Idriz Lamaj është i njohur si publicist, studiues dhe aktivist i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe njëherazi edhe ish-gazetar i Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe. Publicisti Lamaj është autor i disa librave dhe i një numri të madh artikujsh botuar në gazetat dhe revistat e diasporës gjatë pothuaj në gjysëm shekulli. Veprimtaria publicistike e Z. Lamaj përfshinë punën e tij me gazetën “Shqiptari i Lirë”, të cilën për vite me radhë, Idrizi e drejtonte së bashku me Dr. Rexhep Krasniqin, ish-Kryetarin e Komitetit Shqipëria e Lirë dhe me bashkpuntorë të tjerë të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan. Shkrimet e tija janë botuar gjithnjë në gazetën Dielli të Organizatës Pan Shqiptare Vatra, si dhe në revista dhe botime të tjera të diasporës, sidomos në Amerikë por edhe në trojet shqiptare në Ballkan.
Gjatë një kariere dhe kontributi në fushën e publicistikës shqiptare prej pothuaj një gjysëm shekulli, Idriz Lamaj ka trajtuar kryesisht çështje parimore të interesit kombëtar. Ka mbuluar zhvillimet dhe veprimtarinë e komunitetit shqiptaro-amerikan, për të cilin ai gjithnjë ruan një thesar informacioni në bibliotekën e tij shumë të pasur. Është marrë me analiza dhe ka paraqitur kumtesa mbi marrëdhënjet shqiptaro-jugosllave, mbi marrëdhënjet shqiptaro-greke dhe mbi situatën e shqiptarëve në Kosovë dhe në trojet e tyre në Ballkan, në përgjithësi. Në pothuaj të gjitha shkrimet dhe librat e autorit Idriz Lamaj vihet re një frymëzim dhe dëshirë për të qitë në dritë të vërtetën mbi atë që shkruan, qofshin ata personalitete të jetës politike dhe kulturore të emigracionit shqiptar, me të cilët ai ka patur fatin të punonte ngushtë pranë Komitetit Shqipëria e Lirë, qoftë rreth Vatrës ku ende është aktiv si anëtar i bordit të organizatës më të vjetër shqiptare në Shtetet e Bashkuara, por edhe në angazhime të tjera politike, kulturore dhe shoqërore të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Fati i Idriz Lamajt ishte se atij iu dha rasti që gjatë disa dekadave të punonte dhe të bashkpunonte me personalitetet më të dalluara politike dhe kulturore të diasporës shqiptare në Amerikë, përfshirë Dr. Rexhep Krasniqin, Prof. Nexhat Peshkëpinë, Ingj. Vasil Gërmenjin, Mons. Zef Oroshin dhe me shumë e shumë të tjerë atdhetarë e dashamirës dhe mbrojtës të kulturës dhe interesave shqiptare, personalitete këto nga të gjitha trojet dhe nga të gjitha besimet pa dallim, të cilët shpesh nën rrethana tepër të vështira politike dhe financiare të mërgimit, përpiqeshin që me aq sa kishin mundësi të mbanin gjallë dhe lartë frymën e shëndosh të traditave dhe vlerave të kombit shqiptar. Idrizi ishte gjithmonë me ta dhe pranë tyre duke punuar pa bujë e shpesh unanimisht dhe me modesti, por i vendosur që veç puna të shkonte mbarë dhe në të mirën e përbashkët.
Studiuesi dhe aktivisti i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan, njëkohësisht ka punuar edhe si gazetar pranë Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe ku gjatë viteve përgatiti rubrikën shumë popullore radiofonike, “Shqiptarët e Amerikës”. Idriz Lamaj është autor i shumë librave, dhe i qindra artikujve dhe referateve të mbajtura në raste dhe në përvjetorë të ndryshëm që kanë shënuar jetën dhe veprimtarinë e komunitetit shiqptar në Shtetet e Bashkuara gjatë dekadave. Idrizi, në librat dhe referatet e tija, gjithmonë duke përdorur dokumentacion të dorës së parë, ka prekur çështje me rëndësi nga jeta dhe veprimtaria e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe ka pasqyruar veprimtarinë e shumë prej personaliteteve më të shquara të këtij komuniteti, me të cilët ai ka pasur rastin të punojë.
Para dy javësh më ra në dorë libri i tij më i fundit me titull: “VATRA DHE VATRANËT.” Është ky një historik i veprimtarisë së Vatrës dhe i shumë personaliteteve të komunitetit shqiuptaro-amerikan, duke filluar nga Fan Noli dhe Faik Konica. Besoj se Idrizi është i vetmi që njeh mirë jo vetëm veprimtarinë e organizatës Panshqiptare Vatra, por ai është edhe një personalitet i këtij komuniteti, i cili jo vetëm ka njohur por që edhe ka punuar me dekada me udhëheqës të ndryshëm të organizatës Vatra dhe me një numër të madh intelektualësh atdhetarë për një periudhë prej më shumë se gjysëm shekulli. Andaj, si i tillë, ai shkruan nga këndveshtrimi i një aktivisti dhe pjesmarrsi të drejtë për drejtë në aktivitetet e Vatrës dhe organit të saj, gazetës Dielli. Si njëri që ka ndjekur nga afër jetën e komunitetit këtu pranë Vatrës po se po, por edhe kur ka punuar si zyrtar i Komitetit Shqipëria e Lirë me Dr. Rexhep Krasniqin, Prof. Nexhat Pëshkëpinë dhe me Vasil Gërmenin, përfaqsuesin e komunitetit shqiptar pranë Organizatës së Kombeve të Robëruara Europiane (ACEN) dhe shumë të tjerë.
