Ja edhe 6 Marsi erdhi e shkoi. Asgjë nuk zgjidhi në Shqipëri, veçse theksoi edhe njëherë ndasitë dhe përçarjet politike si dhe moskënaqësinë e madhe të shqiptarëve me klasën aktuale politike në vend. Por, zgjedhjet e 6 Marsit treguan gjithashtu edhe njëherë pasqyrën e qartë se çfarë mendojnë shqiptarët për këtë klasë politike që mbizotëron jetën politike në vend për 30-vjet të ashtuquajturit “tranzicion” permanent politik në Shhqipëri. Kësaj radhe, 70% e shqiptarëve as nuk shkuan në vendvotime për të hedhur votën e tyre duke shfaqur me të drejtë urrejtjen e elektoriatit shqiptar ndaj politikanëve dhe gjëndjes së përgjithëshme politike dhe ekonomike në vend. Mos pjesëmarrja e 70% e votuesve shqiptarë në këto zgjedhje është referendumi i vërtetë kombëtar se çfarë mendojnë shqiptarët për këtë klasë politike “post-komuniste”. 30% e zgjedhësve që hodhën votën e tyre në zgjedhjet e 6 Marsit ishin “baza”, që përbën fanatikët partiakë, të cilët votojnë verbërisht partitë, pa marrë parasysh se çfarë i ofrojnë ato shoqërisë shqiptare. 6 Marsi mund të quhet “zgjedhje të pjesshme”, por ama shqiptarët dërguan një mesazh të plot alarmues dhe të pa dyshimtë drejtuar klasës politike dhe ndërkombëtarëve në Tiranë që përkrahin këtë klasë politike: KINI DËSHTUAR! DUHET FILLUAR NGA E PARA! DUHEN ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME TË PËRGJITHËSHME PËR TË SHPËTUAR SHQIPËRINË NGA KATASTROFA! Është e qartë se as partia-shtet që sundon vendin, as “opozita” e përçarë nuk gëzojnë mbështetjen as miratimin nga shumica dërmuese e shqiptarëve. Edhe ndërkombëtarët, po t’ia duan të mirën Shqipërisë dhe jo vetëm përfaqsuesve të partisë-shtet, duhet që të bëjnë këtë thirrje për një ndryshim rrënjësor poilitik në atë vend, me njerëz të ri dhe ide të reja, para se të jetë vonë.
Me këto zgjedhje — megjithë retorikën, ndonëse nuk u duk aq euforike nga drejtues të partisë-shtet për “fitore” — askush nuk fitoi, as partitë, as kandidatët e tyre, as ndërkombëtarët, të cilët ose aktivisht ose në heshtje mbështetën partitë dhe kandidatët e preferuar të tyre në zgjedhjet e 6 Marsit ashtu siç benë edhe në zgjedhjet e 25 Prillit të vitit të kaluar — jashtë rregullave të qarta diplomatike dhe vijave të kuqe që nuk duhej të shkeleshin kurrë. Edhe kjo është një lojë e turpëshme ndërkombëtare, në mbështetje të përpjekjeve të partisë-shtet, me qëllim që të zhdukë opozitarizmin e vërtetë politik në Shqipëri. Por, njëkohësisht, edhenë këtë process u kanë humbur shpresën edhe 70% të shqiptarëve — për një jetë më të mirë, në një Shqipëri vërtetë demokratike e të begatë. Humbje shprese siç pasqyrohet me zbrazjen e Shqipërisë, ndërsa të rinjtë dhe të rejat shqiptare po largohen në masë, nga dita në ditë – pa shpresë dhe pa perspektivë për të ardhmen e atdheut të tyre. FATKEQËSISHT EDHE KËSAJ RADHE HUMBI SHQIPËRIA e fituan fanatikët dhe korrupsioni!
Ka vite që kam parashikuar se Shqipëria po shkonte drejtë një vendi autoritar, madje edhe me miratimin, herë në heshtje, e herë aktivisht edhe nga ndërkombëtarët. Fatkeqësisht, duket se ndërkombëtarët janë të kënaqur me një Shqipëri si Rusia putiniste ose Turqia erdoganiste, ndonëse shumë më e vogël. Sa herë e kam përdorur atë thënjen “E Buono për Albania” — kur thuhej se Italia fashiste dërgonte mjekë e zyrtarë të dorës së dytë në Shqipëri — kur i jam referuar tolerancës ndërkombëtare ndaj dështimeve të vazhdueshme politike dhe ekonomike të klasës politike shqiptare gjatë 30-viteve të kaluara. Mos vallë edhe sot ndërkombëtarët në Tiranë kështu mendojnë, se Shqipëria e sotëme nuk meriton një klasë politike më demokratike më të ndershme dhe më përgjegjëse ndaj elektoratit shqiptar – përfaqësues të zgjedhur me vota të lira e të ndershme, sipas standardeve të botës demokratike? A po ndërkombëtarët janë të kënaqur me një pseudo-demokraci në Shqipëri, e përfaqësuar nga kjo klasë politike aaktuale dhe thonë nën buzë: E buono per Albania! Zot na ruaj!
