tha me një fije zëri:
– Tani është e kotë, Marko. Në do të shpëtosh veten, më lër mua këtu dhe vrapo. Vrapo sa të të hanë këmbët, vrapo sa zjarri që duhet të këtë shpërthyer poshtë, të mos kapëlojë shkallët.
– Jo, jo!- briti Markoja, ndërsa lotë nisën t’i teptisnin sysh.
– Marko, – vazhdoi Besimi, kur fytyra tashmë i ishte mveshur nga një nënqeshje e irnosur. – Ti e di mirë, herën e parë më 1993 shpëtova duke zbritur këto shkallë për rreth tri orë e gjysmë. Dhe nuk kisha njeri mbi shpatull, siç më pate ti mua deri pak më parë. Tani, pas kësaj që më ndodhi, nuk mund të më ndihmosh se fuqitë po më lënë. Kështu qenka e thënë, or bir. Ndaj shko, shpëto të paktën veten.
Dhe kur Markoja i mbytur në lotë, nderi duart që ta mbarte, Besimi pati aq forca sa t’i mbërthentë njerën prej tyre e t’i thoshte:
– Lamtumirë, Marko!
Më tepër se një përshëndetje e fundit, ato fjalë i tingëlluan Markos si urdhër. Ndaj ai e zuri Besimin për qafe, e shtrëngoi fort, e puthi mes ngashërimesh dergjeplota, u ngrit, bëri disa hapa, u pendua, deshi të kthehej sërishmi nga ai, por kur pa që Besimi përsëdyti vrazhdë :”Ik sa më parë, Marko!”, u bashkua me turmat që, edhe ato tashmë kishin kuptuar se këto që po ndodhnin në të dyja kullat, ishin pasojë e një bëme djallëzore, të përgatitur enkas, ndaj, të lebetitura vazhdonin të derdheshin poshtë e më poshtë shkallëve, përmes tymit të zi sterrë që dëndësohej gjithnjë dhe më shumë.
Ndonëse rrallë, pati dhe ndonjë që, ashtu si Markoja iu afrua Besimit të përmbysur pranë parmakut, por ai, me sy tashmë të mjegulluar ua bëri me dorë që të vazhdonin të largoheshin.
Atëherë, Besimi nxori nga xhepi telefonin e dorës.
▀
Marta po përgatitej të shkonte, si përherë në punë, kur dëgjoi zilen e telefonit. E ngriti dhe dëgjoi zërin e Besimit. Zakonisht ai rrallë i telefonte në orët e para të mëngjesit, ndaj dhe ajo u habit kur dëgjoi zërin e tij dhe u habit edhe më shumë, kur ai zë ishte më shumë se hija e atij zëri. Një zë i moskësobotshëm.
– Martë, a je vetëm në dhomë, apo me djalin?- e pyeti ai.
– Djali është në dhomën e vet e po sheh një film në televizor, – iu përgjigj ajo. – Po pse më pyet?
– Mbahu si burrneshë, Martë. Kulla ku ndodhem unë ashtu si dhe kulla tjetër binjake, janë goditur nga dy avionë. Mos më pyet më gjatë. Me siguri këtu kanë gisht terroristët e Bin Ladenit.
Me të dëgjuar këto fjalë, ajo nuk përmbajti një klithmë.
– Të thashë të mbahesh si malësore që je!- e urdhëroi ai.
Dhe ajo shtëngoi buzët që i dridheshin.
– Tash më dëgjo me vemendje, – vazhdoi ai.
Kësodore, zuri t’i rrëfente çfarë kishte ndodhur. Pas çdo fjale të tij Marta psherëtinte, ofshante, mbante lotët, gëlltiste këtë ogur të zi që po ia helmonte zemrën, shpirtin, jetën.
– Në besë të besës më ke, – tha pastaj ajo përmes ngashërimesh brengosëse, kur Besimi mbaroi së rrëfyeri gjithçka që kishte përjetuar dhe që përjetonte ato çaste. – Edhe Trimit, tash për tash nuk po i tregoj asgjë…
Por fërgëlloi kur ndjeu se dy duar të vogla e prekën nga pas, dy duar që dridhëtonin, që digjeshin, dy duar që përvëlonin. Ktheu vrulltas kokën dhe pa të birin, Trimin, me sy të rrëmbushur, që nisi të thoshte plot përdëllim:
– Nënë, në televizor shikova se të dyja kullat kishin marrë flakë, kurse ti sapo flisje për mua në telefon e po thoje që nuk do të më tregoje gjë . Me babën po bisedoje?
Marta mbeti e drunjësuar, pa ditur se ç’përgjigje t’i jepte të birit.
Atëherë Trimi, që kuptoi gjithçka, mori telefonin nga dora së ëmës dhe zuri të thoshte me ngashërim:
– Babë, ti më ke vënë emri Trim, ti më ke mësuar që trim të jem gjithnjë! Më thuaj, babë, a je në një nga kullat që po digjen?