Në parathënje të librit, autori e informon lexuesin se libri është një përmbledhje e teksteve të disa kumtesave ose referateve, që ai vet ka paraqitur me raste të ndryshme të përvjetorve të Vatrës dhe gazetës Dielli. Autori Lamaj thotë se e shkroi këtë libër me qëllim që t’i paraqesë lexuesit njëfarë historiku të orgnaizatrës Vatra e që mbulon një periudhë prej vitit 1925 deri në vitin 1955. Më konkretisht, shton ai, “jam përpjekur të hedhë dritë mbi arsyet e bashkpunimit të Konicës me regjimin e Zogut dhe të Nolit me regjimin e Enver Hoxhës…ndërsa konfliktet e Konicës dhe të Nolit me krerët e regjimeve në fjalë janë ilustruar edhe me të dhëna nga disa prej letrave të tyre private”, thotë autori.
Ky libër botohet dekada pas ndodhinave, ngjarjeve dhe protagonistëve që nuk jetojnë më, por është një dokument që ve në dukje se autori ka një arkiv të pasur, dhe tregon edhe disiplinën e autorit për të mbajtur shënime të përditshme dhe për të ruajtur korrespondenca e dokumente të tjera gjatë gjithë karierës së tij. Me librin “Vatra dhe Vatranët”, Idrizi i sjellë lexuesit një pjesë të historisë së aktivitetit të Vatrës dhe vatranëve të një periudhe 30-vjeçare, periudhë kjo shumë kritike për fatet e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve nga viti 1925 deri në vitin 1955. Aty ai shkruan për Vatrën e para Luftës së dytë Botërore, mbi kuvendet e ndarjes së Vatrës më dyshë dhe mbi kuvendet e bashkimit të Vatrës; mbi Vatrën gjatë Luftës së dytë Botërore, mbi Vatrën përballë pretendimeve greke ndaj Shqipërisë dhe mbi qëndrimin organit të saj, gazetës Dielli ndaj qeverisë komunist shqiptare dhe ndaj qeverisë amerikane. Autori u kushton kapituj të veçantë Fan Nolit e Faik Konicës, marrëdhënjeve midis tyre si edhe udhëheqseve të tjerë të Vatrës e Diellit, si Refat Gurrazezi, Qerim Panariti, Kost Çekrezi, Petro Kolonja e Nelo Drizari, që ishte gjtihashtu edhe ngarkuari i qeverisë amerikane për të organizuar dhe krijuar Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe në vitin 1943, ndër të tjerë aktivistë të Vatrës. Autori ka përzgjedhur gjithashtu disa thënje të arta nga Faik Konica.
Ai kryesisht ka përdorur gazetën Dielli si burim kryesor por edhe gazeta dhe botime të tjera, si “Albania” e Konicës, për të dokumentuar historikun e Vatrës për periudhën që mbulon. Z. Lamaj përshkruan një periudhë të vështirë për Vatrën, sidomos për periudhën e para Luftës së Dytë botërore, kjo sipas autorit, për arsye të krizës ekonomike në Shtetet e Bashkuara por edhe më tepër për arsye të konflikteve dhe ngatrresave të mbrendshme të organizatës Vatra, përfshirë sidomos grindjet midis Faik Konicës dhe Fan Nolit, por edhe si rrjedhojë e të rolit përçarës që luante Konsullata e Shqipërisë në Boston. Megjithëse dy protagonistët kryesorë të asaj që autori cilëson si “lufta klasike e mendimit të lirë të vatranëve” të asaj periudhe, ishin natyrisht Noli e Konica, autori i librit “Vatra dhe Vatranët” thotë se duhet të merret parasyshë gjithashtu edhe roli që kanë luajtur, ndër të tjerë, Refat Gurrazezi, dishepull i Konicës, Qerim Panariti, dishepull i Nolit, Peter Kolonja e shumë të tjerë. Por, autori thotë se ndonëse “fërkimet politike” midis tyre ishin mjaft serioze, Lamaj nënvijon se dokumentat provojnë se megjith kundërshtimet politike midis tyre, ata në të vërtetë e ruajtën miqësinë dhe respektin për njëri tjetrin në çdo kohë dhe deri në vdekje. Z. Lamaj sjellë një pjesë të fjalimit të Nolit me rastin e varrimit të Faik Konicës në dhjetor 1942, ku ai shpreh respektin e tij të madh duke thënë se vdekja e Konicës, ishte sipas Nolit, “….Humbje me të vërtet’ e tmerruar, se sot po bëjmë nderimet e funtme dhe i themi lamtumirë njërit prej bijve më të shkëlqyer të Shqipërisë. Se Faik Konica, sikundër e dini, ka qenë nga çampionët më të mëdhënj të indipendencës kombëtare; pa dyshim, ka qenë ustaj më i madh i shkrimit të gjuhës sonë dhe veç këtyre, është njeriu që na ka zbuluar flamurin e Skëndërbeut. Ja tre tituj, që nuk munt t’ja mohojnë as kundërshtarët më të egër….”, ka thënë Fan Noli për Faik Konicën, me rastin e varrimit të tij.