Shqiptarët duan ndryshimin e madh demokratik. 30-vjtë që presin. E donin këtë dje dhe e duan edhe sot, për një të nesërme më të mirë për ta dhe për fëmijët e tyre. Shqiptarët e dinë se me një “autokraci me makiazh demokratik”, nuk vendoset liria as demokracia — begatia jo se jo. Prandaj 70% e votuesve shqiptarë nuk gënjehen kollaj, as nga propaganda e sofistikuar e qeversisë, as nga media e oborrit të qeverisë e madje as nga diplomatët perëndimorë. Pjesa dërmuese e shqiptarëve ndejtën në shtëpi ditën e 6 Marsit, duke mos dashur të bëhen pjesë e një loje të flliqtë e banale të paraqitur nën maskën e demokracisë shqiptare. Shqiptarët e lodhur tanimë presin NDRYSHIMIN E MADH, por janë të vetdijshëm se ai ndryshim nuk vjen nga kjo klasë politike autokrate, të çimentuar jo vetëm në pushtetin qendror por edhe në radhët e partive dhe në rrethe. Pa demokraci brenda partive nuk ka demokraci Shqipëria!
Po e mbyll këtë reagim timin modest për “6 Marsin”, me një citim të botuar pas zgjedhdjeve të 25 prillit të vitit që kaloi — Frank Shkreli: Diktatura më e rrezikshme, është ajo që, paraqitet me maskën e demokracisë! | Gazeta Telegraf – mbi pasojat e përjetësimit të një regjimi autokrat ose pseudo-demokrat në Shqipëri dhe pse në atë vend nuk mund të ndodh ndryshimi që zakonisht pritet nga zgjedhjet e lira, në një vend normal. Përgjigjen na e jep një i ish-burgosur i komunizmit eneverist, At Pjetër Meshkalla, i cili është shprehur shumë vite më parë, duke iu referuar regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës, se asgjë e mirë nuk mund të vijë nga një pseudo-demokraci, ku “Autokracia me makiazh demokratik, lëshon rrënjë më të shëndosha se sa vetë diktatura e shpallur tek një popull i lodhur e i demoralizuar, i cili bie në prehërin e saj symbyllas”. At Pjetër Meshkalla, ka paralajmëruar në kohën e tij se pasojat e rënda të autokracisë me makiazh demokratik, “janë më afatgjata se ato të një diktature të ligjëruar, mbasi populli i shpresëhumbur gjunjëzohet prej dëshpërimit, duke u bërë një pré e lehtë për despotët e rinjë me grim demokratik”.
Në një shkrim botuar në portalin, “Radi and Radi”, At Meshkalla citohet të ketë thënë se, “duke i lënë kastile të hapura dhe të pa mjekuara plagët e diktaturës, ato do të infektohen dhe shoqëria shqiptare do të gangrenizohet duke u dobësuar dhe ç’orientuar progresivisht, derisa të katandiset në një turmë të hallakatur lypësarësh të nënshtruar.” Për më tepër citohet të ketë shkruar At Meshkalla, “Pseudo-demokracia është një anarshi e organizuar me qëllim që pushtetarët despotë dhe bashkpunëtorët e tyre mëkatarë, të përfitojnë në mënyrë të paligjshme atë që ua ndalon ligji i tyre, fasadë mashtrimi!”
Kjo është arsyeja se pse në zgjedhjet e 6 Marsit fituan fanatikët e partive, por humbi Shqipëria. Humbi se 70% e votuesve shqiptarë refuzuan të votojnë për përfaqsuesit e klasës politike shqiptare të “tranzicionit post komunist”, shqiptar. Një mesazh i rëndësishëm ky jo vetëm për qeverinë aktuale dhe për partitë “opozitare”, por edhe për ambasadat perëndimore në Tiranë që, siç duket vazhdojnë të refuzojnë të përballen me realitetin e një “autokracie shqiptare me makiazh demokratik”, si pengesa kryesore drejt themelimit të një shoqërie vërtetë të lirë e demokratike në Shqipëri, e denjë e një vendi anëtar të Aleancës së NATO-s dhe pretenduese për antarësim në Bashkimin Evropian. Të reflektojnë edhe kësaj radhe — me rastin e zgjedhjeve të 6 Marsit në Shqipëri — dhe, ndërgjegjëshmërisht, të mbajnë përgjegjëse këtë autokraci shqiptare me makiazh demokratik për gjendjen aktuale politike dhe ekonomike në vend. Sepse, “Diktatura më e rrezikshme është ajo që paraqitet me maskën e demokracisë.” Nëqoftse duhet të nxirret një mësim nga të gjithë aktorët politikë shqiptarë, si dhe nga ambasadat perëndimore në Tiranë nga zgjedhjet e 6 Marsit – ai mësim duhet të jetë se një popull i “shpresëhumbur gjunjëzohet më kollaj prej dëshpërimit, duke u bërë një pré e lehtë për despotët e rinjë me grim demokratik”. Mos pjesëmarrja e 70% e votuesve shqiptarë në zgjedhjet e 6 Marsit tregon “një popull shpresëhumbur”, por uroj që ky popull të mos gjunjëzohet para të kësaj të keqe politike që po ia merr shpirtin.
Frank Shkreli