Frank Shkreli: KRESHNIKU KOMBËTAR DEDË GJO’ LULI – “MALËSORI QË MUJTI” . Në 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë


Përshëndetje të gjithëve…
Si zakonisht, është kënaqësi dhe privilegj për mua që gjëndem përsëri këtu në kryeqendrën e Vatrës historike të shqiptaro-amerikanëve dhe të Kombit mbarë. Ju falënderoj për ftesën për të folur, shkurtimisht — për Kreshnikun e Kombit Ded Gjo Lulin me malësorët, në këtë 110-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë.

E vërtetë se Flamuri i Gjergj Kastriotit – Skenderbeut u ngrit në Vlorë me 28 Nentor, 1912 – dita kur edhe u shpallë Shqipëria shtet më vete. Ky zhvillim i përmasave historike të Kombit shqiptar nuk ndodhi në një boshllëk kohor as nuk ia dhuroi kush shqiptarëve pavarësinë. Shumë sakrifica, luftëra dhe zhvillime ushtarake, politike dhe diplomatike i kanë paraprirë kësaj date historike të 28 Nentorit.

Ndër këto zhvillime ishin dhe luftërat dhe kryengritjet e fiseve të Malësisë së Madhe kundër pushtimit 500-vjeçar të Perandorisë Osmane dhe ngritja e flamurit kombëtar në Deçiq — me 6 prill, 1911 — ku në vend të flamurit turk, u vendos flamuri i Kombit shqiptar – Flamuri i Gjergj Kastriotit- Skenderbeut – për herë të parë në trojet shqiptare – ç’prej kohës së të Përgjithëmonshmit të Kombit Shqiptar – Kryetrimit — Skenderbe.

Po, kush ishte protagonisti kryesor i atyre lëvizjeve dhe cilët ishin ata trima rreth tij, që me veprat e tyre, në fillim të shekullit të kaluar, ndoshta për herë të parë në 500-vjet robëri – shkaktuan përhapjen e një entuziazmi anë e mbanë trojeve të pushtuara arbërore, se shqiptarët mund të ia delnin kundër një perandorie të madhe, siç ishte ajo e pushtuesve otomanë!

Kujt ia merrte mendja se kjo histori pushtimi prej 5 shekujsh, mund të ndryshonte njëherë e mirë. Se më në fund, Kombi Shqiptar po shkruante një kapitull të ri në historinë e tij — drejt një fillimi të lirisë dhe pavarësisë së tij në fillim të shekullit XX.

Kush ishte prijsi dhe cilët ishin këta burra pashkollë – por të zgjuar e të urtë, trima dhe patriotë — qendresa kundër pushtuesve otomanë e të cilëve bëri bujë anë e mbanë Evropës së asaj kohe?

Fjala është për Ded Gjo’ Lulin, të cilin At Gjergj Fishta e kishte cilësuar si “Malësorin që mujti” dhe për “petritat malësorë” të fiseve të Veriut të Shqipërisë. Veprat e tij dhe të malësorëve, mbeten sot e kësaj dite, një akt i madh historik e patriotic që do të kujtohen gjithmonë, (të pakën në sytë e popullit të atyre anëve).

Ata kujtohen me krenari frymëzuese dhe si simbol i paharrueshëm i fuqisë morale të malësorëve dhe të Kombit shqiptar kundër pushtuesve të huaj dhe armiqëve të Kombit, atëherë dhe sot.

Në momentin e duhur historik, malësorët i erdhën në ndihmë Kombit në çastin kur mendohej se raca shqiptaro-arbërore po jepte shpirt, e ndarë dhe e harruar nga bota perëndimore, nga ajo botë ku shqiptarët e kishin vendin – aty ku e kishte para-përcaktuar, historikisht, Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu.

Malësorët e vitit 1911, jo vetëm që, para Evropës, u bënë simboli i Rilindjes Kombëtare për liri e pavarësi të shqiptarëve, por ata ishin edhe zëdhënsit e parë të Kombit që paralajmëruan pavarësinë –e që erdhi një vit më vonë. Në të vërtetë, Ded Gjo’ Luli dhe malësorët e tij, ishin përfaqsuesit e Kombit ata që njoftuan botën se toka e Gjergj Kastriotit, më në fund, kishte zot.