Në të vërtetë, megjithë grindjet e këtyre kolosëve, mosmarrveshje që autori i cilëson si “fërkime politike”, ndonëse nga njëherë të ashpëra, ajo që vihet re në dokumetacionin e këtij libri është se këta kolosa më në fund, kur vinte puna tek interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve ata prap se prap, punuan së bashku për të mirën e Atdheut. Është ky një mësim dhe shembëll i mirë për politikanët e të gjitha kohërave. Ky në të vërtetë, mendoj unë, është edhe njëri prej mesazheve me rëndësi historike i këtyre patriotëve e që pasqyrohet në librin e autorit Lamaj, se politikanët shqiptarë madje edhe sot — megjithë ndryshimet, mosmarrvehsjet dhe grindjet e tyre politike — mund të marrin shembëll tek Noli e Konica dhe bashkatdhetarët të kohës së tyre, se më në fund, interesat e kombit duhet të jenë mbi të gjitha, pa marrë parasyshë “fërkimet politike” dhe interesat private dhe partiake.
Një mesazh tjetër i këtij libri, nga këndveshtrimi i autorit, është edhe për të provuar se Faik Konica nuk ishte shërbëtor i Ahmet Zogut dhe as Fan Noli nuk ishte shërbëtor i Enver Hoxhës, duke hedhur poshtë pretendimet e tilla gjysëm shekullore të regjimit komuniste.
Me librin e tij më të fundit, “Vatra dhe Vatranët”, Idriz Lamaj edhe njëherë shpalosë për lexuesin punën shumë të gjatë e të mundimshme por tepër të vlefshme që ai ka bërë gjatë dekadave. Idrizi, të cilin gjithë jetën e kam njohur si një njeri me virtyte të larta njerëzore dhe kombëtare, është një arkiv i gjallë dokumentacionit mbi jetën, veprimtarinë dhe kontributin që ka dhënë komuniteti shqiptaro-amerikan gjatë viteve. Në të vërtetë, autori i palodhshëm dhe me plot pasion për ruajtjen e kësaj trashëgimie të komunitetit shqiptar në Amerikë, kohët e fundit, në një takim me arkivistë nga Republika e Kosovës, Zoti Lamaj u kishte propozuar atyre se ishte gati të bënte kopje të mijëra dokumentave që ai posedon ekskluzivisht e që ndër të tjera përfshijnë mijëra letra, foto e dorëshkrime, për Arkivat e Kosovës, një minjerë e vërtetë ari për hulumtuesit dhe historianët. Idriz Lamaj meriton falënderimin e të gjithëve që e ka ruajtur këtë pasuri kombëtare dhe për faktin se është gati ta ndaj me të gjithë. Vend më të mirë për të strehuar këtë dokumentacion nuk ka se në Arkivat e kombit shqiptar, në Tiranë dhe në Prishtinë.
Përveç kontributit të tij në fushën e publicistikës, Idriz Lamaj mund të jetë personi që ka koleksionin më të pasur të shkrimeve, të botimeve, të revistave, të gazetave që nuk ekzistojnë më dhe të gjithë informacionin që mund ta ketë ndonjë njeri mbi jetën dhe veprimtarinë e imigracionit shqiptar në Shtetet e Bashkuara dhe më gjërë. Një thesar i vërtetë që dokumenton veprimtarinë e diasporës shqiptare në Amerikë, me gjithë të mirat dhe të metat e saja, të pakën gjatë 50-viteve të fundit, të kësaj diaspore, e cila për nga aktiviteti i saj në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar, mund të konsiderohet si më e rëndësishmja në botë. Njëherë më pat këshilluar Idriz atë që ai vet ka praktikuar gjatë gjithë jetës, duke më thënë që çdo gjë shënoje në letër, se vetëm ashtu mbetet dokument i gjallë. Një këshillë e mirë për mua dhe për të gjithë ata që janë të interesuar dhe të pasionuar pas historisë dhe publicistikës. Libri i tij më i fundit, “Vatra dhe Vatranët” është shkruar në këtë frymë, si dokument i gjallë i një periudhe tepër të rëndësishme për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe për fatet e kombit shqiptar. Por duke e njohur Idrizin, besoj se ai e konsideron këtë libër edhe si një borxh ndaj veprimtarisë dhe sakrificave të atyre burrave të kombit, të cilët gjatë gjithë jetës së tyre – megjithse larg Atdheut — nuk kursyen asgjë për të mirën e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve dhe detyrimit të tyre që ata ndjenin për të mbrojtur të drejtat legjitime të kombit shqiptar.