Nga Frank Shkreli
Fjala në ceremoninë e emërimit të një rruge në Nju Jork, me emrin Fan Noli –
Përshëndetje dhe mirëdita të gjithëve…
Jemi mbledhur këtu sot si individë dhe si komunitet për të kujtuar një burrë të madh të Kombit shqiptar. “Nji ndër njerëzit ma të mëdhej që ka lindur fisi arbnuer. Poet letrar, fletorar, orator, diplomat, themelues i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Ai radhitet në rendin e breznisë vigane të Rilindjes së Kombit, për të cilin u përpoq sa mujti, me vepër e shkrim”. Kështu është shprehur Ernest Koliqi, një tjetër i madh i Kombit, në një shkrim të gjatë botuar në revistën Shëjzat, me rastin e kalimit në amshim të Nolit, në Mars të vitit 1965.
Nuk jemi këtu që si individë të mburremi me pjesëmarrjen tonë. Jemi këtu sot të bashkuar rreth Fan Nolit për të nderuar këte burrë të Shqiptarisë. Jemi këtu si shqiptaro-amerikanë, por me origjinë vijmë nga të gjitha anët e trojeve shqiptare.
Noli na ka mbledhur sot këtu nga Vërmoshi e deri në Gjirokastër. Nga Kosova e lirë dhe e pavarur dhe nga Çamëria martire. Korçarë e labë, mund të ketë edhe arbëresh. Për besë ka edhe shumë malësorë të veriut e të jugut dhe shqiptarë të fushave nga e gjithë shqiptaria. Mesazhi është i qartë! Jemi këtu nga të gjitha anët, ortodoksë, myslimanë e katolikë, nga qytetet dhe fshatrat e mbarë trojeve shqiptare, pa dallim dhe pa urrejtje për të nderuar një klerik të lartë të fesë orotodokse shqiptare, por mbi të gjitha një shqiptar të madh.
Në të vërtetë, nismëtari, promovuesi dhe arkitekti i këtij projekti përbashkues kombëtar dhe i shumë arritjeve të tjera në komunitetin tonë gjatë viteve, është shqiptaro-amerikani katolik nga veriu, i lindur jashtë kufijve aktualë të Shqipërisë, politikani dhe aktivisti i palodhshëm i çeshtjeve shqiptare, shqiptaro-amerikani dhe bashkvendasi im, Z. Mark Gjonaj, i njohur tashti, i botës shqiptare. Thank you Mark for working so hard to make this and other projects for the Albanian-American community a reality and for getting us all together today to celebrate this moment. Thank you!
Falënderimet gjithashtu i shkojnë edhe Federatës Pan-Shqiptare Vatra për ndihmesën e dhënë në organizimin e këtij celebrimi, në nder të themeluesit të saj, Fan Nolit.
Jemi këtu, pra për të kujtuar dhe për të nderuar Fan Nolin dhe veprën e tij në mbështetje të interesave të Shqipërisë dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, përfshir edhe rolin që ka luajtur në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane – një trashëgimi kjo që vazhdon edhe sot e kësaj dite në radhët e këtij komuniteti. “Jepni, Nënën të shpëtoni, Komb e vatra të nderoni. Mbahu, Nëno, mos kij frikë se ke djemtë n’Amerikë”. Fan Noli, 1917
Prandaj, ia vlen të përmendet fakti se kjo ceremoni po zhvillohet këtë vit — siç duket në koincidencë — me 100-vjetorin e marrëdhënieve amerikano-shqiptare, se Fan Noli ishte njëri prej mbështetësve dhe promovuesve më të fortë të këtyre lidhjeve, midis dy popujve tanë.
Jemi këtu për të nderuar Fan Nolin, natyrisht, por jemi të gjithë së bashku, se kështu na e kërkon ndërgjegja, na e kërkon dashuria për njëri tjetrin, si shqiptarë të një gjaku, gjuhe e kulture, dhe si shtetas të lirë të Atdheut tonë të adaptuar — Amerikës. Natyrisht, na detyron edhe dashuria për trojet tona që po zbrazen, fatkeqsisht, dita ditës, por edhe për të ndarë me njëri tjetrin shqetësimet për gjendjen në trojet tona të përbashkëta, sidomos konfliktet e fund midis faktorëve politikë. Mesazhi i Nolit sot për gjithë shqiptarët, por sidomos për ata në vendlindje, do ishte: “O Shqiptarë, Nënës mos ia bëni varrë!” (Noli).
Por, më në fund dhe më me rëndësi, jemi këtu për të celebruar Amerikën tonë të dashur dhe lirinë që gëzojmë dhe që na mundëson ky vend-planet, që në liri dhe pa paragjykime, të nderojmë heronjët dhe të dalluarit e komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara, siç është Fan Noli, pa dallim e pa urrejtje krahinore, fetare ose politike prej askujt — përfshir autoritetet qveritare – por as ndaj njëri tjetrit, as ndaj të tjerëve.
Për 100 vjet Amerika, që nga koha e takimit historik të Nolit me Presidentin Wilson e këndej, iu gjend pranë Kombit shqiptar dhe komunitetit shqiptaro-amerikan, duke na dhënë dorën dhe ndihmën kur kishim nevojë në mbrojtje të interesave tona këtu por edhe mbështetjen e pazevëndësueshme ndaj bashk- vëllëzerve tanë matanë oqeanit. Është një histori e gjatë kjo përpjekjesh ç’prej kohës së Nolit e Konicës, për të shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi në fillim të shekullit të kaluar e deri tek çlirimi dhe pavarësia e Kosovës, në fillim të këtij shekulli.
Ndihmat materiale, mbështetja diplomatike dhe ushtarake e Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë, për Kosovën dhe për shqiptarët, në përgjithësi, nuk kanë qenë kurrë të kushtëzuara ndaj një individi ose partie politike, por bazuar në bindjen dhe besimin e fortë se — megjithë dallimet që mund të ekzistojnë midis shqiptarëve — për arsye historike dhe politike — të gjithë shqiptarët pa dallim, gjithmonë janë shprehur, historikisht, (me përjashtim të regjimit të djallëzuar komunist të Enver Hoxhës), se janë një dhe të pandarë në një miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Fan Noli ka thënë se Shqipëria i ka shumë borxhe Amerikës. Edhe komuniteti shqiptaro-amerikan — i vjetër dhe i ri — i kishte borxh Fan Nolit, një detyrim moral, në të vërtetë që, pjesërisht, shpërblehet sot. Urimet e mia!
Frank Shkreli
Me Z. Mark Gjonaj, realizuesin e këtij projekti dhe shumë të tjerëve në dobi të komunitetit shiptaro-amerikan.
Të nderuar me praninë e e udhëheqsit të shumicës në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Senatorin nga Nju Jorku, Z. Chuck Schumer dhe me diplomatët e Shqipërisë, Ambasadorja në Washington, Zonja Floreta Faber dhe Ambasadori pranë OKB-së në Nju Jork, Z. Ferit Hoxha
.
Kontinngjenti “Iliria”i Policisë së Nju Jorkut
Me klerikët e Kishës Orthodokse – të themeluar nga Peshkop Fan Noli