Edhe Besimi, ashtu si Marta, u befasua, kur dëgjoi ç’po i thoshte i biri. E pa që ishte e kotë t’ia mbante këtë të fshehtë atij. Në mos tani, ca më vonë, ai do ta mësonte atë.
– Po, bir, jam në kullën e parë.
– Po vimë edhe ne babë, – klithi Trimi me tërë forcën e mushkërive të tij. – Po vimë për të të shpëtuar.
– Është e kotë, bir. Kullat s’do të vonojë e do të shëmben. Mund të shpëtojnë vetëm ata që ndodhen në katet e poshtme të tyre. Prandaj, mbahu dhe ti si nëna jote.
Pas këtyre fjalëve, Trimi, sadoqë u përpoq, u mbyt në lotëri.
– Po burrnohu, Trimi i babës, ti sapo më dhe fjalën, – dëgjoi zërin e të atit, që thuajse po i përgjërohej.
Megjithatë, një forcë instiktive e shtyu djalthin të kapte për dore nënën dhe të bënte vrulltas përpara, duke shpresuar në një fuqi të mbinatyrshme që së bashku me të të dilnin thuajse duke fluturuar jashtë pallatit, ku banonin dhe, po duke fluturuar, të gjendeshin te Kullat Binjake, të gjenin shpejt babain dhe ta shpëtonin. Por qe një feksje e vetëtimtë, një mirazh po aq i vetëtimtë, që erdhi e u shua menjëherë.
Sado i vogël, Trimi, duke ndjekur nga ekrani pamjet gjëmëmëdha, e kuptoi mirëfilli se ç’po ndodhte dhe mbeti, ndërsa e ëma, duke shtënguar buzët që të mos i shpëtotnte prej tyre ndonjë gulçim, e rroku dhëmshurisht..
– Mirë, babë, atë po bëj, – mërmëriti pastaj vogëlushi, duke fshirë me dorën tjetër lotët që i çurkonin faqeve.
– Tani më dëgjo me vemendje, ti me nënën, – vijoi Besimi, ndërsa Trimi me Martën pritnin ç’do t’u kumtonte ai:
– Bir, pas pak ditësh ju do të ktheheni në Kosovë, do të shkoni në Prizren, në qytetin ku kam lindur, ku prindërit më vunë emrin Besim, që të besoj për të ardhmen e Kosovës.. Nuk do të kalojnë një, dy, ose dhe pak më shumë vjet dhe kjo ka për të ndodhur.
– Po babë, ne do ta shohim atë ditë të lume, do ta shohim Kosovën të pavarur, siç më ke thënë shpesh herë ti.
– Ah, sa e bukur është Kosova, bir!…
Ashtu si një vetëtimë që çan qiellin e rënduar nga re të tufanta, të cilat paralajmërojnë stuhi, shtërgatë, ashtu edhe Trimit vetëtimthi iu kujtuan ato fjalë që ati i kishte përsëritur sa e sa herë, qoftë kur shetitnin dhe ai magjepsej nga bukuritë e mahnitshme të Nju Jorkut, nga rrokaqiejtë, ujëvarat gurgulluese e liqenthet që hijeshonin parqet bleroshe, qoftë kur e vinte për të fjetur, ku, veç përrallave, i shushuriste me zë ëmbëlak:
“A don male në Kosovë, bir? Ke për të parë Bjeshkët e Namuna, me majën e tyre më të lartë, Gjeravicën. A don fusha? Sikur të kalosh, qoftë përmes Fushës së Kosovës, ke për t’u mahnitur, kur të ecësh e të ecësh përmes saj e ajo ka për t’u dukur se nuk ka të sosur. Po lumenj? Afrohu në brigjet e Drinit të Bardhë që është më i madhi e që përshkon tërë Rrafshin e Dukagjinit, me pamje që të lenë pa mend. Po liqenet, bir! Më nënën do t’i ngjitesh Malit të Sharrit dhe ke për të parë liqene të vogla me ujë të kthjellët e të kaltërt, si qielli në ditë të bukura pranverë…!”.
– Po, babë, – mezi mundi të belbëzonte pastaj Trimi i ngashëryer. – E ti sa e sa herë më ke folur plot mall për bukuritë e Kosovës e të të jap fjalën që kam për t’i parë, ashtu siç kam për të parë edhe viset e Grudës, ku ku ka lindur nëna…
Ai heshti një grimë dhe priti fjalën e Besimit.
– A po më dëgjon, babë?- e pyeti pastaj.
Por nuk dëgjoi më zërin e tij.
– Babë, babë! – gulçoi pastaj Trimi duke drejtuar sytë plot ankth nga e ëma.
Përsëri heshtje.
Atëherë Marta, mori dorëzën e telefonit nga duart e tij.
– Si je, Besim?- e pyeti, gjithashtu, plot ankth.
Por, në vend të përgjigjes, nga marrësi erdhën buçima, këlthitje, rënkime dhe asgjë tjetër.


