Ismail Qemali e ka quajtur Ded Gjo Lulin, “Pushkë të ngrehur të Shqipërisë.” Lufta serioze e malësorëve kishte gjetur menjëherë ndihmën dhe përkrahjen e Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit dhe patriotëve të tjerë shqiptarë nga mbarë trojet shqiptare. Të inkurajuar nga lufta e malësorve kundër otomanëve, më mendje-ndriturit e Kombit, në atë kohë, shkuan për t’u takuar me Dedë Gjonin dhe bashkpuntorët e tij në (Podgoricë) për të përpiluar Memorandumin historik që, përmbante, ndër të tjera — kërkesat për të drejtat bazë për atë kohë — të Malësorëve dhe të gjithë Shqiptarëve.

Sot, një peticion të tillë, dërguar fuqive të mëdha të kohës, do ta quanim fillimi i “ndërkombtarizimit të çështjes shqiptare”.
Ishin, pra, malësorët ata të cilët në emër të Kombit shqiptar, i parashtruan botës së atëhershme të qytetëruar, kërkesat e tyre për liri dhe pavarësi, aspak ndryshe nga rasti i Kosovës, dekada më vonë – ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës e kemi quajtur, dëshmitarë e pjesëmarrës të cilës jemi. Një lëvizje e prirë me urtësi dhe diplomaci nga Presidenti historik i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Po kush ishin malësorët, bashkpuntorë të Ded Gjo’ Lulit, të cilët nënshkruan Memorandumin e famshëm me kërkesat e tyre dhe të gjithë shqiptarëve, drejtuar perandorisë osmane dhe fuqive të mëdha të asaj kohe?

Mund të jetë hera e parë që, publikisht, lexohen emërat e këtyre përfaqsuesve të fiseve të Malësisë së Madhe në aë kohë, të cilët në emër — jo vetëm të krahinës a fisit të vet — por edhe në emër të mbarë Kombit shqiptar kanë nënshkruar atë që historia e njeh si,“Memorandumin e Grecës”, drejtuar fuqive të mëdha të asaj kohe.

Në Qershor, 1911 u mbajt Kuvendi ku u nënshkrua “Memorandumi i Greçës” me 12 pika nga të parët e Malësisë së Madhe. Emrat, as roli i tyre nuk janë aq të njohur për shumë veta, por unë do i kujtoj sot pasi e meritojnë të kujtohen, duke lexuar emrat e tyre — ndoshta për herë të parë në publik – megjithëse emrat e tyre janë shënuar në artikuj të botuar në atë kohë (siç ishte revista e njohur Leka, Hylli i Dritës e të tjera, para Luftës së II Botërore), por edhe në ndonjë publikim të më vonshëm.

NËNSHKRUESIT ishin: Ded Gjon Luli i Hotit, Sokol Baci i Grudë, Ded Nik Bajraktari-Vukël, Dod Preçi-Kastrat, Tom Nika-Shkrel, Cal Dedi-Selcë, Mehmet Shpendi i Shalës, Gjeto Mark Ujka-Hot, Hil Mosi, Risto Siliqi, Luigj Gurakuqi- përfaqësues të Shkodrës, Lul Rapuka – Vukël, Llesh Gjergji-Nikç, Nik Mhilli-Shllak, Binak Lulashi -Toplanas, Bash Bajrami-Nikaj Mertur, Bec Delia-Dukagjin. Nënshkrues të Memorandumit ishin dhe disa prej meshtarëve të atyre krahinave, në atë kohë, si Pater Karl Prenushi, Pater Mati Prenushi, dënuar me vdekje nga komunizmi enverist, Pater Lorenc Mitroviqi, Pater Sebastian Hila, Pater Bonaventura Gjeçaj dhe Pater Luigj Bushati. (Revista Leka- Vjeti IX- 1937, Memorials des Malisores, Sir Edward Grey).

