Frank Shkreli:E VËRTETA E REÇAKUT: BARBARIZËM SERB DHE KRIM KUNDËR NJERËZIMIT

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani: “Të kthehemi në Reçak e në çdo vend tjetër ku barbaria serbe la gjurmë tmerri, ta themi me zë të lartë se këtu kanë ndodhur krime kundër njerëzimit, siç e tha ambasadori Walker para njëzet e katër vjetësh; ta dëshmojmë të Vërtetën e Reçakut e të gjithë Kosovës, sepse vetëm e Vërteta ndihmon në ndërtimin e një të ardhmeje të bazuar në paqe.” (15 Janar, 2023)

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti: “Reçaku është një nga dëshmitë kryesore që na kujton rrënjët dhe çmimin e lirisë sonë. Në 24 vjetorin e Masakrës së Reçakut, nderojmë 45 shqiptarët civil të masakruar nga forcat e Serbisë. Ne përkulemi para vuajtjes e sakrificës së njerëzve tanë. Shteti ynë demokratik, nuk i amniston kriminelët dhe nuk i harron krimet e luftës. Populli ynë i është gjithmonë mirënjohës e falënderues Ambasadorit William Walker, për rolin e kontributin e punës së tij për të vërtetën dhe Kosovën.” (15 Janar, 2023)

24-vjetë më parë, me 15 Janar të vitit 1999, në fshatin Reçak, komuna e Shtimes, jo më larg se 30 kilometra në jug të Prishtinës, forcat serbe të diktatorit terrorist të Serbisë, Millosheviçit, vranë 45 persona civil shqiptarë të pafajshëm. Dje, të dielen (15 Janar, 2023) në atë fshat u mblodhën një numër i madh qytetarësh, në një tubim përkujtimor në nderim të viktimave, udhëheqsit më të lartë të Republikës së Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, si dhe Ambasadori William Walker, i cili 24 vjetë më parë i kumtoi botës lajmin e zi të masakrës në Reçak të 45 shqiptarëve. Kosova shënoi 24-vjetorin e këtij krimi kundër njerëzimit, përvjetorin e kësaj ngjarjeje tragjike, e cila konsiderohet si pikëkthesa kryesore e ngjarjeve të mëvonshme në Kosovë, sulmet ushtarake të NATO-s kundër objektivave ushtarake dhe industriale serbe, përfshir kryeqytetin e Sebisë, Beogradin. Ajo ishte një ndërhyrje që më në fund, detyroi largimin e forcave terroriste ushtarake dhe policore serbe nga Kosova, duke i dhënë, kështu, fund luftës në Kosovë.

Ishte ambasadori amerikan Uilliam Uoker, në atë kohë Shef i Misionit Verifikues i Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Europë, (OSBE) ai, i cili në atë kohë, zgjoi nga gjumi letargjik ndërgjegjen e botës mbi barbarizmat që makineria ushtarako-policore dhe paramilitare e Serbisë po bënte në Kosovë, si të donte dhe kur të donte, pa asnjë ndëshkim.

Ambasadori amerikan Uoker ka thënë në të kaluarën se, ato që ai ka parë me sytë e tij në Reçak janë ato që ai i konsideron si prova dërmuese të së vërtetës që ka ndodhur aty. Të vërtetën, që ai i kumtoi botës, në atë kohë, se forcat ushtarake, policore dhe paramilitare të Serbisë — kishin kryer masakra dhe krime të rënda kundër njerëzimit ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës. Pasi kishte parë kufomat e shqiptarëve të vrarë në Reçak, Ambasadori amerikan e ka dënuar masakrën si një “barbarizëm të pabesueshëm”, ndërsa i ka cilësuar vrasjet në fshatin Reçak si, “një krim kundër njerëzimit”, duke i thënë në atë kohë gazetës amerikane “Nju Jork Tajms” se, ”nuk dëshironte të hezitonte asnjë minutë që të akuzonte, drejtpërdrejtë, forcat qeveritare serbe si përgjegjëse të kësaj masakre”.

Deklarata e ambasadorit Uolker bëri jehonë anë e mbanë botës, në atë kohë, por shkaktoi reagime të ashpra, sidomos, në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë. Ish-Presidenti amerikan Bill Klinton ka reaguar atëherë ndaj deklaratës së ambasadorit Uolker duke thënë se: “Masakra e Reçakut, ishte një akt vrasës i qëllimshëm dhe pa dallim, që synonte të frikësonte popullin e Kosovës”.

Ndërsa ministri i Jashtëm i Gjermanisë gjatë shpërthimit të krizës në Kosovë, Joschka Fischer duke folur në emër të Bashkimit Europian ka thënë, pas zbulimit të masakrës në Reçak nga ambasadori Uoker, se: “Ata që janë përgjegjës për këtë akt, duhet ta dinë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të pranojë kurrë masakrimin brutal dhe vrasjen e popullsisë civile”.

Masakra e shqiptarëve civilë nga forcat serbe në Reçak ishte vetëm një nga sulmet e forcave terroriste serbe kundër popullsisë shqiptare të Kosovës gjatë atyre viteve, për të cilat bota nuk ishte e informuar. Por, më në fund ka qenë deklarata e ambasadorit Uilliam Uoker, si dëshmitar okular i masakrës në Reçak, ajo që më në fund bëri jehonë në median botërore dhe si rrjedhim shkaktoi një ndryshim të dukshëm të politikës së vendeve perëndimore karshi gjendjes në Kosovë dhe njëkohësisht, shërbeu si një katalist për ndërhyrjen eventuale të NATO-s, për të dëbuar forcat serbe nga Kosova. Gazeta e kryeqytetit amerikan, Uashington Post, shkruante në prill të vitit 1999 se pas një shqyrtimi të vendim-marrjeve në Shtëpinë e Bardhë dhe në kryeqendrën e NATO-s në Bruksel, shihet qartë se masakra e Reçakut transformoi politikën e Perëndimit ndaj Ballkanit si asnjë ngjarje tjetër më parë. Masakra e Reçakut, sipas gazetës “Uashington Post”, bindi qeverinë amerikane dhe aleatët e saj në NATO se, politika e tyre e ndjekur deri atëherë duhej të ndryshohej fund e krye.