Siç thashë më lartë, për brezat e rinjë të shqiptarëve sot këta emra janë të panjohur. Mund të jenë edhe të mërzitshëm, të një periudhe të kaluar, por sipas At Gjergj Fishtës këta ishin, “Ded Gjo Luli, që vu sy me vdekë, a Shqiptar i lirë me mbetë — me ata kreshnikë petrita të Maleve të Mëdhaja – burra si motit veç që i bante lokja shqipëtare — bjen në mal, e mbi kaki të Deçiqit ngulë Flamurin e Shqipënisë – kuq e zi: zjarm e dekë, nji be ai rreh, nji be të madhe po, rrreh ai në sy të qiellës e të dheut, se rob Shqiptari për nën themër mizore të Turkut ma kurrë, jo, kurrë nuk do të gjimonte, e as nën themër, t’atij Sllavi të mënijshëm. Me atë be të shugurueshme ngeli në habi Evropa. Cetina u trand, e u dynd tanë pem e mëni Stambolla…dhe Malësori mujti”, ka shkruar At Gjergj Fishta. Malësorët — paraprijës të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë — ia dolën, në krye me Ded Gjo Lulin!

Falë rolit dhe sakrificave të këtyre burrave të Malësisë së Madhe dhe të Kombit shqiptar, në krye me Ded Gjo Lulin, Shqipëria feston sot 110-vjet pavarësi. Por, megjithë arritjet e deritanishme, ëndërra e shqiptarit për të jetuar në shtëpinë e vet, zot i fatit të vet, të bashkuar në demokraci të vërtetë, liri dhe në paqë e siguri me fqinjtë — si pjesë e familjes së madhe evropiane, “I lirë dhe i lumtur”, siç është shprehur Luigj Gurakuqi dikurë– mbetet ende një ëndërrë e pa realizuar për shqiptarët, 110-vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Në këtë 110-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, shqiptari i shekullit XXI, e kërkon realizimin e kësaj ëndërre — për fat të keq të tijin — në dhena të huaja dhe jo në trojet e të parëve të vet. Të parët tanë, si Ded Gjo’Luli me malësorë na dhanë 110-vjetë më parë, atë që prisnin shqiptarët për pothuaj 500-vjet: një Shqipëri të lirë e të pavarur. Prej kësaj klase politike që udhëheq sot shqiptarët, anë e mbanë trojeve të tyre iliro-arbëroro, Kombi dhe shqiptarët kudo që janë, këmbëngulin të kenë diçka më tepër, kërkojnë:

“Një Shqipëni të lumtun”, do të thoshte At Pjetër Mëshkalla, një prift katolik jezuit shqiptar, i persekutuar, si shumë të tjerë, nga regjimi diktatorial komunist i Enver Hoxhës. Shqiptarët duan një Shqipëri të lumtur, që të ndalohet zbrazja epike e trojeve shqiptare, për arsye të politikave aktuale korruptive anti-kombëtare të politikave shqiptare 30-vjeçare: regjimesh autokratike majtiste, pseudo-komuniste. Ka ardhur koha për një ndryshim të madh!

Ka ardhë koha që shqiptarët, e sidomos klasa politike aktuale shqiptare, “Të lidhin besa-besen, të lëftojmë për të drejtat e për nderin e Shqipërisë dhe t’u rrefejmë të huajve se rrojmë e duam të rrojmë me nder në vendin tonë”, ka porositur dikurë ky burri këtu i Vatrës, Faik Konica.

Ka ardhur koha që, më në fund, Kombi shqiptar, Shqipëria dhe Kosova, të distancohen njëherë e mirë nga politikat majtiste sllavo-komuniste dhe nga trashëgimia e tyre shkatërruese që shihet kudo edhe sot – madje edhe në nivelet më të larta politike, shkencore, kulturore dhe historike. Kombi shqiptar ka nevojë për riafirmimin e figurave të tija të ndritura – emrat e disave i përmenda këtu — por edhe shumë e shumë të tjerëve, të cilët historiografia komuniste i ka zhdukur ose anashkaluar nga kujtesa kombëtare.

I përjetëshëm qoftë kujtimi i Ded Gjo Lulit dhe i kryengritësve të Malësisë së Madhe. Gëzuar Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë. I Madhi Zot e bekoftë Kombin Shqiptar në këtë 110-vjetor – një kohë e trazuar për fatin e tij — por me besimin dhe shpresën se drita e agimeve të reja do të shëndritë mbi fatin
e shqiptarëve dhe bashkë me të edhe rrezja e bekimit të Madhit Zot.

Frank Shkreli
Në Vatër, Nju Jork,
27 Nentor, 2022

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here