Politika amerikane ndaj Kosovës, deri atëherë, bazohej në atë që njihet si “Paralajmërimi i Krishtlindjeve”, një telegram prej një fjalie që administrata e Presidentit Bush të parë i kishte dërguar Millosheviçit më 24 Dhjetor 1992, vija e kuqe, e që ishte një telegram shumë i shkurtër dhe pa stërhollime, por tekstualisht përmbajtja e tij u citua nga “Uashington Post”, të ketë qenë fjalia që vijon: “Në rast të një konflikti në Kosovë, që shkaktohet nga ndërhyrja e Serbisë, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe brenda Serbisë”. Ky kërcënim u përsërit disa herë edhe nga ish-Sekretari i Departamentit të Shtetit Uorren Kristofer, në mandatin e parë të Presidentit Klinton, por deri në masakrën e Reçakut mbeti vetëm një kërcënim në letër. Ishte pra masakra e Reçakut dhe dëshmia e një ambasadori amerikan, mbi këtë tragjedi, tragjedinë që kishte parë në atë fshat ambasadori Uoker, që zgjoi, më në fund, ndërgjegjen e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në NATO, por edhe të botës mbarë, e cila bëri që paralajmërimi kërcënues i administratës së Xhorxh Bushit të parë, me rastin e Krishtlindjeve të vitit 1992, më në fund të zbatohej.

Si përfundim, më 13 tetor 1999, për herë të parë në historinë e saj, organizata e Atlantikut Verior, NATO autorizon komisionin ushtarak të saj që të fillonte planifikimin për ndërhyrje ushtarake në Kosovë. Shpesh mendoj me vete, po të kishte qenë në atë kohë në Kosovë ndonjë përfaqësues tjetër nga ndonjë vend europian e jo Uilliam Uoker, si Shef i Misionit Verifikues i Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Europë, çfarë do të kishte ndodhur me rrjedhat historike të Kosovës dhe me të VËRTETËN e Reçakut? A do kishte pasur një përfaqësues tjetër fuqinë dhe ndërgjegjen morale që të shkonte e të vërtetonte vet se çka kishte ndodhur në Reçak. Ose çfarë do të kishte ndodhur në qoftë se ambasadori Uoker nuk do të kishte shkuar fare për të parë vetë me sytë e tij tragjedinë në Reçak. Unë besoj se, si rrejdhim, do të kishte pasur masakra të tjera si ajo e Reçakut, anë e mbanë Kosovës dhe askush nuk do të dinte gjë për to, sot e kësaj dite. Ambasadori Uoker kollaj mund të kishte shkruar raportin nga një zyrë e ngrohtë në Prishtinë e ta dërgonte në Vjenë, duke informuar OSBE-në se, ‘sipas raporteve thuhet se ka ndodhur një tragjedi në Reçak, por rrethanat dhe hollësitë nuk dihen’. Dhe me aq ai e kishte kryer detyrën e vet.

Por jo! Ai si diplomat i regjur e me përvojë, e ka ditur se një raport i tillë nuk do të kishte pasur kurrë efektin që do të kishte dëshmia e tij e gjallë, duke vajtur vet në vendin e ngjarjes tragjike në Reçak, duke e bërë kështu më të besueshme deklaratën e vet mbi masakrën që kishte parë në atë fshat.

Andaj në këtë 24-pëvjetor të atij krimi të shëmtuar nga forcat kriminele serbe, të kujtojmë, natyrisht, me respekt dëshmorët dhe martirët e rënë të Reçakut në solidaritet me familjet e tyre, por njëkohësisht, të mos harrojmë as diplomatin amerikan, ambasadorin Uilliam Uoker, i cili me guximin dhe kurajon e tij zgjoi ndërgjegjen morale të botës, e cila falë dëshmisë së tij, u njoh për së afërmi me barbarizmat që po bënte Serbia, me dekada në Kosovë, kundër shqiptarëve dhe më në fund, bëri që NATO të vendoste që të ndërhynte për t’i ndaluar masakrat serbe kundër shqiptarëve, duke ndërmarrë sulme ajrore kundër Serbisë dhe forcave të saja në Kosovë.

Të rënëve, Zoti u faltë paqën, familjeve të dëshmorëve, Zoti u dhashtë forcë! Ndrësa mikut tonë, Ambasadorit Uilliam Uoker — i cili për shumicën e shqiptarëve kudo, ka lenë gjurmë të thella dhe vulë të pashlyeshme në historinë e Kosovës dhe të mbarë Kombit shqiptar — Zoti i faltë jetë të gjatë dhe shëndet, ashtuqë të dëshmojë të VËRTETËN e Reçakut për një kohë të gjatë!

Rroftë ndër shekuj, Kosova e pavarur, e lirë dhe demokratike!

Frank Shkreli

Fotot nga tubimi përkujtimor janë marrë nga portali i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ku mund të shikoni edhe foto të tjera nga ky përvjetor përkujtimor

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here